Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Është një cikël i gjatë me letra midis Mustafa Krujës dhe Tahir Kolgjinit, për të cilën na flet trashëgimtari i Krujës, ku merret informacion mbi organizimin e politikës shqiptare në emigrim
NJë nga momentet më delikate për Shqipërinë i takon viteve ’50-të, kur regjimi i Enverit po forcohej përmes terrorit, pushkatimeve e persekucionit jashtë vendit “të arratisurit” edhe pse të përkrahuar nga Aleatët, e kanë të vështirë të jenë në unitet. Partitë që kishin funksionuar brenda vendit, para ’44-ës, e ruajtën fizionominë edhe jashtë, me krerë të njëjtë. Gjithë lufta ishte organizimi dhe krijimi i një Komiteti apo Bloku për të vendosur formën e qeverisjes nëse do arrihej rrëzimi i Enverit nga pushteti. Kjo dilemë nga ana tjetër shoqërohej dhe me debatin e madh të zgjedhjes së krerëve nga partitë politike në emigrim. Si brenda dhe jashtë, debati politik u shoqërua gjithnjë me përçarje. Më poshtë është një analizë e gjatë, me informacion për Mustafa Krujën çfarë po ndodhte në këtë terren. Pesimizmi dhe dëshpërimi zotëron, frike nga një parti e pazar nga një parti tjetër, ndërsa bëhej gjithnjë e më e vështirë “ëndrra” për përmbysjen e regjimit të Hoxhës, derisa kjo u shua përfundimisht në pamundësi të përfundonin në akte konkrete. Letrat për Krujën janë dëshmi e kësaj pjesë të historisë. Një ndër letërkëmbimet më të gjata të vëllimit është ai me Tahir Kolgjinin, me të cilin e lidhte një bashkëpunim gjatë kohës së luftës e një respekt i veçantë i ndërsjelltë, edhe se si moshë i ndanin rreth 16 vjet. Tahir Kolgjini ishte shkolluar në Stamboll për teologji. Por veprimtaria e tij, ashtu sikurse dhe ajo e M.Krujës, kishte filluar në rolin e mësuesit në krahinën e tij, në Lumën, ku kishte lindur më 1903, në fshatin Lusen. Më tutje ai emërohet si sekretar i Gjykatës, më parë në Himarë (1928) e më pas në Kukës (1929), ku merr edhe drejtimin e Bashkisë (1939). Gjatë luftës, kur M.Kruja ishte Kryeministër, e emëroi T.Kolgjinin si prefekt të Gjirokastrës. Ishte një njeri shumë i mprehtë e që i kishte idetë e qarta. Me Krujën ndante idenë se rreziku i vërtetë i Shqipërisë nuk ishte pushtimi italian, i cili ishte një dukuri e lidhur me luftën dhe kohëzgjatjen e saj, por lëvizja nac.-çl., jo thjesht si ide, por si një sendërtim në bazë të parimeve të komunizmit e t’organizuar nga “shkjetë”, armiqtë natyrorë të shqiptarëvet. Në ardhjen e mundëshme të komunistëve në pushtet në fundin e luftës, ata shihnin një rrezik të madh për Shqipërinë e bashkuar, që ishte realizimi i idealit të themeluesve të Pavarësisë.
Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e tretë, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit të disa letrave të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.
***
Istanbul, me 22.XII.1950
I dashtuni Mustafë,
Kësaj here, pak mâ shkurt, shkaku i vjetit të rí. Prá të përcjellë urimet e mija si Tý ashtu dhe motrës për vjetin 1951 bashkë me të falat e mija. Mot, ndoshta këmbejmë urime në ndonji vend tjetër, mbassi kahmos po dekllarohet gjendja e jasht-zakonëshme.
Për sá i përket sherrit të postës, që ka prishë mbulesën e librit, faji âsht te un, pse u-duhte me e çue me postën ajrore, kam pasë ndigjue se nji lumnjânë fat-keq, që kishte pasë shkue me dimnue dhênt në Selanik, fat-keqsinë e vet e kishte pasë përshkrue, tue iu drejtue së motrës:
Tânë, mori Tânë!
Dhent m’i kan marrë.
Karamanin m’a kan vrá;
Gjishtin e vôl ma kan ça.
Prap, qe besa keq e jo fort keq, mbassi nuk hupi krejt. (…..)
