Florenc Drizari
Kryeministri: Deri në fund të qershorit mbërriti zyrtarisht në 43879 numri i vendeve të reja të regjistruara të punës.
Çështja e punësimeve vazhdon të shkaktojë debate dhe përplasje të fota qëndrimesh mes krerëve të politikës shqiptare. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përgënjeshtroi dje shifrat e publikuara nga Kryeministri Edi Rama, duke thënë se mijëra qytetarë janë larguar nga puna. Basha foli për situatën e vështirë ekonomike dhe pasigurisë në vend. Replikat mes tyre u bënë në rrjetet sociale “Facebook”. I pari që publikoi shifrat për punësimet e reja në vend ishte Kryeministri Rama, ndërkohë që i menjëhershëm ishte edhe reagimi i kreut të opozitës, Basha, i cili i quajti shifrat si rrena e ditës.
Lulzim Basha
“Vulgaritet dhe fjalor i padenjë shoqëruar me rrenën e ditës, ky është kryeministri ynë! Asnjë vend i ri pune por mijëra të flakur nga puna për shkak të taksave të larta dhe paligjshmërisë qeveritare. Ekonomi e dobët, e ardhme e pasigurtë është e vërteta që prek sot çdo shqiptar! Ndërsa gjeli krekoset majë plehut!”,-ka shkruar në rrjetin social “Facebook”, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Edi Rama
Ndërsa më herët Kryeministri Rama ka shkruar në “Facebook” se: Ja rezultatet kuptimplota të rilindjes së Shërbimit Kombëtar përmes zyrave të punës. Mllefet, shpifjet, fyerjet dhe gjithë përbërësit e tjerë të gjellës së neveritshme që gatuhet çdo ditë në mensën e SHQUP-it dhe shpërndahet përmes kamarierësh të deshpëruar për të ushqyer injorancën e pakënaqësine, vetëm e kalisin vullnetin e palëkundur qeverisës për të ndryshuar përgjithnjë Shqipërinë. Dhe ky është vetëm fillimi…Këto shifra janë lehtësisht të verifikueshme përmes fletores së llogarive tatimore të shtetit dhe janë vetëm produkt i Zyrave të Punës. Ndërkohë deri në fund të qershorit mbërriti zyrtarisht në 43879 numri i vendeve të reja të regjistruara të punës”.
Më herët kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shkruar në rrjetin social lidhur përfshirjen e elementëve kriminal në Kuvendin e Shqipërisë nga mazhoranca e majtë. “E keqja po mberthen vendin – këto janë fakte, jo fjalë. E keqja ka mbërthyer parti politike dhe vetë pushtetin. Jemi të vetmit në Europe ku të denuar për krime e prostitucion janë deputetë në kuvend. Të vetmit në Europë ku rrëmbyes femijësh emërohen Kryetarë Këshilli Qarku nga kryeministri. Ky nuk është përfaqësimi që meritojmë. Kjo nuk është Shqipëria që duam dhe endërrojmë…”,-ka shkruar kryetari i PD-së. Për këtë çështje Partia Demokratike vazhdon prej mëse një muaji ti kërkojë publikisht sqarime kryeministrit të vendit.
Përplasjet për videon/ Deklarata e Bashës dhe reagimi i Ramës
Pas publikimit të video “skandalit” në media ku një punojës i zyrës së deputetit të PS-së në Sarandë, Agron Cane, shfaqet duke i kërkuar shtetases O. G marrëdhënie seksuale me të bijën e saj 14 vjeçare në këmbim të një vendi pune, klasa politike ka komentuar ngjarjen duke shkëmbyer edhe akuza në distancë. Kryetarit i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka shkruar dy ditë më parë se skandali i kërkimit të favorit seksual me një të mitur në këmbim të një vendi pune, ka ndodhur në zyren e Partisë Socialiste, dhe për këtë ai kërkoi që kërkoi kryeministrit të distancohet pesonalisht. “Medalja e turpit i shkon e gjitha Edi Ramës për sistemin që ka ngritur. Skandali i kërkimit të favorit seksual me një të mitur në këmbim të një vendi pune, ka ndodhur në zyren e Partisë Socialiste. Në zyrën e pushtetit që funksionon nën frymën e oligarkisë. Medalja e turpit i shkon e gjitha Edi Ramës, i cili vazhdon të pajtohet me ngjarjen që ka tronditur dhe zemëruar mbarë shoqërinë, ndërsa ai nuk gjen asnjë sekondë kohë të distancohet. Po si mund të distancohet ai nga një masë e madhe abuzuesish të paskrupullt që janë në fakt alterego e tij”,-ka shkruar kreu i PD-së, Lulzim Basha. Ndërsa Kryeministri Rama ka reaguar më pas po në “Facebook” se zyra e deputetit dhe Partia Socialiste janë distancuar nga ngjarja në Sarandë.
Video e skandalit shfaqet para Kryeministrisë, PD: Bilanci i qeverisë “Rama”
Partia Demokratike denoncoi skandalin e sekretarit të deputetit të PS-së në Sarandë, i cili kërkon favore seksuale me një të mitur në këmbim të një vendi pune, duke e transmetuar videon përpara Kryeministrisë. Këtij mesazhi që dënon fenomenin e abuzimit me pushtetin, iu bashkuan dje pasdite shumë qytetarë të Tiranës. Kordinatori i Partisë Demokratike për denoncimet, Ervin Salianji, theksoi se ndryshimi mes premtimit të Kryeministrit për punësimin dhe cfarë ndodh në realitet, është dramatik.
“Kryeministri u premtoi shqiptarëve 300 mijë vende të reja pune dhe qytetarët e besuan. Besuan tek ëndrra e punësimit. Sot pas një viti ka ardhur koha të bëjmë një bilanc. Bilancin nuk ia kërkon Partia Demokratike, sepse për Partinë Demokratike mbajtja e këtij premtimi do të përshëndetej me kënaqësi. Por pas një viti, bilanci i kësaj qeverie është kjo ngjarje e fëlliqur. Kjo ngjarje e pisët këtu. Kjo video tregon sistemin e ndërtuar nga ky kryeministër dhe nga kjo qeveri. Kjo video tregon se si punësohesh me këtë qeveri. Kryeministri shkon dhe propagandon nëpër zyrat e reja të punës, punësimet e reja, ndërkohë që në të vërtetë qytetarët shqiptarë vendin e punës e gjejnë në këto furriqe të fëlliqura të zyrave të Partisë Socialiste. Tek këto furriqe të fëlliqura për të cilat edhe anëtarët dhe militantët e thjeshtë të Partisë Socialiste ndjejnë neveri. Kryeministri mbas një viti e ka përqendruar pushtetin vetëm tek një klan i ngushtë. Kryeministri mbas një viti nuk është më kryeministër përtej së majtës dhe së djathtës siç ai kishte qef ta predikonte”, u shpreh Salianji, duke shtuar se Kryeministri është vetëm përfaqësues i oligarisë në veprim. Video skandali u denoncua edhe nga shumë gjimnazistë që ishin të pranishëm para godinës së kryeministrisë.