Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Janë 11 vjet letërkëmbim me fratin pukjan që e gjeti firmëtarin krutan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë”
Kjo letër e gjatë që Mustafa Kruja ia dërgon fratit françeskan, është e mbushur me të dhëna historike deri diku jo vetëm si informacion të saktë, por edhe si mendim prej studiuesi. Kruja jep gjithë kronologjinë e ngjarjeve të kryengritjes së Shqipërisë së Mesme, rebelizmin e shqiptarëve kundër Princ Vidit, duke qenë vetë një dëshmitar, viktimë, në atë kohë jo më shumë se 33 vjeç. Ai tregon me hollësi se çfarë ndodhi me dinastinë e Esat Pashës dhe vëllezërit e tij, duke marrë ofiqe e poste të larta në Perandorinë Osmane. Por, nga ana tjetër, Kruja hedh dritë mbi faktet se Esat Pasha nuk ishte një nga nxitësit e kryengritjes, duke thënë se nuk kishte karakter politik, por thjesht fetar, që një kaur nuk mund të vihej mbret në një vend me shumicë myslimane. Në vëllimin e katërt të serisë së letërkëmbimeve të Mustafa Krujës me miq e bashkëpunëtorë, personalitete të jetës politike e kulturore të Shqipërisë të fushave të ndryshme, të botuara nga “OMSCA-1”, ky konsiderohet më i ploti e ndoshta më interesanti për lexuesin, mbasi paraqet një letërkëmbim mes dy personalitetesh krejt të ndryshëm nga mosha e nga formimi, por me një ndihmesë të çmuar në kulturën kombëtare që, nëpërmjet bisedës së tyre letërore, marrin në shqyrtim e ftillojnë ndodhi e tema të ndryshme të historisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të shkuar. Njëri ishte një protagonist i jetës politike, por edhe i asaj kulturore, njëri nga firmëtarët e Dokumentit të Pavarësisë, pjesëmarrës në shumicën e ngjarjeve që shënuan historinë e shtetit shqiptar në tridhjetë vitet e para të qenies së tij. Tjetri ishte një frat françeskan, një ish-mësues historie në liceun “Illyricum”, që e kishte bërë hulumtimin e kësaj lënde qëllimin kryesor të jetës së tij, krahas atij të shërbyesit të fesë.
I ndante një ndryshim moshe prej njëzet vitesh, por i bashkonte dëshira e studimit të thellë, dashuria për vendin e tyre, ngulmimi në kërkimin e së vërtetës historike, shpresa, e mbetur vetëm në kufijtë e termit, për të parë një Shqipëri demokratike e dinjitoze. Letërkëmbimi filloi një ditë prilli të vitit 1947, kur Atë Paulini, që jetonte në Bolzano, në një kuvend ku kryente detyrën e meshtarit, merr vesh se në Ortisei, një lokalitet turistik i Trentinos, një nga vendet më të bukura të Italisë, banonte Mustafa Kruja, një emër i njohur i jetës shqiptare. Vendos t’i shkruajë për të vendosur një lidhje me të.
“Letra e fratit pukian e gjeti firmëtarin kruetan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë. Një letërkëmbim 11 vjeçar nga vende e kontinente të ndryshme, gjithmonë duke u bërë më i ngrohtë, më i hapur, mes dy përfaqësuesish brezash të ndryshëm, që i lidhte jo vetëm fati i përbashkët i të mërguarit politik, por edhe dhimbja e përbashkët për fatin e Atdheut, të cilit i kushtojnë frytin e mundit të mendjeve të tyre në studimet e vazhdueshme për historinë e tij”, – shkruan trashëgimtari i Krujës, Eugjen Merlika. Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e katërt, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit të disa letrave të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit. (V. M.)
