Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Janë 11 vjet letërkëmbim me fratin pukjan që e gjeti firmëtarin krutan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë”
Kjo është një nga letrat më befasuese që Mustafa Kruja i dërgon fratit françeskan, që lidhet me një nga ngjarjet më të dhimbshme të luftës civile mes shqiptarëve. Për këtë Kruja vë në dijeni priftin për një artikull të shkruar në gazetën italiane “Il Tempo”, ku përshkruhet ngjarja e misionit anglez për të hedhur në erë urën mes Krujës dhe Shkodrës. Por ky mision dështoi, pasi të nesërmen anglezët dëgjuan të qeshurat e shqiptarëve mbi vëllezërit e tyre, po shqiptarë, të veriut, që u kishin masakruar veshët.
Në vëllimin e katërt të serisë së letërkëmbimeve të Mustafa Krujës me miq e bashkëpunëtorë, personalitete të jetës politike e kulturore të Shqipërisë të fushave të ndryshme, të botuara nga “OMSCA-1”, ky konsiderohet më i ploti e ndoshta më interesanti për lexuesin, mbasi paraqet një letërkëmbim mes dy personalitetesh krejt të ndryshëm nga mosha e nga formimi, por me një ndihmesë të çmuar në kulturën kombëtare që, nëpërmjet bisedës së tyre letërore, marrin në shqyrtim e ftillojnë ndodhi e tema të ndryshme të historisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të shkuar. Njëri ishte një protagonist i jetës politike, por edhe i asaj kulturore, njëri nga firmëtarët e Dokumentit të Pavarësisë, pjesëmarrës në shumicën e ngjarjeve që shënuan historinë e shtetit shqiptar në tridhjetë vitet e para të qenies së tij. Tjetri ishte një frat françeskan, një ish-mësues historie në liceun “Illyricum”, që e kishte bërë hulumtimin e kësaj lënde qëllimin kryesor të jetës së tij, krahas atij të shërbyesit të fesë.
I ndante një ndryshim moshe prej njëzet vitesh, por i bashkonte dëshira e studimit të thellë, dashuria për vendin e tyre, ngulmimi në kërkimin e së vërtetës historike, shpresa, e mbetur vetëm në kufijtë e termit, për të parë një Shqipëri demokratike e dinjitoze. Letërkëmbimi filloi një ditë prilli të vitit 1947, kur Atë Paulini, që jetonte në Bolzano, në një kuvend ku kryente detyrën e meshtarit, merr vesh se në Ortisei, një lokalitet turistik i Trentinos, një nga vendet më të bukura të Italisë, banonte Mustafa Kruja, një emër i njohur i jetës shqiptare. Vendos t’i shkruajë për të vendosur një lidhje me të.
“Letra e fratit pukian e gjeti firmëtarin kruetan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë. Një letërkëmbim 11 vjeçar nga vende e kontinente të ndryshme, gjithmonë duke u bërë më i ngrohtë, më i hapur, mes dy përfaqësuesish brezash të ndryshëm, që i lidhte jo vetëm fati i përbashkët i të mërguarit politik, por edhe dhimbja e përbashkët për fatin e Atdheut, të cilit i kushtojnë frytin e mundit të mendjeve të tyre në studimet e vazhdueshme për historinë e tij”, – shkruan trashëgimtari i Krujës, Eugjen Merlika. Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e katërt, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit të disa letrave të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit. (V. M.)
***
BOLZANO, me 10 qershuer 1951
Shum i dashtuni Mik,
Dje e mora letren e gjatë tanden e Të falem nderës fort e fort si per oroe gramatikore si edhe per tfillime randësíplote qi më bani mbi çashtjet t’ona historike. Posaçe të falem nderës edhe per pjesen e Ditarit të Ciano-s qi siellet mbi Shqypnín t’onë të dashtun. Deri tash nuk kam pasë rasë endè me e shtî në dorë Ditarin e Ciano-s e as me e lexue jo.