Për Aleksandrin e Madh pyëta nji kompetent, më tha se, s’ká ndonji vepër të vecantë, veç se mund të studjohet ndepërmjet të historisë së përgjithëshme. Për koincidencë, Hurshidi, që shkon në shkollë, më njoftoi se, mësuesi i tyne në shpjegimet e veta, iu kishte shtue se, Leka ishte nga raca Turke. E pyeta e mâ tregoi me datën dhe me vendin e lindjes. Un mandej kërkova shpjegime prej tijë mbi kalimin e Turqvet n’Europë… mâ në fund, djali e kuptoi mirë të vërtetën. Po e marr vesht, se ç’po deshke me bâ, prandej do të vazhdoj me e kërkue Lekën me qiri. A mos të duhet nji vepër e quëjtun “Osmanli Tarihinde Arnavutluk”? âsht mandej nji tjetër: “Arnavutluk Hakkunda”. Të parën e ká shkrue njifarë Sulejman Külçe nga Luma, ish oficer. Të dytën njifarë Ahmet Hamdi.
Të réja nuk kam. Nga Luma lajme s’kam marrë mâ. Të shofim. Nga gruëja të fala dhe urime. E vogla që po asiston, tue blegrue, në shkruëmjen e letrës, të puthë dorën. Të përqafoj. Zoti të dhashtë kivet.
I yti Tahiri
Istanbul, me 28.5.1951
I dashtuni Mustafë,
Kësajë here e kam dûnë krejt me Ty, pse e kam vonue përgjegjen tepër. Un e bâna e Ti mos e bân. Jo për m’u-arsyetue mbi mungesën t’eme, por, si fakt po më duhet me Të njoftue se, disi jam zgjidhë dhe kam fillue m-u-ligjështue, me qenë se, nuk paskam pasë qenë i përgaditun për jetën e kohës së soçme. Kam qenë e kam qendrue njizet dit n’Ankara. Atje vota me u-pá e me kërkue me lutje qendrimin në Turqi të shum shqiptarvet, që patën ardhë me viza transit prej Grekije. Simbas dispozitave në fuqi, ata, që vijnë me vizë transit, nuk munden me qendrue në Turqi. E ndeza atje fund e për maje dhe mâ në fund pata sukses me formue nji opinjon, që të lëshohet nji vendim prej Këshillit Ministruer, në favor të këtijë elementi. Për tash, âsht dhanë nji urdhën res., që të mos bahen shtrengime për me i nxjerrë jashta kufinit. Kjo mirë-bâsí më ngarkoi me 100 e sa lira shpenzime. Paçin shëndetin dhe shqiptarët.
Për fjalën “dinár”, na në Lumë, nuk e kam ndigjue që t’a përdorim. Xhaferi e shpjegon si Ti: për nji ujë që s’hecë; për nji ujë që s’ka krye; ujë i ndêjtun, i fjetun. Ndonji frazë nuk e përdori dhe un nuk e preku mâ gjatë.
A e more Iskender bini Filipos? T’a kam impostue po sá pata marrë letrën. Këtê do të ma shpërblejsh me atë Iskenderin që do t’a nxjerrësh në shesh.
Të vijmë tash tek ajo pika me randësi, që kam dashtë me T’a parashtrue me kohë:
Organizimet dhe partinat e formuëme n’emigracjonin shqiptár, po i dijmë me s’miri. Tue e lânë me nji anë Kosovën, jemi të bindun se, partinat e përfaqsuëme prej H. Dostit e S. Kryeziut janë krejt republikane. Ajo që përfaqsohet prej A. Kelcyrës, simbas pohimit të Tijë, âsht republikane me shumicë. Edhe Komiteti i Shl. të Shq. formue në këto dit në Jugosllavi, simbas njijë emisjoni të djeshëm, qendrimin e vet antimonarkist e ká vû në dukë shprehimisht. Veç kësajë, edhe Av. Vangjel Qirko me shokë janë tregue në favor të Dinastisë së Mbretit të Grekisë. Mandej disá persona andej-kendej të sterpikun si indipendenta, kan marrë pozicjon kundër njijë monarkije në Shqipní. Por ajo që na paraqitet mâ me rândësí âsht gjendja shpirtnore e “Rinisë” në Shqipní, riní e cilla, tue kalue krizë më krizë âsht e habitun dhe mjaft e indikuëme për kundra monarkisë. Jo veç, por nuk e dijmë fare se si ká m’u-orijentue në t’ardhëshmen. Mbi të gjitha këto, nuk dijmë, vallë, ata që në të nesërmen do të dëshrojnë me e qetësue e sistemue Ballkanin, do të mbështesin ndonji regjim apo do të qendrojnë indiferenta, si n’Italí? Sido që të jetë, fitimi i monarkisë në Shqipní, muë më duket se, ká me ndeshë në shum pengime e vështirsina. Âsht shdukë familja patrijarkale dhe âsht zgjidhë disiplina dhe gjerarkija e malevet dhe e katundevet.
