Italia shpreh shqetësimin e saj në lidhje me diplomimin e studentëve të saj në Shqipëri, pasi nga përllogaritja e Ministrisë së Arsimit në Tiranë në vitet e fundit, të paktën 900 studentë të huaj kanë marrë diplomë në universitetet ku flitet shqip, por që nuk dinë asnjë fjalë të vetme në shqip. Mediat italiane sjellin disa raste, ku më kryesori është ai i Renzo Bossi-t, i cili në 29 shtator të vitit 2010 u diplomua në Universitetin “Kristal” në Menaxhim Biznesi, pa marrë pjesë në asnjë kurs të organizuar nga ky universitet. Ky është vetëm një rast. “E njëjta gjë do të kishte ndodhur edhe me një 42-vjeçar nga Pescara, me inicialet V. N., nëse Ambasada Italiane në Tiranë nuk do të kishte bërë kontrollin e nevojshëm. Pra, sot në Pescara do të kishte një dentist me diplomë të dyshimtë nga universitetet shqiptare. 42-vjeçari kishte kërkuar njohjen e diplomës, në mënyrë që ajo të kishte vlerë edhe në Itali. Kjo mendohej të ishte vetëm një formalitet. Por, Ambasada ka kërkuar datat se kur ai ka dhënë provimet, pas dyshimeve të ngritura. V. N. ka pretenduar se ka jetuar 5 vjet në Tiranë, por nuk ishte regjistruar në Gjendjen Civile italiane si banues jashtë vendit. Kjo është e detyrueshme për ata që jetojnë të paktën 12 muaj jashtë Italisë. Ambasada gjithashtu ka kërkuar nga Policia Kufitare shqiptare praninë efektive të italianit në Shqipëri. Ndryshe nga rasti i Renzo Bossi-t, V. N. kishte ardhur në Tiranë, por ka qëndruar vetëm për 10 ditë. Në fillim kur është regjistruar në vitin 2006 dhe kur është diplomuar në vitin 2012. Por, universiteti për stomatologji kërkon 5 vjet studime me të paktën 3 ditë në javë prani. Pritet që edhe dhjetëra italianë të tjerë të shpjegojnë se si kanë mundur të diplomohen në një kohë të shkurtër. Dhe pa pasur njohur në gjuhën shqipe. Ndërkohë, qeveria shqiptare ka nisur një reformë në arsim, duke mbyllur disa universitete private që nuk plotësojnë kriteret akademike. Kjo pritet të mbyllë erën e blerjes së diplomave”, – shkruajnë mediat italiane.