Pas vrasjes së Michael Brown në mediet e SHBA zhvillohet një debat për racizmin në media. Edhe në Gjermani tekstet, pamjet filmike më tepër çimentojnë klishetë të minoriteteve etnike, në vend që t’i godasin minoritetet.
Që kur javën e kaluar adoleshenti afroamerikan Michael Brown u vra në qytetin e vogël Ferguson të shtetit Missouri, ka herë pas here demonstrata dhe përleshje në periferitë e St.Louisit. Dhe në të gjithë vendin diskutohet për një temë, që i shoqëron SHBA që prej krijimit të tyre: racizmi edhe racizmi në raportimin mediatik pas incidentit.
Shkas për këtë u bë ndër të tjera afroamerikani Tyler Atkins. Në shërbimin e Twitterit ai publikoi një kundërvënie të thjeshtë të dy fotografive: njëra nga dy fotografitë e tregon 17 vjeçarin Atkins si të ri të shpenguar, me T-shirt të zezë dhe me shami në kokë, tjetra si të ri serioz, me kostum të zi dhe me saksofon. Pyetjes “if they gunned me down” (“Po të më kishin vrarë”), “cilat pamje të miat do të tregonin më pas mediet”, mijëra vetë iu përgjigjën me fotografi të ngjashme. Ato tregojnë si lindin paragjykimet dhe si çimentohen ato, pikërisht nga mediet. Kudo në botë, jo vetëm në SHBA.
Refugjatët në mediet gjermane: të zinjtë
Edhe Tahir Della e njeh pushtetin e pamjeve mediatike. Della është anëtar i “Iniciativës Njerëzit e Zinj në Gjermani” dhe përpiqet që ta sensibilizojë opinionin për klishe raciste në gazeta, televizion dhe internet. “Njerëzit e zinj shpesh ende shihen të lidhur me kriminalitetin e drogës, ose migrimin legal dhe mediet e transportojnë herë pas here këto pamje”, ankohet Della në intervistë me DW. Kur gazetarët raportojnë për refugjatët, ata i ilustrojnë raportet e tyre thuajse krejtësisht me pamje të të zinjve nga Afrika. Por numri më i madh i refugjatëve nuk vjen fare nga Afrika, deklaron aktivisti, vetëm se të zinjtë përshtaten mirë me përfytyrimin, që kanë shumica e gjermanëve me refugjatët.
Kombinime diskriminuese
Edhe gazetarja Konstantina Vassilliou-Enz tërheq vëmendjen për pamje dhe formulime stigmatizuese në mediet gjermane. Kështu moderatorja e radios dhe drejtuesja e shoqatës “Neue deutsche Medienmacher” (“Profesionistët e rinj të medias”) i paralajmëron kolegët e saj që të mos krijojnë lidhje të gabuara, duke përmendur origjinën e një personi, megjithëse ky detaj nuk ka rëndësi për atë, që thuhet. “Në raportimin për kriminalitetin kjo del veçanërisht në pah. Persona, që kryejnë akte penale, dhe të cilët nuk janë gjermanë, në këtë raportim shpesh përmenden me sfondin e tyre etnik. Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me Ahmed H. nga Këlni, por me turkun Ahmed H.” Që përmendet tipari turk, i jep këtij fakti rëndësi. Rasti i veçuar shihet automatikisht si tipik për grupin, thekson Vassilliou-Enz në bisedë me DW dhe kjo formëson edhe perceptimin e mëtejshëm.
Kërkohen standarde profesionale
Të njëanshme dhe të reduktuara janë edhe raportet për migrantë nga Rumania dhe Bullgaria me fjalë dhe pamje, thotë Vassilliou-Enz. Shifrat e migrimit u paraqitën veçanërisht vitin e kaluar të zmadhuara dhe pamjet shoqëruese tregonin apartamente të mbushura me plehra dhe të shkatërruara.” Asnjëherë nuk treguan dikë, që ka ardhur nga Bullgaria dhe punon këtu si mjek, megjithëse ky është grupi i popullatës, që ka emigruar më shumë. Vite të tëra studentësh që kishin pëfunduar studimet në Rumani dhe Bullgari kanë ardhur në Gjermani.”
Në SHBA ndërkohë thuajse nuk sheh fotografi të Michael Brown-it të vrarë. Në raporte mbizotërojnë filmime të periferive të qyteteve në flakë dhe të një policie të armatosur ushtarakisht një gjuhë pamjesh, që sugjeron më tepër luftë, se sa një të ri të paarmatosur, të cilin e vrau një punonjës policie.