***
Ramleh (Aleksandrí), 3. 6. 1951
Atë i dashun,
Ksaj here po i a nis … me nji mësim të vogël gjuhsuer (falmë!). Ju në krahin’ e Shkodrës keni nji mëngesë shqiptimi në gojën t’uej: s’jeni të zott t’a dalloni q-n nga ç-ja . Kam pasë hjekun keq me i a shtimë në krye edhe D. Lazrit të shkretë këtë ndryshim. E para âsht nji tingull qiellzuer, nji zbutim a, mâ drejt, zbutje e k-s; e dyta âsht dhâmbore. Slavët të parën e shkruejnë c’, të dytën c. Gjermanët zânin e parë s’e kanë, të dytin e shkruejnë tsch; gjithashtu Frëngjit e Italjanët të parën s’e kanë e të dytën e shkruejnë respektivisht tch e ce, ci. Këta dy tinguj të shqipes, qi janë eksplosivë ase të shurdhët apo të fortë, kanë edhe korrespondentat e tyne të zâshëm apo të butë: gj e xh. Këtë zânin mâ të mbrapmin shqipja e ka vetëm në fjalë të hueja, tyrqishte; por tjerët i ka të gjith të vett. Shêmbuj: Ti shkruen e soqme, për e soçme. Tingullin q Ti s’e ke aspak në djalektin t’Ând, por tue e pasë nxânë prej shkrimesh a djalektesh tjera, e ke marrë për zânin e vërtetë a të drejtë të ç- s s’Ate. Këtu, kur them ti them çdo shkrimtár i Veriut. Nuk âsht, pra, e soqme, por e soçme ( e sotshme). Po hap këtu nji parenthesë orthografike të posaçme për këtë fjalë : deri tash vonë un e kam pasë shkrue pa ndryshim ndo sotshme a sodshme tue i ndejtun besnik rrânjës, ndo soçme tue shkue mbas fonetikës. Por tash kam caktue kët’orthografí: i sodshëm (sod-shëm), por e soçme (soç-me). Dhe analogjisht i vjetshëm e e vjeçme et., tue besue se në këtë mënyrë kam respektue etymologjín në mashkullorin, pa cenue fonetikën, dhe fonetikën në femnorin pa i bâmë koncesjon etymologjís nga fonetika, masi ksaj un i ap vêndin e parë a, mâ mirë të them, tue marrë anën e ksaj atje ku hŷn në konflikt me tjetrën. Le të vazhdojmë tash me shembuj tjerë: çaj, çaloj, çapë, çars, çasi, çel, çerdhe, çetë, çikë, çoj, çokë, çudë; por qaj, qândër (qêndër), qark, qase, qafë, qe, qi, qokë, qeth, qelë, qelí, qen, qumësht, qep, qesh, qiell, qind, qes, qyr, qytet. – xhangë, xhungë, xhelek, xhixhë, xhikë, xhep, xhokë (prej këtyne shembujve po e kuptoj gabimin t’em qi thásh se fjalët me xh vijnë të gjitha prej tyrqishtes); por gjâ, gjak, gjallë, gjêj, gji, gjobë, gjumë, gjysë. Për këtë kategorín e fundit, dmth. për xh e gj vështirësija âsht e vogël, mbasi, nga do qi të na kenë ardhun, fjalë me xh kemi fare pak, shumica e madhe janë me gj; por me ç e q ka shumë fort. Si do t’i dallojë këto ai qi në djalekt të vet ka vetëm ç e aspak q? Kush din djalektin e Kosovës e ka mjaft të lehtë punën, mbasi kosovari të gjitha q- t i bân k e atëbotë kudo qi ky e flet fjalën me k e malsít t’ ona përgjithsisht me ç, shkrueje pa frikë me q. Diku-diku edhe Shkodra k-n e Kosovës e ka ruejtun ende k ase e ka çue evolucjonin e saj deri në kj e s’ka mbërrimë në q . P sh. me kenë (Kosovari konë për qanë), kjaj (Kos. Kaj për qaj) et. Edhe etymologjia mund të ndihmojë mjaft: në të gjitha rrânjët latine me c të butë shqipja don q e kurrë ç.
U dava me… apo prej… Më duket sikur të dyja janë të drejta e, a rigor di logica, kjo e dyta (e jotja) mâ e drejtë; veçse te na sigurisht përdoret edhe e para, edhe kujtoj me nji farë shkallzimi (sfumatura): për separarsi dhe congedarsi e dyta; vetëm për congedarsi e para, tue lanë me kuptue huasí (reciprocitet): u dava me mikun n’ akç vend; por qe se te na thonë edhe akcili u da me të vllán.