Në mes të gjitha ketyne partinave e organizatave, B.K. Indipendent, sinqerisht, çashtjen e regjimit e ká lanë me nji ânë; por, me gjithë këtë, në kët parti, nji shumë ase nji numër i konsideruëshëm, janë monarkista. Këta i din edhe Ti, pse, shumicën e tyne i ké miq personal, që Të kan në mâjë të krésë. Un po të shenoj, vetëm se, kuër do t’u – nisesha për Turqi, e pashë të nevojëshme me u-skjarue mbi kët pikë, me Vërlacin, dhe e pyëta se, në nji të nesërme, a do të përkrahin Ballin Kombëtár a po Zogun? Aj, tue më vrejtë në dritë të synit, me njiherë e përzêmërisht m’u – përgjegjë: -“S’ká dyshim se Zogun!”. Un kam, n’anë tjetër edhe Mustafën, që e ká përkrahë kët mendim, qysh me kohë. Prá, tue mos hecë në kundrështim me partinë, mundem me votue për monarki e për Zogun, se pse, partija nuk më ká stipulue ndonji konditë o obligim për sá i përket regjimit.
Mirë po, Bloku K. I. nuk u muër në Komitet. Ballagrarët kundrështojnë haptazi dhe Legaliteti në formën heshtësore. Këtu në kët rasë, pjestarët e Blokut, sado të pjekun në krahasim me të tjerët, heshtjen e Legalitetit e presin – thom un – si nji gjest tinzak. Ballagrarët janë anmiq të dekllaruëm e prá nji grusht i tyne i fortë, kishte me qenë grushti i boksierit në log të ndeshjes, mirëpo, ky i legalitetit? B.K. Ind. si e komenton këtë? Në përfundim, pjestarët e Blokut kan të drejtë me pyët: Hasan Dosti ish ministër drejtësije, kryetar partije dhe komiteti; Ismail Verlaci i pá qenun ministër, pse nuk pranohet në komitet? – A mos Abaz Kupi don me përcá Blokun? Këto që zbaton Abaz Kupi a mos janë instrukcjone të Mbretit, me që Bazi nuk del nga urdhnat e T’ijë asnjiherë? Këto pyëtje mund t’i shtrijmë sá të duëm. Këshilli Drejtuës i Blokut, me dy qarkore, e ká prekë haptazi kët problem.
Mendimi i em i qartë âsht ky:
Kuër të jemi përpara pyëtjes monarki a republikë, e para, për arsyët, që tash sipër, shansin e ká mâ të pakët; prá, Legaliteti nuk âsht e udhës me i ndêjtë Blokut me grusht hundésh, pse, me të tjerët nuk i lejon parimi, që të kenë nji aleancë. N’anë tjetër, o për arsye fanatizmi, o për arsye vetmbrojtjeje, si të tjerat, edhe Bloku, ndoshta ulet e çohet, por, nuk shkatrrohet. Me të vertetë, para dy vjetësh, duëlën disá prej Blokut, por, nuk u – hodhën në Legalitet; disá shkuën te Kryeziu e disá të tjerë qendruën aparti. Për pjesën t’eme, Bloku nuk âsht aq i dobët, si e paraqesin disá. E filloi me ballagrarët me i fërkue brinat, por, jam i bindun se, kët ndeshje nuk don me e pasë me Legalitetin. Mas zot mâ keq, në qoftë se i ká ardhë koha fjalës: Atëherë do të na mallkojë historijani i ardhëshëm.
