Kuvendi Kombëtar/ Demokratët do të votojnë platformën e re politike. Boçi: Ndryshimet që priten në PD

0
180

Gëzim Saliu

nga kuvendi i pd Deputeti i PD-së: Nuk mund të ketë kontroll mbi delegatët, kur numri i tyre është katërfishuara nga Kongreset e tjera

Kuvendi Kombëtar përbën fazën finale të organizmi të PD-së, ku priten ndryshime në statut si edhe do të vendoset për platformën politike deri në zgjedhjet e ardhshme. Kështu deklaroi dje deputeti demokrat Luçiano Boçi, duke theksuar se ndryshimet në statutin e PD-së do të sjellin ndryshime në organizimin e brendshëm të forcës më të madhe opozitare. “Kongresi zgjedh Këshillin Kombëtar, miraton statutin dhe miraton një rezolutë që përcakton platformën politike deri në zgjedhjet e ardhme më të afërta. Kemi të bëjmë me organizmin final të PD-së. Pas zgjedhjes së Këshillit zgjidhet kryesia e PD-së dhe më pas gjithë pjesa hierarkike. Sikurse ndryshimet statutore do të sjellin ndryshime në organizmin e brendshëm, në sekretariat që do të kenë rol specifik në axhendën politike të PD-së”, – tha ai në një intervistë për “VP”. Ndërkaq, i pyetur lidhur me pretendime ose për tentative për të kontrolluar delegatët e kongresit, ligjvënësi demokrat theksoi se kjo hipotezë nuk qëndron. Sipas tij, mjafton të theksosh faktin se këtë vit në Kuvendin Kombëtar numri i delegatëve do të jetë katërfish më i madh se ai i kaluari për të hedhur poshtë pretendimet e ngritura. “Lidhur me hipotezat e kontrollit të ashtuquajtur të delegatëve, që do votojnë Këshillin, unë do bëja një krahasim lidhur me këtë hipotezë. Si ka mundësi që një sasi delegatësh rreth 7-8 mijë mund të kontrollohet kur Kuvendet e tjera të PD-së janë zhvilluar me një numër shumë herë më të ulët, rreth 2 mijë. Opsioni i parë hedh poshtë hipotezën e tendencës për të kontrolluar delegatët. Udhëzimi është shumë i qartë në argumentet që paraqet, në qendër është një proces mjaft transparent. Pra numri i madh i delegatëve në Kongres përjashton çdo lloj insinuate për të kontrolluar delegatët apo për të orientuar votën e tyre, me një numër të tillë kjo është e pamundur”, – deklaroi ai.

 

Bojkoti

Lidhur me situatën e krijuar në Parlament, pas bojkotit të opozitës, Boçi tha se arsyet e vendimit të PD-së duhet të gjenden tek shkaku i këtij vendimi dhe jo tek pasoja. “Bojkoti është pasoja dhe diskutimi nuk duhet të ngelet tek pasoja, por tek shkaku. Shqetësimi kryesor nuk është opozita që bën bojkoton por pse opozita u çua në bojkot. Dhuna ndaj deputetit demokrat ishte përgatitur ishte e përsëritur. Ky Parlament ka dalë nga funksioni i tij”, – tha ai. I pyetur nëse ka qëndrime të kundërta për bojkotin në PD, ai pohoi: “Nuk ka dy qëndrime, vetë PD ka qenë e hapur për vendimmarrjet progresive sidomos, në raport me Parlamentin. Ka pasur diskutime për të ndërprerë bojkotin e nisur dhe sigurisht këto janë nisma personale, të cilat tregojnë që ekziston një demokraci e kërkuar brenda PD. Të gjithë deputetët i janë bindur një vendimi politik që është bojkoti”. Ndërkohë lidhur me prurjet e reja në PD dhe mundësitë e bashkëpunimit mes gjeneratës së vjetër me atë të re, deputeti demokrat theksoi se harmonizimi është proces i rëndësishëm në këtë aspekt. “Në të gjitha organizimet politike ndjehet ajo që quhet lufta e brezave, është një motor që vë në lëvizje partinë, asnjëherë nuk mund të shuhet. E mira e çdo partie është harmonizimi i interesave të brezave. Asnjë njeri që ka investuar 20 vite nuk do të hedhë tej karrierën e tij politike ashtu sikurse asnjë i ri që ka nisur karrierën nuk do të donte ta linte atë përgjysmë. Prandaj duhet harmonizimi mes tyre”, – tha ai. Lidhur me bilancin e qeverisë në 1 vit pushtet, Boçi akuzoi mazhorancën se në 365 ditë ka pasur si synim kryesor sulmin ndaj opozitës dhe jo përmbushjen e standardeve. “Në një vit qeverisje, e cila sfidë nuk ka pasur me programin e saj, me arritjet e premtimeve që lançoi, shqiptarët sot janë shumë më të varfër, por lufta ka qenë thjesht me opozitën. Ajo që është bërë është goditja e opozitës në të gjitha nivelet, në administratë, në pushtet lokal, në Parlament”.

