Çështja e toponimeve/ Ndryshojnë të dhënat në dokumentet e identifikimit për të lindurit në Greqi

0
181

clip_image002Korrigjimet në mjetet e identifikimit të emigrantëve shqiptarë, pas marrëveshjes me Greqinë

Ministria e Punëve të Brendshme ka nisur nga puna për konkretizimin e ndryshimeve të parashikuara për mënyrën e shkrimit të toponimit në rubrikën “Vendlindja” në dokumentet e lëshuara nga shërbimi i gjendjes civile për përdorim nga autoritetet e huaja, si dhe në sistemin e lëshimit të dokumenteve të identitetit. Burime zyrtare të kësaj Ministrie bënë të ditur se këto ndryshime i japin zgjidhjen përfundimtare problemit të toponimeve në letërnjoftimin elektronik dhe pasaportën biometrike për shtetasit shqiptarë të lindur jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, Ministria e Punëve të Brendshme sqaronte dje se ka filluar puna për të realizuar ndryshimet e nevojshme në sistemet e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile dhe Dokumenteve të Identitetit, si dhe në dokumentet që lëshohen nga shërbimi i gjendjes civile (certifikatat për përdorim nga autoritetet e huaja) dhe Ministria e Punëve të Brendshme (letërnjoftimin elektronik dhe pasaportën biometrike).

Këto ndryshime priten të përfundojnë brenda muajit tetor 2014. Me vënien në funksion të tyre, shtetasit e interesuar mund të ndjekin procedurat në fuqi për pajisjen me këto dokumente.

Jo vetëm kaq, por Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë publike dje edhe një paraqitje vizuale të ndryshimeve që do të kryhen.

Sipas kësaj paraqitjeje vizuale, mësohet se për fëmijët e lindur në Greqi, në qoftë se deri tani në certifikatën e tyre të lindjes, në rubrikën “Vendlindja” shënohej “Selanik, Greqi”, me ndryshimet e pritshme, në këtë rubrikë, vendlindja e fëmijës do të shënohet “Thessaloniki, GRC”. Ndërsa në kartat e identitetit dhe pasaportat shqiptare, të fëmijëve që lindur në Greqi, vendlindja do të shënohet thjesht me akronimin “GRC”.

Nevoja për këto ndryshime, në mënyrën e paraqitjes së të dhënave në certifikatat e lindjes dhe dokumentet e tjera të identifikimit për fëmijët shqiptarë të lindur në Greqi, u bë domosdoshmëri pas një sërë problemesh, që këta fëmijë kishin gjatë kalimit nëpër pikat e kalimit kufitar midis Shqipërisë dhe Greqisë. Autoritetet greke të kufirit nuk i njihnin toponimet greke ku kishin lindur fëmijët shqiptarë, të shkruar shqip, në dokumentet shqiptare të identifikimit. Për këtë arsye, në jo pak raste, fëmijët shqiptarë, nuk kanë mundur të kapërcejnë në të dyja anët e kufirit.

Një marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke mundësoi gjetjen e një zgjidhjeje për mënyrën e ndryshimit të paraqitjes së të dhënave.

Në bazë të kësaj zgjidhjeje, disa ditë më parë, qeveria shqiptare me një vendim të saj, sanksionoi se “në të gjitha modelet e certifikatave për përdorim nga autoritetet e huaja, që lëshojnë zyrat e gjendjes civile në njësitë e qeverisjes vendore, informacioni në rubrikën ‘Vendlindja’ të plotësohet, i shkruar sipas rasteve: Për shtetet, të cilat kanë depozituar pranë OKB-së katalogët zyrtarë të emrave gjeografikë të romanizuar (toponimet), sipas listës së vënë në dispozicion nga Ministria e Punëve të Jashtme, si dhe kodin 3-karakterësh të shtetit përkatës, sipas standardit ICAO; Për shtetet, të cilat nuk kanë depozituar pranë OKB-së këta katalogë, sipas shkrimit në dokumentin e hartuar nga vendi i origjinës, por me simbole, germa latine/romane, si dhe kodin 3-karakterësh të shtetit përkatës, sipas standardit ICAO”.

