Skuadra e Van Galit ka arritur të shpenzojë plot 264 milionë euro këtë sezon merkatoje, duke kaluar kështu çdo parashikim
Disa vite më parë, Sër Aleks Ferguson deklaronte se Mançester Siti ishte ekipi që bënte shpenzime të mëdha dhe të kota, ndërsa Junajtid nuk mund ta bënte këtë. Pas kësaj merkatoje verore e vetmja gjë e sigurt është se “djajtë” kanë bërë shpenzime të mëdha, ndërsa se sa të kota janë do të duken në fund të sezonit. Reali i Madridit dhe Barcelona kanë drejtuar merkaton verore edhe këtë herë duke bërë goditje mjaft me emër. Mirëpo në ditët e fundit një skuadër në veçanti thyen çdo rekord të parashikuar, duke vendosur limite të reja në tregun e shitblerjes së futbollistëve. Mançester Junajtid mbylli një fushatë që i kushtoi plot 264 milionë euro, më e shtrenjta në historinë e shoqërisë britanike. Largimi i Mojesit i hapi rrugën një revolucioni të vërtetë, sepse Van Gal nuk e kurseu aspak shoqërinë dhe tashmë që gjithçka është mbyllur, fjalën e ka fusha e lojës. Falkao kushtoi 65 milionë, 55 prej të cilave do të paguhen pas një viti. Një shumë e madhe duke konsideruar faktin se Junajtid ka në skuadër dy lojtarë të klasit botëror si Runi dhe Van Persi. Një tjetër goditje me peshë është edhe Di Maria që kushtoi rreth 80 milionë, ndërsa Herrera e Shau kushtuan në total 76 milionë euro. Van Gal nuk i kurseu shpenzimet as për repartin e mbrojtjes ku afroi argjentinasin Roho për 20 milionë, ndërsa Blind u transferua nga Ajaksi për 18 milionë. Shpenzimet do të vazhdojnë të tronditin themelet e “djajve të kuq”, të cilët do të paguajnë rreth 12 milionë euro në sezon për pagën e kolumbianit Falkao, për të mos llogaritur këtu fitimet marramendëse të kapitenit Runi që përfiton më shumë se 15 mln euro në sezon. Edhe pagesat e lojtarëve në javë duhet thënë që janë faraonike pasi yjet në Junajtid kushtojnë shumë. Uejn Runi arrin që të marrë plot 300 mijë paund në javë. Ndërsa Van Persi plot 220 mijë paund në javë. Dy transferimet e reja Di Maria dhe Falkao nuk mbeten mbrapa. Nga njëra anë kolumbiani behet më i paguari duke marrë 350 mijë paund në javë, ndërsa Di Maria duhet të ndihet i kënaqur me 250 mijë paund. Tashmë Van Gal ka në dispozicion skuadrën që dëshironte. Pas kësaj duhet pritur edhe rezultati që do të dalë nga këto transferime. Sfidat e para ka qenë një dështim i vërtetë për të kuqtë që nuk kanë arritur të marrin më shumë se një barazim. Humbja në kupë ishte një tjetër tronditje për skuadrën që nuk po arrin të gjejë forcën që nga ikja e Aleks Fergusonit. Nëse do t’i shikojmë si emra, skuadra tashmë është e tejmbushur me yje dhe ka Van Gal ka në dispozicion një grup shumë të mirë të rinj dhe disa me eksperiencë që mund të jenë vërtetë kompetitiv. Roho, Blind, Shau dhe Herrera me Mata dhe Januzaj duket se janë lojtarë që do t’i shërbejnë shumë të ardhmes së ekipit pasi akoma kanë shumë vite përpara. Ndërsa Runi, Van Persi apo Kerrik kanë përvojën e duhur që mund tu duhet këtyre të rinjve. Fytyra e vërtetë e skuadrës pritet të shihet në javët në vazhdim. Mungesa e pjesëmarrjes në Champions edhe mund ta favorizojë klubin, që ndryshe nga pretendentët e tjerë do ketë pak presion.
