Kryeministri: Qeveria nuk mund të jetë “baby-sitteri” i opozitës, nuk do ketë gjyle me baltë nga mazhoranca drejt Presidentit
Pas samitit të Berlinit, kryeministri Rama deklaroi dje nga Gjermania se edhe pse Bashkimi Evropian ka vendosur të mbyllë dyert për 4 vjet lidhur me procesin e integrimit, Brukseli duhet të tregojë inkurajim ndaj vendeve të Ballkanit, që këta të fundit të përmbushin “detyrat e shtëpisë”. Sipas kreut të qeverisë shqiptare, BE-ja ka sot problemet e veta. “Praktikisht BE ka vendosur që mos ketë zgjerim në katër vitet e ardhshme, por ndërkohë ne kemi arritur që të bindim Gjermaninë, që pavarësisht se nuk ka zgjerim katër vitet e ardhshme, popujt në Ballkan nuk duhet të ndihen jashtë procesit të zgjerimit dhe nuk duhet të ndihen pre e një iluzioni që për ta nuk është një iluzion por është një ëndërr e madhe, ëndrra e Europës. Kështu që ne duhet të ushqejmë aspiratën Europiane me hapa konkretë, me veprime konkrete dhe projekte konkrete. Ky është qëllimi ynë dhe këtu jemi në sintoni me Kancelaren dhe me atë që sot është Bashkimi Europian”, tha ai në një intervistë për ora-news.
Ballkani Perëndimor
Për kryeministrin e vendit është shumë e rëndësishme që sot rajoni, në kushtet kur ka një mirëkuptim midis të gjithë palëve, të punojë për të ardhmen duke luftuar papunësinë, izolimin dhe prapambetjen në infrastrukturë. “Ne do të shtyjmë shumë fort dhe do të krijojmë sa më shumë kushte për ndërveprim mes vendeve të rajonit, në mënyrë që në të gjitha rastet të jemi në lartësinë e sfidës.Bashkimi Europian dhe Gjermania si një vend lider i BE-së, sot na ka dhënë një mesazh shumë të qartë. Që jemi gati të bëjmë më shumë nëse ju jeni gati të propozoni dhe të argumentoni se si mund të bëhet më shumë. Na takon ne, dhe Shqipëria sot ka paraqitur një plan që është vlerësuar nga të gjitha palët. Mbi atë plan ne do të punojmë për të strukturuar dhe detajuar aspektet që lidhen me implementimin e projekteve madhore”, u shpreh kreu i qeverisë.
Opozita dhe Presidenti
Lidhur me qëndrimin e qeverisë ndaj opozitës, kreu i mazhorancës qeverisëse tha se kjo e fundit nuk ka ndërmend ti mbyllë gojën forcës më të madhe politike në vend. Duke mos përmendur thelbin e ekauzve të opozitës që lidhen me inkriminimin e Parlanmentit si edhe goditjen e deputetit demokrat, Rama theksoi se,: “Se sa ne po ja mbyllim gojën, jeni ju dëshmitarë, që opozita flet shumë më tepër se ne, dhe bën shumë mirë se atë detyrë ka dhe punë tjetër s`ka. Ndërkohë që mos kërkoni nga qeveria që të bëhet “babysitter” i opozitës. Unë kam qenë kryetari i opozitës. Kemi dëgjuar gjithfarë akuzash, poshtërsish dhe nuk do më dëgjoni kurrë duke bërë të njëjtën gjë me opozitën. Nëse opozita zgjedh të shkojë në rrugë të gabuar, kjo është zgjedhja e saj, mban përgjegjësinë e saj dhe përgjigjet përpara zgjedhësve. Nuk është detyra jonë të bindim opozitën se çfarë duhet të bëjë. Detyra jonë është që ta dëgjojmë opozitën, siç e dëgjojmë, por nuk jemi të detyruar as të biem dakort me të dhe aq më pak ti nënshtrohemi axhendës së saj apo ritmit që kërkon opozita në procesin e reformave që nuk do ndalen me ose pa opozitën”. Ndërkaq sa i përket, reformës në drejtësi dhe mundësisë së bashkëpunimit me Presidentin e vendit, si ikryetar i KLD-së, kreu i qeverisë pohoi se me kreun e shtetit qeveria ka marrëdhënie institucionale. “Unë jam zotuar që do ti japim fund kohës kur nga zyra e kryeministrit lëshoheshin gjylet me baltë në presidencë, por sigurisht nuk jemi as të detyruar të jemi dakort me gjithçka dhe as të detyruar që të përmbajmë keqardhjen kur Presidenti është për të ardhur keq në ato veprime që bën. Patjetër që do trokasim sa herë që është nevoja për të trokitur dhe do të shkojmë tek Presidenti sa herë ai do të na thërasë dhe do të jetë e nevojshme, por ndërkohë do të jemi shumë të qartë dhe transparent me publikun për çfarë jemi dakort dhe për çfarë nuk jemi dakort me Presidentin e Republikës”, konstatoi kryeministri Rama.
