Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Është një cikël i gjatë me letra midis Mustafa Krujës dhe Tahir Kolgjinit, për të cilën na flet trashëgimtari i Krujës, ku merret informacion mbi organizimin e politikës shqiptare në emigrim
Një vend të rëndësishëm në letrat e Krujës ishin dhe ato me ish sekretarin e Bajram Currit Tahir Zajmi, duke përfaqësuar një pjesë të rëndësishme të letërkëmbimit me ato të kosovarëve. Lindur në Gjakovë, Zajmi më 1918 u hodh në Shqipëri, ku jetoi në Kukës, Krumë e Shkodër. I u bashkua Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, me Hoxhë Kadriun, Salih Gjukën etj. Pak kohë në ministrinë e financave me ministrin Gurakuqi, në Qeverinë Noli. Në vitin 1941 angazhohet kokë e këmbë në projektin e Shqipërisë etnike dhe bëhet një nga drejtuesit kryesorë të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, që synonte të ruante bashkimin me Shqipërinë, duke luftuar edhe me armë kundra çetnikëve apo partizanëve jugosllavë. Në lidhje me këtë periudhë dhe ato ngjarje, në vitin 1964, botoi në Bruksel veprën “Lidhja e dytë e Prizrenit dhe lufta heroike e popullit për mbrojtjen e Kosovës”.
Mërgimi, në pjesën më të madhe i kaloi në Turqi, në një betejë të mundimshme për të përballuar jetesën. Për M.Krujën shpreh një konsideratë shumë të lartë, vlerëson gjithë veprimtarinë e tij të përmbledhur në “objektivin” : “me i bashkue të tanë shqiptarët në një truall të vetëm…” edhe se sendërtimi i tij pati fatin e atyre luleve që shohin vetëm një agim e pastaj vyshken. Ndërmjet të dyve trajtohen temat e veprimtarisë së mërgatës, me të mirat e dobësitë e veta, me shemëritë e përherëshme që e kanë kushtëzuar aq shumë rrugën e Shqipërisë. Ka një çast në këtë letërkëmbim që dua t’a theksoj, sepse është shprehja e një fisnikërie të hollë të mikut gjakovar, të shoqëruar me një ndjeshmëri të pazakontë e një bujari të rrallë njerëzore : “Vetëm për m’e shue disi mallin e mikut T’uej të paharrueshëm, të ndjemit Luigj Gurakuqi, me 26 k.m. me anën e postës Ju a kam nisë veprën e tij : “Vargnimi në gjuhën shqipe”, që tash tridhetë vjet e baj në valigje dhe të cilën, kur të shifemi bashkë ndonjiherë në t’ardhmen, kam me Ju a kërkue qi të m’a këtheni prap.”
Ai libër i lidhur me një kapak ngjyrë vishnje, nuk u këthye më tek i zoti, ai takim mes miqve nuk u krye dhe libri mbeti mes dokumentave e letërkëmbimeve të M.Krujës e sot është, si shumë dhjetëvjeçarë më parë, në bibliotekën që ruan kujtimet e tij.
Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e tretë, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit të disa letrave të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.
***
Manisa, 30.1.1953
I dashuni Z. Mustafa,
Të marrmen letrën e Zot. Juej që më shmalloj e më gëzoj tepër me njiherë u-nisa n’Izmir për me bisedu me shokët e atjeshëm mbi shpërdamjen e disa “Abetare-vet” që keni shtypë dhe atje. Z. Husejn Prishtina dashamirsisht e merr përsipër me bâ ç’ka t’i vije prej doret për kët punë.
Pra në drejtim të tij (-Hyseyn Priştina, 1412-ci sok. N.84 – Kahramaular – Izmir) mund t’i dërgoni Zot. Juej deri më 150 kopje, të cilat un bashkë me z. Prishtinën do të përpiqemi me i shpërda n’Izmir e n’Manisë. Na mbetet të mendojmë dhe të shikjojmë se si do të bahet mandej dërgesa e të hollavet që do të mblidhen nga shitja e librit.
