Burgu 313-të/ Për herë të parë, Dorian Çollaku u përgjigjet për 1 orë pyetjeve të akuzës

0
151

Sonila Mesareja

dorian collaku bshProkurori Troci dhe avokati Pëllumbi në seancën e pyetjeve, ish-drejtori i Thesarit përgjigjet për akuzat në drejtimin e departamentit, jo për udhëtimet jashtë vendit

Për herë të parë, ish-drejtori i Thesarit merret në pyetje nga prokurori, në prani të mbrojtësit të tij. Pas ndërrimit të avokatit dhe zëvendësimit me një tjetër, për afro një orë, Dorian Çollaku është marrë në pyetje në një ambjent të veçantë të paraburgimit 313-të. Në seancën e marrjes në pyetje kanë qenë prokurori Ramadan Troci dhe avokati Mark Pëllumbi. Gjatë kësaj kohe, sipas burimeve, mësohet që ish-drejtori i Departamentit të Emisionit në Linzë të ketë dhënë shpjegime vetëm për akuzën “shpërdorim detyre”, pra për mungesën e rregullores apo akteve nënligjore për funksionimin e drejtorisë ku ndodhi vjedhja e shumës kolosale nga vartësi i tij Ardian Bitraj. Po të njëjtat burime shtojnë se ndaj Çollakut janë bërë mbi 60 pyetje, përgjigjet e të cilave do t’i shërbejnë hetimeve për zbardhjen e ngjarjes. Ndërkohë që lidhur me vjedhjen, mësohet që Çollaku të jetë shprehur se nuk ka dijeni, madje as për destinacionin e tyre. Burime nga grupi hetimor bënë me dije se Çollaku vazhdon të mos ndryshojë qëndrim në lidhje me vjedhjen dhe skandalin në Departamentin e Emisionit të parave që ai drejtonte, ndërsa është shprehur se është munduar të kryejë detyrën në kuadrin ligjor të bankës.

 

Refuzimi

Dorian Çollaku ka dhënë shpjegime rreth shkeljeve në mospërgatitjen e akteve nënligjore dhe rregullores për funksionimin e Departamentit të Emisionit. Por, ka refuzuar të flasë për pjesën tjetër të pyetjeve, ato që u përkisnin hyrje-daljeve të shumta brenda 6 muajve nga Shqipëria në drejtim të Greqisë, Italisë dhe Austrisë. Ai ka kërkuar kohë nga akuza për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, çka pritet të sjellë një seancë të dytë pyetje-përgjigjesh në ambjentet e paraburgimit, në një tjetër moment. Mësohet se ai është përgjigjur në mënyrë të përgjithshme se udhëtimet kanë qenë për arsye pune dhe disa prej tyre familjare duke argumentuar dhe me ftesat e konferencave apo takimeve që ka kryer për llogari të pozicionit si Drejtues i Emisionit të parave në Bankën e Shqipërisë. Po më të detajuara përgjigjet do i japë në një tjetër moment. Pas përfundimit të kësaj seance, në dalje të paraburgimit, avokati Pëllumbi ka refuzuar të japë deklarime për mediat, ndërsa mësohet se pretendimet lidhur me akuzën ndaj klientit të tij do i shprehë para togave të zeza më 26 gusht në Apel, kur pritet të shqyrtohet apelimi i masës “arrest me burg” dhënë nga gjykata e Tiranës.

 

Ndryshimet

Në javët në vijim pritet të reja nga hetimet, pasi Prokuroria do t’i ndryshojë akuzën nipit të Ardian Bitraj, Kleves Bejtja, nga “moskallëzim krimi” në “vjedhje në bashkëpunim” të 713 milionë lekëve. Nga hetimet ka rezultuar se Bejtaj nuk është thjesht një person që nuk kallëzoi krimin, por nga provat që disponohen rezulton se ka bashkëpunuar me dajën e tij në supervjedhjen. Ndërkohë që aktualisht në paraburgim me masën e sigurisë “arrest me burg” për vjedhjen ndodhen 10 persona, mes tyre dhe dy të dyshuarit kryesorë për vjedhjen Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia. Në dëshmitë e tyre për grupin hetimor Bitraj dhe Bruzia janë të vetmit të arrestuar që kanë pranuar të kenë dijeni për vjedhjen.

 

Destinacioni i parave

Tri janë shtetet ku dyshohet të kenë përfunduar paratë e vjedhura në Bankën e Shqipërisë, përkatësisht Greqi, Itali dhe Austri. Dyshimet kanë lindur pas zbulimit të udhëtimeve të shpeshta të drejtorit Çollaku dhe Bitraj në këto destinacione, të dhëna të serviruara për akuzën nga sistemi TIMS. Bëhet fjalë për mbi 30 udhëtime drejt Greqisë nga Çollaku, ndërkohë që edhe Bitraj ka pasur disa udhëtime në këtë shtet. Për këtë arsye, në muajin shtator pritet që tri letërporosi të dërgohen drejt këtyre shteteve, për të mësuar nëse drejtori dhe vartësi i tij kanë llogari bankare, pasuri të paluajtshme në emër të tyre apo familjarëve të afërt.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency