Gëzim Saliu
Në diskutim janë kthimi i ligjit për Shkollën e Magjistraturës, ai për Gjykatën Administrative, për ndarjen e re administrative territoriale si edhe ai për disa ndryshime në ligjin e KLD-së
Konferenca e Kryetarëve dhe Komisioni i Ligjeve do të mblidhen nesër për të diskutuar dekretet e kthyera në Kuvend nga Presidenti i Republikës. Edhe pse Kushetuta sanksionon që sesioni i dytë Kuvendit nis të hënën e parë të shtatorit, e cila këtë vit përkon me datën 1, mazhoranca ka vendosur të “përshpejtojë” këtë diskutim, ku qëndrimi lidhur me vendimet e kreut të shtetit është bërë publik më parë nga kryeministri Rama, i cili ka theksuar se mazhoranca do ti kthejë mbrapsht dekretet e Nishanit.
Diskutimi
Takimi për Konferencën e Kryetarëve do të mblidhet ditën e nesërme me kërkesë të grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku në të do të vendoset edhe për datën e fillimit të seancës së parë plenare. Ndërkaq mbledhja e Komisionit të Ligjeve vjen pas kërkesës së kreytarit të këtij komisioni Fatmir Xhafaj, ndonëse kolegu i tij Spartak Braho i Komisionit të Sigurisë nuk e ka thirrur mbledhjen lidhur me diskutimin e dekretit për Ligjin e Policisë. Në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve nuk pritet të ketë surpriza, ku të gjitha dekretet e kreut të shtetit do të rrëzohen. Përkatësisht pritet të shqyrtohen në mbledhjen e nesërme: Dekreti “Për kthimin e ligjit nr. 97/2014 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8136, datë 31.7.1996, “Për Shkollën e Magjistraturës” të ndryshuar”, dekreti Për kthimin e ligjit nr. 100/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, dekreti “Për kthimin e ligjit nr. 101/2014 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8811, datë 17.5.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit tëLartë të Drejtësisë” të ndryshuar si edhe dekreti “Për kthimin e ligjit nr. 115/2014, “Për ndarjen administrativo – territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”. Nga ana e tij, kreu i shtetit ka rënditur një sërë argumentimesh për rishqyrtimin në Kuvend të këtyre dekreteve , ku arsyetimet kryesore kanë të bëjnë me kundërshtinë ndaj Kushtetutës, cënimin e balancës së pushteteve, mungesën e transparencës apo edhe mos konsultimin me qytetarët, në rastin e reformës territoriale. Por argumentat e kreut të shtetit janë cilësuar si politike nga ana e mazhorancës qeverisëse, e cila nuk ka nguruar ta akuzojë Nishanin si “anëtar të vjetër të PD-së”. Përplasjet mes Presidentit dhe mazhorancës qeverisës janë thelluar në tre muajt e fundit pas kthimit të ligjeve nga ana e kreut të shtetit, ku nuk kanë munguar replikat e drejtëpërdrejta mes Nishanit dhe kryeministrit Rama. Në rastin e fundit të kthimit mbrapsht të ligjit për Shkollën e Masjitraturës, dy figurat kryesore të shtetit janë përfshirë në një debat virtual në rrjetin social FB, ku Rama akuzoi kreun e shtetit se është kundër reformës në drejtësi, duke theksuar,: “Kemi pasur qeveri që sulmonin presidentët, sot kemi një president që sulmon qeverinë! Po ne s’e sulmojmë, kemi veç keqardhje”. Nuk ka munguar reagimi i Presidentit, i cili ka pohuar se ndjen keqardhje për Ramën, që sipas tij po praktikon konflikt dhe autoritarizëm. “Keqardhje ndaj Kryeministrit që flet për “mirëkuptim” dhe praktikon sherr, flet për Kushtetutë dhe e minon atë, flet për “liberalizëm” dhe aplikon autoritarizëm. Keqardhje për Kryeministrin që “inerci” dhe “rrënim” quan zbatimin e ligjit, ndërsa “Reformë” plotësimin e tekave të tij”.
