Florenc Drizari
Fino e Xhafaj, replika për projektligjin “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”
Komisioni i Ligjeve miratoi dje në tërësi projektligjin “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”. Mbledhja e u shoqërua me debate mes vetë anëtarëve të grupit të PS-së, ndërsa ra në sy prania e dy deputetëve të opozitës, të cilët formuan numrin e nevojshëm të votave për të miratuar ligjet, si deputeti i PDIU-së, Tahir Muhedini, dhe deputeti i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka. Ndërsa Tahiri votoi pro projektligjit “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”, deputeti Ndoka votoi kundër nismës së qeverisë. Më herët deputetë të PDIU-së kanë marrë pjesë në disa votime të mazhorancës në Kuvend (ligji për reformën administrative-territoriale), ndërsa deputeti i PDK-së, edhe pse ka qenë i pranishëm, nuk ka pranuar të bashkojë votat me shumicën parlamentare. Prezenca e tyre në komisione dhe seanca plenare vjen në kohën kur opozita prej rreth dy muajsh ka vendosur të bojkotojë Kuvendin e Shqipërisë.
Debatet
Në mbledhjen e së martës në Komisionin e Ligjeve pati shkëmbime replikash mes kryetarit Fatmir Xhafaj dhe deputetit socialist Bashkim Fino për detyrimin e parashikuar në ligj në dhënien e informacioneve për azilantët UNHCR-së. “Pika dy e nenit 14 më acaron. Ky ligj është për institucionet tona e jo për t’u përshtatur me ligjin kroat. Jam dakord që të dhënat t’ia japim në formë bashkëpunimi UNHCR-së, por jo në formë detyrimi”, – deklaroi Fino. Nga ana e tij, përfaqësuesi i qeverisë pranon vërejtjen e deputetit, ndërsa kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, paralajmëroi përfaqësuesit e qeverisë që të kenë kujdes në zbatimin e konventave ndërkombëtare, sepse ato, tha ai, nuk lëvizen.
Pas miratimit të projektligjit “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”, anëtarët vijuan me miratimin në tërësi të projektligjeve “Për mbrojtjen e të dhënave personale” të ndryshuar dhe për projektligjin “Për të drejtën e informimit”. Sipas mendimeve, informacion publik është çdo e dhënë e regjistruar në çfarëdo lloji forme dhe formati, gjatë ushtrimit të funksionit publik, pavarësisht nëse është përpiluar ose jo autoriteti publik. Sipas projektligjit, autoriteti publik krijon, mban dhe bën publik në një regjistër të posaçëm, ku pasqyrohen të gjitha kërkesat për informim dhe informacionet e dhëna në përgjigje të tyre. Ky regjistër përditësohet çdo 3 muaj dhe publikohet në faqen e internetit të autoritetit publik si dhe në mjediset e pritjes së publikut në zyrat e autoritetit publik. Identiteti i kërkuesve të informacionit nuk pasqyrohet në regjistër, ndërsa në rast të mosrespektimit të dispozitave të ligjit “Për të drejtën e informimit”, parashikohen dhe përgjegjësi administrative.
E drejta për informim/ Gjobë për zyrtarët që nuk japin informacion
Komisioni i Ligjeve ka miratuar në tërësi projektligjin për “Për të drejtën e informimit”. Sipas këtij projektligji, 1 deri në 6 paga, do të jetë masa ndëshkuese për zyrtarin, i cili nuk jep informacion e kërkuar nga qytetarët në bazë të ligjit. Kompetencën për caktimin e masës së gjobës do ta ketë Komisioneri për të Dhënat Personale, ndërkohë ekzekutimi i vendimit do të bëhet brenda 30 ditësh. Projektligji, i cili u miratua nen për nen në Komisionin e Ligjeve, parashikon që personi i cili kërkon informacion nuk është i detyruar që të japë motivet e kërkimit të informacionit në fjalë. Drafti i qeverisë përcakton të drejtën e çdo qytetari për të kërkuar informacion si dhe detyrimin e institucioneve për të informuar publikun brenda 10 ditësh.
Përkujtohet 72-vjetori i Konferencës së Pezës, nostalgjikët shfaqen me fotot e Enverit
Politikanë, veteranë të Luftës si dhe qytetarë të ndryshëm, përkujtuan dje 72-vjetorin e Konferencës së Pezës. Ceremonia u zhvillua në fshatin Pezë e Madhe të Tiranës, ndërsa në këtë aktivitet morën pjesë Kryetari i Parlamentit Ilir Meta, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, kryetari i grupit socialist Gramoz Ruçi, veteranë, deputetë, si dhe personalitete të ndryshme të vendit.
Në fjalën e tij Meta tha se “Pezë do të thotë bashkim. Pezë do të thotë atdheu mbi të gjitha dhe kushtrimi që vjen sot pas kaq dekadash, nga Konferenca e Pezës e 16- shtatorit të vitit 1942 duhet të ligjërohet nga të gjithë, duhet t’ua transmetojmë edhe brezave që vijnë. Pra, bashkim dhe bashkëpunim edhe brezave që vijnë pa dallim feje, krahine dhe ideje në interes të atdheut, në interes të kombit”. Pas aktivitetit të zhvilluar në Pezë, disa deputetë të PS-së zhvilluan vizita edhe në shtëpinë e deputetit Dashamir Peza. Ndërkaq, Konferenca e Pezës njihet si përpjekje për njësimin e faktorit shqiptar, duke e renditur vendin përkrah koalicionit botëror antifashist. Platforma kryesore e Konferencës ishte bashkimi i shqiptarëve pa dallim feje, krahine dhe ideje në frontin nacionalçlirimtar. Ndërkaq, më herët, nën ngjyrat e simbolet komuniste, kanë festuar mesditën e së martës edhe veteranët e Luftës. Sipas axhendes nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinise, duhet të mbahej dhe ceremonia e homazheve për dëshmorët e Pezës. Por homazhet zyrtare ishin bërë që në orën 10 dhe pa njoftim. Ndryshimi i orarit te homazheve, duket u bë që të ftuarit e ceremonisë zyrtare të mos ngatërroheshin me komunistët dhe nostalgjikët e sistemit të kaluar, të cilët megjithatë, i kryen ritet e tyre.