Ah! në këte botë të madhe, vetëm unë e ti

0
287

Frederik Rreshpja

man-with-a-feather-1943 Lucian Freud per faqen e poeziseDy poetë që jetuan në të njëjtën epokë, te cilët krijuan me një ngazëllim himnik, duke ndjerë të dy humbjen, dhimbjen, vetmi unike e në të njëjtën kohë duke mos lëshuar bukuritë prekësë në vargjet e tyre. Njëri konsideruar poet i kalibrit evropian Frederik Rreshpja, dhe tjetri me realizmin e zymtë, Pano Taçi i sjellim në këtë bagetë poezish

 

                               Mos e mallko me ndarje këtë natë

Mos e mallko me ndarje këtë natë!

S’duhet të ndahemi në këtë peizazh me ere,

Nën këto re të qiellit rrënojë.

Argjendi i dhembshur i këtij peizazhi.

Në shpirt si medaljon do të të rëndojë.

 

Se në ditët me të trishtuara

Të kam mbrojtur nga pikëllimi i qiejt me shi.

Dashuria ime mund të bëhej çati e tërë botës.

E çdo vjeshte. E çdo stine.

 

Jam i trishtuar. Trëndafilat e tu.

Më mbetën në duar si plagë

Dhe perëndimi rend pas mollëve me pishtar

T’i vërë flakën kësaj nate.

 

Ndoshta do të kthehesh një ditë,

Por pas mollëve e viteve,

Atëbotë perëndimi do të ketë djegur çdo gjë.

Ah! në këtë botë të madhe, vetëm unë e ti

Nuk do të jemi të lumtur me…

 

                         Zemra ime!

Në asnjë dorë të botës nuk më zë gjumi.

Isha mësuar me kokën në duart e tua.

E ke ditur që kam diçka nga deti;

Breg me breg dhe gjumi s’më zë.

 

Dua të shtrihem dhe të vdes

Por vjen ti dhe nga balta më ngre:

Kur male te tërë dot s’na ndanë,

Si do na ndajnë dy grushta dhe?

 

Ah, isha mësuar me kokën në duart e tua;

Tani edhe brigjet më gjumi nuk i zë.

 

         Për një vjollcë

Çeli vjollca e vogël mbi gurishte

si një ylber mbi planetë të panjohura

 

Kështu kam ëndërruar edhe unë dikur

të bëhem ylber mbi akuafortën e kohës vizatuar egër

po tërë ato që thashë

u tretën në kujtesën e palexueshme të ajrit.

 

Më me fat janë perënditë

që kthehen tek toka të skalitur:

 

Ti s’ke për t’u skalitur kurrë

e veç ndoshta në kujtesën e palexueshme të ajrit

 

Ky qe fati yt prej ylberi

me një kryq shiu te koka

Por fati sundon tërë popujt e zotave

të shumtë si rëra,

vjollcë e vogël, o shpirt.

 

   Qielli i djalërisë

Qielli i djalërisë në sqep të një zogu

Ra mbi korijen me përralla;

Nga kashta e kumtrit bie dhe bie

Tërfili i artë i qiejve.

 

Kambanat e yjeve lëkunden me hare

Prerë nga hëna e majit.

Qielli i djalërisë në sqep të një zogu

U zhduk pas portës së ylbereve.

 

Zhduket pas portës së ngjyrave djalëria

Dhe mua trishtimi më mbulon

Nën një hënë që nuk di të buzëqeshë,

Në një botë qe nuk më kupton.

 

  Poeti në shkretëtirë

 

Absurditetet pa asnjë mesazh për TV-të e botës.

Rallë ndonjë re, arratisur nga kopeja e reve

Ikën e hutuar nga peizazhi arabik.

 

Ai rri aty me kokën në duart e shkretirës.

U bënë me dorë avionëve.

Pret një dallëndyshe që s’ka për të ardhur kurrë.

 

     Rri sonte te unë

Hëna mbi lumë vizaton

Një urë për ëndrrat e yjve;

Reja gri, si mall i harruar

Vë kryet mbi duart e pyjeve.

 

Ti erdhe nëpër udhën e hënës,

Çeli gonxhe edhe pragu i portës.

Rri sonte te unë

Sa të bëhen trëndafilat e drurëve të vdekur!

 

Pano Taçi

Mike, mos ma lexo dhembjen!

 

                          Nga ç’qiell ra

Të jetë vegim apo ëndërr,

ç’më rri gjallë thellë në sy,

nga qielli ra ajo femër,

që më shkoi pranë si perri?!

