Gëzim Saliu
“Mungesa e tolerancës dhe konsensusit dhe qëndrimi i dyfishtë me kërkesa për standarde të larta demokratike në opozitë dhe qëndrimet autoritare në pozitë janë shfaqje e mentalitetit të shkuar”
Presidenti i vendit Bujar Nishani deklaroi dje në fjalimin e mbajtur Forumin Europian Alpbach në Austri se sfida më e madhe për Shqipërinë mbetet ndryshimi i mentalitetit. Sipas kreut të shtetit, mungesa e tolerancës dhe konsensusit, por edhe qëndrimet e dyfishta të një opozite të shkuar që kërkonte standarde të larta demokratike dhe të një pozite autoritare, është shfaqje e një mentaliteti të shkuar. “Ndryshimi i mentalitetit është sfida më e vështirë e shoqërisë shqiptare dhe e shoqërive pastotalitare në përgjithësi. Mungesa e tolerancës dhe konsensusit dhe qëndrimi i dyfishtë me kërkesa për standarde të larta demokratike në opozitë dhe qëndrimet autoritare në pozitë, qëndrimi në pritje në vend të marrjes së nismave janë shfaqje e mentalitetit të shkuar, të cilat ngadalësojnë procesin e zhvillimit të demokracisë dhe të reformave”, tha Nishani. Ndaj kësaj deklarate nuk ka munguar reagimi i deputetit socialist Erjon Bracce, i cili akuzoi kreun e shtetit se është i pari President që sulmon qeverinë jashtë vendit. Turp e faqja e zezë. Nishani është i pari President në 23 vjet që sulmon qeverinë e vendit të tij jashtë vendit. Njësoj si PD, por ajo legjetimohet se është në opozitë!. Po ky? Nuk përfaqëson unitetin e vendit. I mbaruar!”, theksoi deputeti i PS-së.
Fjalimi
Në fjalimin e tij në forumin e Europian Alpbach në Austri, kreu i shtetit e vuri theksin tek integrimi i gjithë rajonit, ku sipas tij vendet e Ballkanit Perëndimor janë “pasagjerë” të të njëjtit tren, që ka për stacion final Bashkimin Evropian. “Anëtarësimi më i afërt i fqinjit tonë Kroacisë, hapja e negociatave me Serbinë, marrja e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria dhe Procesi i Stabilizim-Asociimit me Kosovën hedhin poshtë teorinë e “lodhjes nga zgjerimi” të Bashkimit Evropian dhe përforcojnë bindjen se merita, bazuar në përmbushjen e standardeve, është kriteri me anë të cilit vlerësohen arritjet dhe “shpërblehet” afrimi institucional i çdonjërit dhe secilit prej vendeve tona me Bashkimin Evropian. Sot, të gjithë ne që jetojmë në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë, në Evropën Juglindore, qëndrojmë të bashkuar drejt një objektivi të përbashkët – një të ardhmeje më të mirë dhe një jete më të begatë, për ne dhe për fëmijët tanë”, pohoi Presidenti. Më tej, duke theksuar se kriza ekonomike ka goditur rëndë edhe vendet e rajonit, Nishani tha se dalja prej saj është e ngadaltë. Ndërkohë sipas tij, një nga arsyet për rritjen më të shpejtë ekonomike dhe konkurrencën më të madhe është bashkëpunimi më i ngushtë dhe cilësor ndërmjet vendeve në këto rajone. Vendet tona janë të vogla. Por, kur ata bëhen bashkë, ne jemi një treg tërheqës. Duke bashkuar potencialet dhe përpjekjet tona do të mund të zgjidhim problemet më lehtë dhe në mënyrë më efikase. Objektivat tona janë plotësisht të arritshëm, por nuk janë ende shumë afër”, deklaroi ai. Ndërkaq sipas Nishanit, edukimi mbetet gur themeli në suksesin e rajonit. “Shqipëria, që nga hapja e saj, ka vuajtur shumë “hemorragjinë e trurit”. Jemi përpjekur ta balancojmë nëpërmjet zbatimit të Programit “Brain Gain” që ka synuar në rikthimin e trurit në vend dhe “Fondit të Ekselencës” që synon përgatitjen e të rinjve në universitetet më të mira perëndimore”, pohoi kreu i shtetit.
