Gëzim Saliu
OSBE: Polarizimi politik ka dëmtuar Kuvendin, qeveria, arritje me Lazaratin dhe reformën territoriale
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Florian Raunig, paraqiti dje në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vjenë raportin vjetor për Shqipërinë, në të cilin vlerësoi se polarizimi politik ka dëmtuar punën dhe atmosferën në Parlament. “Opozita nuk ka marrë pjesë aktive në disa procese të rëndësishme reformash dhe një numër i konsiderueshëm paketash legjislative të rëndësishme është miratuar vetëm me votat e shumicës. Pas një përballjeje verbale dhe, më pas, fizike në Parlament mes dy deputetëve të shumicës dhe njërit të opozitës në korrik, opozita vendosi të bojkotonte të gjitha procedurat parlamentare deri në një njoftim të dytë. Duke u nisur nga atmosfera në përkeqësim në Kuvend, e cila kulmoi me incidente agresioni verbal dhe fizik, Prezenca, në bashkëpunim të ngushtë me administratën e Kuvendit dhe ODIHR-in, punoi për të finalizuar një Kod Sjelljeje për deputetët, i cili po pret miratimin e Kuvendit”, – theksohej në raport. Por një raport i tillë për ngjarjen, e cila ka nxitur bojkotin e opozitës ndaj Parlamentit, nuk është mirëpritur aspak nga deputeti protagonist Gent Strazimiri, i cili përmes një reagimi në rrjetin social “FB”, kritikoi ambasadorin Raunig për keqinformim. “Me keqardhje mora vesh që sot në raportimin Tuaj në Vjenë, keni keqinformuar duke deklaruar se “…pas një përballjeje verbale dhe, më pas, fizike në Parlament mes dy deputetëve të shumicës dhe njërit të opozitës në korrik, opozita vendosi të bojkotonte të gjitha procedurat parlamentare deri në një njoftim të dytë”. Duke qenë se ndryshe nga pjesa tjetër e Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, Ju nuk përfaqësoni “shtet” apo “interesa”, por standarde, e gjej të papranueshme të konsideroni “dhunë verbale” denoncimin e prezencave kriminale në Kuvendin Shqipërisë dhe të përligjni (madje me fjalorin “copy paste” të Edi Ramës) dhunën e orientuar e të urdhëruar “live” pikërisht nga ai e të publikuar në media”, – theksoi deputeti i PD-së. Më tej, ai tha se pikërisht në bazë të standardeve demokratike, askush nuk do të kishte pritshmëri pozitive ndaj “reformës në drejtësi” në një shtet ku, sipas tij, vota vendimtare në Parlament vendoset nga persona me rekorde kriminale. “Kini mirësinë Shkëlqesi, që për vendin tim të mos raportoni me optimizëm të rrejshëm, standard që në vendin tuaj s’do të guxoni për asnjë sekondë t’u bëni avokatinë. Kini mirësinë Shkëlqesi, të kryeni thjesht detyrën Tuaj, e cila konsiston thjesht në përqasjen e realitetit me standard demokratike, jo me diçka të përafërt që dikujt të mos i prishen planet. Mos luani me vendin tim Shkëlqesi!”, – mbylli komentin e tij ligjvënësi demokrat Gent Strazimiri.
Raporti
Ndërkaq, në raportin e OSBE-së, theksohej se që prej marrjes së detyrës në shtatorin e vitit 2013, qeveria zhvilloi një vizion ambicioz të reformave që nevojiteshin për të përmirësuar gjendjen politike, ekonomike dhe sociale në Shqipëri dhe për të shënuar përparim të mëtejshëm në qëllimin parësor të politikës së jashtme, atë të integrimit evropian. “Edhe pas një viti, është e vështirë të gjykosh nivelin e përgjithshëm dhe qëndrueshmërinë e progresit. Qeveria ka dhënë prova se është e aftë për veprime konkrete (për shembull, duke rritur përpjekjet për të luftuar korrupsionin përmes ndryshimeve në Kodin Penal dhe në Kodin e Procedurës Penale, përmirësimit të aksesit në drejtësi për viktimat e dhunës në familje dhe të trafikimit, apo masave për fuqizimin e drejtpërdrejtë ekonomik të grave në familjet në nevojë)”, – theksohet në raportin e paraqitur nga ambasadori i OSBE-së në Shqipëri. Ndërkaq, më tej në të nënvizohet se më të dukshmet ishin arritjet në hapat e hershëm kundër kultivimit të drogës, ku veçohet përpjekja e suksesshme për të rivendosur kontrollin në Lazarat, e cila cilësohet si qendra famëkeqe e kultivimit dhe trafikimit të kanabisit. “Qeveria, po ashtu, ka dëshmuar qëndrueshmëri në drejtimin e një reforme strategjike dhe aq të domosdoshme në strukturën e qeverisjes vendore. Ky vrull çoi në arritjen më domethënëse gjatë periudhës së raportimit: vendimin e Këshillit Evropian, në qershor 2014, për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian”, – thuhet në raportin e ambasadorit Raunig.
