Konkurset në administratë/ Cilët përfitojnë nga vendet vakante të punës

0
179

Gëzim Saliu

zyre pune Bylykbashi: Vendet vakante të jenë për nëpunësit në listë pritjeje. Ndryshimi i ligjit, fshesë e re

 Qeveria pohon ndryshimet në ligjin e nëpunësit civil, kërkohet administratë e gatshme për hapjen e negociatave me BE-në

 Ndërkohë që qeveria bëri të ditur se në tetor do të rihapen konkurset në administratë, Partia Demokratike, përmes deputetit të saj Oerd Bylykbashi, shpreh kundërshtinë e saj për praktikën që pritet të ndiqet. Sipas ligjvënësit të selisë blu, të parët që duhet të përfitojnë nga konkurset në administratë, duhet të jenë nëpunësit që janë lënë në listë pritjeje. “Po hapin vende të reja për konkurs, ndërkohë që kemi qindra nëpunës në listë pritjeje. Dhe nëse këta janë në listë pritjeje, kanë të drejtë të kthehen në pozicionet që sot po hapen si vakante”, – tha ai për “Ora News”. Ndërkohë, sa u përket ndërhyrjeve në ligjin e nëpunësit civil, si edhe vendimit për të kaluar në sitë të gjitha dosjet personale, Bylykbashi tha se ai përbën fshesën e radhës së qeverisë në shërbimin civil. Sipas demokratëve, shkarkimet masive nga administrata shtetërore kanë vetëm një qëllim, zëvendësimin e tyre me militantë partiakë. “Ajo që unë dua të nënvizoj është alarmi se administratës dhe shërbimit civil, mijëra nëpunësve u kanoset një fshesë e re e dhunshme”, – tha deputeti i PD-së.

 

Konkurset

Në muajin tetor pritet të hapen gjithashtu edhe konkurset për vendet e lira të punës në administratë, ku synimi i qeverisë do të jetë ndërtimi i një shërbimi civil modern, që do të negociojë së shpejti anëtarësimin e Shqipërisë me BE-në. “Administrata e ardhshme do të nisë negociatat me BE-në. Negociatat janë tepër ekzigjente, strikte dhe profesionale dhe nëse s’kemi profesionalizëm, është e pamundur të kemi negociata”, – tha dy ditë më parë ministrja për Administratën, Milena Harito. Sipas ministres, konkursi do të jetë korrekt, pasi mekanizmi i ofruar nga ligji i ri nuk krijon hapësira për punësime klienteliste. “Është kandidati ai që do të zgjedhë se në cilin pozicion do të shkojë. I pari për 10 vendet e lira, i dyti për 9 vendet e tjera e kështu me radhë. E ka të pamundur drejtuesi i institucionit të thotë ‘dua këtë person në këtë vend’, vetëm sepse është në listë. Gjithashtu, kemi futur teknologjinë e informacionit, në mënyrë që testet të lënë gjurmë dhe procedura të jetë sa më pak e diskutueshme”, – pohoi ajo. Ndërkaq, brenda pak ditësh, qeveria pritet të propozojë të tjera ndryshime në ligjin e nëpunësit civil, ligj i miratuar me konsensus nga mazhoranca e opozita në fund të majit të vitit 2013, para zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 23 qershorit. Sa u përket ndryshimeve të ligjit, kryesisht ato do të bëhen në kuadër të përshtatjes me ndarjen e re territoriale të vendit, ku shumë komuna u shkrinë. “Një pjesë e bashkive dhe komunave nuk do të ekzistojë më dhe duhet parë si duhet trajtuar rasti i këtyre personave. Ligji duhet të përcaktojë diçka, sot ligji aktual nuk përcakton asgjë. Ka disa çështje që lidhen me trupën e nivelit të lart drejtues, sa duhet të jetë përmasa e kësaj trupe drejtuese, bëhet fjalë për ata që janë sekretarë të përgjithshëm, drejtorë të përgjithshëm”, – ka theksuar ministrja e Inovacionit dhe Administratës. Ligji i nëpunësit civil ka qenë zanafilla e konfliktit mes mazhorancës dhe opozitës menjëherë pas marrjes së pushtetit nga të majtët. PD ka akuzuar qeverinë se ka hedhur në rrugë më shumë se 7 mijë nëpunës të vendit në mënyrë të kundërligjshme. Ndërkohë që qeveria i ka hedhur poshtë akuzat e opozitës, duke nënvizuar rëndësinë e modernizimit të administratës. Për këtë çështje, të shkarkuarit nga puna zhvilluan edhe një grevë urie, e cila përfundoi pas këshillës së komisionerit të Zgjerimit Stefan Füle, i cili premtoi se do ta diskutonte çështjen me kreun e qeverisë, Rama, për të gjetur një zgjidhje.