Në bazë të këtyre ndryshimeve të miratuara edhe nga qeveria, ka nisur puna për realizimin e tyre nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

 

 Arrestohet shoferi shqiptar/ Policia ndalon 13 klandestinë të ardhur nga Siria e Eritrea

Policia e Vlorës ka ndaluar dje 13 persona që kishin hyrë klandestinë në vendin tonë. Mësohet se klandestinët me origjinë nga Siria dhe Eritrea u ndaluan në një fugon në afërsi të Palasës.

Mësohet se polica e Vlorës ka vënë në pranga drejtuesin e fugonit.

Burimet e policisë saktësojnë se klandestinët kishin hyrë ilegalisht nga Greqia. Destinacioni i tyre ishin vendet evropiane. Mësohet se prej disa kohësh, autoritet kufitare greke, duket se po e nxisin dhe favorizojnë futjen e emigrantëve të huaj në Shqipëri, nëpërmjet kufirit të tyre. Këto dyshime, bëhen të besueshme, ndërsa mësohet se thuajse përditë raportohen klandestinë që kalojnë kufirin, ndonjëherë edhe nga pikat kufitare me Greqinë.
Klandestinët janë shoqëruar në komisariatin e policisë së Vlorës, ku i janë nënshtruar edhe një kontrolli mjekësor dhe analizave mjekësore nëse janë bartës të virusit të Ebolës. Sipas rregullave më të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë, një qarkoreje që i ka shkuar kryesisht qendrave shëndetësore të Korçës dhe Gjirokastrës, klandestinët duhet t’i nënshtrohen një kontrolli të rreptë mjekësor. Sipas kësaj qarkoreje, duhen marrë për analiza, kampione gjaku, për të gjithë shtetasit nga Afrika e nëse shenja dehidratimi apo sëmundjeje, atyre t’u ofrohet përkujdesje mjekësore. Klandestinët afrikanë kanë një linjë tashmë, për të cilën tani po flet tërë rajoni dhe vendet e BE-së, një linjë që po rëndon Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kroacisë, Slloveni drejt Italisë e më tej. Ky është një rrjet trafikimi që ngre alarmin jo vetëm për trafikimin, por edhe për virusin vdekjeprurës të Ebolës.

 

 Përfitoi 6 milionë lekë/ Premtoi punësim në Kazakistan, arrestohet mashtruesi në Durrës

Një 38-vjeçar nga Durrësi është vënë në prangat e policisë, nën akuzën e mashtrimit.

Burime të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Durrësit bënë të ditur se 38-vjeçari M. M. është denoncuar në polici se u ka marrë një sasi të hollash dy personave, me synim për ta punësuar në Kazakistan. Të njëjtat burime saktësuan se 38-vjeçari dyshohet se u ka marrë nëpërmjet mashtrimit shumat prej 600 000 lekësh M. T., 27 vjeç, banues në Kurbin, dhe A. T., 34 vjeç, banues në Kurbin, me premtimin se do t’i dërgonte për punësim në Kazakistan.

Dy të dëmtuarit kanë bërë denoncim në polici, pasi prej disa kohësh iu kishte marrë paratë dhe kishte humbur gjurmët, duke mos iu përgjigjur telefonatave dhe duke mos e mbajtur fjalën për punësim.

 

 Premtoi t’i shiste një shtëpi/ Mashtroi për 27 mijë euro, shpallet në kërkim 46-vjeçari

Policia e kryeqytetit ka nisur procedimin penal dhe po punon për kapjen e një 46-vjeçari.

Sipas burimeve të policisë së kryeqytetit, mësohet se H. Z., 46 vjeç, me banim në Tiranë, administrator i një shoqërie ndërtimi, është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se me anë të mashtrimit i ka vjedhur 27 000 euro, në vitin 2013, duke i premtuar një apartament banimi në zonën e Qesarakës në Tiranë, shtetasit J. Zh., banues në Tiranë.

Nga ai moment, 46-vjeçari ka humbur gjurmët dhe nuk i përgjigjet të dëmtuarit, i cili është detyruar të bëjë denoncimin në polici.