Ndryshon sërish kupola e Policisë së Shtetit

0
169

policia e shtetitSaimir Tahiri largon nga detyra dy zëvendësdrejtorë të Përgjithshëm

 Ikin Sokol Bizhga dhe Pëllumb Nako

 Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, nënshkroi dje një numër ndryshimesh në strukturat e Policisë së Shtetit. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, mësohet se Sokol Bizhga është liruar nga detyra e zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda me kërkesën e tij, me synim për të kontribuar në detyra të tjera të rëndësishme së bashku me partnerët, që kanë të bëjnë me hartimin e strategjive kundër krimit të organizuar në nivel rajonal.

Ish-zëvendësdrejtori i Policisë, Sokol Bizhga, është shprehur dje se lëvizja e tij nga detyra është bërë me kërkesën e tij.

“Duhet të kryej shumë detyra me partnerët kundër krimit. Duhet strategji kundër krimit të organizuar në nivel rajonal. Vlerësoj detyrën që m’u besua”, – tha Bizhga pas transferimit në detyrë.

Mësohet se Haki Çako është emëruar në detyrën e zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda. Më parë, Çako mbante postin e drejtorit të Policisë së Qarkut Gjirokastër. Në vend të Haki Çakos mësohet se Kastriot Skënderaj është emëruar drejtor i Policisë së Qarkut Gjirokastër. Më parë Skënderaj mbante postin e drejtorit të Policisë së Qarkut Vlorë.

Sipas të njëjtave burime, mësohet se është firmosur edhe lirimi nga detyra i zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm për Kufirin e Migracionin, Pëllumb Nako, i cili ka përmbushur afatet e parashikuara në ligj për qëndrimin në këtë detyrë.

Bilbil Mema zyrtarizohet si drejtor i Shkollës së Policisë, ndërsa më herët ishte në Drejtorinë e Studimeve Strategjike. Ndërkohë, Alban Çela emërohet si drejtor në Policinë e Qarkut të Kukësit. Ndryshimet kanë prekur dhe Drejtorinë e Policisë në Durrës, ku drejtuesi i saj, Perlat Cullahaj, është emëruar në krye të Drejtorisë së Policisë Vlorë.

Me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi, janë bërë edhe disa ndryshime të tjera.

 

Ndryshimet e drejtuesve të Policisë së Shtetit

– Sokol Bizhga emërohet drejtori i Studimeve Strategjike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.

– Pëllumb Nako emërohet specialist në Drejtorinë e Studimeve Strategjike.

– Bilbil Mema emërohet drejtor i Qendrës së Formimit Policor.

– Kastriot Skënderaj emërohet drejtor i Policisë së Qarkut Gjirokastër. Më parë mbante postin e drejtorit të Policisë së Qarkut Vlorë.

– Alban Çela emërohet drejtor i Policisë së Qarkut Kukës. Më parë kryente detyrën e zëvendësdrejtorit të Policisë së Qarkut Berat.

– Ilirjan Balla emërohet shef sektori në Drejtorinë për Krimet e Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Më parë kryente detyrën e drejtorit të Policisë së Qarkut Kukës.

– Afrim Tafa emërohet zëvendësdrejtor i Policisë së Qarkut Berat. Më parë kryente detyrën si shef sektori në Drejtorinë për Krimet e Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

– Jaeld Çela emërohet drejtor i Policisë së Qarkut Vlorë. Më parë kryente detyrën e zëvendësdrejtorit të Policisë së Qarkut Durrës.

– Ervin Hasrama emërohet shef i Komisariatit të Policisë Durrës.

– Erdit Elmazi emërohet shef i Komisariatit të Policisë Fier.

– Rifat Çoku emërohet shef i Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe.

– Haki Hasanbega emërohet shef i Komisariatit të Policisë Mallakastër.