 

Si do të funksiojnë konkurset

Në muajin tetor do të nisë faza e re e konkurseve për vendet e reja të punës në administratën publike. Në bazë të ligjit të ri të nëpunësit civil, është kandidati ai që do të zgjedhë se në cilin pozicion do të shkojë në vendin e punës.  Mbi këtë ndryshim do të ndiqet procedura sipas së cilës, i pari konkurent do të jetë për 10 vendet e lira, i dyti për 9 vendet e tjera e kështu me radhë. Sipas qeverisë në këtë formë drejtuesi i institucionit e ka të pamundur të zgjedhë me “miqësi” personat në vendet e caktuara të punës.

 

 “Luani Shqiptar 2014”/ Pas përplasjeve, Nishani dhe Kodheli, bashkë në stërvitjen e përbashkët: Angazhim kundër ISIS-it

Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Bujar Nishani, në kuadër të “Ditës së Vizitorëve të Shquar”, vizitoi dje Bazën Ushtarake Detare të “Kepit të Palit” ku ndoqi dhe u njoh nga afër me stërvitjen e përbashkët “Luani Shqiptar 2014”. Gjatë kësaj veprimtarie ku morën pjesë edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar Nicholas Cannon Obe, ishte edhe ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, ku me këtë të fundit përplasjet e Presidentit të vendit kanë qenë jo të pakta. Ndërkaq në përshëndetjen drejtuar të pranishmëve dhe komandove pjesëmarrëse në stërvitje, Nishani tha se dy vendet dhe forcat e armatosura kanë një histori të gjatë bashkëpunimi dhe mbështetje në kuadrin e aleancave gjatë Luftës së Dytë Botërore, për anëtarësimin në NATO dhe udhëtimin drejt Bashkimin Evropian. Duke folur për situatën e trazuar në brigjet lindore të Mesdheut, në një kohë kur mbarë bota i ka sytë edhe tek zhvillimet shqetësuese në Ukrainë, Presidenti u shpreh se “ato përbëjnë një kërcënim serioz për paqen dhe lirinë, një shqetësim të madh për gjithë komunitetin ndërkombëtar dhe padyshim përbëjnë një sfidë kritike për Aleancën e NATO-s”. Duke pasur besim se fryma e solidaritetit, përgjegjshmëria e Liderëve të 28 vendeve aleate, kohezioni me qytetarët do t’i transformojnë këto sfida në mundësi më të mira për qytetarët dhe vendet tona, Presidenti i vendit, në cilësinë e Kryetarit të Shtetit dhe Komandantit të Përgjithshëm siguroi për mbështetjen dhe angazhimin e pakursyer të Republikës së Shqipërisë për të vazhduar bashkëpunimin e shkëlqyer midis dy vendeve dhe ushtrive në kuadrin e NATO-s dhe atë dypalësh.

 

 70-vjetori i çlirimit të Beratit/ Meta: Bashkëpunimi dhe toleranca do ta çojnë përpara Shqipërinë

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, zhvilloi dje homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut në qytetin e Beratit me rastin e 70-vjetorit të çlirimit të qytetit. Kreu i LSI-së u takua me veteranët dhe me familjarët e Dëshmorëve të Atdheut të rënë në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, ku nën tingujt e bandës frymore, si dhe përfaqësuesit e tjerë shtetërorë vendosën kurora dhe buqeta me lule në Memorialin kushtuar dëshmorëve. “Të gjitha gjeneratat dinë t’i festojnë ngjarjet e luftës si rrallë ndonjë qytet tjetër duke treguar se sa të gjalla dhe të freskëta ndodhen idealet e dëshmorëve të Beratit, por edhe të gjithë Shqipërisë. Patjetër që qyteti i Beratit meriton një urim mjaft të ngrohtë dhe të përzemërt sepse jo vetëm që ka një kontribut të jashtëzakonshëm në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, por njëkohësisht edhe Berati sot, të gjitha gjeneratat, dinë t’i festojnë ngjarjet e luftës si rrallë ndonjë qytet tjetër duke treguar se sa të gjalla dhe të freskëta ndodhen idealet e dëshmorëve të Beratit, të Margarita dhe të Kristaq Tutulanit dhe të qindra të tjerëve, por edhe të gjithë Shqipërisë”, – tha ai. Ndërkohë i pyetur nga mediat se cili ishte mesazhi në këtë ditë të shënuar, Kryetari i Kuvendit u shpreh: “Vetëm bashkëpunimi dhe toleranca do ta çojnë përpara Shqipërinë”.