Harta e re territoriale me 61 bashki / Afatet përjashtojnë mbajtjen e referendumeve

0
209

Florenc Drizari

Ish kreu i KQZ Kristaq Kume: Nëse do i referohemi Kushtetutës së Shqipërisë dhe kodit zgjedhor, mundësia për të realizuar një referendum lokal është i pamundur të behet

 

korca

Mbajtja e referendumeve lokale dhe kombëtare kundër reformës administrativo-territoriale, të pretenduar nga disa përfaqësues të opozitës si dhe nga disa të zgjedhur vendor të cilët u prekën drejtpërdrejtë nga reforma e qeverisë, duket se bëhen të pammundura për shkak të afateve kohore dhe procedurave që duhen ndjekur për një proces të tillë. Ndërsa pritet ende përgjigja e Presidentit të Republikës për dekretimin apo kthimin e reformës administrativo-territoriale, zgjedhjet lokatë të 2015 duket se bëhen shkaku kryesor që të përjashtohet mbajtja e referendumit lokal.

Sipas ish-kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, pretendimi i disa njësive vendore për referendum lokal, është i pamundur. Ai shpjegon se referendumet lokale nuk kanë fuqi për të atakuar një ligj.  “Nëse do i referohemi Kushtetutës së Shqipërisë dhe kodit zgjedhor, mundësia për të realizuar një referendum lokal është i pamundur të behet, pasi ato bëhen për qasje të qeverisjes vendore dhe jo për të atakuar një ligj apo pjesë të një ligji. Kjo mund ë realizohet vetëm përmes një referendumi popullor, i cili kërkon mbledhjen e 50 mijë firmave”,-tha Kume për Neës24.

Ish-kreu i KQZ-së argumetoi edhe përjashtimin e një mundësie për një referendumi popullor, para zgjedhjeve lokale të 2015.

“Nëse mbajmë parasysh afatet ligjore të vendosura në pjesën e kodit zgjedhor ku trajtohen këto çështje është e pamundur të realizohet vitin që vjen, por ai mund të organizohet pas zgjedhjeve vendore, pasi kërkesa duhet të bëhet brenda 15 marsit të vitit që vjen dhe në një vit zgjedhor nuk mund të realizohen referendumet e përgjithshme”,-deklaron Kume. Gjithashtu eksperti i zgjedhjeve shprehet se struktura piramidale e administrimit zgjedhor duhet të ketë një hallkë tjetër shtesë.

Sipas tij shkurtimi drastik i njësive të qeverisjes vendore, prek procesin e administrimit zgjedhor. Për këtë arsye ai sugjeron se ndarja e re territoriale duhet të shoqërohet me ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

“Hartimi i një harte të re, afekton procesin e administrimit zgjedhor. Ndaj reforma zgjedhore duhet të nisë menjëherë me nisjen e sesionit të ri parlamentar, pasi në kodin zgjedhor duhen të pasqyrohen ndryshime në funksion të rekomandimeve të dhëna nga vëzhguesit vendor të OSBE OHDIR, por edhe pse zgjedhjet e ardhshme do të zhvillohen në bazë të hartës së re. Ndryshimet në krahasim me hartën e mëparshme janë të mëdha, gjë që mbi të gjitha kërkon ndërhyrje në Kodin Zgjedhor veçanërisht dhe domosdoshmërisht në pjesën e administrimit të procesit, Jemi në kushtet kur zgjedhjet do të bëhen për 61 njësi”,-thekson Kume. Aktualisht mazhoranca lidhur me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pritet të ndërmarrë disa nisma në fillimet e sesionit parlamentar të vjeshtës, duke filluar me përbërjen e trupës zgjedhore si dhe me legjislacionin që do të rregullojë zgjedhjet e ardhshme për pushtetin vendor, duke reflektuar këtu edhe ndryshimet që iu bënë hartës së re administrative të vendit.

 

 

Vendorët demokratë: Referendum për ndarjen territoriale në Lezhë

“Ndarja e re territoriale është antikushtetuese dhe ne do mbajmë një referendum.” Ky vendim është marrë gjatë një mbledhjeje të krerëve vendorë demokratë pak ditë më parë në Lezhë. Kreu i komunës së Shëngjinit, Salvador Kacaj e ka cilësuar të papranueshme heqjen si bashki të Shëngjinit, duke theksuar se askush nuk është pyetur për ndarjen e re territoriale. “Qeveria shqiptare sot ka një prioritet. Kanë ardh 215 delegacione në Shëngjin, natyrisht gjysma më tepër duke u tall duke hëngër peshk, për portin e ri të Shëngjinit. Qeveria shqiptare nga njëra anë thotë do bëj një port që është më i madhi në Ballkan, nga ana tjetër e fshin Shëngjinin nga harta. Ky është një handikap që nuk shkon, nuk ka asnjë lloj lidhje, asnjë bazë as ligjore as njerëzore. Natyrisht ne do t’i shkojmë popullit shtëpi më shtëpi. Duhet të pyetet populli, i cili nuk është pyetur. Përveç atij ministrit gangster me favorite, nuk e di si quhet ai, që i ka rënë nja dy herë telefonit por nuk jam përgjigjur. Do të përpiqemi që tu kërkojmë qytetarëve që të bëjmë një referendum siç e thotë ligji.”- deklaroi Kaçaj.

 

PD: Shteti shqiptar kishte gjithë faktet në favor për të fituar ndaj CEZ

Opozita vijon akuzat në drejtim të Kryeministrit Edi Rama lidhur me kontratën ndaj CEZ, duke thënë se në mungesë të plotë të transparencës, hoqi dorë nga arbitrazhi. Deputeti i PD-së, Sherefedin Shetu tha se sipas të gjithë rrethanave dhe fakteve, ky konflikt ishte potencialisht i fitueshëm nga shteti ynë, çka do të thotë sipas tij se shteti mund të merrte 3 miliardë dollarë nga CEZ. “Jo sic bëri kryeministri, që jo vetëm ia fali kompanisë këto borxhe, por i dha në dorë edhe 95 milionë euro. Qeveria shqiptare hoqi dorë nga arbritazhi ndërkombetar, edhe pse raportet e konsulenteve tanë faktonin se CEZ ishte në thyerje të plote të kontrates se privatizimit dhe se Shqipëria mund të kerkonte pranë gjykates së arbitrazhit nderkombetar deri në 3 miliardë dëme të shkaktuara nga kompania CEZ. Për të vlerësuar profesionalisht pretendimet e palëve, qeveria shqiptare mori si konsulente, të mirënjohurën BDO, kompania e pestë në botë, e specializuar për situata të konfliktit tregtar në sektorin energjetik. Kjo kompani, është prezente ne 144 vende, ka 1200 zyra dhe punëson 56 mijë punonjes. Raporti i përgatitur nga BDO, dhe i pranuar zyrtarisht nga qeveria shqiptare në shkurt 2014, tregon faktin se pretendimet e CEZ mbi qeverinë shqiptare sipas kalkulimeve të saj nuk janë me shume se 360 milionë euro. Raporti shprehet gjithashtu se “…këto pretendime janë të pajustifikuara, shpeshherë mbivendosen dhe nuk shoqërohen me dokumentacionin përkatës…”,-deklaroi deputeti i PD-së, në një deklaratë për mediat paraditen e së shtunës.