Emërimet në administratë / PD zbardh dosjen, Noka: Rama i besoi lojërat e fatit, trafikantit të kapur me 200 kg heroinë

0
150

Gëzim Saliu

Kryeministri: PD reagon si qeveri në mërgim dhe jo si opozitë në vendin e vetë

 

Flamur NokaPartia Demokratike denoncoi dje një tjetër rast emërimi në administratën shtetërore të një personi me precedent penal. Nga selia blu, deputeti Flamur Noka zbardhi dosjen e cila përmbante artikuj të ndyrshëm të medias në vend, që pasqyronin lajmin e kapjes së Nalton Jaçaj me 200 kilogramë heroinë në Stamboll në vitin 2009. Sipas demokratëve me emërimin e Jaçaj në Drejtorinë e Lojrave të Fatit, kryeministri Rama ka vërtetuar se vendet e administratës janë vetëm për personat e inkriminuar dhe të përfshirë në trafik droge. “Inkriminimi që Edi Rama i ka bërë administratës ka shkuar sipas një skeme gjakftohtë dhe ka synuar kapjen e sektorëve kyç. Personat e përfshirë në trafik ndërkombëtar droge, janë më të preferuarit. Me Edi Ramën, menjëherë pas ardhjes në pushtet, rilindi Nalton Jaçaj, i kapur në Turqi me 200 kilogramë heroinë, të çilit iu besua një rol aktiv tek Drejtoria e Lojërave të Fatit. Nalton Jaçaj ishte tregtar konfeksionesh, dhe në vitin 2009, në Stamboll, në maunen e tij kishte ngarkuar 200 kilogramë heroinë. Kapja e Jacajt dhe bashkëpunëtorëve të tij, ka qënë lajm i bujshëm në atë kohë. Kemi këtu të printuara lajmet e mediave kryesore të vendit mbi këtë aksion të poliçisë së Stambollit. Me ardhjen në pushtet të Edi Ramës, një nga emërimet e para në drejtorinë e Lojërave të Fatit ishte pikërisht Nalton Jaçaj”, theksoi ish-ministri i rendit. Më tej Noka bëri të ditur se Jaçaj është i afërt i një prej senatorëve të PS-së, që në shumë raste ka sulmuar haptazi opozitën. “Ky i fundit, plotëson edhe një kriter tjetër, është i afërmi i një prej senatorëve të Partisë Socialiste, i cili herë pas here, sa herë e lyp nevoja, sulmon opozitën. Kjo është një dëshmi tjetër, se sa boshe dhe e rrejshme është retorika e Edi Ramës për shanset e barabarta, për meritën, për konkursin e vendeve të reja të punës në administratë. E vërteta është se vendet në administratë janë zënë, dhe postet kyçe janë rezervuar për trafikantët e drogës”, pohoi deputeti demokrat .

Reagimi i kryeministrit

Ndërkaq kryeministri Edi Rama i është përgjigjur me ironi akuzave të Partisë Demokratike në lidhje me emërimet në administratë. Në rrjetin social FB, kreu i qeverisë në përgjgije të denoncimit të deputetit Flamur Noka, i cili e akuzoi Ramën se, drejtorinë e Lojërave të Fatit ia ka besuar një trafikanti droge, tha se PD reagon si qeveri në mërgim dhe jo si opozitë në vendin e vetë. “PD si qeveri në mërgim, jo si opozitë në vendin e vetë! Deklarata kundër një regjimi imagjinar dhe vrer në veshët e çdo të huaji që u jep takim”, shkruante Rama. Prej shumë muajsh, Partia Demokratike ka nisur një fushatë denoncimesh ndaj emërimeve në administratë, ku mbi bazën e dokumenteve ka bërë të ditur për publikun se si janë punësuar në poste të larta drejtuese persona me të kaluar të inkriminuar apo të dënuar për trafik droge. Në denoncimet e para, qeveria mori masa ndaj denoncimeve që u shoqëruan me dorëheqjen e personave të akuzuar. Ndërkaq prej më shumë se tre muajsh, cdo denocnim i ardhur nga PD-ja është cilësuar nga qeveria si mashtrim dhe përbaltje, gjë që është hedhur poshtë nga opozita përmes dokumentave të bazuara mbi vendime gjykatash apo edhe atrikujsh shtypi vendas e të huaj.

