Identifikohen dhe shpallen në kërkim dy autorët e dyshuar
Dy persona janë plagosur në orët e para të ditës së djeshme në Tiranë, pas një zënke në një lokal. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Pandi Dardha”, rreth orës 05.30 të mëngjesit në një lokal nate. Sipas policisë dy të plagosurit janë, Enio J., 34 vjeç, pronar i lokalit, si dhe Luan S., 31 vjeç. Policia ka identifikuar edhe autorët e ngjarjes Artur Briga dhe Edi Bullca dhe i ka shpallur në kërkim. Sipas burimeve policore plagosja ndodhi pas një grindjeje për motive banale. Autorët e dyshuar kanë qëlluar me armë zjarri automatik nga makina në drejtim të lokalit duke shkaktuar edhe dy të plagosurit. Menjëherë pas të shtënave, dy autorët janë larguar me shpejtësi me një makinë të bardhë tip “Benz”, ndërsa dy të plagosurit janë dërguar për trajtim në Spitalin e Traumës. Policia ka nisur hetimet për ngjarjen ndërsa janë marrë edhe dëshmitë e para në vendin e ngjarjes. Materialet procedurale do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale të “Vrasjes me dashje” mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak”, të parashikuara nga nenet 76/22/25 dhe 278/4 të Kodit Penal. Sulmet me armë zjarri ndaj personit nuk kanë qenë të pakta në ditët e fundit. Mbrëmjen e së enjtes në qytetin e Fierit një 49-vjeçar u sulmua kur një person ende i paidentifikuar hyri në lokalin e tij në lagjen “29 Nëntori” dhe hapi zjarr. Sipas informacioneve të policisë lokale, një plumb përshkoi fytyrën e 49-vjeçarit Jorgaq Kume, duke i shkaktuar dëmtime serioze, ndërsa një tjetër e preku atë në shpatull. Në kohën e sulmit Kume ndodhej i vetëm në lokal. Të afërmit e gjetën atë të mbuluar me gjak dhe e dërguan menjëherë në spital. Policia po heton për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, ndërsa i plagosuri ndodhet në spitalin e kryeqytetit për ndihmë të specializuar mjekësore.
Elbasan, konflikti për një vajzë, plagoset me thikë një 19 vjeçar
Një grindje për një vajze midis dy të rinjve në Elbasan përfundoi me përdorimin e thikave. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “28 Nëntori”. Për pasojë, 19 vjecari Elton Peqini mori tre goditje në trup, ndërsa policia vendosi në pranga 20 vjeçarin Ymer Starin. Mësohet se njëra prej goditjeve e ka prekur në mushkëri. I plagosuri ndodhet në gjendje të rënde në reanimacionin e spitalit të Elbasanit.
Fier, i riu plagos veten me thikë
Një i ri i moshës 27 vjeçare ka plagosur veten me thikë në Fier. Rreth mesditës së djeshme në lagjen “1 Maji” të qytetit të Fierit, 27 vjeçari me inicialet N. B., me banim në Berat, nën kushtet e tronditjes psikologjike dhe për motive të dobëta ka goditur veten me thikë në bark. I plagosuri u dërgua për marrjen e ndihmës së nevojshme në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Lidhur me këtë rast vijojnë ende hetimet me synim zbardhjen e plotë të rrethanave që shtynë të riun drejt një veprimi të tillë.
Aksident në Shkodër
“Benz”-i përfundon në kanal, vdes drejtuesi 34 vjeçar
Një person ka vdekur, teksa automjeti me të cilin udhëtonte ka humbur kontrollin duke përfunduar në një kanal. Ngjarja është regjistruar në orët e pasdites së të shtunës në aksin rrugor Shkodër-Lezhë, në vendin e quajtur Ashtë. Automjeti tip “Benz” me targë TR 7277 N, i cili drejtohej nga 34-vjeçari, Përparim Zagani, nga Bushati si pasojë e shpejtësisë së madhe ka humbur kontrollin duke u përplasur fillimisht me një lavash në anë të rrugës dhe më pas ka përfunduar në kanal. Nga përplasja e fortë trupi i 34-vjeçarit ka përfunduar jashtë mjetit. Ndërsa automjeti ka pësuar dëmtime të rënda. I dëmtuari u transportua me urgjencë në drejtim të spitalit të Shkodrës, ku i është nënshtruar ndërhyrjes mjekësore. Por pavarësisht përpjekjes së bluzave të bardha, Përparim Zagani nuk ka mundur të mbijetojë si rezultat i plagëve të marra, duke ndërruar jetë në spital. Nga ana e policisë kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të aksidentit.
Radhë kilometrike në pikën kufitare të Morinës
Fundjava e fundit e verës shënoi dje edhe radhën më të gjatë për të gjithë sezonin në piken kufitare të Morinit. Që në orët e para të mëngjesit të së shtunës, 9 sportele ishin në punë, por fluksi ishte shumë i madh. Ky ishte fluksi më i madh i regjistruar për sezonin, në doganën e Morinës. Pritja shumë e gjatë revoltoi disa persona. Por pati dhe nga ta, që radhët i konsiderojnë normale në ditë të tilla. Ndërsa në dalje nga Kosova punohej me procedurë të përshpejtuar në 9 sportele, në hyrje të saj radhët kilometrike u krijuan nga kamionët e tonazhit të rëndë, të cilët, një vendim i policisë rrugore, nuk i lejon të udhëtojnë gjatë ditëve të fundjavave.
Itali, ekzekutohet me tre plumba 25 vjeçari shqiptar
Ndërhyri për të qetësuar një grindje
Një 25-vjeçar shqiptar është ekzekutuar me armë mbrëmjen vonë të 29 gushtit në lagjen Liberta të Barit në Itali. Media italiane e identifikon shqiptarin e vrarë me emrin Flori Mesuti. Nga të dhënat e para mësohet se i riu është qëlluar me armë në kulmin e një sherri banal. Mësohet se shqiptari ka ndërhyrë për të qetësuar situatën mes dy të rinjve që po ziheshin. Një prej tyre ka thirrur një të afërm, i cili nxori armën duke qëlluar për vdekje shqiptarin. Në momentin e ngjarjes 25-vjeçari është goditur me tre plumba në gjoks nga një distancë e afërt, ndërsa ishte në shoqërinë e një gruaje që mbeti e plagosur lehtë. Viktima u dërgua në spital në gjendje të rëndë, por në orët e para të mëngjesit si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë. Nuk përjashtohet fakti se vrasja mund të ketë ndodhur për motive të dobëta, ndërsa vendi ku ndodhi vrasja është disa metra larg Kishës Redentore e cila kohët e fundit është kthyer në arenë e përleshjeve të reja mes dy klaneve italiane (klani Mercante dhe Strisciuglio) për kontrollin e aktiviteteve ilegale, kryesisht trafik droge. Një tjetër media lokale shkruan se viktima mund të jetë ndjekur pas nga autori për disa metra dhe më pas është qëlluar me pistoletë. Policia dhe një grup hetimor po kryejnë veprimet e duhura hetimore.