 

Bëra që t‘i flas me emër,

Por ç’i thonë nuk e di,

dëgjova një zë në zemër,

më tha i thonë dashuri.

 

                   Fluturidhë

Bëj ta zë belkëputurën,

hidhet dridhet teksa shkon,

për shoqe na ka fluturën,

ndaj larg meje fluturon.

 

S‘di ç‘të bëj, dora s‘ma kap,

ç‘dorë mund ta bëj zap erën?

Sa bëj ta zë miken vrap,

thashë ta lë të qetë mëshqerrën.

 

Tek përndrit si hënë e plotë,

shpirtin krejt ma hënëzon,

Me mua pse qesh e lot,

nga gjumi ëndrrën ma zgjon.

 

Gjakut prush mi kall në vena,

 

Ç’i rashë pas më kot u lodha,

Ç’ka që mi kursen belholla,

Ç’i erëmojnë pa sutjena,

Cicat si dy kokrra molla.

 

                   Ruspa

Vjen e ikën si një hije,

Pres, Rruspa se ma qan hallin,

E gatuara me shije,

në shpirt zgjuar ma lë mallin.

 

Për ato dy kokrra pjeshka,

në gji, lëng më lëshon goja,

Të më blinte arixheshka

dashnor, më shumë ç‘i doja.

 

Jo që s’do t’ia dijë femra,

Më huton tek shkon si ngjalë,

ç’na lë të na dridhet zemra,

ç’na i ngrin buzës çdo fjalë.

 

Vjen e ikën si një si një hije,

ç’është me ty a nuk më thua?

Ai hap tek hedh plot shije,

Më bëhet se më shkel mua.

              Ethe vejusheje

Tek rrjedh lumi buzë bregut,

Hëna kuvendon me lisat,

Romen shoh që pushton shelgun,

Të shuaj zjarrin që i hanë sisat.

 

S‘e zë gjumi, akull shtrati,

Për ç‘u bë romja vejushë,

Me që s‘vjen ta joshë kurbati

Pushton shelgun, ç‘digjet prush.

 

                 Qeni i stanit

Trupzeshkania në lumë,

Hyn cullak trupin ta lajë,

Romi pret ta shtijë mbi kum,

Për kalorës ajo ta mbajë,

 

Tek i merr erë fustanit,

Për ç‘i djeg shpirti ciganit,

Mendon t‘i hyjë në shtëpi,

Ç‘fle cullak brenda jorganit.

Duhet vratë qeni i stanit,

Te dera roje ç‘irri.

                  Mos ma lexo

Mike, mos ma lexo dhembjen

në buzëqeshjen time.

nuk dua t’ua bëj mbrëmjen

t’iu mëkoj trishtime.

 

Mos m’i lexo sytë e thellë

tek rrijnë në humbëtim.

një dëshirë mallim ua ndjell

ç’më do ky shpirti im.

 

Mos më thuaj, se u bësh së gjalli

për ty pa pritur, unë.

pa pritur ma erdhi malli

që më ka djegur shumë.

 

Jetë morri

Kur tokës, iu zvarita si morri mbi kuriz,

poshtë këmishës me arma më gjeti mua;

tek kruhej, kur pickoja e bëja ta gudulis,

më zu e me gas më vuri mbi thua.

 

Bëri të më shtypte, e s’më shtypi dot.

lëkurën koha ma kish bërë prej guri.

morr i uritur, kyçur në qeli të ndotë

bënë çmos të ma shtronte lëkurën druri.

 

E tani, morr i plakur, them të bëj gjumë.

e ç’lëkurë me plagë që kisha tej i hodha.

poshtë këmishës së tokës, u lodha shumë,

më shumë se ç’duhej, nëpër zhele u lodha.

 

Do shtrihem t’i kyç sytë e mi të vrarë,

nga pagjumsia. Do fle pa andralla.

kujdes, mos më zgjoni nga gjumi me të qarë

se loti do m’i djeg të lodhurat kokalla.

 

Kujdes, ngrihem e ju tremb vurkollak

si skelet golle pa asgjë përbrenda.

të tjerë shushunja tokës i pin gjak,

unë q’e giciloja të qeshte, iu rënda.

 

Si morr pa ngjyrë që zvarë, zvarë shkon

nën këmishën e palarë të tokës, ku më vunë

te sqetulla e saj ku djersa i kutërbon,

më bëri të jetoj me përdhunë

nga që e bëja të kruhet.

Do shkoj të shtrihem të bëj gjumë

O soi im i morrit, u lodha shumë,

më shumë se ç’duhet.

 

Duke gicilisur tokën plakë:

kam cimbisur helm e jo gjak.