Cilat ishin destinacionet më të shtrenjta turistike të sezonit

0
196

113Evropa rezultoi edhe këtë vit destinacioni më i kushtueshëm për pushime sipas TripAdvisor. Shpenzimet mund të llogariten nga 40 në 377 euro nëse dëshirohet të kalohet një ditë në Londër. E, në fakt, kryeqyteti britanik kryeson listën e qyteteve më të shtrenjta të hartuar nga TripAdvisor (TripIndex Cities). Ky indeks krahason çmimet për një natë në 48 qytetet kryesore në botë, për dy persona dhe në të përfshihen: një koktej, një natë në hotel me pesë yje, një darkë, një transit me taksi, por edhe një qëndrim për një natë në hotel me katër yje në periudhën korrik – gusht. Duke hyrë më në detaje shihet se shtatë nga dhjetë destinacionet janë evropiane, vetëm dy gjenden në Europë dhe një në Oqeani.

Pas Londrës, në klasifikim gjendet rivali i përjetshëm Parisi, që ka fituar dy pozicione më tepër në krahasim me klasifikimin e TripIndex Cities të vitit 2013. Në Paris, shpenzohet shumë për dy kokteje, pasi kushtojnë 37.50 euro. Në total, për një pushim në kryeqytetin francez, ju duhet të paguani 370,13 euro. Në vendin e tretë gjendet SHBA, ku për një natë qëndrimi në Nju Jork mund të shpenzohen deri në 363,84 euro. Në koston finale ndikim të madh ka çmimi i qëndrimit në hotel që llogaritet në 264,07 euro, më i larti në botë.

Në vendin e katërt dhe të pestë gjenden dy kryeqytete skandinave. Në të katërtin është Stokholmi me 347,22 euro shpenzime në total. Oslo, gjendet në vendin e pestë, pasi shpenzimet në një ditë llogariten në 330,82 euro.

Në qytetet suedeze është shumë e kushtueshme që të darkohet jashtë: për një darkë për dy veta që shoqërohet me verë mund të paguhet deri në 124,15 euro (dyfishi i shifrës që paguhet në Nju Jork). Në kryeqytetin norvegjez, kosto të larta ka lëvizja: dy udhëtime me taksi për një distancë prej 3 kilometrash duhet të paguhet 40,87 euro (në Nju Jork ky shpenzim llogaritet në 13,29 euro).

Sërish Evropa. Në vend të gjashtë gjendet Zyrihu me 329,25 euro.

Pastaj vjen veriu i Evropës me Kopenhagën që gjendet në vendin e shtatë, ndërsa Helsinki në të tetin. Në Danimarkë për një natë për dy persona shpenzohen 306,10 euro, ndërsa në Finlandë 275,66 euro.

Kanadaja me Toronton gjendet në vendin e parafundit, pasi shpenzimet llogariten në 273,08 euro. Kjo qendër ka humbur shtatë pozicione në krahasim me renditjen e vitit të kaluar.

Klasifikimin e mbyll Australia me Sidnein, ku për një natë, dy persona, duhet të shpenzojnë 272,12 euro. Në Sidnej është më i leverdishëm qëndrimi në hotel. Në këtë vend qëndrimi për një natë në një hotel me katër yje kushton 142,30 euro, shifra më e ulët.

 

 

Borxh i ri për borxhin e vjetër, qeveria merr 77 mln euro hua

Banka e Shqipërisë do të shesë të martën për llogari të Ministrisë së Financave 10.7 miliardë lekë bono thesari me afat maturimi 6 dhe 12-mujor. Për bonot 12-mujore, shuma e shpallur për shitje është 6.7 miliardë lekë, nga të cilat 150 milionë lekë i takon Bankës së Shqipërisë. Në ankandin e fundit me të njëjtin maturitet, yield-i (interesi) mesatar i ponderuar zbriti në 3.19%.

Për bonot 6 mujore, shuma e shpallur për shitje ishte 4 miliardë lekë, nga të cilat 2.55 miliardë lekë i përkasin Bankës së Shqipërisë. Në ankandin e fundit me të njëjtin maturitet, yiled-i (interesi) mesatar i ponderuar ishte 3.14%.

Gjatë këtij viti, yield-i i letrave me vlerë afatshkurtër ka rënë ndjeshëm, duke reflektuar politikën monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, që ka ulur normën bazë në nivele të ulëta rekord, prej 2.5% aktualisht.