Sa per at lutjen, në lidhje me t’shkuem t’em n’Austrí, un po të lutem rishtas qi, edhe nder kushte të vshtira qi Ti po m’i parashtron kjárt e açik në letrën tande të gjatë, t’a provojsh nji herë me i a permendë Mbretit ket punë shqip, si thue Ti. Ju thoni në leter se nuk pritoni t’a shpenzoni ket fyshek per hater t’em, edhe po nuk duel gjâ. Kshtu nemosè mund t’i tham ndergjegjes s’eme se të tana rrugët possibili e imaginabili i kam provue.
Por sá t’a keni shprazë ket fyshek, qi s’vret kurrkend, posë se shum-shum – po shkrepi keq! – veç idealin t’em, të keni mirsín me më shkrue mejherë. Po duel gjâ, kujdesonju me ba të më dergohet sa mâ shpejt. Po nuk duel gjâ, më njoftoni gjithnji sa mâ parë. Njandej kah 15 korriku e kam nder mend me u nisë per Graz, edhe po nuk mora kurrgjâ prej anës s’andejshme të Mjesdheut. Vetë natyrisht, para se t’i tham lamtumirë Bolzanos, do t’a dij se ku jam me punë të mija. Kúr ta dij e kúr të kém mjetet e duhuna per me ndejë në Graz per të gjatë kohë, at herë i tham Bolzanos nji “endgültiges” lamtumirë, perndryshej do të dahem prej kndej pa lamtumirë, mbasi vetë do t’a la rrugen çilë per çdo eventualitet. Nuk mundem me u thânë ktyne të ktushemve lamtumirë e mandej, mbas dy-tre muejsh, me kenë i ngushtuem me kthye prap te kta.
Prá Të lutem të më dergojsh nji pergjegje sa mâ të shpejtë kso here. Po duel gjâ, rrugët me dërgue pare i dieni. Me assegno bancario në nji leter të porositun mund të dergojë pare sa të duej njeri.
Me ket leter prandej nuk po Të baj veç nji pvetje krejt të lehtë e kte po e marr prej sa lexova në fletoren italjane “IL TEMPO” para do kohet. Ndoshta e keni lexue edhe Ju ket artikull të “TEMPO”, megjithkta nji copë të mirë t’artikullit po t’a kopjoj ktu:
“La missione inglese, munita soltanto di qualche mitra, di qualche attendente italiano prelevato dalle nostre divisioni disperse dopo l’ 8 settembre, di qualche radio e di alcuni sacchi di “cavalleria di S. Giorgio” cioè di sterline-oro, si accorse, dopo qualche mese di permanenza sui monti Ostrenit (ku janë), che la situazione interna del “Paese delle Aquile” era differente da come appariva dall’ esterno. Il casellario indigeno delle tribù, diverse per razza, per religione, per costume e per civiltà, era intatto: la missione communista aveva fatto presa soltanto nei territori intorno a Elbasan e al lago di Ocrida; il resto del paese, per farsi acquisire alla causa antitedesca, richiedeva un gioco di scacchi complesso e difficile. Soprattutto, le tribù nordiche e occidentali, più ricche, che volentieri gravitavano verso l’ America e verso l’Ingliterra, chiedevano armi: ne avevano bisogno in primo luogo per combattersi reciprocamente, in secondo luogo per combattere le tribù meridionali più o meno eggregate ai comunisti, in terzo luogo per combattere i tedeschi. Gli alleati occidentali non mandarono mai queste armi, non sostennero che con qualche somma di denaro e molte migliaia di parole Abas Kupi, esponente della tendenza occidentalista, ed a un certo punto giunsero fino a lanciare, coi paracadute, mitragliere e fucili soltanto nei territori controllati da Hodja. Errore