Tradhtia

0
236

tradhetiaTradhtia është ana më e errët e një raporti dashurie, e cila shkakton dhembje, zhgënjim, vuajtje, frikë të vazhdueshme, humbje besimi, zemërim dhe ankth.

Besnikëria martesore nuk mund të konsiderohet si virtyt i përsosur, por është një çështje morale dhe institucionale që e ndërton martesën si një kategori shoqërore. Kuptimi i besnikërisë rrjedh prej vetë besimit, prandaj, për këtë koncept, mund të diskutohet varësisht nga bindjet dhe besimi i formuluar tek çdo individ në veçanti.

Arsyet pse njerëzit tradhtojnë janë po aq të ndryshme sa dhe arsyet pse dashurojnë dhe pse duan ata që duan. Femrat dhe meshkujt mund të tradhtojnë për arsye të njëjta, por mund të tradhtojnë edhe për arsye shumë specifike, që i përkasin gjinisë së tyre.

Si meshkujt edhe femrat mund të tradhtojnë, sepse nuk provojnë më dashuri, ndjenjë, tërheqje mes tyre; për hakmarrje kundrejt partnerit, për të thyer monotoninë apo mërzinë e një marrëdhënieje rutinë, nga nevoja për t’u ndier joshës, tërheqës, i pëlqyer dhe i aftë seksualisht, nga mendimi se mund të gjesh ilaçin për të rregulluar mosfunksionimin e marrëdhënieve seksuale, nga humbja e kontrollit, nga dëshira për t’u shkëputur nga një marrëdhënie që nuk funksionon etj.

Tradhtia ndodh edhe për arsye të tjera, si për të rifituar besimin përballë moshës, që po kalon dhe humbjes së mundësive, për pasojë të zhgënjimeve të vazhdueshme apo mungesa e paqes bashkëshortore apo edhe si pasojë e streseve në punë, kuriozitetit, dëshirës për “aventurë” etj.

Ka tradhti rastësore dhe thjesht mishtore (që zakonisht ndodhin nga humbja e kontrollit apo dëshira për të kaluar një gjendje jo të mirë psiko-emocionale), ka tradhti të zemrës, tradhti të vazhdueshme (me një person apo persona të ndryshëm) kronike apo akute etj.

Meshkujt tradhtojnë kryesisht për të rritur vetëvlerësimin e tyre dhe për t’i konfirmuar vetes virilitetin e tyre (të qenët maço), për t’u ndier më të gjallë e të fuqishëm apo për të shfryrë një agresivitet të thellë, të brendshëm. Ndërsa femrat tradhtojnë kryesisht për të përmbushur nevojën për t’u dashur, për t’u ndier joshëse, të vlerësuara, për të marrë ngrohtësi, ëmbëlsi dhe për t’u ndier të lirshme dhe të shpenguara.

Tradhtia shkatërron vetëbesimin, vetëvlerësimin, besimin te partneri apo të tjerë, ëndrrat, shpresat, dëshirat etj. Tradhtia shkakton krizë për identitetin personal dhe atë seksual. I tradhtuari vë në dyshim gjithçka, që ai/ajo ka menduar si të rëndësishme, joshëse apo tërheqëse te vetja. Tradhtia si pasojë e humbjes së vetëvlerësimit dhe vetëbesimit shkakton shok, zemërim, indiferencë apo dhimbje ekstreme, ankth, tërheqje emocionale dhe shoqërore, rënie të dëshirës seksuale, ndryshim të regjimit ditor etj. Pra, zhgënjimet emocionale mund të ndikojnë mbi shëndet duke krijuar stres, depresion apo rënie të përgjithshme të imunitetit, që e bën individin më të predispozuar ndaj sëmundjeve.

Meshkujt e përjetojnë tradhtinë si fyerje ndaj virilitetit apo egos së tyre mashkullore, ndërsa femrat përveç fyerjes, kryesisht e përjetojnë tradhtinë si humbje të sigurisë, dashurisë, vetëvlerësimit (qoftë fizik apo intelektual) apo edhe statusit social, personal.

Tradhtia e largon vëmendjen nga partneri dhe marrëdhënia aktuale. Kur tradhton, nuk mund të përkushtohesh njësoj në marrëdhënie si më parë. Tradhtia krijon një trekëndësh, që ushtron presion të trajtohet si i barasvlershëm. Tensioni bën që vëmendja, përkushtimi, kënaqësia që merret nga marrëdhënia, nuk mund të jenë më njësoj. Humbja e vëmendjes sjell rënien e cilësisë së marrëdhënies, e cila sjell pakënaqësi. Kjo pakënaqësi interpretohet si mungesë dëshire për të qëndruar me partnerin dhe rrit justifikimin për ta tradhtuar. I gjithë ky skenar kthehet në një rreth vicioz, i cili është vështirë të ndërpritet nëse çifti nuk bën përpjekjet e duhura në kohën e duhur.