 

 Vizat Shengen/ Nga 25 shtatori, BE: Shenjat e gishtit për aplikuesit me qëndrim të shkurtër

BE-ja ka bërë të ditur se nga 25 shtatori 2014, konsullatat e gjithë shteteve Shengen do të përdorin Sistemin informativ për Viza (VIS), që do të thotë se për aplikuesit për vizë qëndrimi të shkurtër do të jetë e nevojshme për të dhënë shenjat e gishtave të tyre. Teksa VIS lidhet ekskluzivisht për qëndrim të shkurtër me viza Shengen, qytetarët shqiptarë që mbajnë një pasaportë biometrike nuk do të preken dhe do të jenë në gjendje të vazhdojnë të gëzojnë të drejtën e qëndrimit të shkurtër me udhëtimin pa viza në vendet e Shengenit. Megjithatë, në bazë të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, shqiptaret për shkak të kombësisë së tyre do të jenë subjekt i procedurës VIS, e cila është një bazë të dhënash qendrore për shkëmbimin e të dhënave për-vizat me qëndrim të shkurtër (deri në 3 muaj) ndërmjet autoriteteve të Shteteve Shengen. Futja e VIS në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi në 25 shtator 2014 ndjek vendosjen e saj të mëparshme në të gjithë botën që nga tetori 2011, së fundmi në maj 2014 në Evropën Qendrore dhe Amerikën e Veriut, Karaibe dhe Australi. Me VIS, aplikantët e vizave për herë të parë do të duhet të paraqiten personalisht, kur realizojnë një aplikim në mënyrë që të sigurohet fotografia e tyre dixhitale dhe shenjat e gishtave. Këto të dhëna biometrike, së bashku me të dhënat e siguruara në formularin e aplikimit për vizë, garantojë procedurat e sigurta, të sakta dhe efikase. Rregullat e rrepta për mbrojtjen e të dhënave përcaktohen në Rregulloren VIS dhe implementimi i tyre është i mbikëqyrur nga autoritetet kombëtare dhe evropiane për mbrojtjen e të dhënave. Çdo person ka të drejtë të marrë komunikimin e të dhënave të regjistruara në VIS ne baze të vendit Shengen që ka te dhënat. Çdo person mund të kërkojë që të dhënat të pasakta në lidhje me atë të korrigjohen dhe se të dhënat e regjistruara në mënyrë të paligjshme të fshihen.

 

 Dita Ndërkombëtare e Demokracisë/ Ambasada e SHBA-së: Demokracia, vlerë universale

Ambasada e SHBA-së në Tiranë, nëpërmjet rrjetit “Facebook”, ka postuar në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë postulatin “Demokracia është vlerë universale”, duke e shoqëruar me një foto të Presidentit të SHBA-së, Barak Obama. “15 shtatori është Dita Ndërkombëtare e Demokracisë. Sipas Kombeve të Bashkuara, demokracia është një “vlerë universale që bazohet në shprehjen e lirë të vullnetit të njerëzve për të përcaktuar sistemet e tyre politike, ekonomike, sociale dhe kulturore, si dhe ndikimin që ato kanë në të gjitha aspektet e jetëve të tyre”, – thuhej në postimin e Ambasadës së SHBA-së ne Tiranë.