Un due që të lirohet Shqipnija. Në radhë të dytë me dhânë votën nj’ijë faktori për stabilitet, tue i lanë reciprokisht të kaluëmet me nji anë e tue u-vëllaznue qysh tash. Të kuptohemi: nuk i shmangem llogarisë, por, po sá të më kërkohet, automatikisht edhe mue më hapet shteku me u-përgjegjë për vet-mbrojtje e me kalue në kundër-padi. Na u-shurdhuën veshët me fjalët: tradhti, fashizmë, kollaboracjon e tjera. Pale pale! Na u – sakrifikuëm me shpirtë ndër dhâmbë për interresat e Atëdheut dhe mirë-mbajtjen e Kombit e disa ende vazhdojnë në fjalë e në fjalina “basmakalip”. Sikuër nuk ia dijnë kuptimin fashizmit dhe zbatimin e sajë! Të mbëledhim menden drejt avenirit, se sá për të kaluëmen, si thotë Chayyami: “Rah ne ánest-ü-ne in!”.
T’i shkrova këto, pse, e kam për detyrë dhe mâ parë Ti e mandej dhe na miqt e Tu, me fjalë, kemi marrë për sipër njifarë obligimi. Se kështu e ké këshillue rrethin t’ând, në Shqipní, në Vjenë, në Bologna, në Romë e ngjetiu. Edhe na t’a kemi pranue pikë-pamjen. Pra pak insaf! Nuk mund të bâhemi loja e Selim Damanit, i cilli me nervat aq të prishuna dhe isterik e inatçi në kulm, nuk din se ku e ká shpinë politika; qepë nji pllambë e shqepë nji pash. Mandej, njerzit e Blokut a mund të bâhen loja e Abas Kupit? Mendo-e vetë! Prá, edhe Ty Të takon, se në Blok ké miq; Të takon me iu përveshë punës e me i dalë përpara këtijë hendeku. Të paktën, për mos me Të mbetë merak. Na po të mos kishim nji izzeti nefs, do t’ia kishim ulë qafën komunizmit.
Më fal, se, Të lodha, por, pazarllëkun e kemi deri në vdekje.
* * *
Tash me të shkurta: Cen Elezi nuk rron mâ. Edhe Don Murat Kaloshi ká vdekë. Nga shpija gjallë i kam. Kushrini në Kosovë, me të tjerë, janë mirë; po i mban Jugosllavija. Ibrahim Farka erdhi në këto dit dhe i shtoi partisë së Kryeziut dhetë antarë, me në krye Hasan Murat Kabashin, i cilli përfaqson, Kryeziun në Turqi. Nga shpija këtu mirë i kam dhe Qamilja e vogël po më rritet, por, ndonji punë të vazhduëshme nuk kam zânë. Tash, jam në gjendje me marrë pasaportë për kudo në botën e lirë. Nesër nisem për Anadoll me shitë pak mall. Këtu n’Istanbul âsht bâ gazep me pasë dyqan. Xhaferi Të bân shum të fala dhe Të kujton shpesh.
Me të gjithë Të paraqesim nderime e urime.
N’i pashë, të fala edhe Salih Efendiut, Ago Agajt dhe Nexhmeddin Qorraliut.
Të përqafoj e lus Zotin që të kesh shëndet. Motrës shumë të fala.
I yti
Tahiri
Istanbul, me 28.XII.1951
I dashtuni Mustafë,
Për pak, desh harrova pá të shkrue për vjetën e ré, mbassi, prej disá ditësh, ia kam nisë me nji çantë poshtë e nâlt, tue shitë do sende (për vjetën e ré). Besoj se nuk jam vonue fort. N’âsht se të bije në dorë shum vonë, atëherë, kemi nji llogari të vjeçme, kuër të pata shkrue heret; e disa dit të vjetës i shkelim në keto të sivjetes e ndreqet puna, pá me pasë nevojë Ti me më qortue. Nuk e dijë a të ká rá me e ndigjue; âsht mjaft interresant:
Njâni, i veshun keq, shkon te berberi. Ky e shef se nuk del gjâ prej tijë; dhe nuk ia vê menden. Ia hoq mjekrën me nji brisk të thyëm e i dha udhë si â mâ zi. Klienti kalender-meşreb, si shpërblim i dorzoi nji çerek. Berberi u-pêndue, por, vonë, pá dobi. Mbas disa javesh (pse n’atë kohë paskan pasë shkue rrallë), shkoi te berberi; dhe ky mâ, ku i muër e ku i la, me havlina të pastra, me veglat mâ të mira, e qethi, e rroi dhe e “TUSKËZOI” mirë e mirë e mâ në fund i tha: Me shëndet Zotni!