E tash po dalim te argumentat tjerë:
Tfillimin gjermanisht të Mbretit rreth çashtjes qi t’interesonte e kam marrë e po ta mbyll këtu. Âsht nji tfillim mbretnuer, ky, e jo i nji të mortëshmi të ngratë si un qi po përpiqem të flas me gjuhën e trashë të malsorit. Prandej po qe (kje, thoni ju në krahinën e Shkodrës) se s’ka me Të nginjun s’âsht faj’i im. Prej anës s’eme po Të dërgoj nji kopje të përkthyeme me kohë nga Ditar’ i Cianos deri në fund të ’38 -s të gjithsá ka shkrue për Shqipnín, e tash Të jet me e kërkue e gjetun vetë 39-n (kujtoj se janë dy vëllime), për në dash me plotsue dijen t’Ânde mbi atë pjesë të politikës fashiste qi na përket neve. E mos harro as atë librin tjetër qi Të kam pasë shënue nji herë e qi âsht si plotsues i të njajtit ditar.
Turhan Pasha (Turkhan, me orthografín e drejtë) ka qenë nji typ shum’ interesant, e nuk e dij si e ka pasë lanë Pater Gjergji pa qendisun nji përshkrim në Hyllin e Dritës mbi tê. Ish-ambashatuer i Tyrqís në Petersburg, sikurse e ka shkrue Auktori gjerman, ka qenë mandej kryeministr’i Princ Wiedit e kryetar i qeverís së përkohshme shqiptare mbas luftës së parë të përboçme dhe kryedelegat i ksaj qeverije në konferencën e paqës në Paris. Edhe un kam pasun fatin me qênë mâ i riu ministër e delegat me tê (ishem 33 vjeç aso here). Ka qênë shqiptar nga Përmeti, e flitte shqipen ashtu copa-copa, të përzieme sa me tyrqishte, aq me frëngjishte. Nuk dij se ku i ka pasë bâmë studimet, por këtë gjuhën e fundit e dinte mirë. Më ha mêndja se ishte atëherë në Paris nja 70 vjeç. S’ka qênë sakt nji diplomat i madh shoq’i Ismail Kemalit, por as pa intuitë e urtí diplomatike jo. Kujtoj se mund t’a përshkruej me pak fjalë si nji prej atyne diplomatve klasikë e gentlementa të Tyrqís së dikurshme che amavano anzitutto il quieto vivere për vete e për mbretnín e tyne. Në Paris të gjitha notat për konferencën i përgatitshim Luigj Gurakuqi e un, kshill’i delegetënve i studjonte e Turkhan Pasha i shikonte me kujdes e mbandej i nënshkruente. Un pata fitue prej tij titullin “gamin” , sepse, tue mos dashun ai me m’a nënshkrue nji notë të pëlqyeme prej mbarë delegacjonit në absencën e tij, i qeshë kërcnue – nji Pashe plak, ruejna Zot! – se po mos t’a nënshkruente ai, pa tjetër do të gjindej nji tjetër me e nënshkrue e do t’i vente gjithnji konferencës. Ai këtê e muer vesht mirë, ishte nji bluff, hajsmi se do t’a hiqshim nga kryesija. E prandej qe zëmrue keq me mue e për shumë kohë s’më foli me gojë e kur do të më përmêndte me tjerët më quente “ce gamin-là”! Ajo notë qi m’a idhnoi Pashën, ishte nji protestë kundra pretendimeve t’Italís për aneksimin e Vlonës, e ai, ndonse tekembramja e nënshkroi me gjuj mbë bark, aty e mbrapa s’ prante tue na kshillue e tue na u lutun, për gjithë ditë gati, me të dy shuplakat e duervet ngjitun: “Pour l’amour de Dieu! Ne fâchez pas l’Italìe, c’est l’unique Puissance amie qui nous reste.” Ishte burrë i ndershëm e me gjithë se i vorfën, këtë italofilí të teprueme s’e kishte për ndonji interesë personale, por vetëm për nji bindje intime.