Vizita e Ramës më 22 tetor/ Vuçiç: Shqipëria treg ideal për Serbinë
Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç komentoi dje vizitën e homologut të tij shqiptar në Beograd, Edi Rama, ku tha se më 22 tetor, do të diskutohet për çështje serioze. “InSerbia” bëri të ditur se Vucic e konsideron Shqipërinë si një treg ideal për Serbinë. “Do të jemi mikpritës të mirë. Do të diskutojmë çështje serioze dhe mendoj se kjo është një mundësi e madhe për kompanitë serbe. Është një mundësi për eksportet, sepse Shqipëria është një treg ideal për Serbinë”, u shpreh kreu i qeverisë serbe. Ndërkaq ai ka theksuar se strategjia për të hyrë në tregun shqiptar duhet studiuar mirë. “Ekipi ynë do të krijojë një plan të detajuar me rezultate të përcaktuara dhe të qarta”. Serbia është një nga dy vendet me eksportet më të mëdha në Kosovë dhe të njëjtën gjë synon të bëjë edhe në Shqipëri. Dy ditë më parë gjatë Samitit të Berlinit, kryeministri Rama bëri të ditur se do të vizitojë Beogradin më 22 tetor. “Kemi një datë përfundimtare. Është një hap më tej drejt së ardhmes. Kemi kaq shumë gjëra për të diskutuar, kaq shumë potencial për bashkëpunim. Duhet të punojmë së bashku të gjithë në rajon për t’u siguruar që nga kjo erë e re në Ballkan, njerëzit të përfitojnë sa më shumë”, u shpreh kreu i qeverisë shqiptare.
Eurokomisioneri/ Fyle: Barroso foli qartë, Ballkani Perëndimor në BE
Komisioneri për zgjerimin e BE-së Stefan Fyle e komentoi si një zhvillim të rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor samitin e Berlinit. Sipas tij, përmes Presidentit të KE-së, u dha një mesazh i qartë lidhur me zgjerimin . “Barroso foli qartë. Ne duam të shohim Ballkanin Perëndimor të bashkohet me Bashkimin Europian”, u shpreh eurokomisioneri Stefan Fyle.
Municionet nga Shqipëria/ Mbërrin në Irak, ngarkesa e parë, u transportuan me avion kanadez
Ndgarkesa e parë me municione e dërguar nga Shqipëria ka mbërritur dje në Irak. Lajmi u konfirmua nga qeveria kanadeze, ku armët u transportuan me një avion kanadez. Ndihma e qeverisë shqiptare është pjesë e një përpjekjeje ndërkombëtare për të furnizuar forcat e sigurisë së Irakut me armë të lehta dhe municione për të mbështetur luftën kundër Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit. Shqipëria është një nga 7 vendet që do të ndihmojë me armë të lehta qeverinë e Irakut. Qeveria e Shqipërisë është rreshtuar në krahë të vendeve ndërkombëtare që luftojnë të ashtuquajturit Shtet Islamik i Irakut dhe Levantit dhe praktikat e tij barbare e terroriste. Sipas një vendimi të marrë më 22 gusht, Shqipëria vendosi të dërgojë 22 milionë fishekë AK-47 7. 62 millimetër, 15,000 granata dore dhe 32 mijë granata hedhëse të kalibrave të ndryshëm për forcat kurde në Irak.