Kirurgët pediatrikë zgjedhin që kujdesi ndaj fëmijës të jetë bërthama e praktikës së tyre mjekësore. Natyra unike e kujdesit kirurgjik dhe mjekësor ndaj fëmijës mësohet me trajnime të avancuara dhe me eksperienca gjatë praktikës.
Çfarë lloj trajtimesh bën kirurgu pediatrik?
Kirurgu pediatrik diagnostikon, trajton dhe menaxhon nevojat për ndërhyrje kirurgjike tek fëmijët, që përfshijnë:
-gjendjet që kërkojnë intervenime të zakonshme kirurgjike (zorra qorre, hernia-shembja, etj.),
-riparimet kirurgjike të defekteve të lindura,
lëndimet serioze të cilat kërkojnë trajtim kirurgjik (p.sh. lacerimet e mëlçisë, shpimet me thikë ose plagët me armë zjarri etj.),
-diagnostikimi dhe trajtimi kirurgjik i tumoreve,
-infeksionet urinare, keqformimet e veshkave dhe të kanaleve urinare, hipospaditë dhe problemet tjera urologjike tek fëmijët
-operacionet e transplantimit.
Kirurgu pediatrik-kujdesi më i mirë për fëmijët
Fëmijët nuk janë vetëm të rritur të vegjël, ata nuk mund gjithmonë të thonë se çka i shqetëson, ata nuk mund gjithmonë t’i përgjigjen pyetjeve mjekësore dhe ata nuk mund gjithmonë të jenë të durueshëm dhe ndihmues gjatë ekzaminimeve mjekësore. Kirurgët pediatrik e dinë se si ti ekzaminojnë dhe trajtojnë fëmijët në mënyrë që ata të jenë të relaksuar dhe kooperativ. Për më tepër, kirurgët pediatrik përdorin pajisje të dizajnuara specifikisht për fëmijë. Shumica e ambienteve të kirurgjisë pediatrike janë të aranzhuara dhe të dizajnuara në mënyrë të tillë duke pasur në qendër të vëmendjes.
Nëse pediatri juaj sugjeron që ju ta vizitoni kirurgun pediatrik, ju duhet të jeni të sigurt që ai do të ketë opsione të gjëra të trajtimit të fëmijës tuaj, duhet të ketë trajnimin e duhur të gjerë dhe të kompletuar dhe të ketë eksperiencë të madhe në menaxhimin e çrregullimeve kirurgjike tek fëmijët.
Sëmundjet më të shpeshta: Hernia inguinale
Është sëmundja më e shpeshtë kirurgjike e fëmijëve e që kërkon intervenim kirurgjikal jo urgjent, por të planifikuar. Kjo sëmundje tek fëmijët është e lindur dhe vjen për shkak të mosbylljes së një kanali (kanali inguinal). Manifestohet me fryerje në regjionin e ijeve. Nëse vie deri tek inkarcerimi (futja dhe kurthimi i zorrës brenda qeses herniale), atëherë duhet urgjent të konsultohet kirurgu pediatrik.
Zorra qorre (Appendicitis acuta)
Është sëmundja më e shpeshtë e moshës pediatrike, e cila kërkon intervenim urgjent kirurgjikal. Ankesa kryesore tek këta fëmijë është dhimbja e barkut, e cila shpesh shoqërohet me të vjella. Kjo sëmundje duhet të diagnostikohet me kohë dhe intervenimi duhet të realizohet brenda disa orësh pas diagnostikimit, sepse mundësia e shpërthimit të zorrës qorre është e madhe dhe mundësia e komplikimeve pas operacionit është e madhe. Përveç të dhënave klinike dhe ekzaminimeve klinike, duhet të realizohen analizat laboratorike, e në raste të veçantë edhe Echo e barkut.
Infeksionet urinare
Janë mjaft të shpeshta tek mosha pediatrike. Gjatë vitit të parë të jetës më të shpeshta janë tek djemtë (sidomos tek ata që nuk janë të bërë synet), ndërsa në përgjithësi gjatë gjithë fëmijërisë, këto infeksione janë më të shpeshta tek vajzat. Duhet patur kujdes në vlerësimin e fëmijëve me infeksione urinare, sepse në një përqindje të madhe, pas tyre fshihet ndonjë anomali e lindur e traktit urinar, siç është refluksi veziko-ureteral (apo kthimi mbrapsht i urinës prej fshikëzës së urinës, drejt veshkave).
