Gëzim Saliu
“Pas 42 ditë heshtje, Ramës iu deshën vetëm 3 sekonda për të dhënë llogari për deputetin e dënuar për trafik prostitucioni dhe rrëmbim personi”
Inkriminimi i administratës, i zyrave të shtetit të Partisë Socialiste dhe Parlamentit, është një politikë të cilën kryeministri i vendit po e çon përpara me vendosmëri. Kështu u shpreh dje përmes një deklarate për shtyp Partia Demokratike, duke denoncuar mos reagimin e kreut të qeverisë Edi Rama edhe kur denoncohen rastet me prova e me fakte apo edhe kur sipas opozitës mbarë publiku tronditet nga kapja e posteve kyçe prej trafikantëve, e personave me të shkuar kriminale. “Vetëm 3 sekonda pas 42 ditëve heshtje, zgjati llogaridhënia e Edi Ramës për faktin se ai bëri deputet një të dënuar për trafik prostitucioni në rrethana rënduese dhe për rrëmbim personi. Kryeministri e mbylli këtë cështje duke thënë se atij i mjafton një fletushkë false penaliteti. Edi Rama mbylli syte para dosjes kriminale me fashikuj të tërë, për bëmat dhe dënimin me 7 vite burg nga Gjykata e Romës për deputetin e tij Ndoka. Ai sulmoi dje opozitën, kur u denoncua rasti më i fundit, i vendosjes në një pozicion aktiv në Drejtorinë e Lojërave të fatit të një personi të ndaluar në vitin 2009 në Turqi me 200 kg heroine”, thuhej në deklaratën e PD-së.
Akuza
Në deklaratën e saj, PD akuzoi kreun e qeverisë se përmes tij trafikantët, rrëmbyesit e fëmijëve dhe tutorët kanë një mbrojtje dhe të ardhme të mire. “Nëse duan poste kyce në administratë, ua gjen Kryeministri. Nëse duan mandat dhe imunitet deputeti, ua gjen Kryeministri. Nëse duan Këshillin e Qarkut të Vlorës, sistemin e transportit të Sarandës, ujësjellësin e Patosit, shërbimet e Portit të Durrësit dhe të Prefekturës së Tiranës, Lojërat e Fatit, ua siguron Edi Rama”, theksoi PD-ja. Sipas demokratëve, kur erdhi në pushtet, akti i parë që miratoi kreu i qeverisë ishte kodi i etikës dhe angazhimi se përvec ligjeve do të ndiqej dhe morali e etika në qeverisje. “Që nga ajo ditë, Edi Rama ka bërë krejt të kundërtën, duke inkriminuar kudo e me kë të mundet, administratën dhe qeverijen e tij”, mbylli deklaratën e saj Partia Demokratike. Vetëm dy ditë më parë, PD denoncoi një tjetër rast emërimi në administratën shtetërore të një personi me precedent penal. Duke marrë për bazë artikujt e ndryshëm të medias së kohës, PD bëri të ditur se në vitin 2009 i emëruar aktualisht në drejtorinë e Lojrave të Fatit, Jaçaj është kapur me 200 kilogramë heroinë në Stamboll. Ndaj këtij denoncimi nuk mungoi reagimi i Kryeministri Edi Rama, i cili iu përgjigj me ironi akuzave të selisë blu duke pohuar se Partia Demokratike reagon si qeveri në mërgim dhe jo si opozitë në vendin e vetë. Ndërkaq lidhur me akuzat e përditshme të opozitës për rastin e goditjes së deputeti demokrat në Parlament, kreu i qeverisë në konferencën e organizuar pak ditë më parë në media deklaroi se,: “për grupin parlamentar të PS, para se të përpilonim listën kemi kërkuar dëshmi penaliteti. Dhe dëshmi penaliteti janë ato që kush sot ka bërë cfarë dhe kush është i pastër apo i papastër në drejtësi. Kush është i gatshëm të shtojë të tjera, unë nuk kam arsye të besoj asgjë nga ato broçkulla që thotë opozita”.
