Përfundon rindërtimi i kopshtit “Nënë Tereza”/ Basha: Rama, arkitekt i bllokimit, ka ndalur ndërtimin e 4 projekteve strategjike

0
149

Driçim Çaka

basha-tu-fol-305x230“Ka bllokuar me urdhër politik terminalin multimodal të pasagjerëve. Ka bllokuar hapat e mëtejshëm në lidhje me tramvajin e Tiranës, projekti i tramit është gati”

“Një numër jo i vogël kopshtesh të kryeqytetit kanë qenë të buxhetuar për vitin 2014, por prokurimi i tyre sapo po nis, jo sepse ne harruam ta buxhetojmë, jo se nuk e konsultuam buxhetin me qytetarët, por sepse ish-kryebashkiaku, Kryeministër, me verbërinë e tij, e bllokoi buxhetin e qytetit të Tiranës”. Kjo është arsyeja pse u vonuan përfundimet për ndërtimin e kopshteve në Tiranë, sipas kryetarit të Bashkisë, Lulzim Basha, i cili dje pa nga afër përfundimet e punimeve të kopshtit nr. 40. Kryebashkiaku shprehu keqardhjen për bllokimin prej 7 muajsh nga Kryeministri Rama të investimeve të tjera të parashikuara në buxhetin e vitit 2014 në kopshte, çerdhe e shkolla, sikundër dhe investime të tjera të mëdha, të cilat do të ndryshonin cilësinë e jetës së qytetarëve të Tiranës e më gjerë.

 

Bllokimet në Tiranë

Përveç buxhetit të Bashkisë, kryebashkiaku Bash akuzoi Kryeministrin se po bllokon çdo ditë projektet strategjike të Tiranës. “Edi Rama bllokoi me urdhër politik buxhetin e Bashkisë së Tiranës. Ky është një fakt botërisht i njohur, pa asnjë justifikim, derisa Gjykata Administrative në nivel Apeli e zhbllokoi atë. Edi Rama bllokon edhe sot e kësaj dite financimin e bulevardit të ri të Tiranës, një vepër madhore nga e cila përfitojnë të gjithë qytetarët e Tiranës, për një arsye të vetme: sepse nuk i duron dot veprat e mëdha, i ka kompleks veprat e mëdha. Kur misioni i fondit që financon bulevardin e Tiranës erdhi këtu, mbetën të shtangur, sepse nga 200 projekte, 100 prej të cilave në Afrikë, nuk kishin parë kurrë që një kryeministër të bllokonte pa asnjë arsye depozitimin e firmëtarëve, që është akti i fundit që lejon zhbllokimin e fondeve”, – u shpreh kryebashkiaku.

 

Trami dhe terminali multimodal i pasagjerëve

Po kështu, kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha, akuzoi Kryeministrin për bllokimin që i ka bërë terminalit multimodal të pasagjerëve dhe projektit të tramit. “Edi Rama ka bllokuar me urdhër politik terminalin multimodal të pasagjerëve, një projekt që është gati dhe për të cilin qeveria shqiptare dhe Bashkia e Tiranës nuk paguajnë asnjë kacidhe, sepse është me koncesion, sepse investohet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe për të cilin kanë interes kompani private. Edi Rama ka bllokuar hapat e mëtejshëm lidhje me tramvajin e Tiranës, projekti i tramit është gati me ndihmën e qeverisë franceze, pret një garanci sovrane, që iu kërkua Edi Ramës edhe kur ishte në vizitë zyrtare në Francë e përtej fjalëve të bukura, e vetmja gjë që nuk ka bërë, është të japë këtë garanci sovrane, pa të cilën projekti nuk mund të zbatohet”, – theksoi Basha.

 

Projektet e tjera

Përveç projekteve strategjike, sipas kryetarit të Bashkisë, Kryeministri ka bllokuar edhe projektin për përpunimin e mbetjeve urbane. “Edi Rama ka urdhëruar Ministrinë e Financave të bllokojë koncesionin për mbledhjen dhe përpunimin e mbetjeve urbane, edhe këtu qytetarët nuk paguajnë asnjë lek, as qeveria shqiptare, por përmes formulës të përgatitur nga Banka Botërore”, – tha Basha. Në fund, kryebashkiaku i la dhe një mesazh Kryeministrit Edi Rama: “Ia kujtoj sot, dhe nuk do të lodhem t’ia kujtoj çdo ditë, sepse armiqësia që dëshmon nuk është ndaj Lulzim Bashës, nuk është ndaj kryetarit të Bashkisë, nuk është ndaj kryetarit të opozitës, nuk është ndaj Partisë Demokratike, sepse Tirana nuk është e Lulzim Bashës, nuk është e opozitës, nuk është vetëm e Partisë Demokratike, është e çdo qytetari, por për të shprehur para qytetarëve të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë indinjatën time të thellë dhe për të ndërgjegjësuar këdo se kemi të bëjmë me Kryeministrin më bllokues, në emër të interesave politike, të interesave të qytetarëve të Tiranës, ne kemi të bëjmë me mashtruesin më të madh në historinë pluraliste të Shqipërisë”.

