Gëzim Saliu
Takimi, Basha: Partneriteti strategjik me qendrën e djathtë gjermane është në themel të modernizimit të PD-së dhe programit të fitores së zgjedhjeve
Nënkryetari i grupit CDU/CSU të kryesuar nga Kancelarja Merkel në Bundestagun gjerman, Andreas Schockenoff, kërkoi dje që të zbatohen rregullat në debatin parlamentar, duke vënë theksin nga ana tjetër në faktin se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të mos diskutohen politikisht, por të zbatohen. Pas një takimi që zhvilloi me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, në kuadër të thellimit të bashkëpunimit mes dy partive simotra, Schockenoff theksoi se për të ecur më tej në rrugën e integrimit në BE nevojitet bashkëpunim mes të gjitha palëve, duke theksuar se afrimi me BE nuk është çështje e vetëm një partie. “Dua të them që të gjithë institucionet e pavarura duhet të punojnë, të jenë të pavarura dhe ato të respektohen nga të tjerët. Sigurisht që Kushtetuta rregullon të gjithë veprimet, bashkëpunimin se si duhet të punohet, dhe me këtë e kam fjalën që kur Gjykata Kushtetuese merr vendime nuk ka më vend për debat dhe për diskutime politike, ato duhen respektuar dhe duhen zbatuar. Sigurisht që në debatin parlamentar ekzistojnë rregulla që të gjithë të respektohen, liritë e të shprehurit të mendimit, të gjithë duhet të punojnë bashkë, dhe jo ata të pengohen me dhunë për të shprehur mendimin e tyre. Kjo duhet të reflektohet edhe më tej”, – tha ai. Më tej Schockenoff theksoi se Partia Demokratike dhe CDU/CSU do të thellojnë bashkëpunimin duke ngritur grupe pune konkrete. Po ashtu ai bëri me dije se i ka bërë ftesë kreut të PD-së Basha për të marrë pjesë në kongresin e CDU/CSU. “Unë e kam ftuar z. Basha, si kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, që të marrë pjesë në kongresin tonë të partisë CDU që do të zhvillohet në Këln në dhjetor dhe me këtë ftesë ne duam të konfirmojmë edhe një herë bashkëpunimin dhe mbështetjen që i japim Partisë Demokratike dhe bashkëpunimit tonë”. Ndërkaq, kreu i PD-së pasi konfirmoi pranimin e ftesës nga CDU/CSU dhe theksoi se bashkëpunimi mes dy partive do të shndërrohet në një të mirë për të gjithë qytetarët.
Basha
Nga ana e tij, kryetari i opozitës pas takimit me nënkryetarin e CDU/CSU deklaroi se partneriteti strategjik me qendrën e djathtë gjermane është në themel të modernizimit të Partisë Demokratike. “Për fatin e madh të Shqipërisë, partia simotër gjermane e CDU-së i është përgjigjur krahëhapur kërkesës sonë për të na dhënë përvojën e saj të suksesit, për të na ndihmuar pa rezerva në ndërtimin e një alternative dobiprurëse për vendin. Ndërtimi i një platforme politike sipas modelit të lidershipit gjerman është aspiratë e hershme e shqiptarëve. Nëpërmjet një projekti të përbashkët, konkret dhe shumëplanësh, parashikojmë organizimin bashkëkohor dhe efikas të strukturave tona politike, trajnimin dhe kualifikimin e burimeve tona njerëzore, sidomos të brezit të ri, përgatitjen e agjendës tone politike dhe programit të fitores të Partisë Demokratike”, – tha Basha. Por nga ana tjetër lideri i demokratëve nuk nguroi të komentotte situatën aktuale politike, ku theksoi se mazhoranca e majtë nuk i ka pranuar parimet e demokracisë, duke zaptuar administratën publike, policinë dhe institucionet e pavarura. Sipas tij, në asnjë vend evropian nuk refuzohet zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për ngritjen e komisioneve hetimore mbi ligjshmërinë e emërimeve në administratë. “Në asnjë vend evropian shumica nuk i hap luftë institucioneve të pavarura, herë me akte antidemokratike, herë me kërcënime e dhunë verbale për t’i intimiduar, për t’i uzurpuar, për t’i detyruar të bëhen vegla të qeverisë. Qeveria Rama-Meta po çon drejt asgjësimit bashkëjetesën demokratike me opozitën, me faktorët e tjerë të shoqërisë që nuk pranojnë t’i nënshtrohen arbitraritetit të saj”, – pohoi kreu i PD-së.