Atëherë, kalenderi i dha pesë pare berberit. Ky e shikoi pak si i vrâmë e mâ tepër me habi. – Êe, tha kalenderi, atë çerekun, qi t’a pata dhanë para kësajë here, shkele për kët të rruëme dhe këto pesë pare mbai për atë të rruëmen e parë. Kështu u-ndanë berberi me kalënderin prej njâni tjetrit. Kjo nuk ká të bamë në rasën t’onë, por, e kujtova dhe e shenova për me bâ muhabet.
Ké me më pyët mbi fjalën “me (u) tuskëzue”. Kam me t’u – përgjegjë; kuër të më çojsh, tue e shtijë në zarf nji cigare egjyptiane.
Të vijmë në “me hitue” me të vertetë serbët thonë “hitno”, por, afër kësajë fjale kemi dhe fjalën “nite”, qi Ti e din mâ mirë se un, a rrjedh nga latinishtja apo si…. Na në Lumë kemi fjalën “fët fët, fet e fët”, qi ká kuptimin e shpejtimit. Besoj se përdoret edhe në vende të tjera. Nuk âsht gjâ tjetër, besoj, veç se “hët hët”, tue u-ba h-ja f, dhe mandej ká marrë formën e verbit. Pasha hakun, me mund me gjetë shteg, kët fjalë nuk ia lâ serbishtes; po meded për muë, qi nuk jam i zoti as me e mbajtë, as me e lëshue. Prá, po t’a lâ Tŷ. Në paç shtek mos e qit të lutem prej kotarit të fjalvet t’ona.
Në Lumë, për sá po më pyët, e përdorim në kët formë: “Me (e, u) marrue” -a-ja jo me hundake – . Edhe në Kosovë e përdorin si në Lumë. T.v.: ……..
Te ç’oj miki do pare me i çue.
T’y s’kam zân’nuse e m’kije marrue.
Në nji kângë popullore të Kosovës, kangë, të cillën, në nji letër, para shum kohësh, t’a kam pasë njoftue pjesërisht.
Në Lumë, e dallojnë kët fjalë prej fjalës “me mârrë”, m’u – mârrë, i marrë, e tjera. E përdorim edhe formën “i mârrë” për “budallë”; f.v. i mârrë, i mârrë mêndsh, e ká mârrë Zoti e tjera, tue dashtë me i dhanë kuptim e shtângtimit e rithuhet në Merditë, të pênarimit. Vetëm në katundin Topojan (të Gazi Sinanit) i ofrohen formës “mbarre”:. Për çudi, ndërsa të tjerët i kan çdukë, topojanasit i shquëjnë fort mb-et e nd-et.
Kaçiferr, vjen prej fjalvet “kaçë” qi âsht nji llojë ferre, e cilla prodhon do kokrra të kuqe me forma të bardha mbrenda; dhe prej fjalës ferrë (therrë). Ká kuptimin për nji gjâ të ngatrruëshme o qi rritet e pá paluëme dhe e pá rreshtuëme. Forma, qi Fishta cillson në Lahutë, “kaciperr” kjo âsht.
Për Xhuvanin e që-n nuk po kam gjâ me shtue veç se, në Lumë përdoret edhe ky proverb: “Bâsi, kujtuësi.” Kuër thomi, filani i ká punët kaçiferr, duën me thanë nuk i ká në vijë, në hulli.
Kemi mandej adverbin “kalaveshas”, qi don të thotë: herë për poshtë e herë për sipër, njani mbi tjetrin, ngatrruéshëm. – Si po shkon? – Kalaveshas, lak bre!; thotë i lumnjani. D.m.th. i janë bâ strupull punët e s’mund t’ia gjejë fijen.
* * *
Katundi Çardh i Poshtër, si më tha Hasan Kaloshi, qenka aty medis Sinja-s, Kândrrit dhe Blliçes e i paska ende njâ 5-6 shtëpi banorësh. D.m.th se rron.
Po të shof, kuër më thue: “…mos prit emnin për mirë prej brezit të soçem…”. Krejt gabim. Ty të gjithë të çmojnë e pjesnisht të kan inatë. Mandej ké edhe shum qi të duën. Prá, hiqe menjiherë kët vesvese. Prá t’uroj sukses, por, natyrisht, jo me i shtypë sido kudo.
