Disiplina ka dhënë vendimin për teknikun e argjentinas duke e lënë jashtë fushave për tetë javë. Ky vendim pritet të apelohet nga skuadra madrilene
Probleme për Atletiko Madrid. Kjo pasi i duhet që të bëjnë disa javë pas Cholo në stol. Trajneri argjentinas u pezullua për tetë javë për gjestet e kryera prej tij në takimin e kthimit të Superkupës së Spanjës ndaj Realit. Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Spanjolle të Futbollit i dha një skualifikim shembullor trajnerit të Atletikos së Madridit, Diego Simeone, që humb kështu pothuajse gjysmën e fazës së parë në krye të stolit të skuadrës së tij. Trajneri argjentinas, më i suksesshmi i Primera Divizionit në këto vitet e fundit u pezullua për tetë javë për gjestet e kryera prej tij në takimin e kthimit të Superkupës së Spanjës ndaj Realit , ku më i spikaturi ishte goditja me pëllëmbë në kokë, të anësorit të sfidës. Disiplinori, e ka justifikuar pezullimin tetë javor të Simeones duke u bazuar jo vetëm në gjestin e tij ndaj asistentit të kryesorit por gjithashtu dhe veprime të tjera të kryera në atë takim që bien ndesh me rregulloren. Kështu për goditjen e asistentit Simeone është skualifikuar katër javë, dy javë është skualifikuar për kartonin e kuq, 1 javë pezullim për duartrokitjet ironike kur po largohej nga fusha e lojës momentin dhe një javë tjetër për faktin se nuk shkoi në dhomat e zhveshjes por qëndroi gjatë gjithë takimit në tribunë duke dhënë udhëzime për skuadrën etij. Sipas Komisioni të Disiplinës, Atletiko Madridit ka të drejtë ta apelojë vendimin brenda 10 ditëve në vazhdim, gjë që me siguri klubi kampion i vendit do ta bëjë duke parë ndëshkimin e rëndë që është dhënë nga ana e organit të Federatës Spanjoll. Në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes me Rayo Vallecanon Simeone komentoi edhe mbi faktin e një skualifikim i mundshëm i tij. Ai u shpreh se e dinte që kishte gabuar dhe se do të pranonte vendimin që do të merrej nga organet kompetente. “Për mua ajo është një çështje e mbyllur. Nuk është diçka e mirë të vazhdojmë të flasim për të njëjtën gjë. Ata që vendosin për këto gjëra do të gjykojnë se cili do të jetë ndëshkimi më i drejtë. Kur një person gabon është mëse normale që ai të paguajë për gabimin që ka bërë. Unë jam i qetë dhe nuk i trembem vendimit që do të marrë komisioni i disiplinës pranë Federatës Spanjolle të Futbollit. Dua të them gjithashtu se kam besim të madh te aftësitë trajnuese të ndihmësit tim German Burgos, pasi ne të dy e shikojmë futbollin në të njëjtën mënyrë”.Kjo do ti hapë probleme skuadrës madrilene pasi dihet që tekniku është dhe motorri që nxit shumë dhe që bën një punë të madhe gjatë 90 minutëshit. Ndeshja ndaj Realit mbante një presion të madh dhe kjo duket se ka ndikuar shumë të Cholo i cili edhe në finalen e Champions pati një konflikt me galaktikët duke debatuar me Varan. Tashmë pritet të shikohet se çfarë mund të dalë nga apelimi por e sigurtë është që ky dënim do të hapë probleme.
Terri: I impresionuar nga Diego Kosta
Kapiteni bluve Xhon Terri, është i impresionuar nga sulmuesi i ri i klubit, Diego Kosta. Spanjolli shënoi dy herë në dy ndeshjet e para në Ligën Premier me Chelsean. “Ai është shumë i mirë. Ka qenë i shkëlqyeshëm në dhomën e zhveshjeve pa folur aspak anglisht. Është qesharake pasi ai po ia del kështu, dhe çdokush i ndihmon dhe i përkthen. Është adaptuar jashtë fushe dhe golat e tij është e qartë se na kanë ndihmuar”. “Nuk e kam ditur sa i mirë ishte, edhe pasi luajta kundër tij në Ligën e Kampionëve. Ju do ta shihni këtë kur ai të jetë në formë të plotë”. “Ka qenë i pabesueshëm në stërvitje. Ai duket sikur është i ndërtuar për Ligën Premier, mund t’ia dalë vetë. Është i shpejtë, i fuqishëm dhe çfarë është më e rëndësishmja, mund të shënojë gola”, ka thënë Terri.