Vendimi/ Presidenti dekreton emërimin e Felaj si ministre për marrëdhëniet me Parlamentin
Presidenti Bujar Nishani ka dekretuar dje emërimin e deputetes socialiste Ermonela Felaj, si ministre të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, ku ndërkohë dekretoi edhe shkarkimin e Ministrit Ilirjan Celibashi nga ky post. Në dekretet e publikuara në faqen zyrtare të Presidencës thuhet se kreu i shtetit në mbështetje të 93 dhe 98, pika 1 të Kushtetutës dhe me propozim të Kryeministrit, dekreton shkarkimin e ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Ilirjan Celibashi si dhe firmos emërimin në këtë post të zonjën Ermonela Felaj. Emërimi i kësaj të fundit në postin e ministres erdhi pas dorëheqjes për arsye personale të ministrit Celibashi, e cila u bë me dije në një konferencë për shtyp nga kryeministri Edi Rama që konfirmoi se largimin nga detyra pas një vendimi personal. “Vendimi ka motive tërësisht personale uroj që të jetë vendimi i i duhur dhe koha në dispozicion pas lënies së detyrës të jetë më e plotë, të plotësojë angazhimet e tij familjare dhe personale me shpresën e bindjen se ai mbetet pjesë e familjes tonë”, tha Rama. Ndërkaq kreu i qeveria ka theksuar se gjatë 300 ditëve të para të qeverisjes nuk ka menduar asnjëherë për riformatimin e kabinetit të tij. “Më vjen keq që nuk kam patur kohën e mjaftueshme për tu shprehur të gjithë ministrave mirënjohjen time për kontributin e tyre. Falë kontributit të gjithsecilit janë arritur të gjitha objektivat një më një”, ka deklaruar Rama.
Kryediplomati i Kanadasë/ Baird viziton Shqipërinë, takim me Nishani dhe Ramën
Ministri i Punëve të Jashtme të Kanadasë, John Baird do të vizitojë Kroacinë, Serbinë dhe Shqipërinë. Njoftimi i bërë publik nga ambasada kanadeze me seli në Romë, bën të ditur se Baird do të takohet me disa zyrtarë kryesorë të qeverisë për të nxjerrë në pah marrëdhëniet në rritje dypalëshe me të gjitha këto vende. Në Shqipëri, Baird do të takohet me presidentin Bujar Nishani dhe kryeministrin Edi Rama, si dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati. “Kanadaja mbështet fort rrugën e Shqipërisë për integrimin evropian. Si aleatë në NATO, ne mirëpresim kontributin e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit, në veçanti përpjekjet e saj për të luftuar kërcënimin nga ISIL në Irak”, tha Baird. Ndërkaq në Kroaci, Baird do të takohet me zëvendëskryeministrin e parë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane, Vesna Pusiq dhe Ministrin e Mbrojtjes, Ante Kotromanoviæ. Ndërsa Serbi, Baird do të takohet me presidentin Tomisllav Nikoliq, kryeministrin Aleksandar Vuçiq dhe zëvendëskryeministrin e parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç. “Kanadaja është e inkurajuar nga transformimi demokratik dhe ekonomik i Serbisë dhe angazhimi i saj për të arritur integrim më të madh dhe bashkëpunimin me Bashkimin Evropian dhe institucionet e tij,” ka theksuar ai. Kjo vizitë e kryediplomatit të Kanadasë në Ballkan vjen pasi Baird foli për Ukrainën dhe çështje të tjera të sigurisë globale në një forum të nivelit të lartë në Salzburg, Austri, të organizuar nga Instituti i Paqes Ndërkombëtare dhe në seminarin Global të Salzburgut. Ai diskutoi gjithashtu nevojën për një reagim të fuqishëm ndaj krizës në Ukrainë gjatë vizitave dypalëshe më parë me homologët e tij, në Norvegji dhe Danimarkë.