Goditet e penalltive janë një sfidë më vete. Humbësit thonë se ka të bëjë shumë fati, ndërkohë që fituesit tregojnë të kundërtën. Këta të fundit mendojnë se vendin e fatit e merr zotësia e portierit dhe e “qitëseve”. Më poshtë do të mund të shihni pesë penalltitë që kanë lënë gjurmë në evenimentin më prestigjioz evropian.
1. BAJERN MYNIH 5-4 VALENCIA (1-1 u mbyll koha e rregullt bashkë me shtesat)
Finalja e Ligës së Kampioneve 2001
Kur vjen puna tek penalltitë gjermanët kthehen në një makinë perfekte. Madje falë goditjeve të njëmbëdhjetëmetërshit Bajerni mundi në finalen e madhe të San Siros ekipin e Valencias. Në këtë në këtë sfidë gjithçka u nda nga pika e bardhë, pasi edhe dy golat e vetëm të kohës së rregullt u shënuan me penallti. Në fillim ishte Mendieta ai që kaloi spanjollët në epërsi, ndërkohë që ekuilibrat i ktheu Shtefan Efenberg.
2. JUVENTUS 2-3 AC MILAN (0-0 u mbyll koha e rregullt bashkë me shtesat)
Finalja e Ligës së Kampioneve 2003
Si për ironi të fatit, finalja e parë e Ligës së Kampioneve që luhej mes dy skuadrave italiane nuk solli asnjë gol edhe pse u zhvilluan plot 120 minuta. Kështu edhe në këtë sfidë që u mbajt në “Old Trafford” u desh që gjithçka të ndahej nga njëmbëdhjetëmetërshat. Kjo sfidë ishte mjaft e fortë, pasi në portë Milani dhe Juventusi kishin lojtarë të kalibrit të lartë. Nga njëra anë mbronte Dida, ndërkohë që nga ana tjetër ishte Xhanluixhi Bufon. Këtë duel e fitoi Milani që nga pesë penallti ktheu në gol plot tre.
3. AC MILAN 2-3 LIVERPUL (3-3 u mbyll koha e rregullt bashkë me shtesat)
Finalja e Kupës së Kampioneve 2005
Në Stamboll të Turqisë u vendos një tjetër finale me penallti. Edhe në këtë rast luante Milani që ndryshe nga dy vite më parë humbi. Nga pika e bardhë ishte skuadra e Liverpulit që u tregua më e saktë. Skuadra angleze në këtë takim kreu një mrekulli të vërtetë, pasi mbylli pjesën e parë në dizavantazh të tre golave arriti që në fraksionin dytë të barazonte shifrat.
4. MANÇESTER JUNAJTID 6-5 ÇELSI (1-1 u mbyll koha e rregullt bashkë me shtesat)
Finalja e Ligës së Kampioneve 2008
Në Moskë, “djajtë e kuq” fituan një prej finaleve më të bukura të këtij kompeticioni. Koha e rregullt mes dy skuadrave angleze përfundoi në barazim 1-1 dhe për të caktuar kampionen u deshën njëmbëdhjetëmetërshat. Nga pika e bardhë Çelsi arriti që të kthejë në gol katër mundësitë e para. Por në të pestën ishte Xhon Terri që pasi rrëshqiti i dha një shans Mançesterit që më parë kishte gabuar vetëm një penallti (e kish humbur Ronaldo). Kështu “djajtë” falënderuan dhe nuk gabuan më ndërkohë “blutë” i ndëshkoi rëndë gabimi i Anelkasë.
5. REAL MADRID 1-3 BAJERN MUNIH (3-3 ishte rezultati i përgjithshëm pas dy takimeve)
Gjysmëfinalja e Ligës së Kampioneve, ndeshja e kthimit 2012
Dy net më parë, zemrat e spanjollëve nuk u thyen për herë të parë nga ekipet gjermane. Edhe në këtë rast ishte pikërisht Bajerni i Mynihut që eliminoi “galaktikët” e Realit. Në një sfidë si kjo u deshën penalltitë që të vendosej se kush është fituesi. Kështu nga pika e bardhë triumfuan bavarezët që kishin nga ana e tyre Manuel Nojerin. Portieri i ri gjerman arriti që t’i demoralizonte spanjollët, pasi i priti dy penalltitë e para që u ekzekutuan nga Ronaldo dhe Kaka. Marrë nga Goal.com