Merkatoja e kësaj vere ishte e nxehtë, pasi solli shumë goditje dhe surpriza për sa u përket yjeve që lëvizën
Merkatoja e verës ishte një ndër më të shtrenjtat, ku disa klube kanë shpenzuan shifra marramendëse. Mbreti i merkatos është Luis Suarez, i cili ishte dhe goditja më e shtrenjtë. Uruguajani u përfol që në Botëror për tratativat me Barcelonën, ndërsa gjërat u bënë reale shumë shpejt. Ndërsa në vendin e 10-të renditet Ander Herrera, i cili u transferua te Junajtid për shifrën e 36 milionë euro.
1) Luis Suarez (Liverpul-Barcelona) – 81 milionë euro
Luis Suarez ka përfunduar zyrtarisht transferimin e tij të bujshëm nga Liverpuli te Barcelona, pasi dy klubet ka rënë dakord mbi kushtet e një marrëveshjeje me vlerë jo më pak se 81.000.000 €, deri në vitin 2019. Barcelona ka pranuar të përmbushë klauzolën e lirimit të sulmuesit uruguajan nga Liverpuli, e cila ishte e parashikuar në kontratën që kishte nënshkruar klubin anglez dhjetorin e vitit të kaluar. 27-vjeçari aktualisht është duke vuajtur pezullimin nga FIFA, i cila shkon deri më 26 tetor, për kafshimin që i bëri mbrojtësit të Italisë, Kielini, në ndeshjen kualifikuese në grup të “Brazil 2014”. Barça pjesërisht financoi nënshkrimin e 27-vjeçarit nga shitja e Aleksis Sançezit, që u bashkua me Arsenalin. Ylli i Kilit kalon në “Emirates Stadium”, pasi Arsenali ra dakord të paguante 40 milionë euro në arkën e klubit spanjoll.
2) Xhejms Rodrigez (Monako-Real Madrid) – 80 milionë
Real Madrid arriti marrëveshjen me Monako për transferimin e golashënuesit më të mirë të Kupës së Botës 2014, Xhejms Rodrigez. Shuma e transferimit të tij është 80 milionë euro. Marrëveshja ishte dhe një ndër më me bujë pas asaj të Toni Krosit që mbërriti i pari te galaktikët. Ardhja e 23-vjeçarit Xhejms Rodrigez ishte dhe arsyeja që largoi Alonson dhe Di Marian nga klubi spanjoll.
3) Angel di Maria (Real Madrid-Mançester Junajtid) – 78,5 milionë
Di Maria ishte edhe i larguari “Big” i Realit të Madridit. Lojtari ishte dhe një ndër yjet e mëdhenj të sezonit të kaluar, duke qenë vendimtar në aksionet që i dhanë fitoren në Ligën e Kampioneve. Mançesteri dhe PSG kanë qenë dy të interesuarit për shërbimet e lojtarit. Sulmuesi i PSG-së, Edinson Kavani, deklaroi se Angel di Maria do të ishte i mirëpritur në “Parc de Princes”. Kjo deklaratë pati ardhur pas spekulimeve se argjentinasi do të largohej nga Reali i Madridit dhe destinacioni i tij më i mundshëm ishte kampioni i Francës. Në garë më pas u fut dhe Mançester Junajtid. Ndërkohë, edhe Bajerni i Mynihut u përfshi në garën për shërbimet e mesfushorit të Realit të Madridit. Mirëpo në fund ata që fituan, ishin “djajtë”, të cilët arritën të lëviznin në ditët e fundit, duke bërë edhe goditjen e madhe. Kështu, argjentinasi do të jetë edhe ylli i ri i anglezëve, që kanë shpenzuar mjaft për lojtarin, i cili do të përfitojë 250 mijë puand në javë.
4) Radamel Falkao (Monako-Mançester Junajtid) – 73 milionë (65 për kartonin e plotë dhe 8 për huazimin)
Drejtori sportiv i Mançester Junajtidit, Ed Uduard konfirmoi transferimin e Radamel Falkaos nga gjiganti francez Monako. “Jam i ngazëllyer që jam pjesë e Mançester Junajtidit këtë sezon si huazim. Mançester Junajtid është klubi më i madh në botë dhe është qartë i përkushtuar për t’u kthyer në maje. Mezi pres të punoj me Van Galin dhe të kontribuojmë për historinë e Junajtidit”, – u shpreh Falkao pas kompletimit të transferimit. Lojtari pritet të përfitojë 350 mijë paund në javë.
