Legalizimet / Ja ku duhet të mbështeten qytetarët për zgjidhjen e problematikave të procesit

0
172

Gëzim Saliu

Si duhet të veprojnë qytetarët që kanë problem me mbivendosjen e regjistrimit fillestar apo ata që kanë problem me çështjet e kalimit të pronësisë

 

43

Edhe pse ligji i ri i legalizimeve ka më shumë se tre muaj që është votuar, problematikat që kanë lindur në terren janë të shumta, duke nisur që nga çështjet e kalimit të pronësisë, parregullsitë në dokumentacion e deri tek mbivendosjet e regjistrimit fillestar pas atyre që duhet të kryejnë aktualisht. Pavarësisht se ALUIZNI ka bërë të ditur se në shtator do të nisin pagesat dhe më pas miratimet nga qeveria për legalizim të më shumë se 30 mijë dosje të plotësuara dhe që kanë kaluar riverifikimin në terren, shumë qytetarë janë ende pa zgjidhje ose të pa informuar plotësisht lidhur me çështjet që ata i ndalojnë të përfitojnë legalzimin e pronës apo banesës që zotërojnë.

Zgjidhjet

Një problematikë parësore është ajo që lidhet mos dakordësinë mes sipërfaqjes që është publikuar nga vendimi i Këshillit të Ministrave me ata që vetë qytetarët kanë. Kjo çështje lidhet më së shumti me problemet e hasura me matjet në terren  e nisur nga këto “gabime”, qeveria pritet të dalë me një tjetër vendim ku do të ndryshohet masa e parcelës e bërë publike në vendimin e parë. Kështu pasi te këtë përfunduar faza e matjeve dhe përllogaritja e pagesës për secilin, ALUIZNI do njoftojë me shkrim poseduesit e dosjeve për masën e pagesës, ku nëse tarifa paguhet brenda një afati 45 përfitohet një ulje me 20 për qind e vlerës së përgjithshme të faturës, por nëse ky afat kalon, ulja nuk është më e vlefshme. Pasi të jetë bërë pagesa, Këshilli i Ministrave do të miratojë listën e poseduesve të objekteve pa leje dhe sipërfaqet e parcelave ndërtimore, për të cilat do të ngarkojë ALUIZNI-n të lidhë kontratën e kalimit të së drejtës së pronësisë. Ndërkaq një tjetër çështje që ka hasur vështirësi është edhe ajo që lidhet me kalimin e pronësisë, ku pritet sërish një ndryshim i vendimit të Këshillit të Ministrave. Kështu të gjitha dosjet do të kalojnë me ligjin e ri, i cili përcakton se sipërfaqja e parcelës, për të cilën miratohet kalimi i së drejtës së pronësisë, nuk mund të jetë më e madhe se trefishi i sipërfaqes së bazës së ndërtimit dhe për ndërtimet pa leje me funksion banimi jo më shumë se 500 m². Ndërkaq edhe pronarët e tokave ku është ndërtuar objekti pa leje kanë një sërë problematikash që lidhen me personin që ka zhvilluar pronën. Për këtë çështje është parashikuar zgjidhja përmes marrëveshjes mes pronarit të tokës dhe ndërtuesit ose në të kundërt zbatimi i vendimit të KM-së që përcakton se pronari apo ai që ka ndërtuar duhet të japë sipërfaqet që i takojnë për çdo pjesëtar të familjes. Nga ana tjetër, ligji i ri përjashton nga procesi i legalizimeve të gjitha ndërtimet pas vitit 2009 të ngritura në troje në pronësi të pronarëve të tjerë apo në pronësi të shtetit. Një prej neneve të ligjit përcakton se përfitojnë të drejtën e legalizimit objektet e ndërtuara pa leje deri më 15.1.2009, pavarësisht nëse ato kanë funksion banimi, veprimtarie ekonomike apo funksione të tjera social-kulturore, ku ndërkohë një tjetër nen përjashton ndërtimet pas kësaj date të ngritura në troje në pronësi të individëve të tjerë apo të shtetit. Por për të përcaktuar nëse një ndërtim do tu nënshtrohet ose jo procedurave te pajisjes me leje legalizimi do të duhet të përmbushen një sërë kriteresh kualifikuese, që nuk lidhen vetëm me kohën e ndërtimit. Këto kritere do të bëhen të ditura me vendimet plotësuese të qeverisë të cilat pritet të merren në fillim të muajit shtator. Qeveria ka premtuar se procesi i legalizimit do të përfundojë brenda vitit 2015, kur ndërkohë 45 mijë dosje duhet të ribëhen nga e para e ndërkohë më shumë se 40 mijë është numri i ankesave të qytetarëve për parregullsi në dokumentacionin e dorëzuar.

 

 

Çmimet e reja të parcelave ndërtimore pa leje me funksion banimi

-Për ndërtimet pa leje të ndërtuara brenda territorit administrativ të komunave çmimi nuk do të jetë më i ulët se 400 lekë apo më i lartë se 1500 lekë

-Për ndërtimet pa leje, të ndërtuara brenda territorit administrativ të bashkive, çmimi për metër katror do të jetë minimumi 500 lekë dhe maksimumi 2000 lekë

-Për shtesat, pavarësisht nga territori ku ato janë ngritur, çmimi minimal do të jetë 1000 lekë dhe çmimi tavan, 3000 lekë.

-Për ndërtimet pa leje me funksion të përzier, çmimi do të shitet sipas vlerës së pronës, të llojit “tokë truall”, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave

 

Der Spiegel

Shërbimi informative gjerman ka spiunuar edhe Shqipërinë që nga 2009

Shërbimi Informativ Gjerman ka patur nën vëzhgim një tjetër aleat të NATO –s, pas Turqisë. Gazeta gjermane “Der Spiegel” bënte të ditur se Shqipëria bën pjesë në mesin e vendeve që po përgjohet nga Gjermania, me qëllim për të marrë informacione rreth “kriminalitetit të organizuar”.  Shqipëria, sipas informacioneve të Shpigel është futur në listën e objektivave spiunazhit gjerman që para anëtarësimit të saj në NATO. Përgjimet në atë kohë kishin si synim luftën kundër krimit të organizuar.  Emrat e Turqisë dhe Shqipërisë u shfaqën në listë të përditësuar që bashkëpunëtori i Shërbimit Informativ Gjerman dhe njëkohësisht spiuni i CIA –s, Markus R. ua kishte dhënë klientëve të tij. Sipas informacioneve të Shpigelit, Markus R, përcolli rreth 1 mijë faqe informacion, mes të cilave edhe dokumente me informacione delikate.  Para një jave, “Der Spiegel” ka raportuar se shërbimet sekrete gjermane kishin spiunuar së paku një bisedë telefonike të Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, dhe se po e përgjonin Turqinë, partnerin tjetër në kuadër të NATO-s, që nga viti 2009. Për këtë arsye, autoritetet e Ankarasë kanë thirrur të hënën ambasadorin e Gjermanisë në Turqi për t’ia shprehur “shqetësimet” e tyre dhe për të denoncuar praktikat që “nuk do të tolerohen”. Shqipëria u shfaq edhe në listën e përgjimeve të Agjencisë Amerikane të Sigurisë Kombëtare, ku dokumentat e Eduard Snouden provuan se mes shumë liderëve botërorë, në përgjim kishte qenë edhe kryeministri i vendit në atë kohë Sali Berisha.