Një nga studiueset e tradhtisë, Druckerman, shpjegon se duke filluar vetëm nga viti 1980 kërkuesit kanë mundur të studiojnë në shkallë të gjerë fenomenin e seksit jashtë martese, sepse me shtimin e të infektuarve me AIDS edhe më të shthururit, e kanë kuptuar se sëmundja seksuale nuk mund të fshihej pas shumë të vërtetave. Një nga rezultatet e para i ka lënë me gojë hapur kërkuesit: sa më i varfër të jetë një vend, aq më shumë tradhti bashkëshortore bëhen në shoqërinë e tij. Sipas Druckerman, kush fiton më pak se 10 mijë dollarë në vit, është më shumë se 50% i prirë të tradhtojë bashkëshortin/en, sesa dikush që fiton më shumë se 60 mijë dollarë. Në krye të këtij studimi qëndrojnë meshkujt në shtetin afrikan të Togos, me një buxhet të ardhurash 1600 dollarë në vit. 37% e burrave të martuar në Togo kanë një lidhje jashtë martese. Në zonat urbane të Kinës treguesi i tradhtive bashkëshortore është rreth 18,3%, ndërsa në Meksikë arrin në 15%. Në vendet e pasura është një situatë krejtësisht e kundërt, ku, për shembull, në Australi burrat që tradhtojnë gratë janë vetëm 12,5%. Në Zvicër vetëm 3% e meshkujve kërkojnë të kenë lidhje jashtë martese, në Francë burrat e pandershëm janë më pak se 4%.

Druckerman u referohet veçanërisht amerikanëve, që për tradhtitë bashkëshortore e kanë tolerancën zero. Madje, për të pasur një lidhje virtuale online, në Amerikë do të ishte një motiv krize bashkëshortore.

Kjo nuk ka të bëjë fare me reagimin e japonezëve, të cilët kanë një tolerancë të madhe ndaj tradhtisë. Këtë e shpjegon një sociolog i Tokios, që në Japoni nuk është kuptuar si një raport besimi reciprok dhe kuptim i mirë seksual, siç profetizojnë në fakt amerikanët. Përkundrazi, nëpërmjet meshkujve japonezë, nëse tregohet se ka një lidhje jashtëmartesore, është diçka e thjeshtë. Seksi është diçka që të kënaq jashtë mureve të shtëpisë: nuk është një rastësi që në vitin 2001 industria e seksit japonez ka fituar një xhiro të ardhurash rreth 2,3 milionë dollarë. “Një avokat i specializuar në çështjet e divorcit më ka shpjeguar se në Japoni seksi me pagesë nuk hyn në përcaktimin legal të tradhtive”, – shkruan Druckerman: “Nuk kam takuar kurrë një çift në Japoni, ku martesa e tyre është thyer pse burri frekuentonte klube të këtij lloji tipi, edhe pse është zakon mes grave që të mos i pyesin kurrë burrat se ku e ka kaluar natën”. Edhe femrat kineze janë shumë tolerante ndaj tradhtive, por në këtë rast nuk bëhet fjalë për aventura “sex club” si në Japoni.

Edhe në Indi, në qendrat e mëdha të shëndetit ekonomik në Bangalore, tradhtia po bëhet më e përgjithshme dhe është e pranueshme, sepse ndiqet rregulli i artë për të mos e praktikuar hapur e duke mos mërzitur bashkëshortet e tradhtuara.

Sigurisht që nuk është kaq e thjeshtë në vendet islamike, ku në fakt tradhtia bashkëshortore është e dënuar nga Kurani. Në Iran, një person, i cili tradhton bashkëshorten me një femër tjetër për kënaqësi seksuale, rrezikon vdekjen. Në Indonezi, tradhtia bashkëshortore mund të ndëshkohet me vite të tëra burgu. Kjo nuk do të thotë që në vendin islamik më të populluar të botës tradhtia nuk ekziston. Madje, bëhet edhe një dallim mes tradhtisë si kënaqësi e dëshirave seksuale dhe tradhtisë si një periudhë e shkurtër dashurie.