Sonila Mesareja
Prokuroria kërkon 11 vjet burg për administratorin e disa shoqërive private fiktive, Mirjan Beneja. Përfitimi nga skema mashtruese, 5 milionë euro
Ngritja e një skeme mashtruese për përfitim të rreth 5 milionë eurove përmes krijimit dhe më pas shkrirjes së disa shoqërive private penalizon me 23 vjet burg ish-drejtoren e Kontrollit në Drejtorinë e Tatimeve, Afërdita Hysa, dhe njërin prej administratorëve të këtyre kompanive, Mirjan Beneja. Kjo ka qenë kërkesa e paraqitur dje gjatë konkluzioneve përfundimtare nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila kërkon dënimin me 12 vjet burgim për të pandehurën Afërdita Hysa, ish-drejtore e Kontrollit në Drejtorinë e Tatimeve Tiranë, si edhe 11 vjet burgim për administratorin e këtyre shoqërive fiktive, Mirjan Beneja. Sipas akuzës, Beneja është administratori i disa shoqërive private fiktive, i cili, në bashkëpunim me disa persona të tjerë, ka ngritur një skemë mashtruese me rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), me një dëm rreth 5 milionë euro. Dy të pandehurit, Hysa dhe Beneja, akuzohen për “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, të kryer në bashkëpunim; “Falsifikim të dokumenteve” të kryer në bashkëpunim”; “Pastrim të produkteve të veprës penale…” Gjykimi ndaj këtyre dy të pandehurve është zhvilluar me procedurë të shkurtuar, duke përfituar në këtë mënyrë uljen e një tretës së dënimit. Ndërkohë, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë po zhvillohet gjykimi me procedurë normale edhe për 6 bashkëpunëtorët e tyre, 5 prej të cilëve ish-zyrtarë të Tatimeve Tiranë dhe njëri administrator kompanish private fiktive. Të gjithë bashkë, këta persona akuzohen se kanë ngritur një skemë mashtrimi me rimbursimin e TVSH-së, duke përfituar 515 milionë lekë të reja. Sipas Prokurorisë, për realizimin e kësaj skeme janë përdorur 11 shoqëri tregtare, të cilat janë aktivizuar, shitur, kontrolluar dhe kanë përfituar rimbursimin duke kërkuar më pas çregjistrimin brenda një periudhe disaditore.
Akuza
Prokuroria e Tiranës akuzon 7 ish-zyrtarët e Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë se nëpërmjet veprimeve të tyre janë të përfshirë në një skemë mashtruese rimbursimi të TVSH-së. Dëmi financiar i shkaktuar shtetit nga veprimet e paligjshme të këtyre personave dyshohet se arrin në vlerën e 545 milionë lekëve (të reja). Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimin bazuar në materialin kallëzues të depozituar nga Ministria e Financave, Drejtoria e Auditimit të Brendshëm, i cili është regjistruar në datë 29.10.2013 për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Sipas hetimeve të prokurorisë, ka rezultuar se i pandehuri Mirjan Beneja, nëpërmjet disa prokurave të falsifikuara ka realizuar shitjen në Shqipëri të disa kompanive, të regjistruara nga shtetas të huaj. Nga këto, 6 kompani i ka blerë vetë dhe 5 të tjera, si i autorizuar nga kompanitë e huaja, ia ka shitur të pandehurit Gjergji Tupe. Këto kompani, pas blerjes, këta dy shtetas i kanë regjistruar në QKR. Menjëherë pas blerjes së këtyre shoqërive, përfaqësuesit e rinj të tyre, pra dy shtetasit e pandehur, kanë bërë kërkesë për likuidimin e shoqërive pranë administratës tatimore Tiranë. Më pas, në përfundim të procedurave të likuidimit, sapo shoqëritë kanë marrë rimbursimin e TVSH-së kreditore të mbartur ndër vite nga shoqëritë e sipërpërmendura në vlera të mëdha, kanë kërkuar çregjistrimin në organin tatimor rajonal si dhe shpalljen e falimentit pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit. Të gjitha veprimet kanë ndodhur brenda periudhës qershor-tetor 2013. Bazuar në kërkesën për çregjistrim, organi tatimor rajonal ka kryer veprimet e likuidimit të detyrimeve dypalëshe, si rezultat i të cilave është dhënë edhe rimbursimi i TVSH-së si detyrim i organit tatimor ndaj shoqërive, duke shkelur procedurat ligjore dhe si rezultat i këtyre veprimeve, administratës tatimore i është shkaktuar një dëm prej 515.455.275 lekësh të reja. “Nga verifikimet, krijohen dyshime të arsyeshme se janë konsumuar elementet e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Vjedhjes” dhe “Korrupsionit pasiv” nga ana e inspektorëve tatimorë që kanë kryer kontrollin për rimbursimin e TVSH-së në këto kompani, përgjegjësi i sektorit të kontrollit, drejtori i Kontrollit, dhe drejtori i Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë”, – thuhet në hetimet e organit të akuzës së kryeqytetit.