Jam në nji mendim me Ty për gjykimin e politikës italjane në pikën 2 (shif letrën t’ande më 30 prill i951 në pikën 2!) ; sa për Esatin, ky ishte mik i cilit do Shtet qi siguronte interesat e tija. Nuk âsht e drejtë qi kryengritjen kundra Wiedit e ka ndezun Esati. Tok’e Shqipnís së Mesme ka qênë vetë e përshtaçme për atë kryengritje. Esati, kur pat dashun t’a mbjellë për vete, porsa duel prej Shkodre, pat bâmë një propagandë kundra nji mbreti a princi “kaurr”. Mirpo kjo farë, qi s’ishte grunë, po ferra murrizi, bîni mandej rigogliosa e i a lënuri e bâni gjak krejt edhe atij vetë lëkurën. Së pari kryengritja e Shqipnís së mesme pat nji karakter fetar e shoqnuer, pa politikë mbrênda: filloi me djegën e shtëpive të beglervet “kaurra e shtypës të popullit”, pra si nji farë komunizme… fetare. Fanatizma i zgjânonte kufîjt e vet edhe përtej beglervet, veç, përfshinte mbrênda edhe patrijota intelektualë qi s’ishin beglerë, por qi ndër syt e atij populli të thjeshtë e fanatik ishin sjellë pa kurrfarë takti, tue i dhânë, shumë prej tyne, propagandës patrijotike nji ngjyrë qi s’pajtohej kurrsesi me besimin e thellë fetar t’atij populli. Ishte nji valë mënije kundra gjith’ atyne “dinsizave” (të pafeve) – beglerë e jo beglerë – qi kishin punue për të keqen e babë-mbretit e për me prûmë kaurrin në Shqipní! E përsris, si nji dishmues qi fillim e mbarim kam qênë vetë nji prej viktimave të këtij rrebeshi, se lëvizja n’e parë s’ pati asnji qëllim me dëbue Wiedin e me ngjallë të dekunin tyrk në Shqipní. Qi ky ishte i dekun mâ përnjimênd për Shqipnín, kush me mênd, kush me intuitë, ishin tue e pamë dhe e kishin besue tashmâ shumica e kryengritësvet. Esati vetë ishte për ta pjestar e ndoshta mâ fajtori i gjithë atij elementi qi urrehej. Kështu qênë punët në fillim. Por ky element “i pafé” ishte, si të thásh, po ai qi kishte punue për atë Shqipní pa “babë”, që po e gzonte e po e brohoritte në kupë të qiellit. E si mund t’ishte e mirë nji vepër e dashun, “e kryeme”, e gzueme e e brohoritun prej sij? “Por kjo punë mâ na zû, Evropa mbarë, të shtatë krajlat, e kanë pranue e vërtetue, na luftë me të shtatë s’i a kemi vërtytin me bâmë; veç, qe këtyne thij e bij thive t’anë po u vijmë hakut nji herë, e këtu Evropa s’ka ç’na bân!”: qe këto fjalë mund të këndoheshin në zêmër të secilit kryengritës tiranas, shjakas e kavajas n’ atë mbarim prendvere të 1914-s. Por pushk’ e Sarajevës e mbuloi Evropën kândekând me ré të zeza. Pushtetet e mëdhá u danë në dy sheshe të kundërta anmike e princ Wiedi ishte gjerman; Shqipnija nji vênd strategjik i rândsishëm. Agjentat inglizë, qi aso kohe përfaqsojshin mâ të madhen fuqí të botës, me vetë gjeneral Filipsin në krye, edhe ata t’ Italís hynë në veprim pa bjerrë asnji minutë. “Shka?” u thânë rebelave, “luftë me të shtatë? Jo, bre, na jemi me jue! Kush ju ka thânë se baba-dovleti s’vjen mâ në Shqipní? Po a s’e dijni sa herë e ka shpëtue Inglizi Tyrqín prej buzës së vorrit? Edhe tash ka për t’a shpëtue e për t’i a shtimë prap në dorë të tâna viset qi ka humbun. Në fund të fundit, edhe në qoftë thânë me u bâmë Shqipnija shtet mbë veti, a ka pak djelm Sulltan Hamidi për mos me ju a çue juve nji për mbret? Ju jeni nji popull mysliman, e shka lyp nji mbret i krishtênë këtu te ju? Njimênd se edhe qeverij’e jonë gaboi nji herë e i a pranoi Gjermanís e Austrís nji princ të tyne për Shqipnín, por tash e ka kuptue gabimin qi ka bâmë e na ka urdhnue me ju sigurue se ka me përkrahun me çdo mënyrë e çdo mjet deshiret e drejta të popullit shqiptar”. Këto fjalë s’përbâjnë tekstin a përkthimin e nji dokumenti, por frymën besnike të propagandës anglo-italjane n’ato dit të zeza për Shqipnín. E dij qi nji letër e nënshkrueme prej Filipsit për rebelat t’anë i ka pasë ramë në dorë qeverís së Wiedit, m’a ka pasë thânë Gurakuqi, por vetë me sŷ pamë s’e kam. E kështu, pra, un Esat Pashën prej nj’atij mëkati qi i vên Auktori gjerman e laj. Duhet veç edhe me pohue se të gjitha apparenza-t ishin kundra tij për shkak të sjelljes e të veprës qi kishte mbajtun e kishte zhvillue parandej, mbi të cilat janë bazue të gjithë ata qi e kanë akuzue si nxitës direkt t’asaj kryengritjeje e qi i a mbushën mênden edhe Princit e e bânë me reshtue ministrin e tij, tue u shtrëngue atypraty prej Italjanvet me u a dorzue këtyne. Kusuri dihet.