Blind: I lumtur me transferimin te Mançesteri
Transferimi më i fundit i Junajtidit, Dejli Blind, është shprehur se është shumë i lumtur për transferimin e tij te një klub gjigant si Mançester Junajtid. Sipas tij është një privilegj, që të luash në një ekip kua kanë luajtur Gigs dhe Skolls. Lojtari do t’i bashkohet skuadrës angleze me një kontratë katërvjeçare me mundësi për edhe një vit tjetër. “Ndihem shumë mirë dhe jam i emocionuar për të filluar. Jam shumë i lumtur që jam këtu. Ka qenë shumë e ngarkuar. Gjithçka shkoi aq shpejtë sa nuk kam pasur kohë të mendoj për këtë aspak, por siç thash jam vërtet i lumtur që jam këtu. Junajtid është një prej më të mëdhenjve në botë. Nëse shikoni në historinë e tyre, ata kanë fituar shumë kupa dhe kanë pasur këtu lojtarë që kanë kaluar gjithë karrierën e tyre këtu, si Rajën Gigs dhe Pol Skolls. Këta lojtarë i njohin të gjithë dhe unë jam një tifoz i madh i tyre. Është realizim ëndrre të luaj për Mançester Junajtidin dhe jam shumë i lumtur për këtë shans”, – ka deklaruar lojtari tulipanëve.
Di Maria: Te Reali qëndrova prej Ronaldos
Blerja më e shtrenjtë e Premier Ligës, Angel di Maria, ka deklaruar se shkak për qëndrimin e tij te Reali edhe sezonin e kaluar kishte qenë dëshira e Kristiano Ronaldos për të qëndruar atje. Lojtari kishte dashur të transferohej që sezonin e kaluar nga skuadra spanjolle, ndërsa këtë sezon duket se dëshira e lojtarit është bërë realitet. “E vërteta është se kam një raport të shkëlqyeshëm me Kristiano Ronaldo dhe qëndrova te Reali i Madridit sezonin e kaluar falë tij. U largova nga Reali i Madridit në mënyrën më të mirë të mundshme, duke fituar “La Deciman”. Në letrën time përshëndetëse thashë saktësisht se si u ndjeva që nga dita e parë në “Bernabeu”. Falënderoj Mançester Junajtidin që realizoi kërkesat e Madridit. Por nuk ndjej presion shtesë pasi jam lojtari më i shtrenjtë në Premier Ligë. Premier Liga është më fizike dhe kërkon më shumë forcë, derisa në Spanjë kishte më shumë futboll. Është një ligë shumë e fuqishme. Van Gal më ka thënë të provoj të adaptohem sa më shpejt që është e mundshme”, – ka deklaruar argjentinasi për “ESPN”.
Valdes arrin marrëveshje me Liverpulin
Ditë të mira duket se do të vijnë edhe Viktor Valdes. Lojtari u dëmtua në fund të sezonit të kaluar duke humbur mundësinë për të qenë në kupën e botës. Mirëpo lojtari gjithashtu i dha fund edhe aventurës me Barcelonën pasi ishte në kërkim të një klubi tjetër. Monako, por edhe klube të tjera ishin të përfolura në lidhje me gardianin katalanas, ndërsa tashmë gjërat duket se janë drejt përfundimit. Mësohet se lojtari ka arritur një akord parimor me të kuqtë e Liverpul dhe mund të transferohet sa më shpejt të jetë e mundur. Për lojtarin nuk është problem transferimi pasi ngaqë është një lojtar i lirë, nuk ka kufizim për kohën që mund të nënshkruajë. Ky është një përforcim tjetër i rëndësishëm për Liverpulin, i cili ka qenë aktiv edhe këtë sezon duke bërë disa përforcime që do e ndihmojnë në Premier Ligë.