Pranga dy personave/ Ndalohen për shkelje rregullash në qarkullim, rrahin dy policët e Rrugores

0
137

Sonila Mesareja

 policia rrugore gjobaNën hetim edhe drejtuesi i automjetit, punonjës i SHISH-it. Krerët e policisë së Dibrës njoftojnë drejtuesit e Shërbimit Informativ për ngjarjen

Punonjësit e Shërbimit Informativ Shtetëror vihen sërish në qendër të vëmendjes në kronikën e zezë. Pas shpalljes në kërkim të njërit prej tyre për vrasje te ish-Fusha e Aviacionit dhe shoqërimit të dy të tjerëve për përfshirje në një zënkë në Shëngjin, tashmë një tjetër ndalohet për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe për të cilin kanë nisur hetimet. Madje, drejtuesit e policisë së Dibrës kanë vënë në dijeni drejtuesit e SHISH-it për këtë ngjarje të ndodhur, ndonëse punonjësi me inicialet A. N. nuk është përfshirë në rrahjen e dy policëve si shokët e tij. Dy shtetas janë vënë në pranga nga policia e Peshkopisë për dhunim të uniformave blu, ndërsa një tjetër, i prezantuar si punonjës i Shërbimit Informativ është proceduar në gjendje të lirë. Tre personat ndodheshin në të njëjtin automjet kur janë ndaluar nga policia për shkelje të rregullave përgjatë qarkullimit, pasi rezulton të kenë qenë duke ecur kundërvajtje në qytet. Dy prej pasagjerëve të automjetit kanë qëlluar me grushte policët rrugorë, ndërkohë që këta të fundit kanë kërkuar përforcime nga kolegët e tyre. Ndërsa drejtuesi i automjetit nuk ka qenë pjesë e konfliktit, por vetëm ka rezultuar se drejtonte automjetin në gjendje të dehur. Ai u është prezantuar uniformave blu si punonjës i SHISH-it. Sipas burimeve zyrtare policore, dy net më parë janë vënë në pranga shtetasit Iliaz Neli, 59 vjeç, dhe Argjend Shehu, 29 vjeç, ndërsa ka nisur procedimi në gjendje të lirë për personin e prezantuar si punonjës i SHISH, me inicialet A. N., 39 vjeç.

 

Arrestimi

Policia e Dibrës ka njoftuar zyrtarisht arrestimin dy net më parë të shtetasve, Iliaz Neli, 59 vjeç, lindur dhe banues në Peshkopi dhe Argjend Shehu, 29 vjeç, lindur në Peshkopi dhe banues në Tiranë, pasi akuzohen se kanë dhunuar dy punonjës të Policisë Rrugore të këtij qyteti. Referuar burimeve zyrtare policore, arrestimi i këtyre shtetasve u krye pasi kanë kundërshtuar dhe goditur për shkak dhe gjatë ushtrimit të detyrës dy punonjës të Policisë së Qarkullimit Rrugor. Gjithashtu, ka nisur hetimi në gjendje të lirë për “Drejtim të automjetit në gjendje të dehur” për shtetasin A. N., 39 vjeç, lindur në Peshkopi dhe banues në Tiranë, i cili është prezantuar si punonjës i Shërbimit Informativ Shtetëror. Materialet hetimore ndaj këtyre personave i kanë kaluar Prokurorisë së Dibrës për hetime të mëtejshme, ndërkohë që nga drejtuesit e policisë në këtë qark është vënë në dijeni edhe Shërbimi Informativ Shtetëror për këtë ngjarje.

 

Konflikti

Nga hetimet paraprake ka rezultuar se dy punonjësit e Policisë së Qarkullimit Rrugor gjatë kryerjes së shërbimit në rrugën “Tercilio Kardinali”, në qytetin e Peshkopisë, rreth orës 21:00 të dy netëve më parë, kanë konstatuar një automjet tip “Mercedes-Benz”, i cili po udhëtonte në krahun e kundër të lëvizjes në këtë rrugë me një korësi kalimi. Me konstatimin e faktit, punonjësit e policisë kanë kryer veprimet për ndalimin e mjetit, që drejtohej nga shtetasi A. N., 39 vjeç, lindur në Peshkopi dhe banues në Tiranë, i cili është prezantuar si punonjës i Shërbimit Informativ Shtetëror. Ndërkohë që punonjësit e policisë po kryenin procedurat standarde të konstatimit të kundërvajtjes rrugore, shtetasit Iliaz Neli dhe Argjend Shehu kanë dalë nga automjeti, i cili drejtohej nga shtetasi A. N. dhe kanë goditur me grushte punonjësit e Policisë Rrugore Sh. K. dhe A. M. Nga ana e strukturave të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Dibër menjëherë është bërë e mundur kapja dhe shoqërimi i autorëve të ngjarjes, Iliaz Neli dhe Argjend Shehu, ndaj të cilëve, pas kryerjes së veprimeve hetimore, u mor masa e arrestit në flagrancë për kryerje të veprave penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Goditje për shkak të detyrës” të kryera këto në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 137, 236 e 25 të Kodit Penal. Në përfundim të hetimeve paraprake, është proceduar penalisht në gjendje të lirë, për kryerjen e veprës penale “Drejtimi i mjetit në gjendje të dehur” shtetasi A. N., 39 vjeç, lindur në Peshkopi dhe banues në Tiranë, punonjës i Shërbimit Informativ Shtetëror. Po nga veprimet hetimore paraprake ka rezultuar se drejtuesi i mjetit nuk është përfshirë në konflikt dhe se pas ngjarjes është paraqitur vetë në polici. Lidhur me këtë ngjarje është njoftuar edhe Shërbimi Informativ Shtetëror. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar automjeti tip “Merecedes-Benz”, i cili drejtohej nga shtetasi A. N. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër për ndjekje dhe hetime të mëtejshme.

