Florenc Drizari
Një grup prej 39 deputetësh kanë paraqitur pranë Kryetarit të Kuvendit kërkesën për shkarkimin e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa, dhe anëtarit të këtij këshilli, Lulzim Lelçaj
Mazhoranca kërkon shkarkimin e dy anëtarëve të saj në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Rreth 39 deputetë nga Partia Socialiste kanë depozituar në Kuvendin e Shqipërisë një kërkesë me firmat e tyre për shkarkimin e nënkryetarit të KLD-së, Elvis Çefa, si dhe të anëtarit Lulzim Lelçaj. Në lidhje me kërkesën ka reaguar edhe vetë nënkryetari i KLD-së Elvis Çefa, i cili shprehet se javën që vjen do të përgjigjet zyrtarisht. “Respektoj vizitën e Papës, s’dua të tërheq vëmendjen. Do shprehem zyrtarisht javën e ardhshme”, – shprehet Çefa.
Kërkesa
Deputetët e mazhorancës thonë se kërkesën e tyre e kanë bazuar në disa shkelje të anëtarëve të KLD-së. Më konkretisht, deputetët rendisin 10 shkelje të rënda të ligjit, ku zëvendëskryetari Çefa dhe anëtari Lelçaj, me veprimet dhe mosveprimet, janë pjesë e tyre disa vendimeve të padrejta që janë marrë në KLD. Deputetët rendisin si argument të parë, lejimin e konfliktit të interesit në promovimin e vet anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Nënshkruesit e kërkesës së shkarkimit të Çefës dhe Lelçajt, argumentojnë se nuk është mbrojtur dhe mëshiruar prej tyre parimi kushtetues, që garanton kontrollin dhe balancimin e pushteteve. Në listën e shkeljeve deputetët e mazhorancës kanë shënuar zgjedhjen e anëtarit Gjin Gjoni, si anëtar i Këshillit Drejtues të Magjistraturës.
Më tej, deputetët rendisin si shkelje, mos emërimin si gjyqtar brenda afatit të magjistratëve, mos emërimin e 28 kryetarëve të gjykatave në kundërshtim me ligjin, emërimin e kryetarëve të gjykatave në kundërshtim me ligjin, promovimin kundra ligjit të gjyqtarëve e deri të keq organizimi i sistemit gjyqësor, me pasojë privimin nga paga të gjyqtarëve. Gjithashtu në shkeljet e KLD-së, deputetët rendisin edhe mosmarrjen në shqyrtim të kërkesave të ish-kryetares së Gjykatës së Lartë dhe ish-Prokurores së Përgjithshme. Mazhoranca thekson në shkresën e saj se kërkohet shkarkimi i zëvendëskryetarit dhe anëtarit përballë fakteve të lartpërmendura, duke cituar se parlamenti nuk mund të heshtë.
Përplasja e mazhorancës me KLD-në dhe veçanërisht anëtarët e emëruar prej tij në të, doli në pah në rastin “Gjin Gjoni”, kur nuk u mbështet kërkesa e ministrit të Drejtësisë Naço për shkarkimin e tij, KLD, ku Çefa është zëvendëskryetar, doli kundër ndryshimeve ligjore të miratuara nga Kuvendi për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, të cilat kanë hyrë në fuqi vetëm pesë ditë më parë.
Ndërkaq, kërkesa e mazhorancës vjen në kohën kur mes pozitës dhe opozitës kanë filluar deklaratat në distancë për reformën në drejtësi që shumica parlamentare pritet ta ndërmarrë pas pak javësh. Përfaqësuesit e opozitës kërkojnë që të përfshihen në këtë reformë edhe ekspertët ndërkombëtarë, ndërsa drejtues të mazhorancës kanë bërë ftesë që e djathta të jetë pjesë e kësaj reforme.
Kërkesa e 39 deputetëve, Halimi: Rama kërkon të kapë KLD-në
Pas dorëzimit në Kuvend të kërkesës së 39 deputetëve të mazhorancës për shkarkimin e nënkryetarit të KLD-së, Elvis Çefa, dhe anëtarët të këtij këshilli, Lulzim Lelçaj, ka reaguar edhe deputeti i opozitës, Eduard Halimi. Në rrjetin social “Facebook”, Halimi ka thënë se kërkesa e socialistëve është një përpjekje e Ramës për të vënë në kontroll KLD-në. “Ky ishte qëllimi i vërtetë i mazhorancës Rama-Meta me paketën personale antikushtetuese dhe antievropiane të drejtësisë që u miratua në korrik: kapja politike e KLD, vënia nën kontroll të Edi Ramës. Ajo që paralajmëruam ne dhe partnerët po ndodh. Qëllimi i Ramës është ta vërë nën kontroll dhe jo të reformojë. Ndërkombëtarët tani duhet të monitorojnë nga afër këtë situatë të rrezikshme për demokracinë e vendit”, – shkruan Halimi.
39 deputetët firmëtarë të PS-së
1.Gramoz Ruçi
2.Monika Kryemadhi
3.Erion Braçe
4.Eduard Shalsi
5.Namik Dokle
6.Blerina Gjylameti
7.Dashamir Kamberi
8.Evis Kushi
9.Andrea Marto
10.Arben Çuko
11.Ilir Xhakolli
12.Majlinda Bufi
13.Tauland Balla
14.Ilirian Pendavinji
15.Eduart Bejko
16.Alfred Peza
17.Arben Ndoka
18.Ervin Koçi
19.Ervin Koçi
20.Esmeralda Shkjau
21.Mimoza Hafizi
22.Adelina Rista
23.Rakip Suli
24.Namik Koplik
25.Ylli Ziçishti
26.Anduel Xhindi
27.Artur Bushi
28.Artan Gaçi
29.Musa Ulqini
30.Bujar Kllogjri
31.Shkelqim Selami
32.Robert Bitri
33.Kejdi Mehmetaj
34.Piro Kapurani
35.Gledjon Rehovica
36.Bujar Derveni
37.Perparim Spahiu
38.Anastas Angjeli
39.Enkeljda Shkreli
Rama në Kavajë: I lënë në mëshirë të fatit, po ndërtohet sheshi i ri evropian
Kryeministri Edi Rama zhvilloi dje një vizitë në qytetin e Kavajës, duke marrë pjesë në inspektimin e disa punimeve që sheshin qendror të kësaj zone. Sipas Kryeministrit, mbi gërmadhat e një qyteti të lënë në mëshirë të fatit po ndërtohet një shesh i ri evropian. “Sot në Kavajë për programin “Rilindja e qyteteve”, ku mbi gërmadhat e rrënimit njëzetvjeçar të qytetit të braktisur në mëshirën e fatit, po ndërtohet sheshi i ri evropian i qendrës me parkun pranë në një sipërfaqe prej rreth 15 mijë m2 si edhe rruga e re hyrëse në jug të Kavajës prej 2.5 km ku një projekt me standarde evropiane do të sjellë zhvillim urban, ekonomik e social në vend të ferrave, pluhurit e përmbytjeve të vazhdueshme prej ujërave të bardha e të zeza”, – shkruan Rama në “Facebook”.