“Rritje të çmimit të energjisë”/ Opozita zbardh faturën që pritet të paguajnë familjarët dhe biznesi

0
149

Florenc Drizari

aldo-bumciPD: Direktiva e qeverisë, faturoni sa më shumë qytetarët për energjinë

Opozita paralajmëroi dje se qeveria ka gati planin për rritjen e çmimit të energjisë. Sipas saj marrëveshja e maxhorancës me kompaninë CEZ iu servir opinionit publik si “kamardarja” e shpëtimit të sistemit elektroenergjetik, ndërsa thekson se Kryeministri dhe ministrat e tij bënë “be dhe rrufe” se kjo marrëveshje bënte që në vazhdim, punët në sektorin strategjik të energjisë të ecnin si mos më mirë.

Deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, tha dje se burime serioze nga kompania lajmërojnë se shqiptarët do të paguajnë fatura më të larta dhe aforfe të energjisë elektrike. Sipas tij, qytetarët do të paguajnë për konsum më të lartë të energjisë, edhe pse nuk kanë konsumuar atë dhe do të jetë shumë e veshtirë të ankimohen, edhe pse mund të kenë të drejtë të apelojnë.

“Kjo është direktiva e qeverisë. Punonjësit e CEZ, sot me emrin OSHEE, kanë marrë urdhëra politikë nga lart që të mos faturojnë më pak se 200 kë/orë në fshat, edhe pse banorët e fshatit përgjithësisht shpenzojnë mjaft më pak, të mos faturojnë më pak se 200 KË/orë në ato banesa, në fshtat edhe në qytet, ku nuk banon njeri, dhe ku sipas tarifave të miratuara nga ERE, duhet paguar vetëm 340 leke/muaj”,-deklaroi Bumçi. Duke folur për sipërmarrjen, deputeti i PD-së tha se pavarësisht llojit të biznesit, mikro apo të vogël, sezonal apo jo, biznesi nuk do të paguajë më pak se 500 kë/orë, pavarësisht sa I lexon matësi.

“Për të gjithë ju qytetarë që doni të ankoheni, përgatituni të mos ju dëgjojë askush në sportelet e kompanisë, sepse urdhëri është që t’ju sorollasin, mos t’ju lënë të bëni asnjë ankimim, edhe pse jeni plotësisht në të drejtën tuaj. Por ajo që i vëdamkën menaxhimit rilindast ish-CEZ, është fakti se nëse vula e matësit tuaj dëmtohet, qoftë edhe pa dijeninë tuaj, familiarët do të faturohen me 800 KË/orë, dhe bizneset me 1500KË/orë.  Një abuzim i turpshëm ky!”,-deklaroi Bumçi. Duke thënë se OSHEE e sotme kujton plotësisht CEZ-in e djeshëm, deputeti demokrat foli edhe për faturën financiare që pritet të rëndojë mbi çdo shqiptar.

 

“Këto udhëzime politike janë dhënë pikërisht nga ata që dhanë urdhër të nënshkruhet marrëveshja me CEZ, edhe pse pa transparencë, fshehtazi dhe në dëm të interesave të shqiptareve. Jo vetëm që s’kanë dryshuar asgjë me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, por për të mbajtur në këmbë kompaninë e OSHEE, ish-CEZ-in, të gjithë ne do të duhet të paguajmë për kokë  1.1 milionë lekë”,-tha ai.

Duke folur për mënyrën se si u zgjidh marrëveshja me CEZ, Bumçi deklaroi se jemi i vetmi vend që kemi falur 500 milionë euro fatura të pranuara dhe të papaguara, “dëme deri në 3 miliarde usd, dhe sikur të gjitha këto mos ishin mjaftueshëm, do të paguajmë edhe 95 milionë euro të tjera, atyre që vodhën dhe masakruan sistemin e energjisë elektrike. E pra, kjo marrëveshje ka krijuar një grope kaq të frikshme sa që rilindasit e ish-CEZ, sot OSHEE, do të ngarkojnë në kurrizin e çdo qytetari, të të gjithë konsumatorëve të energjisë, fatura aforfe, fatura më të larta, energji më të lartë dhe shërbim gjithmonë e më të mangët”,-tha ai. Ndërkaq, ditët e fundit ka pasur disa përplasje qëndrimesh mes pozitës dhe opozitës lidhur me zgjidhjen e kontratës me CEZ-in. Reagimet e opozitës u intensifikuan pas votimit të marrëveshjes nga Kuvendi i Shqipërisë në korrik të këtij viti.