Driçim Çaka
Vitet që duhen për të përfituar pension. Rriten me 55 kontributet. Nga 1 janari 2015, punonjësit e minierave do të përfitojnë edhe kompensimet
Zbardhet projektligji “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, i cili u miratua në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave. Ndryshimi i parë që parashikohet në projektligj, është ulja e moshës së daljes në pension, nga 60 vjeç në 55 vjeç, për çdo punonjës të nëntokës. “Ligji ka për qëllim rregullimin e pensioneve të pleqërisë për punonjësit që kanë punuar në miniera, në nëntokë, me moshë, vjetërsi të përgjithshme dhe vjetërsi pune në profesion, më të vogël se ato të përcaktuara në ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Përfituese janë punonjësit, të cilët deri në datën 30.9.1993 kanë kryer procese pune në miniera, në nëntokë si dhe punonjësit, të cilët pas datës 30.9.1993 kanë kryer procese pune në miniera, në nëntokë, të dokumentuara sipas kritereve të përcaktuara, pavarësisht nëse të punësuarit kanë kryer aktivitet ekonomik në subjekte private apo me kapital plotësisht ose pjesërisht shtetëror”, – përcakton projektligji.
Kushtet e përfitimit
Kanë të drejtë të kërkojnë pension pleqërie si punonjës të minierave, në nëntokë, punonjësit, të cilët:
a) arrijnë moshën 55 vjeç.
b) kanë një periudhë të përgjithshme sigurimi 30 vjet e më shumë, nga të cilat jo më pak se 12 vjet e 6 muaj të jenë në procese pune në miniera, në nëntokë. Përjashtohen nga kushtet e vendosura në shkronjën “b”, ish-punonjësit e nëntokës që përfitojnë trajtim të veçantë financiar, sipas ligjit nr. 8685, datë 9.11.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, të ndryshuar, të cilët do të përfitojnë pension sipas këtij ligji kur të arrijnë moshën 55 – vjeç dhe të kenë një periudhë të përgjithshme sigurimi 30 vjet e më shumë (përfshirë këtu edhe periudhën e trajtimit të veçantë financiar), nga të cilat, jo më pak se 11 vjet e 6 muaj të jenë në procese pune në miniera, në nëntokë. Masa e përfitimit për këta punonjës do të jetë e barabartë me 60% të bazës së vlerësuar.
E drejta për përfitim
Personi, i cili kërkon të përfitojë pension sipas këtij ligji, jo më vonë se një vit nga data e lindjes të së drejtës, e merr pensionin nga ajo datë. Në raste të tjera, pensioni do të paguhet nga data e paraqitjes së kërkesës. Personi, i cili ka përfituar pension sipas këtij ligji, nuk ka të drejtë përfitimi të kësteve për periudhën/periudhat gjatë të cilave ushtron veprimtari ekonomike si i punësuar, i vetëpunësuar apo punëdhënës, me përjashtim kur vetëpunësohet në bujqësi. Përfitimet e caktuara, por të patërhequra, paguhen në çdo kohë, por jo më shumë se për 3 vjet. Përfitimet e caktuara, por të paguara më pak, jepen në çdo kohë, por jo më shumë se për 3 vjet. E drejta e organit kompetent për të kërkuar shumat e marra tepër, gjatë një viti, ushtrohet jo më vonë se 3 vjet nga marrja e tyre, por jo më vonë se 6 muaj nga data e konstatimit. Masa e ndalesës për çdo muaj është 20 për qind e këstit mujor të pensionit. Personi, i cili ka përfituar të ardhura në mënyrë e me mjete të padrejta dhe që nuk njofton ndryshimin ose heqjen e masës së tyre, detyrohet të kthejë të gjithë shumën e marrë tepër. Masa e ndalesës për çdo muaj është 50 për qind e këstit mujor të pensionit.