Sa po më pëlqen metafora Vorgeschichte në jetën e nji njeriu qi paska përdorun Auktori gjerman! S’ më ka pasë ramë me e lexue kurrë deri tash. Por tepër keq paska qênë i lajmuem mbi parahistorín e Esatit. Të mbrapësht fort patën dalë dy djelmt e Ali beg Toptanit, Esati e Ganiu. Por mâ fort ky i fundit. Në prefekturën e Durrsit s’kishte gjel tjetër qi këndonte veç atyne. Pushtetarët tyrq rrijshin atje veç për formë, se pushtet’ i vërtetë ishte në dorë t’atyne dy vllazënve. Nganjiherë Stambolli zgjidhte e dërgonte në Durrës prefekta të fortë. Këta u mundojshin me vûmë në vênt pushtetin qeveritar, por kot. Mâ i mëndershmi ndër dy vllaznit ishte mâ i riu, Ganija. Ishte i ri, nja njizet vjeç kur valiu i Shkodrës e pat zânë nji herë në besë n’atë qytet, ku e pat thërritun miqsisht. Kam nji fotografí të tij qitun ke Marubi n’atë rasë. Sa mezi i duken musteqet. Mos kujto se të kanë pamë e do Të shohin syt nji mashkull aq të pashem. Valiu i a pat ngrehun kurthën në saraj kur po hynte me i bâmë vizitë. Por rreshtim’i tij pat ngjatun, më duket, aq kohë sa u desht qi të mbërrinte lajmi telegrafik te Sulltani e urdhni i tij me e lirue. Abdyl- Hamidi zbatoi mbandej systemën e vet : personalitetet e mërziçme i largonte prej vêndit me nji ofiq, i çonte, simbas nji fjale qi ka pasë qênë bâmë proverbjale, “valí në Bagdad”. Esadin e emnoi komandand të gjindarmerís në të gjithë vilajetin e Janinës me gradë pashet ushtarak, livá (gjen. Brigadier) nji herë e mandej shpejt ferík (gjen. major); Ganín e bâni ajutant të vetin me gradë nënkoloneli. Nuk shkoi gjatë e plasi lufta me Greqín (1897) e Ganiu lypi me shkue me luftue. Hamidi i a heshti (= i a ndigjoi) fjalën, e emnoi komandant të nji regjimenti reservistash. Ishte trim i çartun e u shque fort në luftë. Por shpëtoi shëndoshë. Me larin e atij ngadhnjimi, u kthye në Stamboll te mbreti mbas asaj lufte mâ i harbuem seç kishte qênë. Guximin e tij me i rá mbë qafë çdo njeri krenar për t’i thye hundët e çdo pasaniku për t’a rjepun e kishte marrë me vete prej Tirane edhe në Stamboll, qyshë se kishte shkue së pari. Aso kohe ishte sadrazem (Cancelliere dell’ Impero, Grand Visir) nji farë Halil Rifat Pasha e ky kishte nji djalë, të vetëm, qi e quejshin Xhavid. Edhe ky Xhavid Begu ishte nji typ i Ganiut. Veçse i yni s’e lênte me piplue, s’e merrte në dorë aspak sepse ishte i biri i Sadrazemit. Tekembramja Xhavidi dán me i a hângër kryet tradhtisht Ganís. Ky kishte nji shoq tyrk (a ndoshta nji tjetër kombsije, por jo shqiptar), nji farë Osman Pashet, me të cilin rrinte e shetitte shpesh. Xhavidi na e blén këtê, qi nji ditë prej diç, tek kishin pasë votun me hângër âmbëlsina bashkë ke Tokatlijani në Bejoglu (= Pera), qi âsht lagjja evropjane e kryeqytetit, Osmani çohet prej tavoline me nji shkak, i del Ganiut mbas shpine e i rras krés nji plumb revolje. Edhe çán pa i hymë ferrë në kambë e zhduket për nja 10 vjet. Duel shëndosh për fushë në 1908 si qe shpallë kushtetsija (hyrrjeti=lirija). Gjatë gjithë asaj kohe kishte pasë banue në Brusë me emën të këmbyem. Atëbotë nji Krután qi kishte pasë jetue me Ganín si lalë i tij e djalë mbas tij qyshë kur ishte kalamâ e deri qi ishte nisun për Stamboll e mbandej luftue me tê në Thesalí, tue marrë nji plagë në ballë te krahu i tij, çohet e