 

Goditja e opozitës

PD: Kryeministri fsheh krimin me një fletushkë false penaliteti

Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Rama se fsheh krimin e kryer nga deputeti socialist me një dëshmi penaliteti false. Përmes një deklarate për shtyp, koordinatorja e PD-së, Silvi Bardhi tha dje se kreu i qeverisë, i ka hapur dyert inkriminalitetit të parlamentit, pasi sipas demokratëve, ajo çka Rama propagandon është ndryshe nga ajo çka ai bën. “Për Edi Ramën, të jesh i dënuar me 7 vite burg nga Gjykata e Romës për trafik prostitucioni dhe rrëmbim personi, është një fakt i thjeshtë që mund ta kalosh me një dëshmi penaliteti. Ky precedent i rëndë penal, për Edi Ramën nuk është pengesë për ta bërë dikë deputet. Sipas standardit të Edi Ramës, një fletushkë false pastron gjithçka. Kështu e theu heshtjen disa javore Kryeministri, në lidhje me rastin e deputetit Arben Ndoka, i dënuar për trafik prostitucioni në rrethana rënduese dhe rrëmbim personi. Dëshmia e penalitetit, paska sipas Edi Rames forcën e gurit filozofik, dhe aftësinë për të fshirë të kaluarën.Me qëndrimin thellësisht të papërgjegjshëm që mbajti për këtë rast, Edi Rama provoi edhe një herë se ajo çfarë propagandon ndryshon si dita me natën me atë që bën”,  theksohej në deklaratë. Më tej, demokratët pohuan në reagimin e tyre se kreu i qeverisë ka folur shpeshherë për moral, duke miratuar edhe një kod etike,: “por kur vjen puna për një të dënuar për trafik prostitucioni dhe rrëmbim personi, që i duhet Ramës në parlament për të sulmuar opozitën, i duhet në fushatë për të kërcënuar kundërshtarët e manipuluar votat, kodi i etikës hidhet në kosh, dhe mjafton fletushka false e dëshmisë së penalitetit. Edi Rama dëshmoi publikisht se me vetëdije të plotë, ai me firmën dhe vulën e tij i hapi dyert inkriminimit të parlamentit, siç ka bërë me administratën, zyrat e shtetit e zyrat e Partisë Socialiste”.

 

Dita e viktimave të komunizmit dhe nazizmit

Bregu: Mazhoranca ta nisë sesionin me votimin e ligjit të lustracionit

Deputetja demokrate, Majlinda Bregu, komentoi dje ditën Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Komunizmit dhe Nazizmit, ku tha se dekomunistizimi i shoqërisë mbetet i papërmbushur. Duke marrë për bazë këtë ditë, deputetja  e PD-së kërkoi përmes një komenti në rrjetin social FB që mazhoranca qeverisëse ta nisë sesionin e ri parlamentar me votimin e ligjit të lustracionit. “Sot është dita evropiane kur nderohen viktimat e komunizmit. Në Shqipëri pati:6109 të pushkatuar e të vdekur në burgjet e komunizmit, mes tyre 89 gra, 17900 të dënuar politikë, mes tyre 450 gra, 9052 të vdekur në burgje, 30383 të internuar, 23 burgje në të gjithë vendin, 48 kampe internimi. Rreth 70 mijë persona ndiqeshin çdo vit nga Sigurimi i Shtetit. Dekomunistizimi i shoqërise shqiptare edhe sot mbetet një amanet i papërmbushur. Sa herë kemi çuar ligjin e lustracionit në parlament, nuk eshte votuar. Meqë maxhoranca sot nuk ka asnjë problem me numrat për të votuar “reforma të ndritshme”, le të fillojë këtë sesion parlamentar si Aleanca e Shqipërisë Evropiane, duke votuar ligjin e lustracionit si shenjë që çdo regjim që dhunon qytetarët, nuk ka të drejtë të ekzistojë. Drafti është gati. 29 Nëntorin e kanë para”, theksoi Bregu.