Financimi
Personat, të cilët do të kryejnë procese pune në miniera, në nëntokë, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji do të paguajnë kontribute shtesë, në masën 5 për qind të pagës bruto, për efekt kontributi. Kontributi shtesë paguhet 3 për qind nga punëdhënësi dhe 2 për qind nga punëmarrësi. Kontributi i sigurimeve shoqërore, në masën 5 për qind, mblidhet dhe derdhet në fondin e sigurimeve shoqërore të detyrueshme, sipas procedurave për mbledhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore të detyrueshme, të përcaktuar në ligjin nr. 9136, datë 11.9.2003, “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Kompensimet
Për pensionet me datë fillimi para datës 1.1.2015, masës së pensionit të llogaritur do t`i shtohen edhe kompensimet për çmimet dhe për të ardhurat, sipas përcaktimeve me vendim të Këshillit të Ministrave dhe në bazë të kritereve që zbatohen edhe në rastin e pensioneve të pleqërisë, të caktuara sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Përfitojnë 3840 persona
Pas miratimit të projektligjit në qeveri, Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, bëri me dije se nga ky projektligj përfitojnë 3840 persona, ndërsa efekti financiar arrin 793 milionë lekë. “Ulja e moshës së daljes në pension përmbush kështu kërkesën e sindikatave të minatorëve, si nevojë që lidhet me kushtet e vështira të punës në këtë sektor. Sipas projektligjit, periudha e sigurimit shoqëror parashikohet 30 vite gjithsej, nga të cilat 12 vjet e 6 muaj punë në nëntokë”, – thuhet në njoftimin e ministrisë.
Artet/ Regjistrohen 339 kandidatë për 224 kuota
Universiteti i Arteve ka publikuar listën e kandidatëve të regjistruar sipas fakulteteve. Në Fakultetin e Muzikës janë regjistruar 132 kandidatë, ndërkohë që Ministria e Arsimit ka miratuar 77 kuota. Në Fakultetin e Artit Skenik janë regjistruar 89 kandidatë për 46 kuota të miratuara nga MAS. Në Fakultetin e Arteve të Bukura janë regjistruar 102 kandidatë për 75 kuota. Në listën e publikuar nga UART, bie në se nga trojet janë regjistruar më pak kandidatë sesa kuotat e miratuara nga Ministria e Arsimit. Në këtë mënyrë, në Fakultetin e Muzikës janë regjistruar 8 kandidatë, ndërkohë që MAS ka miratuar 10 kuota, në Fakultetin e Artit Skenik 3 kandidatë për 10 kuota dhe në Fakultetin e Arteve të Bukura 4 kandidatë për 5 kuota.
Presidenti i “Çalık Holding”, Ahmet Çalık, vlerësohet me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Tiranës
Në një ceremoni të veçantë, Universiteti i Tiranës i ka akorduar presidentit të “Çalik Holding”, Ahmet Çalık titullin “Doctor Honoris Causa”. Rektori i këtij universiteti, prof. dr. Dhori Kule, i ka dorëzuar Çalık diplomën “Doctor Honoris Causa”, me motivacionin “Për kontribut të veçantë dhe këmbëngulje të pashoqe në zhvillimin e ekonomisë shqiptare, si dhe për vlerësimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të universiteteve në Shqipëri”. Gjatë recensës së tij për dhënien e titullit “Doctor Honoris Causa”, prof. assoc. dr. Ervin Demo u shpreh: “Dhënia e këtij titulli nga Universiteti i Tiranës për z. Ahmet Çalık është një rast i mirë për të evidentuar energjitë dhe gjenialitetin e Çalık për zhvillimin dhe zgjerimin e biznesit, duke kontribuar kështu në progresin jo vetëm të vendit të tij”. Z. Çalık nga ana e tij shprehu kënaqësinë dhe mirënjohjen për vlerësimin e bërë nga Universiteti i Tiranës dhe tha: “Ndihem shumë i vlerësuar dhe krenar për këtë titull që më jepet. Ne si “Çalık Holding”, me investimet që kemi bërë dhe vazhdojmë të bëjmë, ecim me parimin: ‘Të sjellim përfitime për shoqërinë, duke krijuar vlera në të gjitha vendet ku operojmë’. Në këtë drejtim, kompania jonë po ndërmerr projekte të ndryshme të përgjegjësisë sociale”. Falë meritave të tij në zhvillimin e biznesit dhe kontributit shumë të vlerësuar social, Ahmet Çalık është dekoruar me medalje e tituj nderi nga institucione e vende të ndryshme të botës, nga Italia në Japoni.