shkon në Janinë te Esad Pasha e i lutet qi t’a drejtojë me shkue në Stamboll për me i marrë gjakun zotnís së vet, Ganís. Esati ngurron pak, dron se mos t’i komprometohej pozita ndaj Sulltanit. Por tekembramja vêndos e i a bân të gjitha lehtësít e nevojshme Krutanit me anë të miqve shqiptarë qi kishte në Stamboll deri n’ Oborrin mbretnuer. Krutani, qi i thojshin Xhiu i Fajës, e pret Xhavidin n’urë të Galatës, atje ku do t’i zdrypte karrocës për t’i hypun vaporit të Bosforit për me dalë përtej e me shkue në pallatin e vet, edhe shprazë mbi tê tre plumba revolje ndër vise mâ të mirat për t’a shtrue dekun për tokë. Ky fakt, jo vetëm qi s’i a komprometoi pozitën Esatit, siç pat drashun nji herë, por edhe i a forcoi, i a çoi zânin në qiell. Jo vetëm atij, për edhe çdo Shqiptari qi rronte në Stamboll.
Âsht e vërtetë qi Esati, asokohe deputet në parlament, ka marrë pjesë në komisjonin parlamentar qi vot me i kumtue Abdyl-Hamidit vêndimin e shthronsimit (prill 1909). Nuk âsht provue qi ky të ketë pasun gisht vetë në vrasën e Ganiut, por keq sigurisht s’i ka ardhun për tê, sikurse as për Xhavidin jo!
Shtëpij’ e Currve të Gjakovës ka qênë, jo “einer einfachen Familie des Stammes Krasniqi” por zotní (të cilësuem kështu, me këtë titull) t’atij fisi, sikurse dera rivale e tyne, ajo e Kryezezvet, ishte e zotnive të Gashit fqinjë. Kjo âsht historija, se parahistorín s’i a dij. Titullin personal Currt, deri te Bajram Begu, e kanë pasun Agë, ça s’ âsht aspak nji ulje gradet në këtë rasë me Beg. Në Shqipní ka pasun shumë familje të fuqishme, pjestarët e të cilave e kishin titullin Agë, edhe tue qênë shpesh herë mâ të fortë se shumë beglerë. Bajrami u bâ beg, sepse qeverija tyrke e pat bâmë oficer, së pari me nji gradë të ulët, për t’a shpëtue vendin prej sherrit të tij, mâ fort për ta kufizue e dishiplinue këtë sherr. Në fund, me gradë koloneli, pat qênë komandant i gjindarmërís së gjithë vilajtetit të Kosovës me qêndër në Shkup, pra si Esat Pasha në Janinë. Bajrami ka qênë krejt analfabet, Esati dinte me këndue e me shkrue pak tyrqisht. Kur po përgatitej kryengritja e madhe e Kosovës, në prendverën e 1912-s, organizatorët e saj kishin mbetun si qêni në qerre prej frike të Bajramit. Tek e mbramja do miq të tij personalë venë e i thonë shqip në shtëpí se fati e të drejtat e popullit të Shqipnís ishin në dorë të tij. “Për Shqipní”, u përgjigjet Bajram begi “jam gati me dekun”. Niset për Gjakovë, hjek divizën ushtarake të baba-dovletit, e i prîn Krasniqes në kryengritje. Por ky s’e kishte kuptue atë kryngritje si qëllim t’atyne 14 pikave modeste me të cilat mbaroi, por për autonomí të plotë të Shqipnís me katër vilajetet të bashkueme në nji sikur kishte qênë lypun qyshë para 35 vjeç prej Lidhjes së Prizrenit, në kohën e së cilës i kishte qênë vramë i ati, Shaqir Aga. Ksaj ideje i mbet besnik Bajram Curri deri në dekë. Para se të vritej, i tradhtuem, në nji shpellë të Dragobís, Sërbt i kishin ofrue strehë pa kurrnji kusht tue i premtue me i kthye edhe pasunín qi i kishte qênë konfiskue në Gjakovë. “Faleminderës!” u përgjegj Bajram Curri, “por s’mund të pranoj nderna prej nji Shteti qi më ka grabitun Kosovën, për të cilën e kam mênden me luftue sa të jemë gjallë; preferoj me dekun i lirë ndër malet e mija.” E q’ashtu diq.
