Gëzim Saliu
Kreu i PD-së, Jenkins-it: Duhet insistimi i prerë i partnerëve ndërkombëtarë në ruajtjen e standardeve demokratike
Partia Demokratike dhe zëri i partnerëve ndërkombëtarë do të bëjnë të mundur ruajtjen e standardeve demokratike të arritura në vend, të cilat po shemben një e nga një nga mazhoranca qeverisëse. Ky ishte qëndrimi që shprehu dje kreu i PD-së, Lulzim Basha,ë takimin e zhvilluar me drejtorin për Ballkanin Perëndimor dhe Zgjerimin në Ministrinë e Jashtme të Britanisë së Madhe, Owen Jenkins, duke theksuar nga ana tjetër se shkeljet e qeverisë ndaj Kushtetutës dhe ligjit janë të panumërta. “Në këto kushte, insistimi i prerë i partnereve ndërkombëtarë në ruajtjen e standardeve demokratike që shqiptarët me aq mund kanë ndërtuar gjatë këtyre viteve dhe beteja e përditshme e vendosur e opozitës në mbrojtje të demokracisë është dhe mbetet e vetmja mënyre për t’i vënë fre revanshit të kësaj mazhorance për zëvendësimin e demokracisë në Shqipëri me një regjim oligarkik”, – tha Basha.
Takimi
Pasi i shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe ndihmesën që Britania e Madhe i ka dhënë në vijimësi demokracisë në Shqipëri dhe procesit të integrimit të vendit në BE, kryedemokrati vendosi në qendër të diskutimit shqetësimin e opozitës për mosrespektimin e Kushtetutës nga mazhoranca, parimeve themelore të shtetit të së drejtës dhe dispozitave baze për mirëfunksionimin e institucionit parësor të demokracisë, siç është rregullorja e Kuvendit. Në këtë kontekst, Basha tha: “Shkelja e vazhdueshme e Kushtetutës, refuzimi i kontrollit demokratik opozitar përmes komisioneve parlamentare hetimore, injorimi dhe moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të gjykatave të vendit, mohimi i fjalës së lirë të opozitës përmes ushtrimit të dhunës verbale dhe fizike nga elemente kriminalë të mazhorancës në Kuvendin e Shqipërisë, të orkestruar dhe drejtuar nga Kryeministri Rama, kanë reduktuar në zero çdo hapësirë demokratike për opozitën, duke e detyruar atë të ndërpresë marrëdhënien me Kuvendin. Më tej, kreu i PD-së pohoi se përtej thirrjeve të vazhdueshme të opozitës, mazhoranca Rama-Meta jo vetëm që nuk ka reflektuar për kriminalizimin e Kuvendit dhe ngjarjet e papranueshme të dhunës ndaj deputetëve të opozitës, por ka vijuar dhe intensifikuar, sipas tij, fushatën e kapjes së institucioneve të pavarura, Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Shkollën e Magjistraturës dhe gjykatat e vendit. Këto akte të fundit kanë ndodhur, sipas kreut të opozitës, në kundërshtim të hapur e publike me partnerët strategjikë ndërkombëtarë. Ndërkaq, në takimin me zyrtarin e lartë britanik, Basha vuri në dukej gjithashtu edhe shqetësimin e thellë që ka shkaktuar goditja e konsensusit nga ana e mazhorancës, si edhe reforma në shërbimin civil, e cila sipas demokratëve, la në mes të rrugë mbi 9 mijë nëpunës, që janë zëvendësuar me militantë partiakë. Në këtë linjë, kryetari i PD-së veçoi edhe rrezikun për liritë dhe të drejtat e qytetarëve nga mbushja e administratës dhe organeve të ruajtjes së rendit me elementë kriminale, apo nga ndarja antikushtetuese e groteske administrative e vendit nga dyshja drejtuese e mazhorancës qeverisëse.
