“Kryeministri dhe Partia Socialiste kanë heshtur deri tani për të gjitha denoncimet e PD-së, reaguan vetëm dje (dy ditë më parë) për emërimin nnë Rinas, që është bërë nga LSI”
Partia Demokratike akuzoi dje përmes deputetit Flamur Noka kryeministrin e vendit Edi Rama se ka heshtur për të gjitha denoncimet e opozitës lidhur me rastet e të punësuarve me të kaluar të inkriminuar në administratë. Por sipas PD-së, qëndrimi i kryeministrit ka ndryshuar vetëm për denoncimin e bërë dy ditë më parë nga selia blu lidhur me rastin e të emëruarit në aeroportin e Rinas, për të cilin deputeti demokrat tha se është punësuar me propozim të LSI-së. “Kontrollori i Rinasit, që në të shkuarën ishte korrier në Rinas i kalimit të parave të pista, është emëruar në vitin 2012 në agjensinë ANTA, kur kjo agjensi drejtohej nga përfaqësuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ështe emëruar me pëlqimin e Ilir Metës, dhe vazhdon të kontrollojë Rinasin me bekimin e Edi Ramës. Reagimi i djeshëm festiv i Edi Ramës, që denoncoi publikisht aleatin e tij kryesor për këtë emërim kriminal, nuk e mbulon dot heshtjen mortore për dhjetra raste të emërimeve kriminale, e të kriminalizimit që Edi Rama dhe Ilir Meta i kanë bërë administratës, në çdo nivel, deri tek Parlamenti i Shqipërisë”, tha Noka.
Denoncimet
Në daljen e tij publike, deputeti demokrat bëri të ditur në mënyrë të përmbledhur denoncimet e PD-së për rastet e emërimit të personave të inkriminuar në administratë e Parlament, duke e nisur me ligjvënësin socialist. “Partia Demokratike ka denoncuar me prova e me fakte se Edi Rama ka bërë deputet të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, një të dënuar për trafik prostitucioni në rrethana rënduese dhe rrëmbim personi, dhe Edi Rama ka heshtur, Partia Socialiste ka heshtur. Partia Demokratike ka denoncuar me prova e me fakte, se me Edi Ramën, është bërë drejtor rajonal transporti një person i kapur me 750 kg kanabis, është bërë drejtor i ujësjellësit një person i dënuar me 16 vite burg për trafik droge, ka marrë një pozicion kyç në drejtorinë e lojërave të fatit, dikush i kapur me 200 kg heroinë, dhe Edi Rama e Partia Socialiste kanë heshtur”, u shpreh Noka. Më tej, ai tha se PD ka denoncuar me prova e me fakte se kreu i qeverisë ka bërë kryetar të Këshillit të Qarkut, personin e arrestuar nga policia italiane dhe të akuzuar nga mediat më të mëdha në shtetin fqinj për rrëmbim fëmije. “Dhe Edi Rama e Partia Socialiste kanë heshtur. Kemi denoncuar me dhjetëra raste të personave me precedent penale që kanë kapur zyrat e administratës, me prova e me fakte, dhe Edi Rama e Partia Socialiste kanë heshtur”, theksoi ai. Sipas Nokës, Rama dhe Partia Socialiste reaguan për herë të parë vetëm për një emërim,që pohoi deputeti demokrat është bërë nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Prej më shumë se tre muajsh denoncimet e Partisë Demokratike për emërimet në administratë janë thuajse të përditshme, ku nuk ka munguar shoqërimi i tyre me vendime gjykatash, artikuj shtypi vendas e të huaj, ku vërtetohet akuza e inkriminimit të personit të emëruar. Kjo tregon sipas opozitës se mazhoranca qeverisëse krahas tentativës për kapjen e institucioneve të pavaruara si edhe shkeljen e Kushtetutës e ligjit, po rëndon gjendjen e administratës publike dhe vetë Parlamentit, me persona që kanë të kaluar të lidhur me krimin, trafikun dhe prostitucionin.
Akuza
PD: Me Ramën, administrata e rrethuar nga trafikantët
Partia Demokratike bëri të ditur dje se nuk do të reshtë së denoncuari inkriminimin e Kuvendit të Shqipërisë dhe administratës publike. Përmes një deklarate për shtyp, selia blu theksoi se me pëlqimin dhe bekimin e kryeministrit, Kuvendi i Shqipërisë ka në gjirin e tij deputetë të dënuar për akte të rënda ndërsa administrata e shtetit kontrollohet në pjesët kyçe të saj nga persona të inkriminuar. “Rastet e panumërta të denoncuara nga Partia Demokratike janë anashkaluar nga Edi Rama i cili theu heshtjen vetëm për njeriun e Metës të emëruar si kontrollor në Rinas, pikërisht në vendin që i emëruari e kishte përdorur për transport të parave të pista. Trafikantët e drogës janë bërë drejtor ujësjellësi, drejtor logjistike në port, drejtor rajonal transporti, pikërisht në shërbimet publike të cilat shërbejnë për të ndaluar çdo tentativë për trafiqe”, theksohet në deklaratën e PD-së. Sipas demokratëve, premtimi për emërime me meritokraci janë hedhur në kosh bashkë me premtimet e fushatës elektorale,: “sepse për Edi Ramës nuk ka asgjë më të rëndësishme se rrethi i ngushtë i oligarkisë së tij. Përpjekja për të kaluar radhën me dëshmi penaliteti false tregon më së miri se Rama ka bekuar inkriminimin e shtetit që t’i sigurojë atij fuqi kriminale për të marrë votën nesër dhe për të kërcënuar opozitën”.
Të hënën
KQZ mblidhet për djegien e fletëve të votimit dhe hapjen e kutive të 23 qershorit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet ditën e hënë për të vendosur lidhur me asgjësimin e fletëve të votimit dhe hapjen e kutive të votimit e materialeve zgjedhore të përdorura për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 qershorit. Në focus të rendit të ditës në mbledhjen e së hënë janë Projekt-vendimi “Për një ndryshim në Vendimin nr.8, datë 10.02.2014″, “Për miratimin e mënyrës së asgjesimit të fletëve të votimit dhe shpenzimeve buxhetore për hapjen e kutive të votimit dhe kutive të materialeve zgjedhore të përdorura në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 23.06.2013”, si dhe projekt-vendimi “Hapjen e kutive të votimit dhe kutive të materialeve zgjedhore të përdorura për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 23.06.2013”.