 

 

Dobësohet leku ndaj euros dhe dollarit

Shtatori nuk ka nisur i mbarë për monedhën vendase. Pothuajse gjatë gjithë javës leku ka shënuar rënie në raport me të dy valutat kryesore, euron dhe dollarin. Leku ka qenë veçanërisht i dobët ndaj euros, monedhës që ndonëse në bursat ndërkombëtare po kuotohet në nivelet më të ulëta të afër një viti, në Shqipëri po vijon forcimin. Një euro këmbehej të hënën me 139.44 lekë, për t’u forcuar më pas vazhdimisht gjatë javës, duke u mbyllur të premten me 139.65 lekë.

Edhe dollari është rritur ndjeshëm në tregun vendas, duke u këmbyer në nivele rekord të premten, prej 107.8 lekë, nga 106.1 lekë, që kuotohej të hënën. Dollari ka arritur në nivelet më të larta prej shumë kohësh në tregun e brendshëm.

Në bursat ndërkombëtare, euro po shkon drejt javës së tetë radhazi me rënie, duke shënuar periudhën më të gjatë me humbje, që kur monedha filloi të tregtohej në vitin 1999. Të premten, euro ndryshoi pak, pasi ra edhe në $1.2920, niveli më i ulët që nga korriku 2013. Monedha e përbashkët ka rënë 1.3% këtë javë. Rënia e euros erdhi pas politikave ekstreme lehtësuese që u njoftuan dje nga kreu i Bankës Qendrore Mario Draghi. Në tregun e brendshëm, fortësia e euros shpjegohet me kërkesën e lartë për monedhën e përbashkët si rrjedhojë e rigjallërimit të tregtisë dhe rënies së ofertës për euro, pas mbarimit të efekteve sezonale (emigrantët dhe turistët).

 

 

 

Shqipëria prodhon naftë, por importon gjithnjë e më shumë

 

Importet e naftës dhe benzinës kanë shënuar një rritje të qëndrueshme gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, në raport me të njëjtën periudhë të 2013-ës. Sipas statistikave të publikuara nga Ministria e Financave, për periudhën janar-qershor 2014 kanë hyrë në territorin shqiptar rreth 897 mijë ton karburant, 4.4% më shumë se një vit më parë. Megjithatë, rekordi i importit të karburanteve është arritur në periudhën 2009-2010, kohë kur kërkesa ishte e lartë për shkak të ndërtimit të veprës madhore Durrës-Kukës.

Tregu i karburanteve është një ndër më të mëdhenjtë në vend, duke qarkulluar mbi 1 miliard euro në vit. Ky treg është tashmë nën hetim të Autoritetit të Konkurrencës, që ka hapur në maj të këtij viti procedurën e hetimit të thelluar në tregun e importit, prodhimit dhe shitjes me shumicë të karburanteve. Vendimi për hapjen e hetimit të thelluar ishte marrë pasi nga një hetim paraprak rezultoi se pothuajse të gjitha ndërmarrjet e naftës janë të integruara vertikalisht në këtë treg. Përqendrimi i tregut mbetet i lartë deri në nivelin e shitjes me pakicë. Ky përqendrim i lartë dhe karakteristikat e tregut si transparenca, homogjeniteti dhe kërkesa e qëndrueshme për produktin bëjnë që elasticiteti i kërkesës ndaj çmimit të shitjes për karburantet të jetë i ulët. Nga hetimi u evidentua se se ndërmarrjet Kastrati SHA dhe Kaspetrol SHA te cilat zotërohen nga të njëjtët aksionerë, si dhe Europetrol Durrës SHA, Taçi Oil SHA, Everest Oil SHA jane ndërmarrjet kryesore ne tregun e importit, tregtimit, dhe të aktivitetit importues dhe tregtar në zonën e lirë doganore në Shqipëri. Sipas Konkurrencës, Kastrati SHA është importuesi më i madh i produktit naftë për periudhën objekt hetimi. Pjesa e tregut të kësaj ndërmarrje është rritur në vitin 2013 duke arritur rreth 46,3% të tregut të produktit naftë dhe rreth 37% të tregut të produktit benzinë.

Sipas Autoritetit, struktura e tregut të karburanteve në Shqipëri është e formës oligopolistike ku një numër i vogël ndërmarrjesh rezultojnë që importojnë dhe tregtojnë karburant në territorin shqiptar.