 

Kopshti “Nënë Tereza”

Me një investim prej 19 milionë lekësh, Bashkia e Tiranës ka përfunduar rindërtimin e kopshtit “Nënë Tereza”. Ky kopsht ka qenë tejet i amortizuar dhe me disa urdhra mbylljeje nga Instituti i Shëndetit Publik, për shkak të amortizimit të tij. Bashkia e Tiranës ka rindërtuar këtë kopsht, duke ofruar kushtet më optimale për afro 120 fëmijët që do ta frekuentojnë atë. Kopshti ka ambiente ndenjeje, fjetjeje, loje, si dhe sistem ngrohjeje. “Grupi i parë i fëmijëve sapo është futur në kopshtin e rikonstruktuar nr. 40, një nga kopshtet më të mbaruar të kryeqytetit derisa ne vendosëm të ndërhynim me buxhetin e vitit 2013. Nga 25 fëmijë, sot kemi 120 fëmijë të regjistruar në këtë kopsht dhe kushtet e ndërtimit dhe rindërtimit, siç i keni vënë re edhe vetë, janë sipas standardeve evropiane. Kjo është puna që flet vet dhe efektet e së cilës ndihen drejtpërdrejt tek jeta e qytetarëve të Tiranës dhe tek jeta e vogëlusheve të tyre, dhe që na bën krenar sepse përtej fjalëve, veprat flasin vetë”, – përmendi Basha.

 

Emigrantët në Itali/ Nuk marrin leje qëndrimi, nëse nuk derdhin kontributet

Sipas ligjit italian, kushdo që punon, duhet të derdhë kontributet shoqërore. Në rastin e të huajve, ky kriter është i lidhur me banimin në Itali e mund të kushtëzojë lëshimin apo përtëritjen e dokumentit të qëndrimit. Në të vërtetë, në rast se nuk përmbushen kriteret për qëndrimin në Itali, qoftë lëshimi, qoftë përtëritja e lejes së qëndrimit mund të refuzohen. Mospagimi i kontributeve shoqërore, që rrjedhin nga një marrëdhënie pune e varur nuk mund të kushtëzojë lëshimin e lejes së qëndrimit, pasi i huaji nuk ka asnjë mundësi të ndikojë drejtpërdrejt në përmbushjen e këtij detyrimi nga ana e punëdhënësit. Kur puna është e varur, derdhja e kontributeve shoqërore është kompetencë e punëdhënësit, ndaj punonjësi vetëm mund të verifikojë nëse derdhja është bërë vërtet dhe, në rast se jo, t’i kërkojë punëdhënësit të përmbushë këtë detyrim. Për rrjedhojë, vetëm në rastin e punës së varur, i huaji nuk është përgjegjës për mospagesën e kontributeve e për këtë arsye atij nuk mund t’i mohohet dokumenti i qëndrimit. Nëse i huaji bën punë të pavarur, ai është i vetmi përgjegjës për derdhjen e kontributeve shoqërore të kërkuara nga ligji në fuqi. Kështu që në këtë rast, mospagesa e kontributeve shoqërore kushtëzon lëshimin e lejes së qëndrimit. Kur paraqitet kërkesa për lëshimin apo përtëritjen e lejes së qëndrimit, Kuestura analizon dokumentacionin e bashkëngjitur kërkesës, përfshirë edhe atë që ka të bëjë me marrëdhënien e punës. Në rast se dokumentacioni nuk është i plotë apo ka paqartësi, autoritetet, para se t’i mohojnë të huajit lejen e qëndrimit, duhet të lëshojnë një paralajmërim që motivon hedhjen poshtë të kërkesës. I huaji, pasi merr këtë lajmërim, duhet të integrojë kërkesën, brenda kohës së parashikuar nga Kuestura, me dokumentacionin që dëshmon se përmbush kriteret për hyrjen e qëndrimin në Itali. Po të ndeshen parregullsi administrative të korrigjueshme, autoritetet nuk mund të refuzojnë apo të mos përtërijnë dokumentin e qëndrimit, me kusht ama që këto parregullsi të korrigjohen.