Protesta në Sarandë/ PD para zyrës së skandalit: Rama po ngre sistemin e partisë-shtet
Partia Demokratike protestoi dje para zyrës së Partisë Socialiste në Sarandë ku përfaqësuesi i deputetit socialist, kërkoi favor seksual me një të mitur, në këmbim të një vendi pune. PD e ka konsideruar këtë një akt të rëndë, një shenjë të ngritjes në sistem të Partisë-Shtet, që nuk mund të kalohet sipas opozitës me një tëitter nga Kryeministri. Koordinatori për Ndihmë Ligjore, Ervin Salianji kërkoi drejtësi të shpejtë dhe hetim të të gjithë zyrave të Partisë Socialiste në rrethe, dhe hetim te mekanizmit joligjor që ato aplikojnë për punësimet, e shërbimet e tjera. “Jemi sot këtu për t’iu bashkangjitur shqetësimit të qytetarëve të Sarandës dhe për t’i thënë edhe njëherë tjetër kryeministrit që ngjarja e skandalit seksual ku oligarkët në veprim, oligarkët e tij lokalë, për ne, për shoqërinë shqiptare është një ngjarje e cila nuk mund të kalohet me një cicërimë në tëitter. Për ne kjo është skenë krimi. Ministri i papunësisë dhe i dramave sociale, i cili është tellalli i kryeministrit nuk mund të dalë dhe të shajë opozitën. Qytetarët kërkojnë punë ai u ofron shifra. Qytetarët shkojnë në zyrat e punësimit këta u kërkojnë para, u kërkojnë favore seksuale në këmbim të punës. Kanë kthyer dhe po glorifikojnë nocionin e partisë-shtet”, tha ai. Më tej, Salianji theksoi se cdo gjë në këtë qytet por dhe në gjithë Shqipërinë po bëhet në zyrat e Partisë Socialiste. “Partia Demokratike kërkon drejtësi të shpejtë për këtë çështje dhe kërkon hetim të plotë në të gjitha zyrat e Partisë Socialiste, të cilat janë kthyer në punishte të favoreve të oligarkëve në pushtet”, pohoi koordinatori i PD-së për denoncimet, i cili shoqërohej dje nga shumë banorë të Sarandës gjatë kësaj proteste.
Forumi Europian të Alpbach-it/ Nishani në Austri me ftesë të Presidentit Fischer, pjesë edhe baronesha Ashton
Me ftesë të Presidentit Federal të Austrisë, Heiz Fischer dhe Presidentit të Forumit Europian Alpbach Franz Fischler, Presidenti, Bujar Nishani do të marrë pjesë në punimet e Forumit Europian Alpbachtë, në Austrisë, i cili do ti zhvillojë punimet në datat 24-26 gusht 2014. Nën kujdesin e veçantë të Presidentit Federal të Austrisë, Forumi Europian i Alpbachut do të mbledhë këtë vit krerë shtetesh dhe personalitete të larta evropiane mes të cilëve Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Baronesha Ashton, Ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz, Ministri austriak i Mbrojtjes, Gerald Glug, politikanë, ekonomistë, akademikë, të rinj, për të diskutuar dhe prezantuar pikëpamje dhe ide lidhur më çështje të ndryshme evropiane dhe globale. Në ditën e dytë të Forumit, të hënën më 25 gusht, Presidenti Nishani do të marrë pjesë edhe në panelin e Forumit me temë “Nga pajtimi në integrim: Kontributi i rinisë për një të ardhme të përbashkët”, ku do t’i drejtohet të pranishmëve me një fjalim të veçantë. Gjatë qëndrimit në Alpbach, kreu i shtetit pritet të zhvillojë takime dhe bisedime dypalëshe me një sërë personaliesh të larta politike dhe ekonomike.