Prej Jugosllavije kam letra. Fëmijt, edhe në Lumë edhe këtu, i kam shëndosh. Po hyejnë e dalin shpesh. Dita ditës po shtohen ata në Jugosllavi.
Për Bashkimin u-gëzova fort. Njiherë paska shpetue për vedi e mandej punët e tjera vijnë kadalas. Po për ato në Shqipni a ké marrë vesht gjâ?
Un familjarisht, e bashkë me Xhafer Tagën, Ty dhe motrës, Ju urojmë vjetën e ré.
Xhafer Taga thotë, e due ndonjâ ndonjâ prej Teje; e në qoftë se e ké ndonjâ ma e thuej se kemi nevojë, dhe dëshroj me e ditë se kah e ké drejtimin, a për Itali a për Amerikë? Të fala vëllaznore. Aj mikrobi i vjetër mue nuk po më lé rehat; due me dijtë ç’do gjâ.
Edhe un nuk po kam tjetër me shkrue. Kësajë here, deshta me e shkrue fort shpejt. Prá më fal. Po më duhet me shitë ndonji rruzë për vjetën e ré.
Të përqafoj.
I yti Tahiri
Istanbul, me 1.I.1952
Fort i dashtuni Mustafë,
Letra e jote e datës 12 të m.k. m’erdhë me degë e me rrêma, e pápeçatun aspak. I bâmë për gjymës me Xhaferin. Besa u çudita edhe u-gëzova. Të falemi nderës. Un kërkesën e pata bâ për me shikue nji kujtim e jo për me përballë nevojë. Tjetër herë nga nji e nga dy mundesh, por, me turrë (ç’do katër kokrra pémë, si dardha, molla, arra e tjera, në Lumë thuhet “turrë”; pra nji turrë dardha = 4, dy turrë = 8; p.sh. nji turrë drû. Në kët rasë e humbë mâ kuptimin e 4shit. Me turrue = me vû turrë, me turrue. Shumsi përdoret edhe në formë të pándryshuëshme edhe me a; p.sh. turrë turrë…, …. turra turra. Por mâ shum trajta e parë. Âsht nji smundje e madhe kjo, qi po don me më mësue. Shife se ku më vërviti. -) e me dyzinë mos, se âsht nji mundim i tepërt.
Un e kam pasë gjithmonë parasyshë mjeshtrin për shqipen dhe për orthografín, veç se mjeshtri âsht tue u-përpjekë me afrue Shkodrën me Elbasan, e, të shofim. Mandej n’apostrofat a ká burrë qi e ndjek atë rregull me përpikní si Ti? Qe ku e nënvizova edhe gabimin mu n’at rasë, ku duhej m’e rrespektue.
Sá për gazetari, pá me i dalë zot, pata shkrue do sende, por, m’a kishin cungue, ndukë kahmos. Në vend qi me m’i tuskëzue fjalët, m’i kishin toskëzue.
Kroqín dhe mendimet e Hasan Kaloshit bashkë me nderimet e tijë, po t’i çoj. Hasani më pyeti se pse në taxhin e Skender Beut ndodhen brina. Ju përgjegja se nuk e dijë. Më tha se, kjo përfaqson forcën; e, kët e kuptojmë nga fraza e popullit:…..filani nuk pat brina, brínat etj. Si duket, brínat n’at kohë kan qenë si atomikja sod. Lumi aj, qi i ká pasë, por, jo në kuptimin e vjerrshës.
Fuad Pasha paska pasë nji gocë të bukur me emnin Ikbâl, e cilla nuk e paska pasë pëlqye, qi qi-ja të shkruhet “që”, e, …. mandej shairi e paska çupue pak, përshqitazi – e jo “shkarazi!–.
Kiazim Nekiu rrin në “Kadiköy”. E kam pá para dy javësh, pá e pasë marrë letrën t’ânde. Do t’a shof. Për Branko-n (Tash Bahá Bey), nuk e dijë se a do të mundem me bâ miëll, mbassi nuk përshëndetemi me njâni tjetrin. Punon në fletoren Hürriyet. Njiherë para tri vjetësh, ishim tue ndejtë aj, z. Karagjozi, Tare Libohova dhe un, në “Meserret”. U – fol shum mbi gjendjen e soçme të Shqipnís. Në mes të tjeravet, shka me bâ, tash un; po t’i kishim pasë çdukë 100 djem të Branko Merxhanit, tash nuk do të kishin shkue 100 mijë. Nuk m’u – përgjegj. Nuk na merr malli për njani tjetrin.
