Dëmi i çështjes “Fullani”, vijon paniku në tregun valutor

0
166

Dollari ka shënuar një tjetër nivel rekord të këtij viti, duke u këmbyer me 108.9 lekë

kembim valutorMonedha vendase ka humbur sërish pikë dje ndaj të dyja valutave kryesore. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye me 140.29 lekë, 0.24 lekë më shumë se një ditë më parë. Dje,monedha e përbashkët shënoi kërcimin më të lartë ditor të këtij viti, duke u rritur me 0.4 lekë. Ekspertët valutorë e shpjegojnë mbiçmimin e euros, në një kohë kur ajo është e dobët në bursat ndërkombëtare, me kërkesën sezonale për valutë si dhe me një farë paniku të krijuar nga situata e paqëndrueshme e krijuar me drejtimin e Bankës së Shqipërisë. Dollari ka shënuar një tjetër nivel rekord të këtij viti, duke u këmbyer me 108.9 lekë, 0.74 lekë më shumë se një ditë më parë, si rrjedhojë e forcimit të tij në tregjet ndërkombëtare.

Në bursat ndërkombëtare monedha amerikane fitoi 0.1 për qind në 1.2883 dollarë për euro, pasi arriti 1.2867 dollarë, shifra më e fortë që nga korriku 2013. Për ekspertët e tregut valutor, ndërsa forcimi i dollarit lidhet me rritjen e tij në bursat ndërkombëtare (monedha e gjelbër po këmbehet rreth niveleve më të larta në gati një vit ndaj asaj të përbashkët), është euroja ajo që ka shënuar rritjen e papritur. Sipas tyre, në kushte normale, euroja duhet të kuotohej diku rreth 139.8 lekëve. Ata pohojnë se në treg po ndihet një lloj paniku i lehtë nga zhvillimet e fundit në Bankën e Shqipërisë, duke bërë që të ketë një kërkesë më të lartë për euro. Ashtu sikurse pritej, pavarësisht nga fjalët qetësuese edhe të Kryeministrit Edi Rama se nuk do të kishte asnjë lloj pasoje në tregun financiar të vendit nga ngjarja e fundit, tregu po reagon me shqetësim lidhur me arrestimin në kreun e kupolës së Bankës së Shqipërisë. Ndërkohë, ndonëse shifra prej 7 milionë dollarësh, e cila deri tani rezulton të jetë e vetmja lidhur me shumën e vjedhur në thesarin e Bankës Qendrore, megjithëse nuk është e konsiderueshme, duket se ka mjaftuar të krijojë panik dhe duke detyruar subjektet që të blejnë euro, për t’i pasur për një kohë më të keqe, në rast se Banka e Shqipërisë do të vijojë të ketë probleme.