fatale, frutto dell’ aberrazione che vedeva nei russi i grandi “democratici” del secolo, i generosi “liberali” riscatatori dei popoli oppressi (shqip: Misjoni ingliz, qi kishte vetëm pak mitroloza, ndonji ordinancë italian të marrun prej divizioneve t’ona të shpërndame mbas 8 shtatorit, disa radio dhe disa thasë të “kalorësisë së Shën Gjergjit”, dmth. Stërlina ar, e kuptoi mbas pak muejsh qëndrimi në malet e Ostrenit (ku janë), se gjendja e mbrêndshme e “Vendit të Shqipevet” ishte ndryshme nga ç’dukej prej së jashtëmi. Pasqyra e mbrêndshme e fisevet, të ndryshme për racë, fe, zakone e qytetnim, ishte e paprekun : misioni komunist kishte bâ për vete vetëm trevat e Elbasanit e të liqenit t’Ohrit ; për me bâ kundër gjermanëve pjesën tjetër të Shqipnisë, duhej nji lojë shahu e ngatrrueme dhe e vështirë. Sidomos fiset veriore e perëndimore, mâ të pasuna, qi me qejf prireshin drejt Amerikës dhe Anglisë, kërkonin armë : këto i duheshin, së pari për të luftar ndërmjet vetit, së dyti për të luftuar fiset jugore, pak a shumë të lidhun me komunistët, së treti të luftonin gjermanët. Aleatët perëndimorë nuk i çuen kurrë ato armë, mbështetën me ndonji shumë paresh e me mija fjalë Abaz Kupin, nji eksponent me prirje perëndimore dhe mbrritën deri n’atë pikë sa me hedhë me parashutë mitraloza e pushkë vetëm në zonat e kontrollueme nga Hoxha. Nji gabim fatal, frut i rravgimit qi shihte në rusët “demokratët” e mëdhenj të shekullit, “liberalët” bujarë, shpëtuesit e popujve të shtypun.)
La storia di questo errore è narrata minuziosamente in un libro pubblicato tempo fa da J. Amery (figlio di un ministro del gabinetto di guerra inglese, fratello del tradittore che parlava a Radio-Berlino e che fu poi impicato a Londra) e aiutante del capo-missione colonello Mac Lean.
Il libro chiarisce anche le origini del attuale sentimento antibritanico, l’ unico sentimento su cui gli albanesi siano tutti d’accordo, e con accorata amarezza narra delle promesse aleate non mantenute in ommaggio ai sovietici. Una sera, racconta fra l’altro l’Amery, i britanici avevano inviato un gruppo di sabotatori albanesi a far saltare un ponte sulla rotabile Croia-Scutari; gli ordini erano perentori, non occuparsi degli uomini, tedeschi o italiani o epiroti che fossero, occuparsi solo dei piloni del ponte. La mattina dopo, sul fare dell’alba, gli ufficiali inglesi furono svegliati nei loro rifugi dalle voci ilari dei reduci dalla spedizione; uscirono assonnati dalle tende, andarono sullo spiazzo dell’ accampamento e videro gli albanesi festosamente riuniti intorno a un punto del prato su cui avevano steso un telo da tenda. Si fecero largo e il sangue si agghiacciò nelle vene: sul telo erano allineati 50 orecchi umani, 50 trofei individuali strappati ad altretanti schipetari d’una formazione meridionale sorpresa nel corso dell’operazione. “E il ponte?” domandò Amery. Il ponte, risultò dopo, era ancora intatto o quasi, ne avevano sbocconcellato soltanto un pilone, l’eccitazione della strage compiuta contro i connazionali aveva impedito ai sabotatori di agire con metodo e con ponderatezza”. (shqip: Historia e këtij gabimi tregohet