Edhe për shqiptarët e Istanbulit, pavarsisht nga përgjegja që do të merrni Zot. Juej prej Avni Derrallës, sod po iu shkruej adashit t’em, Kolgjinit, dhe shokve të tjerë që të bajnë pak gajret m’e shpërnda “Abetarin e të mërguemit” e cila âsht kaq’e nevojëshme për bashkatdhetarët t’anë të venduem në kët vend, që mjerisht janë në rrezik m’e humbë kombësin dhe gjuhën amtare. Prej Zotnis në punën e të cilit m’ka qitun fati m’u ndodhë nuk shpresoj të dalë gjâ se, prandaj nuk e shof me vend që t’i kërkoj ndonji send, se mjerisht nuk ndinë fare. A nuk do t’ishte mirë me dërgue ndonji sasi prej këtij libri edhe ndër vise tjera, sidomos n’Itali, ku arbreshët t’anë kan muejtë – për mrekulli – m’e ruejtë deri m’sod gjuhën e të parvet dhe janë kaqë t’anshëm për libra shqipe?
Mue personalisht m’ka takue njiherë m’e konstatue kët nevojë në rasë të nji udhtimi që kemi pas bâ bashkë me nji shok tjetër në vjetin 1946 ndër disa katunde arbreshësh si me thanë: “Aururi”, “Capocanone”, “Centi” etj në provincën e Campobasso-s, ku burra dhe gra ankoheshin kundër indiferencës s’qeverrivet shqiptare që nuk kishin dërgue kurr nji herë nji libër ase fletore shqipe.
Por shkase edhe na, tashmâ, si ajo nana e Selmanit dikurë, nuk po kemi çka me i kja mâ parë të mjerës moj Shqipni!
Për “Anzat e Parnasit’, si edhe për “Lahutën e Malsís”, mbasi vet nuk i kam dhe as ndër shokët e Izmirit nuk i gjeta, kam qitë kushtrimin gjithkah kam të njoftun dhe në rasë se do të kem fat me i gjetë kam me Ju a nisë pa vonesë. Vetëm për m’e shue disi mallin e mikut T’uej të paharrueshëm, të ndjemit Luigj Gurakuqi, me 26 k.m. me anën e Postës Ju a kam nisë veprën e tij: “Vargnimi në gjuhën shqipe” që tash tridhetë vjet e baj në valigje dhe të cilën, kur të shifemi bashkë ndonjiherë në t’ardhmen, kam me Ju a kërkue që të m’a këtheni prap.
Do t’iu shkruej edhe nipave të mijë në Kosovë që të kujdesohen me m’i dërgue botimet shqipe të Kosmetit për të cilat më theksojshit në letrën e Juej dhe në rasë se më vijnë edhe kto kam me Ju a dërgue pa humbë kohë.
Tash po më zgjatët derisa t’a shof edhe studimin tjetër historik, hartue prej Jush mbi: “Arbreshët e Grekis”. Me gjithse edhe ky studim mund të jetë krye e plotsue, tashmâ, un po guxojshëm me theksue se për kët themë kishte me Ju hye në punë me shum dobi vepra voluminoze: “L’histoire de la renaissance Grecque” e Pouqueville-it.
Me kaqë Ju ngjatjetoj dhe Ju përshendes me shum mallë e dashuni.
Jueji
Tahir Zaimi
P.S.
Në qoft se do të kemi sukses me i shperda shpejtë të 150 kopjet e abetarit, do të bajmë mandej nji kërkesë tjetër.
Manisa, 26.III.1953
I dashuni Z. Mustafa,
E kam marrë mjaft me vonesë librin T’uej “Abetari i të mërguemit” i cili m’ka pëlqye shum dhe për të cilin Ju falemi nderit me gjith zemër.
Me gjithse nji abetar n’vetvedi, âsht me të vërtetë nji pun’e madhe kjo e Jueja që arsimtarët t’anë, gjoja pedagog e kompetent në punë të gjuhës; madie tue pasë në dispozitë të tyne edhe fondet e bollëshme të shtetit, s’kan muejtë m’e realizue n’Shqipnin e lirë.