Baloteli zyrtarizohet te Liverpul
Liverpuli ka konfirmuar se ka kompletuar angazhimin e Mario Balotelit nga Milani, i cili ka nënshkruar marrëveshje trevjeçare. Baloteli, i cili ishte fotografuar duke u stërvitur në Melëood i veshur me një fanellë stërvitore të Liverpulit, mendohet se u ka kushtuar Redsave 20 milionë euro. “Jam shumë u lumtur. Ne kemi biseduar për të ardhur këtu dhe tash unë jam i kënaqur që jam këtu”. “Liverpuli është një prej klubeve më të mira në Angli dhe futbolli është shumë i mirë këtu. Është një ekip i shkëlqyeshëm me lojtarë të rinj, dhe kjo është arsyeja se pse jam këtu”, ka thënë Italiani. Balotelli është nënshkrimi i nëntë i sezonit për Liverpulin. Ai largohet nga Milani pas 18 muajsh, ku ka shënuar 30 gola në 54 ndeshje. Brendan Roxhers, deklaroi se ardhja e Mario Balotelit do të ketë ndikim pozitiv në Daniel Sturridge. Redsat kanë nevojë për një sulmues të ri pas largimit të Luis Suarez, me Balotelin që është në prag të kalimit në Anfield. Pavarësisht se ardhja e italianit mund ta lërë në hije sulmuesin tjetër të Livepulit. “Kam biseduar me Daniel për atë se sa ai është i rëndësishëm për ekipin. Besimi që unë kam në të është treguar në paraqitjet dhe golat e tij dhe ju nuk e bëni këtë nëse nuk jeni i kënaqur me jetën tuaj dhe i kënaqur me futbollin tuaj”. “Kam thënë vazhdimisht se Daniel është talent i madh, por juve ju duhet më shumë se sa talenti këtu. Por ai është një lojtar i madh për ne dhe do të mbetet i tillë”. “Ndryshimet është e rëndësishme por nuk shqetësohem, pasi nëse jeni lojtar klasi me mendje klasi, atëherë ju dëshironi të keni lojtarë të tjerë klasi”. “Nëse jeni lojtar klasi dhe shikoni një tjetër lojtar klasi që vjen, atëherë ju do të mendoni, ‘Ai mund të na ndihmojë neve’. Një lojtar klasi me mentalitet klasi”, ka thënë tekniku të kuqve.
Inzaghi: Largimi i Balotelit, pozitiv për skuadrën
Filippo Inzaghi, beson se ekipi i tij do të fitojë shpirtin ekipor dhe urinë ekipore, me shitjen e Mario Balotelit. Trajneri i kuqezinjve thotë se ekipi i tij është përfituesi më i madh nga largimi i lojtarit. “Unë i dëshiroj më të mirën Balotelit te Liverpuli”. “Ne po humbim një lojtar të madh, por ne do të përfitojmë, sepse më në fund mund të kemi shpirt ekipor”, ka deklaruar Pipo.
Shala refuzon Kosovën, pret ftesën nga Shqipërinë
Herolind Shala nuk do ta përfaqësoj Kosovën në ndeshjen miqësore ndaj Omanit, e cila do të zhvillohet me 7 shtator në Prishtinë. Këtë e ka konfirmuar mesfushori kosovar, prioritet i të cilit është Kombëtarja shqiptare. “Më ka marrë dy herë në telefon gjatë kësaj kohe trajneri Bunjaki dhe më ka kërkuar që unë të shkoj të luaj për ndeshjen miqësore të muajit shtator”, ka deklaruar mesfushori i Odd. “Nuk kam dashur që ta mbaj me shpresa kot dhe i kam thënë se për momentin kam si prioritet një ftesë nga Shqipëria dhe ndoshta më pas do të mendoj për Kosovën”, theksoi ai. Shala, gjithashtu ka zgjuar edhe interesimin e përfaqësuesen së Norvegjisë. Dhe, nëse Shqipëria nuk e thërret ka gjasa t’i bashkohet ekipit skandinav.