imtësisht në nji libër të botuem tash vonë nga J. Amery (bir i nji ministri në qeverinë inglize të luftës, vlla i tradhtarit qi flitte në Radio-Berlini e qi ma vonë u var në Londër ) dhe ndihmës i kryetarit të misjonit, kolonelit Mac Lean. Libri shpjegon edhe origjinat e frymës së tashme antibritanike, e vetmja frymë qi ven në nji mendje të gjithë shqiptarët, dhe me idhnim tregon për premtimet e aleatëve, të pambajtuna për hir të sovjetikëve. Nji natë, tregon ndër të tjera Amery, inglizët kishin çue nji grup sabotuesish shqiptarë me hedhë n’erë nji urë në rrugën Krujë – Shkodër ; urdhnat ishin të preme, mos me u marrë me njerzit, gjermanë a italianë a epirotë qofshin, por vetëm me shtyllat e urës. Të nesërmen, në të gdhime të ditës, oficerët inglizë u zgjuan në strehët e tyne prej të qeshunave me zâ të naltë të të kthyemve nga misjoni ; duelën gjymsë të përgjumun nga çadrat, shkuen te sheshi i fushimit e panë shqiptarët, të mbledhun gjithë qejf rreth nji pike të livadhit, mbi të cilën kishin shtri nji çarçaf çadre. U afruen dhe u ngriu gjaku : mbi çarçaf ishin rrjeshtue 50 veshë njerzish, 50 trofè vetiake të shqyem prej po aqë shqiptarësh të nji formacioni jugor, të kapun befas gjatë operacionit. “Po ura?” pyeti Amery. Mâ vonë u kuptue se ura ishte ende e paprekun, sa i kishin gërvishtë pak nji shtyllë. Ngacmimi i masakrës së kryeme kundrejt bashkatdhetarëvet i kishte pengue sabotatorët të veprojshin me metodë e matuní)
Mue m’ intereson ma së fortit me dijtë a âsht i vertetë ky fakti i urës, të cillen partizanët e Amery paskan harrue me e prishë, vetem pse paskan pasë kenë marrë mendsh prej 50 veshve qi u paskan pasë ndukë shqyptarve-vllazen të jugut kta shqyptarët e nordit. Shqyptari e ka pasë perpara zanát qi kúr e ka vrá të vëllán e vet shqyptár, po pat kenë rrzue ky i shuemi e rá dekun mbrapshtë, me shkue e me e drejtue mbarë. E tash, në ket luften mbrame po paska pasë ksi shqyptarësh “heroj” qi po paskan martirizue e i a paskan ndukë veshët vëllazënve të vet të dekun. Shka thoni ju per ket fakt? Un natyrisht knaqem fort po kje ky fakt nji rrenë e jo tjeter. Me gjithkta edhe europjant e vetqujtun të civilizuem kanë dhânë prova të kjarta mizorijet edhe mâ të mndershme se kta veshët e ndukun Shqyptarvet prej Shqyptarsh, e prandej edhe po kjém na Shqyptarët mizorë, kemi shokë boll n’ Europen e civilizueme.
Edhe tjerat sende t’artikullit nuk janë gjithaq precize e të sakta, por kto nuk keni nevojë me m’i spjegue kso heret, pse nuk âsht kohë gjithaq, mbasi pergjegja e Jote do të më mrrijë nji grimë mâ shpejt se tjera herë.
Per sot e ka mjaft! Me gjithë zemer Të falem nderës qysh tash per at fyshekun qi po të duhet me e shprazë per mue, e shpresoj se nuk do të dalë nji fishek qorr.
Shum shëndet e të mira Të dergon
Miku yt si perherë
- P. MargjokajO.F.M.
Ramleh (Aleksandrí), 25. 6. 1951
I dashuni Atë,
Mâ shpejt se kështu nuk mujta t’i përgjigjem letrës s’Ate me 10 k.m.. E në qoftë se përgjegja s’ka me Të kënaqun, un s’kam faj. Shpresa s’Të kam pasë dhânë, e në qoftë se ka me dalë gjâ, sado e vogël, t’i a dijsh për nder kâmbënguljes s’ate mâ fort se ndërmjetimit t’em.