Abetari i Juej që s’len me dishrue për kurrgja tjetër veçse për ftyrat dhe pjesën e kaligrafis – gjâ të cilën e theksoni edhe vetë Zot. Juej –, e sidomos me shpjegimet e hollësishme rreth historis s’gjuhës dhe letërsis shqipe, krahasimet e djalektevet etj.etj. në parathanjet: “Për kënduesin e stërvitun” e “Nji tfillim e nji thirrje” siedhe “Nji parashtresë reforme n’abecenë t’onë”, pjes’e këndimit e fjalorthi në fund të librit, të gjitha kto, përbajnë nji vepër m’vet’he që kënaqin studjuesin e gjuhës.
Ju tham pa komplimenta se syprina e librit, zbukurue me Kartën e Shqipnis ethnike, zgjedhje dhe rênditje e vjershavet e e lândës në pjesën e këndimit e bajnë librin edhe mâ tërhjekës.
S’më mbetet tjetër, pra, veçse t’Ju shtrëngoj dorën me nderim dhe t’Ju uroj jet’e shëndet të mirë që kështu me punimet e Jueja të dobishme t’i shërbeni gjithnji e ma tepër kombit dhe vendit t’ynë shum të vorfun.
Plot me vend e me arsye ankimi i Juej, kundër rinis intelektuale shqiptare – njerëz me tituj për gjuhsi e letra të bukura – për pakujdesin dhe indiferencën ndaj gjuhës shqipe që shpeshherë e bajnë njerin me vjellë me shkrimet e tyne.
Për “Anzat e Parnasit” që kërkojshit Zot. Juej siedhe për revistën letrave “Jet e ré” e botime tjera shqipe të rinis s’Kosovës mjerisht ênde nuk kam marrë asnji përgjigje pozitive. Në se më bien gjâ mbas tashi me njiherë kam me Ju a nisë.
Gjithashtu edhe prej Tahir Kolgjinit të cilit i kishjem shkrue për çâshtjen e shpërndamjes s’abetarit, nuk kam pasë deri m’sod ndonji lajm.
Nuk dij athue Ju mbërrijti libri i Gurakuqit që Ju paç dërgue para ca kohe. E kam pas nisë me postë të thjeshtë dhe mjaft drue mos të ketë humbë.
Me kaqë, i dashuni mik, Ju ngjatjetoj dhe Ju përshëndes me nderimet e mij mâ të shquem.
Jueji
Tahir Zajmi
Izmir, 2.VI.1953
I dashuni mik,
Z. Husejn Prishtina Ju ban të fala dhe Ju lutet që përkohësisht të ndaloni nji herë dërgesën e Abetarit-, se për shkak të nji vrasjeje me qëllim akmarrje të kryeme n’Istambul prej xhahilave t’anë, miqt që na strehojnë kërkojnë me i dhânë ngjarjes ngjyrë politike arsye për të cilën kan fillue me ndalue çdo aktivitet të shqiptarve me karakter politik e kombtar.
Patjetër se âsht presjoni ase sugjerimi i fqijve t’anë të Veriut dhe të Jugut me të cilët kta u ban miq dhe u vllaznuen kaqë tepër.
Kur të keni kohë Ju lutem që të më shkrueni mue ase Z. Prishtinës se si do të mundemi me Ju a dërgue të hollat e mbledhura nga librat.
Po pres me ditë që të më arrijnë nga Kosova revistat shqipe që m’i kishit kërkue dhe më kan lajmërue se do të m’i dërgojnë për t’Ju a nisë Juvet. Me shum shëndet e të fala të përzêmërta.
I jueji
Tahir Zajmi
(firma)
Muradije, 18.IX.1953
Fort i dashuni mjeshtër
Ju falemi nderës me gjith zêmër për Këshillat dhe për qortimet dashamirse qi më bani rreth përdorimit të premnit “qi” dhe verbit “me u orvatun” qi un, tue pas msue sidomos rrânjen serbe të këtij të fundit në parathânen e Abetarit T’uej, pa dashtë kam përdorë në letrën t’ime.