Rishikimi i buxhetit/ PD: Qeveria mashtroi, të gjitha taksat kanë shënuar mosrealizim, tatimet dhe doganat në deficit
Partia demokratike e cilësoi si mashtrim rishikimin e buxhetit nga ana e qeverisë. Deputeti Ridvan Bode, përmes një daljeje publike nga selia blu, tha dje se të gjitha taksat e rritura janë me mosrealizim e ndërsa tatimet dhe doganat kanë krijuar një deficit prej 2 miliardë e 243 milionë lekësh. “Ky mashtrim propogandistik vjen fill pas largimit pa deklaratë publike të misionit të FMN-së, i cili ndërkaq shprehu hapur pakënaqësinë që ritmika e të ardhurave nuk plotësonte pritshmërinë e tyre. Kryeministri shprehet për rishikim të buxhetit me rritje, por nuk tha se sa dhe si. Të ardhurat e 8-mujorit flasin jo për tejkalim të të ardhurave të qeverisë qendrore, por për mosrealizim të tyre për 624 milionë lekë, edhe pse programimi i të ardhurave ishte me rendimentin me të ulet fiskal në 10 vjetët e fundit dhe u parapri nga një rritje drastike e taksave. Të gjitha taksat e rritura janë me mosrealizim. Tatimet dhe doganat kanë krijuar një deficit prej 2 miliardë e 243 milionë lekësh. Akcizat, barra e të cilave u rit kanë një deficit prej 4 miliardë e 350 milionë lekësh dhe për më tepër janë detaksuar më pak se 8 mujori i një viti më parë edhe duhan, edhe kafe, edhe birrë. Tatimfitimi ka deficit mbi 10 milionë USD dhe fitimi i 8-mujorit i detaksuar është 100 milionë USD më i ulët se 8-mujori i vitit të vështirë 2013”, – pohoi Bode. Në këtë kontekst, deputeti demokrat u shpreh se mjaftuan vetëm pak muaj që të zbulohej sipas tij gënjeshtra se gjoja sistemi i taksave progresive, do të bënte që 95% e shqiptarëve do të paguanin më pak taksa. “Të dhënat e 8 mujorit vërteton se në shtesën e të ardhurave të buxhetit, qytetarët kanë paguar 83% të tyre ose rreth 190 milion USD më shumë se 8-mujori i vitit të kaluar, kurse biznesi me vetëm 40 milionë USD. Kjo konfirmohet edhe nga rritja e peshës së taksave paguar nga qytetarët (indirekte) në vëllimin e taksave gjithsej. Pra të ardhura shtesë në krahasim me atë që është programuar nuk ka. Rishikimi i buxhetit është thjesht një akt pendues i qeverisë, për të zbutur efektet e dështimeve të qeverisë apo programimeve të gabuara me dashje apo mosnjohja e problemeve”, – deklaroi deputeti i PD-së.
Thirrja e ministres së Integrimit/ Qeveria, opozitës: Të bashkojmë forcat për integrimin në BE, s’bëhet fjalë kush e kryeson Këshillin
Qeveria i ka bërë thirrje opozitës për të bashkuar forcat për integrimin në Bashkimin Evropian. Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, theksoi dje rëndësinë e këtij bashkëpunimi nga takimi i parë për ngritjen e grupeve të përbashkëta të punës Shqipëri-BE për 5 prioritetet e lëna nga Komisioni Evropian. Sipas saj, në këtë proces, kontributi i opozitës është i rëndësishëm për të plotësuar ëndrrën e shqiptarëve. “Është shumë e rëndësishme gjithëpërfshirja, dhe unë e vlerësoj vendimin që Komisioni ka marrë dhe shpresoj që opozita të reflektojë e të paktën t’i rikthehet Komisionit parlamentar të Integrimit sepse me të vërtetë ka bërë një premtim që do të jetë aty për të gjitha çështjet që i përkasin. Këtu nuk bëhet fjalë për çështjen se kush kryeson Këshillin dhe nuk besoj se publiku që na dëgjon është i interesuar tek fakti se kush e drejton Këshillin. Të gjithë në jemi të interesuar në funksionimin e Këshillit dhe që ai të monitorojë, këshillojë gjithë procesin dhe të ndjekë reformat që duhet të ndjekë vendi për procesin e integrimit”, – tha Gjosha. Ndërkohë vetëm pak ditë para takimit të radhës së nivelit të lartë Shqipëri-BE, ministrja Gjosha bëri me dije se do të shpalosen arritjet e deritanishme duke vënë theksin në rëndësinë e reformës në drejtësi. Në këtë kontekst, ministrja tha më tej: “Do të diskutohen të gjitha arritjet që ka pasur vendi, reformat që ka ndërmarrë gjatë kohëve të fundit dhe mbi të gjitha do të diskutohet vazhdimësi e reformës në drejtësi, që është një nga pikat kyçe të diskutimit të sotëm por edhe ajo që do të jetë vendimmarrëse për sa i përket hapjes së negociatave”. Për plotësimin e 5 prioriteteve, Ministria ka ngritur 5 grupe pune, në të cilat do të ketë përfaqësues edhe nga Bashkimi Evropian.