Ndryshon buxheti/ Si ndahen paratë  për shtresat në  nevojë dhe investimet

0
144

Florenc Drizari

mbledhje qeverie Kryeministri Rama: Rishikim i parë i buxhetit në rritje pas 5 vitesh.  

Financojmë 51 projekte që kanë mbetur rrugëve

 Qeveria ndryshon buxhetin e shtetit për vitin 2014, duke pretenduar shtesa të ardhurash me disa dhjetëra milionë dollarë. Edhe pse ekzekutivi nuk publikon saktë se sa janë shtesat në buxhetin e shtetit, rreth 3.2 miliardë lekë ose 32 milionë dollarë do të shkojnë që këtë vit për uljen e deficitit dhe të borxhit publik. Qeveria thotë se kjo marrëveshje është e dakordësuar me FMN-në, ndërsa mësohet se 4.3 miliardë do të vendosen në dispozicion të personave me aftësi të kufizuar, paraplegjikë e tetraplegjikë, invalidë. Kryeministri Edi Rama tha dje se rishikimi i buxhetit në rritje bëhet për herë të parë pas pesë vitesh, ndërsa theksoi se për shtresat në nevojë, shteti u lan përfundimisht borxhet.

“Borxhe të akumuluara nga mungesa e plotë e ndjeshmërisë ndaj kësaj shtrese, nga brutaliteti i një modeli qeverisës të bazuar tek propaganda për të sunduar dhe jo tek rezultatet për të shërbyer dhe i jep fund padrejtësisë më të madhe sociale, të kthyer në instrument, për të spostuar paratë që i detyroheshin asaj shtrese në drejtime të tjera, në funksion të pushtetërimit dhe jo të qeverisjes”, – tha Rama.

Gjithashtu, qeveria deklaron se 152 milionë dollarë që shkojnë për investime; kryesisht për infrastrukturën rrugore, duke filluar nga rruga e Valbonës, tek rruga Kukës-Krumë në Has; rruga Lushnjë-Berat; rruga Lin-Pogradec; segmentet e rrugës Plepa-Rrogozhinë, si dhe do të financohen në pjesën më të madhe të tyre segmentet Korçë-Ersekë.

“51 projekte që kanë mbetur rrugëve, – flasim infrastrukturë rrugore, – dhe që kanë arritur të financohen deri në plus 50%, do të financohen 100%. Pra, gjithë pjesa e mbetur financohet tani dhe do të investohemi fuqimisht, që t’u rrimë në kokë kompanive që të punojnë ditë-natë, për t’i realizuar ato investime. Ndërkohë që, janë 100 projekte të tjera, nëpër gjithë Shqipërinë, të pashpresa, të çelura pa para, shirita të prerë, ekskavatorë që kanë hedhur çakull ditën e inaugurimit dhe pastaj, një financim tërësisht i dobët, që do të futen në programin e financimeve, për të shtyrë më tutje procesin, por pa mundësinë për t’i përfunduar brenda këtij viti”, – deklaroi Kryeministri Edi Rama pas mbledhjes së djeshme të qeverisë. Për sa i përket infrastrukturës shëndetësore, Kryeministri tha se do të investohen 1.1 miliardë në mjete emergjence, rreth 20 autoambulanca të reja, helikopterë të ndihmës së shpejtë si dhe dy pajisje dialize. Duke folur për shpërndarjen e fondeve për infrastrukturën arsimore, Rama tha se janë 7 milionë dollarë për financimin e projektit të kalimit nga librat tek tabletat dixhitale. Kryeministri iu rikthye edhe gjendjes së Policisë së Shtetit, i cili e etiketojë atë si “policia më e shkatërruar e kontinentit, ndoshta dhe e botës nga pikëpamja e mjeteve”. Sipas tij, janë 300 milionë lekë që do të hyjnë në mbështetje të Ministrisë Brendshme për mjete të reja policore. Për sa i përket infrastrukturës teknologjike, Rama deklaroi se rreth 4.5 milionë dollarë do të shkojnë për ortophoto ose fotografim dixhital i territorit.

 

Xhamia e re, Rama: Vëmë në dispozicion fondin e shpronësimit

Kryeministri Edi Rama premtoi sërish dje ndërtimin e xhamisë së re në kryeqytet. Duke e quajtur një lajm në vigjilje të vizitës së 21 shtatorit në Shqipëri të Papa Françeskut, Rama tha se qeveria me anë të mbështetjes së tij projekti dëshmon edhe vullnetin e plotë për të promovuar harmoninë dhe bashkëjetesën fetare. “Nga njëra anë do të mbyllim kapitullin e të gjithë kalvarit të gjatë që ka penguar ndërtimin e xhamisë së re, duke vënë në dispozicion fondin e shpronësimit. Do të mbajmë zotimin që do të kemi një xhami të re pa pallat dhe supermerkato ngjitur, dhe jo një pallat me supermarkato me xhami ngjitur, siç ishte projekti i propozuar nga Bashkia e Tiranës, për arsye që i di Bashkia e Tiranës, por që i dimë dhe ne, i dinë të gjithë, por nuk jemi këtu duke marrë përsipër të themi se kush e kishte pallatin, kush e kishte supermarkaton, e kush do vinte të falej aty pranë, sikur po merrte thjesht dhe vetëm një lëmoshë. Parku i vënë në dispozicion do të jetë parku i besimit dhe i besimtarëve, pa pallate, pa supermarkato, pa apartamente për të shitur, pa apartamente për të mbajtur”, – deklaroi Rama. Ndërsa për teqenë e madhe të bektashinjve, Kryeministri u shpreh se qeveria do të financojë drejtpërdrejt pjesën e mbetur.

 

 Ndryshon sistemi tatimor, qeveria i heq inspektorët pushtetit lokal

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të administrojë gjithë sistemin tatimor në Shqipëri, përfshi edhe ato kompetenca që aktualisht i kanë edhe vendorët. Kryeministri Edi Rama deklaroi një ditë më parë se sipërmarrësit nuk do të përballen më me më inspektorë të ndryshëm të tatimeve, një nga pushteti lokal dhe një nga ai qendror. “Në fund është diçka tjetër që kam shumë dëshirë ta them. Morëm përsipër një nga reformat e rëndësishme që t’ua heqim nga qafa sipërmarrësve të vegjël dhe sipërmarrësve të mëdhenj, të gjithë sipërmarrësve në përgjithësi, dy palë tatimorë dhe të kemi një sistem administrimi tatimor, duke e hequr nga pushteti vendor dhe duke e lënë në administrim të Tatimeve të Republikës së Shqipërisë. Çfarë ka sjellë kjo? Kjo ka sjellë një shumë të konsiderueshme të ardhurash shtesë dhe një ulje të konsiderueshme të telasheve për biznesin e vogël, për dyqanxhinjtë dhe për gjithë ata që jetojnë me një biznes të vogël, si pasojë e presingut të vazhdueshëm të gjithfarëlloj fytyrash dhe gjithfarëlloj xhandarësh që vijnë nga gjithfarëlloj drejtimesh”, – deklaroi Rama. Sipas tij, shuma e mbledhur do t’u jepet sërish bashkive që ta administrojnë komunitetet që përfaqësojnë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency