Leja/ Bozdo: Kryeministri gënjen, lejen në sheshin “Nënë Tereza” e dha vetë

0
192

Nisen-nderhyrjet-dhe-punimet-rehabilituese-ne-sheshin-Nene-Tereza-Tirane-525x350Bashkia e Tiranës ka denoncuar dje lejen që ish-kryebashkiaku Edi Rama kishte dhënë në hapësirën pranë Rektoratit të Universitetit të Tiranës. Sipas nënkryetarit të Bashkisë, Enno Bozdo, Kryeministri, ish-kryebashkiak i Tiranës, Edi Rama, akuzoi jo për herë të parë Bashkinë e Tiranës, për lejet e dhëna prej tij që i kanë shkaktuar një dëm të madh qytetit dhe qytetarëve të Tiranës. Një ndër to ishte dhe leja për fast food “Kolonat”, të cilën Edi Rama e kishte firmosur personalisht kur ishte kryebashkiak. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo, ka bërë publike dokumentet e firmosura nga ish-kryebashkiaku Rama, që vërtetojnë edhe një herë gënjeshtrat e tij të njëpasnjëshme. “Disa ditë më parë, Edi Rama akuzoi Bashkinë e Tiranës për ndërtimet në sheshin “Nënë Tereza”, sipas tij, çibanë që i kishin prishur bukurinë sheshit dhe u kishin vjedhur qytetarëve hapësirën publike. Dy dokumentet që unë kam në dorë, vërtetojnë se lejen për çibanët të tillë e ka lëshuar respektivisht Artan Shkreli, në atë kohë në cilësinë e drejtorit të Institutit të Monumenteve të Kulturës, dhe më pas Edi Rama, në cilësinë e tij si ish-kryetar i Bashkisë Tiranë. Sigurisht që Edi Rama dhe onturazhi i tij e dinë fare mirë që lejen për ndërtimin e çibanëve të tillë e ka lëshuar ai vetë, ai dhe stafi i tij e megjithatë zgjedh të gënjejë, zgjedh të përbaltë. Ky kampion i gënjeshtrës dhe kalorës i përbaltjes e bënë këtë, sepse ka një strategji në kokë, të përbaltë Bashkinë e Tiranës, ta bllokojë atë në çdo veprim të saj”, – deklaroi Bozdo. “Më lejoni t’ju kujtoj se bllokimi ka arritur në nivelin më absurd, duke bllokuar edhe shpronësimet për varrezat publike të Tiranës, edhe për kreditë për strehim, edhe ndihmën ekonomike. Duke parë këto dokumente sot, secili nga ne, të gjithë qytetarët e Tiranës e kuptojnë se cila është arsyeja e vërtetë, që për 11 vite nën “mbretërimin” e Edi Ramës, Bashkia e Tiranës nuk arriti dot kurrë të miratonte një plan të mirëfilltë rregullator, sepse po të ishte ky plan, siç është sot, do të ishte e pamundur për Edi Ramën të shpërblente miqtë e tij dhe të krijonte favore politike, duke dhënë leje ndërtimi në vendet më absurde. Leje ndërtimi në oborre shkollash dhe kopshtesh, leje ndërtimi që kanë gllabëruar të gjitha lulishtet apo një pjesë të mirë të lulishteve të qytetit. Madje, leje ndërtimi edhe mbi rrugë. Megjithatë, Tirana sot e ka një plan të tillë dhe Edi Rama, si Kryeministër, zgjedh ta bllokojë atë. Arsyeja është që Edi Rama, ashtu si dje si kryebashkiak i Tiranës që nuk e donte qytetin dhe qytetarët, edhe si Kryeministër ka zgjedhur të mos e dojë as qytetin, as qytetarët”, – u shpreh Bozdo.