5) David Luiz (Çelsi-PSG) – 50 milionë
Mbrojtësi brazilian i Çelsiy, David Luiz, ka arritur nënshkrimin e një kontrate të bujshme prej 50.000.000 € me PSG-në. Hoze Murinjo i ka dha dritën jeshile largimit të Luizit, i cili u detyrua të humbiste terren te skuadra nga “Stamford Bridge” pas ardhjes së portugezit. Ky i fundit ka preferuar partneritetin e Xhon Territ dhe Geri Kahill në qendër të prapavijës së bluve të Londrës. Kështu, braziliani u bë edhe mbrojtësi më i shtrenjtë, duke lënë pas shokun e tij Tiago Silva.
6) Elakuim Mangala (Porto-Mançester Siti) – 40 milionë
Ndërkohë, Manuel Pelegrini mund të ngushëllohet këtë merkato me mbrojtësin që e ka kërkuar prej kohësh. Elakuim Mangala arriti që të zyrtarizohej si futbollist i Mançester Sitit, duke u kthyer kështu në një përforcim mjaft cilësor për kampionët e Premier Ligës. Qendërmbrojtësi 23-vjeçar francez, ashtu si edhe Fernando, ka lënë Porton për kampionët e Anglisë dhe do të mbajë fanellën me numër 20. Për kartonin e tij Siti shpenzoi 40 milionë euro.
7) Diego Kosta (Atletiko Madrid-Çelsi) – 40 milionë
Murinjo arriti që t’i rrëmbente Atletikos këtë sezon tre lojtarë mjaft të rëndësishëm. Më i shtrenjti ishte transferimi i sulmuesit brazilian me pasaportë spanjolle Diego Kosta. Lojtari deri më tani ka rezultuar një sukses i vërtetë dhe po arrin të justifikojë shumën, për të cilën u ble. Lojtari u transferua për shumën e 40 milionë euro.
8) Aleksis Sançez (Barcelona-Arsenal) – 40 milionë
Transferimi i kilianit ishte dhe ndër të parët që bëri bujë. Skuadra katalanase ishte mjaft e interesuar për Suarezin dhe lojtari duket se nuk kishte më hapësira në formacion. Sigurisht që nga kjo situatë përfitoi Arsenali, që ishte vënë në kërkim të një sulmuesi. Lojtari ishte edhe sensacioni i “topçinjve” që kanë arritur të marrin në skuadër një prej sulmuesve më në formë.
9) Luk Shau (Sauthempton-Mançester Junajtid) – 39,7 milionë
Transferimi i talentit Shau ishte dhe një ndër më të përfolurit. Vlerat e lojtarit dihen nga sezoni i kaluar me Sauthempton dhe nga kjo përfituan djajtë. Anglezi edhe pse vetëm 19 vjeç arriti të nënshkruante për vlerën e 39,7 milionë euro. Një shifër e madhe për një lojtar në këtë moshë. Lojtari do të paguhet 7 milionë euro në sezon duke u kthyer te një ndër më të paguarit te klubi i tij.
10) Ander Herrera (Atletik Bilbao-Mançester Junajtid) – 36 milionë
Spanjolli është lojtari i katërt i listës që i bashkohet Junajtidit. Iberiku njihet për aftësitë e tij të mira teknike që nga koha që luante në Bilbao dhe kaq ka mjaftuar për Mançesterin që të hidhej në sulm. Shifra prej 36 milionë eurosh ishte ajo që nisi sagën e transferimeve të shtrenjta te skuadra e Van Galit, që tashmë pritet të japë edhe frytet.