Denoncimi/ PD: Inkriminimi, i vetmi produkt i qeverisë
Koordinatorja për mediat në Partinë Demokratike Silvi Bardhi deklaroi djer se pavaarësisht propagandës së qeverisë, inkriminimi vertikal dhe horizontal që ekziston në administratë dhe zyrat e shtetit është i dukshëm. “Sado e përditshme, e bollshme dhe e fryrë të jetë propaganda e Edi Ramës, ajo nuk e mbulon dot inkriminimin. Edi Rama me vendosmëri pa u ndalur para asgjëje, e ka dërguar inkriminimin në nivelet më të larta, deri në parlament. Të dënuarit për trafik droge, për prostitucion, për rrëmbim personi, për kontrabandë, janë bërë aseti i Edi Ramës me të cilët ai ka kapur postet kyçe dhe po administron pushtetin”, tha ajo, duke theksuar se Partia Demokratike do të bëjë transparencë të plotë për të gjitha lidhjet krimale të qeverisë si edhe për dosjet tronditëse të njerëzve më të afërt të mazhorancës që kanë pushtetin real në vend. “Edi Rama mund të injorojë një mal me dosje e fashikuj kriminalë, e të mjaftohet me një fletushkë false penaliteti, por qytetarët do të informohen dhe jemi të bindur se do ta refuzojnë me përçmim inkriminimin e kryeministrit, i vetmi produkt deri më tani i kësaj qeverie”, përfundoi deklaratën e saj Bardhi.
Përgjimet e Gjermanisë/ Merkel: Nuk flas për BND-në, informacionet e mbledhura për sigurinë e vendit
Kancelarja gjermane Angela Merkel gjatë një interviste për televizionin gjerman ARD u pyet dje lidhur me akuzat se shërbimi inteligjent BND ka përgjuar Turqinë dhe Shqipërinë. Kancelarja refuzoi të jepte një koment, por ajo nuk i mohoi akuzat. Gazetari i kujtoi deklaratën e saj në momentin kur shpërtheu skandali i përgjimit të Gjermanisë nga SHBA-të, kur Merkel pati thënë se, “përgjimi mes miqve nuk është i pranueshëm” dhe shtoi se BND ka përgjuar aleatët e Gjermanisë në NATO, Turqinë dhe Shqipërinë. “E para, nuk mund të jap asnjë detaj lidhur me punën e BND-së. Së pari duket të kuptoni hezitimin tonë. Na duhen detaje për natyrën e aktivitetit të BND-së. Nuk mund të flas. Së dyti, “përgjimi mes miqsh është i papranueshëm” lidhur me Shtetet e Bashkuara është thënë në kontekstin e një premtimi. Ky kontekst është i rëndësishëm. Madje Shërbimi Informativ ka për detyrë të mbledhë informacione nga jashtë vendit që kanë të bëjnë me sigurinë tonë. Unë besoj se për shkak të kërcënimit në rritje nga jashtë, kemi nevojë për ndihmën e Shërbimit Informativ Federal”.
Deklarimi i pasurisë/ ILDKP kallëzon kreun e agjencisë së Bregdetit. Tare: E kam paguar gjobën e vonesës
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, paraqiti dje pranë organit të akuzës kallëzim penal ndaj subjektit deklarues Auron Tare, i cili është Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit në Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit. ILDK-ja bëri me dije se nga verifikimet e kryera rezultoi të jetë në shkelje të nenit 257/a të Kodit Penal, që ka të bëjë me “shkeljet në deklarimin e pasurisë”. Pas depozitimit të kallëzimit penal, Inspektori i Përgjithshëm do të njoftojë dhe institucionin epror të këtij zyrtari, duke kërkuar në këtë mënyrë marrjen e masave disiplinore në përputhje me kërkesat e ligjit. Pas publikimit të lajmit ka reaguar edhe Auron Tare, i cili ka sqaruar se e ka bërë me vonesë deklarimin e pasurisë dhe se për këtë ka paguar edhe gjobën për deklarim të vonuar. “Kam paguar gjobën për deklarim të vonuar, mund ta faktoj”, theksoi ai.