Hetimet
Drejtoria e Auditimit të Brendshëm pranë Ministrisë së Financave ka ushtruar kontroll mbi veprimtarinë e Drejtorisë Rajonale të Tatimeve lidhur me procedurën e rimbursimit të TVSH-së për vitin 2013, gjatë të cilit ka konstatuar se ka pasur veprime të dyshimta nga ana e disa shoqërive tregtare dhe konkretisht 13 prej tyre janë aktivizuar, shitur, kontrolluar dhe kanë përfituar rimbursimin duke kërkuar më pas çregjistrimin brenda një periudhe disa ditore. Të gjitha akt kontrollet e kryera nga inspektorët janë pa analiza të dokumentacionit financiar, pasqyrojnë faktet se për periudhën e kontrollit 2008-2013 subjekte nuk kanë ushtruar veprimtari dhe nuk ka dokumentacion të paraqitur, TVSH-ja mbartet nga vite të mëparshme para periudhës së kontrollit dhe pavarësisht pamundësisë për të ushtruar kontroll për mungesë dokumentacioni përsëri ata kanë miratuar kërkesat për rimbursim të TVSH-së të paraqitura nga ana e të pandehurit Mirjan Lili Beneja në gjendjen që është mbartur kjo TVSH dhe që u takon periudhave ushtrimore të aktivitetit para vitit 2005. Nga përmbajtja e të gjithë raporteve të kontrolleve rezulton gjithashtu se nuk është kryer kontroll i faturave të blerjeve dhe shitjeve të subjekteve për periudhat kohore të planifikuara për kontroll, pasi nuk ka pasur transaksione dhe është marrë e mirëqenë TVSH-ja kreditore e mbartur ndër vite.
SUBJEKTI RIMBURSIM I PALIGJSHËM DATA E RIMBURSIMIT
“Lumturia” 43.648.000 lekë të reja 22.9.2013
“F & M” 58.050.700 lekë të reja 30.8.2013
“Sheng-Da Ana” 40.000.000 lekë të reja 28.6.2013
“Ventura” 42.000.000 lekë të reja 18.7. 2013
“Nam Këong” 41.630.000 lekë të reja 21.8.2013
“Hong De” 41.888.500 lekë te reja 30.8.2013
“Tai Ping Jang” 59.998.500 lekë të reja 16.10.2013
“Asterix 03” 40.909.700 lekë të reja 19.7.2013
“BE-NI-SA” 40.598.500 lekë të reja 18.7.2013
“Tong Da Horizont” 30.168.500 lekë të reja 22.8.2013
“Tirana HQ Imp-Exp” 62.392.357 lekë të reja 4.10.2013
“Arlindi Trade” 42.498.5000 lekë të reja 1.7.2013
“4 + M” 25.930.848 lekë të reja 26.2.2013
Lezhë/ Vrau shokun se i ngacmoi gruan, Gjykata lë në burg Azem Ukën
Gjykata e Lezhës la në burg 29-vjeçarin e akuzuar se tri ditë më parë vrau me 30 plumba shokun se i ngacmoi gruan. Para togave të zeza, dje Azem Uka pranoi krimin me argumentin se shoku i tij e kishte prerë në besë dhe në gjaknxehtësi e sipër e kishte qëlluar për vdekje. Dy çiftet Uka e Kaçorri, banorë të fshatit Lufaj në Kurbnesh, kishin miqësi të vjetër, deri kur gruaja e autorit pretendoi se ngacmohej nga fqinji i tyre. Uka akuzohet se me datë 1 shtator 2014, në fshatin Lufaj, Mirditë, ka vrarë me armë zjarri shtetasin Berilion Kaçorri, si edhe ka plagosur bashkëshorten e këtij të fundit, O. Kaçorri. Nga veprimet paraprake hetimore dyshohet se autori e ka ndërmarrë këtë veprim, pasi e akuzonte viktimën se i ngacmonte të shoqen. Në debatet e mëparshme, viktima e këtij krimi nuk e ka pranuar që i kishte ngacmuar bashkëshorten autorit. Akuza që iu komunikua dje Azem Ukës është “Vrasje në rrethana cilësuese” kundër dy ose më shumë personave, e mbetur në tentativë për një person. 29-vjeçari Azem Uka u prangos në Malësinë e Urakës në Mat, teksa po tentonte të arratisej drejt thellësisë së zonës, ditën kur edhe ndodhi ngjarja.