 

Gramsh/ Pranga 18-vjeçares Ibro, dhunoi një grua shtatzënë

Një vajzë 18-vjeçare është arrestuar nga policia e Elbasanit ditën e djeshme, pasi ka goditur me sende të forta një grua shtatzënë të moshës 21-vjeçare, e cila ndodhet tashmë në kushtet spitalore. Burime policore bëjnë me dije se 21-vjeçarja shtatzënë u dërgua menjëherë në spitalin rajonal të Elbasanit, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve, kurse autorja e “plagosjes me dashje”, Kristiana Ibro, u arrestua në flagrancë. Sulmi ndodhi për motive banale në lagjen “Xhile Liçi” të Gramshit. Dosja e Ibros tashmë i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për hetime të mëtejshme.

 

Pukë/ Grabitet kasaforta e bamirësisë, të ardhurat për bursa studentësh në nevojë

Grabitet kasaforta e një fondacioni bamirës në qytetin e vogël të Fushë-Arrëzit në Pukë. Persona ende të paidentifikuar kanë vjedhur kasafortën e një fondacioni bamirës në këtë qytezë, ndërsa burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se nga kasaforta janë vjedhur rreth 30 mijë lekë. Paratë e fondacionit “Shën Jozefi” ishin donacione nga Austria e Gjermania, të cilat përdoreshin për bursa studentësh dhe rindërtim banesash. Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka shoqëruar disa persona. Ndërkohë nga hetimet paraprake dyshohet që vjedhja të jetë kryer nga persona brenda fondacionit.

 

Gramsh/ Humbet ekuilibrin, bie nga ballkoni 67-vjeçarja

Një grua e moshës 67-vjeçare nga Gramshi ka rënë nga ballkoni i banesës së saj. Sipas burimeve policore, gruaja me iniciale I. K. ka qenë duke sistemuar lulet në katin e dytë të banesës së saj, në momentin që ka humbur ekuilibrin dhe ka përfunduar në tokë, duke pësuar plagë të shumta. E dëmtuara fillimisht u dërgua në spitalin e Gramshit dhe më pas u dërgua për mjekim më të specializuar në Spitalin Ushtarak, Tiranë. Pas marrjes së ndihmës së nevojshme, gruaja ndodhet në kushte të stabilizuara. Ndërkohë, nga veprimet e para hetimore rezultoi se ngjarja ka qenë aksidentale.

 

Tiranë/ Thikë bashkëshortes pas zënkës, në kërkim autori

 Një grua ka mbetur e plagosur rëndë si pasojë e goditjes me thikë nga bashkëshorti. Policia e kryeqytetit po punon për kapjen e 41-vjeçarit Shpëtim H., i cili është shpallur në kërkim. Burime zyrtare policore bëjnë me dije se dy ditë më parë, 41-vjeçari ka goditur me thikë duke lënë të plagosur rëndë bashkëshorten e tij M. H., 34 vjeçe. Mësohet se gjithçka ka ndodhur pas një konflikti mes bashkëshortëve për motive të dobëta, ku replikat kanë përfunduar me përdorimin e thikës. Gruaja u dërgua në spital ku ndodhet në gjendje të rëndë, ndërsa 41-vjeçari vijon të jetë në kërkim.

 

Pogradec/ Vetëhelmohet me pesticide, humb jetën adoleshentja 17-vjeçare

Një adoleshente 17-vjeçare nga Pogradeci i ka dhënë fund jetës. Ngjarja e rëndë është denoncuar rreth orësh 10:50 të paradites së djeshme, kur në spitalin e Pogradecit është dërguar nga familjarët e saj, e pa jetë, 17-vjeçarja me inicialet E. A. Sipas dëshmive të para të familjarëve, vajza me banim në fshatin Vërdovë të Pogradecit, dyshohet se është helmuar duke konsumuar pesticide. Lidhur me këtë rast u ngrit grupi hetimor dhe po punohet për zbardhjen e arsyeve që e detyruan të renë të ndërmarrë aktin fatal.