Skuadrat që shpenzuan më shumë
Këtë vit, nga të gjithë pritet që të jetë një sezon shumë i bukur futbollistik. Një turne ky që më pas sjell edhe një merkato të zjarrtë dhe me shumë emra interesantë. Ka vite që La Liga po luan me ritme të larta edhe në merkato. Premier Liga është edhe kampionati me më shumë fuqi ekonomike dhe kanë arritur të bëjnë lëvizjet e tyre që shkojnë në shifrën e 1 miliard eurove. Mançester Junajtid është ekipi që ka shpenzuar më shumë, duke kaluar çdo çmenduri të mundshme me shifrën prej 264 milionë euro. Junajtid mbylli një fushatë që është më e shtrenjta në historinë e shoqërisë britanike. Largimi i Mojesit i hapi rrugën një revolucioni të vërtetë, sepse Van Gali nuk e kurseu aspak shoqërinë dhe tashmë që gjithçka është mbyllur, fjalën e ka fusha e lojës. Falkao kushtoi 65 milionë, 55 prej të cilave do të paguhen pas një viti. Një shumë e madhe duke konsideruar faktin se Junajtid ka në skuadër dy lojtarë të klasit botëror si Runi dhe Van Persi. Një tjetër goditje me peshë është edhe Di Maria që kushtoi rreth 80 milionë, ndërsa Herrera e Shau kushtuan në total 76 milionë euro. Van Gal nuk i kurseu shpenzimet as për repartin e mbrojtjes ku afroi argjentinasin Roho për 20 milionë, ndërsa Blind u transferua nga Ajaksi për 18 milionë. Shpenzimet do të vazhdojnë të tronditin themelet e “djajve të kuq”, të cilët do të paguajnë rreth 12 milionë euro në sezon për pagën e kolumbianit Falkao, për të mos llogaritur këtu fitimet marramendëse të kapitenit Runi që përfiton më shumë se 15 mln euro në sezon. Edhe pagesat e lojtarëve në javë duhet thënë që janë faraonike pasi yjet në Junajtid kushtojnë shumë. Uejn Runi arrin që të marrë plot 300 mijë paund në javë. Ndërsa Van Persi plot 220 mijë paund në javë. Dy transferimet e reja Di Maria dhe Falkao nuk mbeten mbrapa. Nga njëra anë kolumbiani behet më i paguari duke marrë 350 mijë paund në javë, ndërsa Di Maria duhet të ndihet i kënaqur me 250 mijë paund. Barcelona dhe Reali janë ata që ndjekin, ndërsa pas sezonit sensacional këtë vit është shtuar edhe Atletiko Madrid. Por edhe PSG dhe Monako nuk qëndrojnë mbrapa, duke pasur parasysh se këto vite kanë pasur një potencial të mjaftueshëm ekonomik dhe kanë arritur të afrojnë lojtarë cilësorë. Ndërsa pak më tutje mbetet Italia. Kriza që ka kapur futbollin apenin ka ndikuar edhe në shitblerjet e lojtarëve. Roma dhe Juventusi me Napolin janë ato më aktivet. Kurse nga mbrapa qëndrojnë Milani dhe Interi me Fiorentinën, që gjuajnë emra të vegjël dhe që nuk kushtojnë shumë. Në një kah qëndrojnë edhe gjermanët që nuk bëjnë shumë shpenzime, por po mundohen të bëjnë merkato me emra të rinj që mund të vlejnë shumë në të ardhmen. Bajerni është i vetmi që në fund bëri dy goditje, duke marrë Ksavi Alonson dhe Benatian që shkundën pak arkat e gjermanëve. Dy gjigantët spanjollë ndjekin listën e transferimeve me çmime, që në futbollin italian, francez apo edhe gjerman thjesht mund të ëndërrohen. Kështu, Barcelona kryeson në majën e listës me 143 milionë euro të shpenzuara, e ndjekur nga Reali i Madridit me 110 milionë dhe Liverpuli në shkallën më të ulët të podiumit me 98 milionë. Duhet theksuar se arkëtimet e katalanasve janë më të mëdha, pasi shkojnë deri në 80 milionë, ndërsa kushërinjtë e tyre kanë arritur të fusin në xhep vetëm 28. 5 milionë, çka do të thotë se deficiti i shoqërisë kryeqytetase është më i madh. Gjithsesi, Reali arriti që të rikuperonte terren, pasi nga radhët e tij iku Di Maria dhe Alonso, shitja e të cilëve mund të mbushë arkën me rreth 80 milionë euro. Bilanc negativ edhe për Liverpulin, që ka përfituar vetëm 81 milionë nga shitja e Suarezit, ndërsa në vendin e katërt dhe të pestë të skuadrave që kanë shpenzuar më shumë renditen Atletiko 107 dhe Çelsi me 93 milionë euro. Në klasifikim vazhdon Arsenali, ndërsa shpenzuesit e mëdhenj të Mançester Sitit kanë vendosur të mos trazojnë ujërat e merkatos, duke u renditur në vendin e 17-të, pasi Pelegrini duket i kënaqur me grupin që ka në dispozicion. Për të gjetur një italiane duhet të shkojmë deri në vendin e dhjetë, ku figuron Roma me 42 milionë euro të shpenzuara. Kështu, pritet që ekipet të nisin sezonin e ri, i cili premton shumë spektakël dhe luftë sportive.