Sigurisht shtëpij’e Currit, si e shumicës së feudalve e gjysfeudalve të Shqipnís, âsht rritun e forcue “nach und nach” me “Raufhändel” e këto kanë shkaktue shumë gjak Shqiptarësh e gjindarmësh dhe ushtarësh tyrq. Cifrat “1000 Bürgern und 2000 türkischen Soldaten” ashtu “nach und nach” edhe mund të kapen. Por sigurisht askush s’ka bâmë nji statistikë t’atyne viktimave. Si ka qênë Shqipnija heret, zhytun n’errsinën e padijes, kso cifrash me nënkuptim përbuzjeje nuk janë aspak serjoze.
I bukur anekdoti i rivistës Digest. Por kjo përrallë s’ka lidhje me Esat Pashë Toptanin, qi s’ka pasë kurrë mjekër as ka qênë kurrë “Guverneur” i Shqipnís nën Tyrqín. Në kët anekdot sigurisht âsht nji emën si me thânë X. Y.
I dashuni mik, atë gjâ qi po më shkruen shqip në ketë letër në lidhje me deshirin t’Ând me shkue n’Austrí, m’a kanë kujtue të gjitha letrat e Tua, qyshë se m’a ke çilë këtë bisedë. E sikur t’i a kishem pamë gjasën sakt nuk do t’a kishem kursye fjalën t’eme. Por s’kam uzdajë as nji për qind se zên vend. Tërthuer e okolle i kam ramë qysh me kohë tue folë për Tý, për studimet e Tua, deshiret e planet e Tua dhe mungesën e mjeteve, e natyrisht me qëllim. Por janë shtimë veshët në lesh. S’guxoj me dhânë nji gjykim nëse ka mungesë vullneti apo pamundsí relative. Anoj mâ fort për këtê të dytën, mbasi e njâjta gjâ shfaqet edhe në rasa tjera, jo veç në t’Ânden. Sido qi të jetë, në deshirofsh qi un t’a shpenzoj nji fishek edhe ndër këto kushte qi po të kallzoj, un s’pritoj me e bâmë.
Tekste gjermanishte si citata ndër letrat e Tua mund të më shkruejsh lirisht siç ke bâmë deri tash, se un veç dobí kam prej sosh. Un gjermanishtes i a dij mjaft mirë gramatikën, por praktika më mëngon fare. Përkthej tue e përdorë tepër shpesh fjalorin e disá herë në vjetë më bie me shkrue edhe ndonji letër gjermanisht, por kurdoherë tue hjekun mundë e tue bjerrë kohë me fjalorin për fjalët që më mëngojnë.
Fjalë e fraza shqipe prej meje kërko ndër tekstet e letrave qi Të shkruej. Se ato vijnë ndër mênd vetëm tue bisedue e tue e shkrue.
Tash ke mjaft. Gjithë argumentat e letrës s’ Ate i shkurrova (ase – rreva, esaurire). Pra tu mirë m’u përgjegjsh.
MKruja
- S. Un pritoj me i këndue letrat mbasi i shkruej, sidomos kur janë të gjata si kjo. Pra gabimet qi mund të më kenë rrëshqitun, ndreqi vetë.