Aj përkëthimi i vargjeve gjermanisht për “shpresën” m’u- duk aq i shêjtnuëm, sá qi më suëll ndër mênd ajetin. Nji përshkrim i gjallë për kêdo.
Tash po fillojmë:
TUSKEZUEM: Në Krû e përdorki: Tûskë = nji cop’e madhe, nji tûskë mish. Në Lumë: Tuçkë e Tûçkë = fela e by….ës në të dy ânët, nên vithe, aty ku ká mish mâ shum. (fjalët zuzë, zuzak, hamzuz, tutrrece e tjera po i bamë mb’nj’anë, me gjith qi formojnë qêndrën e lândës në bisedim). Thomi: “Si i ká bâ faqet si tuçkë b…” për faqe-tul, tulenik, “Bjeri kah tuçkat!” – rrehe aty kah tulet, për mos me i bâ dam, dmth jo kah kocijt, se po i then ndonji koc, ndonji asht. Prá: Tûçkë, Tûckë = Tûskë. Këtu duhet kërkue edhe fjala tû, tûe = çykë (e shatit, e kopaçit, e spatës, e sakicës, e latashes e tjera, pse keto diftojnë bythën, d.m.th., anën e kundërt të majevet, të tehavet të këtyne veglavet. Në Lumë përdoret edhe çije = çykë, çyçë (çajçë); e mbyti me çije të shatit = me pjesën e mbrapme.). Avit avit e te fjala e cigarevet, se këto nuk sjellin gjâ.
Tuskë = Balluke, nji tubë flokësh qi lêhen mbi ballë, “kâkül” kaçube, në fëmijt, për t’i hijeshue. Po kjo për m’u – bâ e hijëshme, do punë, me e qethë mirë, pastër e lëmuëshëm. Prej kësajë ká rrjedhë fjala Tuskëzue = me hijeshue, tue hjekë atê pjesë, qi shëmton, qi prishë armonínë. Plak tusk = plak i pastër, në rregull. Plakë tuskë = e pastër, me ftyrë në rregull e me të gjitha. Qenke bâ tusk, tusk = qenke ndreqë, hijeshue.
Tashti Ti din në se ia shtrijnë kuptimin kësajë fjale edhe mâ tepër, f.v. m’i dhânë përsosunín në formë. Kuër të botohet Leka i Madh, në qoftë se libri ká me pasë formën të hijshme, un, lumnjançe, mund t’i them: “tusk paska dalë”. Mandej shtrije edhe në máneniyyat, po deshte, por, natyrisht âsht mâ i ultë se persosunija.
* * *
Edhe në Lumë: u-shtânga, shtângem, më shtângi. Por edhe u-shtângtova, më shtângtoi e tjera. Âsht mâ tepër se “ngâthë”. Kuër themi: m’u – ngâthën duërt prej s’ftofti, nuk e presim krejt mundësín e luëjtjes së gishtavet; por, kuër thomi m’u-shtângen ase m’u-shtantuën, atehere mê janë si të vdekuna.
M’U – PENARUE: E kam ndigjue prej shum mirditasve dhe jam interresue me ia marrë vesht mirë kuptimin. Do me thanë: Mos me pasë fuqi me lëvizë, shum i dobët, mos me pasë guxim me ia hŷ punës. Më duket se qi âsht populli, e ká dijtë se, levizja bâhet me dej e me nerva; dhe kuër këto e humbin fuqín, bâhen si pêni, dhe kështu: pê, pênar, pênarue, me (e, u) penarue. Apo prej “la pena”. Ti zaten më ké pasë porositë mos me hŷ n’etimologjín e fjalvet. Dij hall vetë, prá (un penarohem para Teje, po t’i hîjej kësajë pune).
Për fletoren “flamuri” tash po interresohem, por, nuk zotohem, se ….
Xhaferi të përqafon. Ká me t’a shkrue nji frazë të shkurtë. Jemi krejt mirë. Dashtë Zoti, e, edhe në Shqipní t’i kemi mirë. Motrës shum të fala e nderime. Me 15.II.1952 nisem për Romë. Thash t’a bâj nji udhtim, se nji ujë, qi s’hecë nuk pihet.
Të përqafoj me shum mallë.
I yti Tahiri