Denoncimi i PD-së/ Ndërtimet pa leje, Bumçi: Zbatimi i ligjit po bëhet sipas dëshirës së pushtetarëve
Deputeti i PD-së, Aldo Bumçi, denoncoi dje atë që e quajti zbatimin e ligjit sipas dëshirës së pushtetarëve, duke iu referuar një ndërtimi pa leje, që sipas tij, po e ndërton daja i ministrit të Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj. “Dyshja Rama-Meta po demonstron çdo ditë se për ta ka dy standarde për shtetin ligjor dhe zbatimin e ligjit. Ligji është opsional, fakultativ, i zbatueshëm sipas dëshirës kur vjen puna për njerëzit e tyre. Dhe ligji është i ashpër për qytetarët e tjerë të vendit që nuk janë pjesë e oligarkisë. Mediat raportojnë çdo ditë arrestime dhe procedime penale të shumëkujt që rregullon avllinë, suvaton muret e shtëpisë, riparon çatinë”, – tha Bumçi. Në këtë kontekst, deputeti demokrat theksoi se kryetari i Komunës Blinisht arrestohet për murin e jashtëm të shtëpisë e ndërkohë: “Kryetari i Bashkisë së Urës Vajgurore, që ndërton pallat në mes të ditës në mes të qytetit jo vetëm nuk është arrestohet, por as nuk procedohet dhe madje as qortohet. Kemi këtu vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Apelit të Vlorës, që e shpall të paligjshme lejen e dhënë nga ky kryetar Bashkie, për ndërtimin që ai vetë po bën. Pra ai po ndërton pa leje. Por kryetarin e Bashkisë së Urës Vajgurore nuk e kap ligji se është daja i ministrit Erion Veliaj”. Më tej, Bumçi theksoi se kryetari i Bashkisë së Urës Vajgurore nuk e zbaton vendimin e Gjykatës, sepse vendimet e gjykatave nuk i zbaton as Kryeministrit Rama dhe as Kryeparlamentari Meta. “Oligarkia thotë se udhëheq me shembull personal. Ja shembulli personal: ndërtimi pa leje, moszbatimi i ligjit, moszbatimi i vendimit të gjykatave”, – tha ai, ku në emër të Partisë Demokratike i bëri thirrje Prokurorisë të nisë menjëherë procedimin për shkeljen e ligjit.
5 ligjet në Kushtetuese/ Zbardhen draftet e kundërshtisë së opozitës për KLD-në dhe administrativen
Ashtu siç edhe u paralajmërua nga kryedemokrati Basha, PD ka gati draftet e kundërshtisë ndaj 5 ligjeve të miratuara nga mazhoranca qeverisëse, për të cilat kjo e fundit rrëzoi të gjitha dekretet e Presidentit Nishani. PD do t’i dërgojë të pesta ligjet në Gjykatën Kushtetuese, duke argumentuar se cilat janë nenet që kanë shkelur ligjin themeltar të vendit. Kështu lidhur me ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, PD do të kundërshtojë nenin që sanksionon pezullimin automatik me ligj të gjyqtarëve nga detyra, në ligjin për KLD-në, është një shkelje e rëndë. “Duke vendosur pezullimin nga detyra për të gjitha afatin e shqyrtimit të çështjes gjyqësore nga momenti i marrjes së statusit të të pandehurit, si dhe duke mos parashikuar që nëse gjykata e deklaron të pafajshëm me vendim gjyqësor të formës së prerë gjyqtarin, ai do të përfitojë të gjitha të drejtat që burojnë nga statusi i gjyqtarit për kohën e pezullimit, legjislatori de facto vendos kufizimin e kohës së qëndrimit në detyrë të gjyqtarit, në mënyrë jo proporcionale dhe në kundërshtim me nenin 138 të Kushtetutës”, – thuhet në argumentin e PD-së. Po ashtu në shkelje të Kushtetutës, demokratët gjejnë dhe nenin 3 dhe 6 te ligjit, mbi rrethanat dhe procedurën e verifikimit dhe shkarkimin e anëtarëve të KLD-së. “Shtesat dhe ndryshimet në ligji mbi këtë çështje, të përfshira në nenet 3-6 të tij, jo vetëm dobësojnë vetëqeverisjen e gjyqësorit, por vijnë në kundërshtim edhe me vetë rregullimin që Kushtetuta i ka bërë funksionimit të pavarur të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në përputhje me standardet e parimit të ndarjes midis pushteteve”. Ndërkaq, në ligjin për Gjykatën Administrative, PD kundërshton ndryshimin e nenit 2 ku i njeh Kancelarit, i cili është vartës i Ministrit të Drejtësisë, të drejta ekskluzive për propozimin e emërimit, lirimit dhe shkarkimit të ndihmësit ligjor. “Ndërhyrja e pushtetit ekzekutiv, nëpërmjet Kancelarit në procedurën e emërimit, lirimit apo shkarkimit nga detyra të ndihmësit ligjor, përcaktimi i ekskluzivitetit të ministrit të Drejtësisë për të shpallur procedurat e plotësimit të vendeve vakante, përzgjedhja e kandidatëve nga një strukturë që në shumicën e vet përbëhet nga anëtarë jashtë sistemit gjyqësor, bie ndesh me standardet kushtetuese lidhur me pavarësinë e gjykatave dhe të gjyqtarëve”, – theksohet në draftin e PD-së.