Për përdorimin e premnit që në vend të qi-së pohoj se deridiku edhe vet i kam pas dhânë të drejtë Aleksander Xhuvanit i cili a për arsye djalektit ase për shkak të disa, thash’e thânavet, ndollë dikurë ndër shkollat e vajzavet n’Shqipni, ka preferue ë-n në vend t’i-së q’asht rrânja e fjalës.
Me gjith kët përpara arsyetimit dhe kompetencës së Juej të njoftun mue nuk më mbetet tjetër veçse me korrigjue gabimin t’im.
Të vijmë tash te dishiri i çfaqun prej Z. Juej për të bashkpunue me revistën “Jeta e re” të Djelmnis së Kosovës rreth problemës së gjuhës shqipe siedhe te pyetja qi më bajshit për arsimtarin Selman Riza.
Për sa i përket bashkpunimit T’uej me anë artikujsh me të përkohëshmen e sipërthânun besoj se nuk do të jetë nji pun’e veshtirë e e pamundëshme, bile për kët punë i shkrova me njiherë nji mikut t’im Elbasanas në Prishtinë q’asht, edhe aj vet, nji nga Drejtuesat e botimevet shqipe n’Kosovë kështu qi porsa të marrë përgjegjen e tij kam me Ju lajmërue pa vonesë. E marr me mend, veçse, pos pseudonym-it do të nevojitet të shënohet edhe emni e drejtimi, shka për né sod për sod nuk asht e mundun, por edhe kësaj pengese mund t’ia bajmë hallin tue marrë uha emnin e ndo’i miku.
Mandej më kërkojshit edhe pak njoftime për Selman Rizën. Ky djalë Gjakovas (tash në môshë të pjekur 40 vjeçare) asht nji arsimtar i pajuem me nji edukatë të shëndoshët e kulturë të gjanë qi ka krye studimet n’Toulouse të Francës tue u laurue në letërsi e drejtësi, ndërsa mâ vonë – me sa m’kujtohet – ka pas qênë dërgue prej Ministris s’Arsimit në Ëien për të studjue e për t’u thellue edhe në Filologji. Asht nji studjoz e puntuer i madh dhe djalë me moral e karakter të fortë qi, shum të rrallë mund t’i ketë shokët n’Shqipni, ndërsa n’Kosovë âsht-i vetmi. Premton të bahet nji shkencëtar i mirë.
Me gjithse internue prej Italjanvet në kohë të luftës kur ishte Profesor n’Lycé-un e Korçës ka qênë burgos’e dënue edhe prej të kuqvet. Tash kam ndëgjue se ndodhet në Sarajevë ku merret me botime gjuhsore e letrare.
Para se t’a mbyllë bisedën me Juve kët herë nuk mundem me kalue pa e çfaqë keq ardhjen qi ndîj kur ndëgjoj se Juve atje dhe shokë të tjerë ndër vende të ndryeshme pos halleve të jetesës vueni edhe për shkak të lejeve të banimit të cilat kërkuekan nji muri formalitetesh e mundimesh për t’i sigurue, kurse neve këtu për t’a krye kët punë na lypset të paraqitemi pranë zyravet përkatse vetëm nji herë në gjashtë muej.
Por me folë drejtë, or mik i dashun dhe mjeshtër i gjuhës, nji ndër fatkeqsit e rânda të luftës s’fundit âsht edhe shdukja e asaj tradite fisnike t’hospitalitetit dhe të strehimit qi kishin përparandaj popujt e qytetnuem për të huejt e ikun nga vendet e tyne e tash fort rrallë po ka ndonji vend qi nuk i zbaton kto masa policore: kto peshqeshe, a mâ drejtë me thanë kto masa shnjerzore, iu imponuen ket herë botës Perëndimore nga arush’e verit qi nji fatalitet tragjik i historis e vûni ktê në rradhën e shlirimtarvet për t’u a mbyllun dyert e strehimit të mjervet, nacjonalist të vendeve të ndryshme.
Uroj me gjith zêmër, qi t’Ju çelet nji rrug’e mbarë në drejtim qi dishroni edhe vet për t’u bashkue me djalin e Juej të dashun! Me kët urim dhe përshëndetjet mâ të sinqertat,
I Jueji
Tahir Zaimi (firma)