Anomalitë
Janë keqformime të lindura të organit gjinor mashkullor që manifestohen me moszhvillim adekuat të uretrës (kanalit të urinës që nxjerr urinën nga fshikëza, jashtë, nëpërmjet penisit) dhe të penisit në përgjithësi. Vrima e jashtme është e lokalizuar poshtë majës së penisit. Kërkon intervenim të planifikuar kirurgjik, e që është një ndër operacionet më delikate të kirurgjisë pediatrike.
Syneti
Çështja e të bërit synet, përveç ritualit fetar tek feja islame dhe tek hebrenjtë, viteve të fundit ka gjetur mbështetje të madhe shkencore, sidomos në vendet e zhvilluara si SHBA dhe vendet e Bashkimit Evropian. Meshkujt e bërë synet kanë shumë më pak infeksione urinare, po ashtu janë shumë më pak bartës të sëmundjeve seksualisht të transmetueshme. Intervenimi kirurgjikal zakonisht realizohet me anestezion lokal, në kushte steriliteti, por mund të realizohet edhe nën anestezion të përgjithshëm. Komplikimet e synetit janë gjakderdhja, infeksioni i plagës, enjtja e lëkurës së penisit, vështirësi gjatë aktit të urinimit. Nën duart e kirurgut pediatrik, mundësia e komplikacioneve zvogëlohet në mënyrë të dukshme, pikërisht shkaku i përvojës unike të kirurgut pediatrik në menaxhimin e siturave të ndryshe kirurgjike tek fëmijët.
Nishanet (Hemangiomat)
Janë keqformime të lindura të enëve të vogëla të gjakut (arteriolave), të cilat gjatë vitit të parë të jetës proliferojnë (shtohen) dhe arrijnë kulmin pikërisht kur fëmija mbush një vjeç. Pas kësaj periudhe, këta anomali gradualisht tërhiqen dhe deri në moshën 15-vjeçare, arrijnë vetëm në 1%. Klinikisht duken si një masë tumoroze e kuqërremtë, në formë maline, e cila në lindje është shumë e vogël, por që vazhdon të rritet me kalimin e muajve. Varësisht lokalizimit bëhet edhe trajtimi. Trajtimi është disa llojesh dhe fillon me observimin e pacientit. Sipas të dhënave të reja mund të trajtohet qysh muajt e parë të jetës me propranolol, me rezultate të shkëlqyeshme dhe pa efekte anësore. Mund të përdoren kortikosteroidet (antiinflamatorët steroid), në raste specifike edhe citostatikët. Poashtu në raste të caktuara mund të hiqen me kirurgji. Një prej metodave më moderne është trajtimi me rreze laserike.
Sëmundjet urologjike pediatrike
Hidronerozat janë entitet klinik i urologjisë pediatrike, e që përfshijnë një gamë të gjerë të anomalive të lindura të veshkave, të kanaleve të urinës (ureterëve), të fshikëzës së urinës dhe të kanalit që e nxjerr jashtë urinën, prej fshikëzës (uretrës). Hidronefrozë do të thotë fryrje e veshkës dhe mbushje e saj me urinë për shkak të pengesave në eliminimin e saj përgjatë rrugëve të urinimit. Anomalitë fillojnë prej uretrës (valvula e uretrës posteriore), prej fshikëzës së urinës (refluksi vezikoureteral) dhe në nivel të ureterëve (stenoza e qafës pielo-ureterike, megaureteri primar dhe sekondar, stenoza jukstavezikale etj).
Moskontrollimi i urinës
Enuresa nocturna dhe diurna janë çrregullim i kontrollit të urinimit. Shpesh këta pacientë nuk kanë anomali të vërteta anatomike, por ka të bëjë me mospjekurinë e mekanizmave kontrollues. Por, patjetër duhet të ekzaminohen në mënyrë të detajuar, për të përjashtuar anomalitë të cilat ndonjëherë mund të jenë të rënda dhe kërkojnë trajtim multidisciplinar, nga kirurgu pediatri, pediatri, psikiatri i fëmijëve dhe sociologu.
Kapsllëku
Fëmijët dhe prindërit e tyre shpesh ballafaqohen me kapsllëkun. Duhet të bëhet vlerësimi klinik nga ana e kirurgut pediatrik për të përjashtuar sëmundjet e lindura, e ndonjëherë duhet bërë ekzaminime shtesë radiologjike para se të fillohet me trajtimin. Trajtimi i këtyre fëmijëve shpesh është konservativ, por mund të jetë edhe kirurgjik. Një rol të rëndësishëm ka dieta dhe mënyra e të ushqyerit. Ekzistojnë protokolle të veçantë në trajtimin e këtyre pacientëve, me klizma pastruese të përcaktuara mire dhe me këshilla dietared.dr. Dëfrim Koçinaj