Ndryshon shorti / Të hënën Fullani e Golemi në Apel, masat do të gjykohen nga kryetari Malaj

0
165

fullani-ne-gjyq-220x175Sonila Mesareja

Më 15 shtator gjykohen masat edhe për 4 nga inventarizuesit. Hidhet shorti me gogla edhe për të 12 arrestuarit e tjerë të skandalit të vjedhjes në Bankë, gjyqtarë Agim Bendo e Shkëlqim Miri

 

Ditën e hënë, ish-guvernatori Ardian Fullani del përpara Gjykatës së Apelit me kërkesë për ndryshimin e masës së arrestit, duke kërkuar lirinë. Por, ndryshe nga sa ishte përcaktuar nga shorti i Gjykatës, dje u përcaktua një tjetër relator për gjykimin e këtij apelimi, pas rihedhjes në short të çështjes. Nuk bëhet me dije nëse ka qenë vetë gjyqtari Gjin Gjoni që ka kërkuar apo ka qenë një vendim i Gjykatës, por përfundimisht të hënën kërkesa do të shqyrtohet nga treshja Alaudin Malaj, relator, Agim Bendo dhe Shkëlqim Miri anëtarë. Seanca do të zhvillohet në orët e mesditës, ndërsa pas Fullanit është parashikuar të shqyrtohet kërkesa e inspektores së Përgjithshme Elivar Golemi për rivlerësim mase, duke e konsideruar si të paligjshëm arrestimin dhe masën e caktuar si të padrejtë. Pak ditë më parë, ndërsa diskutohej apelimi i masës, avokati mbrojtës i Fullanit, Maks Haxhia, deklaroi se në Gjykatën e Apelit do të kërkohet ndryshimi i masës së sigurisë nga “Arrest me burg”, në një masë më të lehtë. Haxhia theksoi se të gjitha veprimet e bëra deri më tani nga Prokuroria për klientin e tij janë të paligjshme dhe ekstreme.

Seancat

Ish-guvernatori Ardian Fullani kërkon nga Gjykata lirimin nga paraburgimi ku mbahet i arrestuar për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”. Seanca ndaj tij do të nisë në orën 12:00, ndërkohë që në të njëjtën ditë, por në orar të ndryshëm, do të shqyrtohet edhe masa e sigurisë për inspektoren e Përgjithshme të Bankës së Shqipërisë, Elivar Golemi, gjithashtu e dyshuar për shpërdorim detyre, e cila, sipas listës së afishuar për publikun, del para Gjykatës në orën 11:15, ndërkohë që në orën 11:00 do të dëgjohen parashtrimet për ish-inventarizuesin e Bankës Ilir Dedja, aktualisht me masën “Arrest shtëpie”. Gjithashtu, në orën 11:30 shqyrtohet masa për inventarizuesin tjetër Bahri Allushi, i cili ndodhet në masën “Arrest me burg” dhe pak më vonë, në orën 11:45, është caktuar orari për Fatbardha Gurthin, e lënë në “Arrest shtëpie”. I fundit që do të shqyrtohet në orën 12:15 është Gentjan Jahja, i cili ndodhet në “Arrest me burg”. Pavarësisht prej kohës 15-minutëshe të përcaktuar nga Gjykata për zhvillimin e këtyre masave, të cilat nisin me Elivar Golemin dhe finalizohen me Ardian Fullanin, ka shumë gjasa që të zgjasin shumë më tepër, pasi secili i akuzuar do të kërkojë kohën e mjaftueshme për të paraqitur pretendimet e tij lidhur me akuzën e Prokurorisë të përfaqësuar nga prokurori Nezir Gjoka. Të hënën, më 15 shtator, Gjykata shqyrton masat për ish-guvernatorin dhe ish-inspektoren e përgjithshme, si dhe disa nga inventarizuesit e arrestuar dy javë më parë. Në njoftimin e saj për shtyp, Gjykata e Apelit njofton se trupa gjyqësore me gjyqtar Alaudin Malajn është caktuar sipas një shorti me gogla, në të cilin u përfshinë 15 gjyqtarë të kësaj Gjykate. Në këtë short u përjashtuan gjyqtarët që janë të gatshëm nga data 16 deri më 30 shtator, si edhe gjyqtarët që ndodhen në kolegjet penale gjatë kësaj periudhe. Megjithatë, parashikohet që java e ardhshme të jetë e ngjeshur edhe me 12 masa të tjera të skandalit të Bankës, të cilat, sipas shortit me gogla, do të shqyrtohen nga gjyqtarët Agim Bendo dhe Shkëlqim Miri.

 

Hetimi

Prokuroria e Tiranës ka vijuar dje me marrjen në pyetje të tre audituesve të Bankës së Shqipërisë, deklaratat e të cilëve nuk bëhen publike, për shkak të veprimeve hetimore që po kryhen. Ata janë pyetur në lidhje me auditimet e bëra në Thesar përgjatë këtyre viteve dhe rezultatet e nxjerra.

 

 

Seancat në Apel

Në orën 11:00, do të vlerësohet masa e sigurisë “Arrest shtëpie” ndaj Ilir Dedes;

Në orën 11:15, do të vlerësohet masa e sigurisë “Arrest në burg” ndaj Elivar Golemit;

Në orën 11:30, do të vlerësohet masa e sigurisë “Arrest shtëpie” ndaj Bahri Allushit;

Në orën 11:45, do të vlerësohet masa e sigurisë “Arrest shtëpie” ndaj Fatbardha Gurthit;

Në orën 12:15, do të vlerësohet masën e sigurisë “Arrest në burg” ndaj Gentian Jahjes;

Në orën 12:00 do të vlerësohet masën e sigurisë “Arrest në burg” ndaj Ardian Fullanit

 

 

Pa Nishanin e Naçon

Ligji i ri, KLD mblidhet me dyer të mbyllura

 

Këshilli i Lartë i Drejtësisë vijon mbledhjet me dyer të mbyllura dhe pa njoftuar më parë. Vetëm disa ditë para hyrjes në fuqi të ligjit të ri për Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Shkollës së Magjistraturës, KLD u mblodh dje pa asnjë njoftim të mëparshëm, ndërsa në mbledhje nuk kanë qenë të pranishëm kreu i saj, Presidenti Bujar Nishani dhe ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, i cili ndodhet në një takim pune në Greqi. Burime pranë këtij Këshilli bëjnë me dije se në rendin e ditës janë shqyrtuar procedurat e emërimit të kryetarëve të gjykatave sipas ligjit të ri, si dhe teknikalitetet e ligjit, të cilat duhen përshtatur për zbatueshmëri në sistemin e drejtësisë. Ligji i ri pritet të hyjë në fuqi më 16 shtator, ku ndër ndryshimet e pësuara janë dhe mënyra e pezullimit të një gjyqtari apo forma e vlerësimit të trupës gjyqësore në sistemin e karrierës.