Raporti/ Niveli arsimor, BB: Më i ulëti në rajon. 

0
197

Florenc Drizari

eri rama arsimiRama: Arsimi i lartë, nën filtrin e Kuvendit

 “Arsimit i kishte humbur busulla, pas një viti pune kemi rigjetur busullën”

 Një raport i Bankës Botërore, i publikuar një ditë më parë, thekson se nxënësit shqiptarë krahasuar me ata të vendeve të Bashkimit Evropian janë dy vite pas në nivelin e dijeve. Drejtorja e Bankës Botërore për Ballkanin theksoi se niveli i nxënësve shqiptarë është më i dobët se pritshmëritë që kishte ky institucion, ndërsa deklaroi se duhen investime më shumë për rritjen e aftësive të nxënësve. I pranishëm në këtë konferencë, ishte edhe Kryeministri Rama, i cili akuzoi qeverinë e kaluar për politikat e ndjekura në arsim. Rama deklaroi se synimi i qeverisë është krijimi i një sistemi arsimor zinxhir, me linjë logjika për fëmijët nga 3-18 vjeç, ndërsa u shpreh se arsimi në vend ka arritur të gjejë busullën e orientimi në sajë të reformave të qeverisë.

“Arsimit i kishte humbur busulla, pas një viti pune kemi rigjetur busullën dhe kemi vendosur pika të qarta orientimi duke u nisur nga themeli. Po të shohim analizën e situatës, sistemi ishte jo koherent duket sikur vitet e shkollës janë copa pa lidhje me njëra tjetrën po ti shohim. Synimi ynë bazë në gjithë paketën arsimore është krijimi i një sistemi logjik që e ndjek fëmija nga 3 deri në 18 vjeç që vazhdon me një vijë logjike deri në arsimin e lartë”, – deklaroi Rama.

Në lidhje me mësimdhënien, Rama tha se nuk do të ketë mësues jashtë profileve. “Skanimi i plotë i të gjitha profileve të mësuesve që janë aktualisht në sistem. Kemi një mospërputhje unikale në botë mes profilit dhe lëndës që mësuesit japin në një masë që shkon edhe mbi 50%. Merret me mend produkti i këtij procesi mësimor”.

Më tej kryeministri tha se ligji për arsimin e lartë do të hyjë brenda këtij viti në filtrin e Kuvendit, ndërsa tha se arsimi i lartë shpëtoi nga një kancer agresiv, duke iu referuar kështu universiteteve të mbyllura. Sipas tij, të gjitha institucionet sipas kreut të qeverisë duhet të kapërcejnë testin e akreditimit.

“Reforma në arsimin e lartë u bë për të ndalur hemorragjinë e arsimit të lartë që bashkëjetoi për vite duke përmbytur një pafundësi ëndrrash të të rinjve. Nuk do ketë më të rinj me diploma që nuk gjejnë dot një punë”, – tha Rama.

Ndërkaq, pasditen e djeshme Kryeministri Edi Rama vizitoi ekspozitën “Katolicizëm dhe kulturë”, një kolazh veprash të personaliteteve katolike, emra të rëndësishëm të kulturës dhe artit shqiptar, si: Buzuku, Bogdani, Bardhi, Fishta, Gjeçovi e shumë të tjerë.

Ekspozita e organizuar nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, me rastin e vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, përçon përmes veprave dialogun ndërfetar dhe tolerancën fetare në Shqipëri. Kryeministri Rama, teksa ftoi që kjo ekspozitë të vizitohet gjerësisht, ndërsa shtoi se gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Papa Françesku do të sjellë enkas për Bibliotekën Kombëtare një kopje të Mesharit të Gjon Buzukut. “Kam përfituar nga kontakti me Papën për t’i kërkuar një kopje besnike të dixhitalizuar me teknologjinë më të lartë të “Mesharit” të Gjon Buzukut për Bibliotekën Kombëtare. Kemi marrë konfirmimin se Papa do të vijë bashkë me këtë kopje unikale të Mesharit të Gjon Buzukut që do t’i shtohet Bibliotekës Kombëtare”, – deklaroi Rama.

 

 Plani rregulluese, rreth 14 mijë objekte rrezikojnë të përjashtohen nga legalizimi

ALUIZNI paralajmëroi dje se rreth 14 mijë objekte penalizohen nga legalizimi për shkak të planit rregullues. Të dhënat u bënë të ditura nga kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, i cili thekoi se planet rregullues të disa komunave dhe bashkive nuk kane marrë parasysh gjendjen ekzistuese. “Situata më problematike është në Kamëz dhe Paskuqan. Janë rreth 14 mijë objekte për të cilat vazhdimi i procesit të legalizimit paralizohet nga këta kryekomunarë. Vetëm në Kamëz janë 4 mijë aplikues që rrezikojnë të përjashtohen nga legalizimi. Bulevardi “Berisha” në Kamëz ka shumë objekte të bllokuara, kjo pasi përgjatë gjithë bulevardit ishin parashikuar ndërtime shumëkatëshe”, – u shpreh Lame.

Ai theksoi se njësitë më të rrezikuara janë njësia 6 dhe 7, “ish-Fusha e Aviacionit” dhe Kombinati. Drejtorja e ALUIZNI-t për zonën e Kombinatit, Ori Myzeqari, theksoi se në këtë zonë rrezikojnë përjashtim nga legalizimi 5 mijë objekte.

“Ne po përgatisim kërkesën zyrtare drejtuar Kryeministrit Rama, në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar të Territorit, për të rishikuar: 1. Planin e Përgjithshëm rregullues të Tiranës, dt. 15.2.2013. 2. Planin e Përgjithshëm rregullues të Bashkisë Kamëz, dt. 20.12.2012. 3. Planin e Përgjithshëm rregullues të Komunës Paskuqan, dt. 10.5.2013. E gjitha kjo, bazuar mbi një analizë reale të gjendjes faktike në terren, informacion që e disponon të plotë vetëm ALUIZNI”, – deklaroi Lame. Ndërsa drejtori i ALUIZNI-t për Qarkun e Tiranës, Paulin Rajta, theksoi se në pallatet e parashikuara nga Bashkia Kamëz, 4 mijë aplikues përjashtohen nga procesi i legalizimit. Kjo, pasi në projektin e Bashkisë janë parashikuar që të ndërtohen pallate deri në 9 kate. Ndërsa në Komunën e Paskuqanit përjashtohen nga legalizimi 5 mijë aplikues.