Fola, pra, me Mbretin, i a lexova tekstualisht fjalët qi i perkasin çâshtjes e i shtova sa dijta e sa mujta edhe prej vetiu. Para se t’i përgjigjet thelbit të çâshtjes, reakcjon’i parë i tij qe nji farë çudije disaprovuese për sa i përket vêndit për ku Ti je nisun, të cilin ai s’e gjet të përshtashëm qëllimit. “Me lânë Italín, me Napël, Venedik e sidomos, Romë e Vatikan e me shkue në Graz për me bâmë studime mbi historín shqiptare, un s’e kuptoj” më tha. “Sidoqoftë, shtoi mbandej, sa kërkon urata?” I u përgjegja se s’Të përkitte Tý me caktue e se ai vetë, po të donte, mund T’epte sa të mundte e sa t’i lente në zêmër. Por ai nguli kambë qi Ti t’i paraqitshe nji cifër minimum qi mundet me Të hŷmë në punë e ai mandej do të matte mundsín e vet e do të vëndoste mbi atë bazë. E e mbylli këtë bisedë tue më thânë: “Por mos rri pa i a kallzue edhe objekcjonin qi bâna rreth vêndit të studimevet.”
Mbi artikullin e Tempo-s nuk dij me të thânë kurrgjâ. Librin e Amery-t s’e kam këndue, se s’e dij inglishten. Sa për veshët e premë, âsht nji çashtje qi mund të hetohet në Romë prej Abaz Kupit, në qoftë se ke atje ndonji mik.
Kjo ndoshta âsht mâ e shkurta letër e ime qyshse kemi fillue korespendencën bashkë.
Me shëndet e gjithë të mirat.
M.Kruja
BOLZANO, me 9 Korrik 1951
Fort i dashtuni Mik,
Letra e Jote më mrrijti fort mâ shpejt se e mendova. Vetë kjeçë per nji javë jashta Bolzanos e kjo âsht arsyeja pse vetem sot po i pergjegjem letres s’Ate, e cila më rá në dorë dje, sa ktheva në gjytet.
Objekcjoni i Mbretit rreth vendit të studimeve âsht krejt me vend. Mue veç m’ â dashtë me zgjedhë ket rrugë per me u skapullue prej Bolzanos, ku tash pesë vjet jam kenë i lidhun me ket kuvendin e ktushem. Hapi i parë i emi do të ishte po ky : njiherë me braktisë Bolzanon ku m’u dote me veprue per tjerë, pa pasë asnjë dobí vetë e aq mâ pak atdheu i em. E ket hapin e parë nuk pata si e baj ndryshej veç tue lypë me shkue n’Austrí. Me pasë lypë me shkue në nji tjeter gjytet t’Itales, do t’më ishin pergjegjë: “Shko, veçse në vjeshtë ktheju prap në Bolzano”, me vazhdue si kam veprue tash 5 vjet e tektej.
Âsht e dijtun se kërkova me shkue në Graz, pse Vjena âsht e vshtirë me u arrijtë, mbasi do të kalohet gardhi i hekurt. E vetë nuk kam veçsè lejen me u ndalë nder zonat e tri pushteteve prendimore. Arsyeja pse vetë kam zgjedhë Austrín âsht kjo: studimet e mija mbi historín shqyptare perqandrohen mâ së fortit mbi perjudhen e historis moderne të popullit shqyptar. E rolin mâ të madhin në historín shqyptare të ksaj periudhe e ka luejtë Austrija, e prandej ktu gjindet mâ shum se kurrkund materjal per t’u shfrytsue. Si Të thash, në Graz shkoj vetem pse s’mundem me arrijtë Vjenen. Mâ vonë shpresoj se do të ndrrojnë punët e do të mund të shkoj edhe në Vjenë.
Me kaq nuk don me thânë se vetë do të braktisi Italín me Napull, Venedik e Romë. Al contrario! Vetë jam i ngushtuem nemose krye 6 muejsh me ardhë në Italí, tue kenë se il visto di reingresso ngjatë vetëm 6 muej e do të renovohet. E mandej Pasaporti ngjatë edhe ai vetem 1 vjetë e edhe ky do të renovohet per gjith vjetë me të gjitha shpenzimet qi bjen kjo punë, tue mos harrue dhe vistimet e ndryshme t’Austrís e t’Aleatvet. Vetem kso heret ka kushtue mâ se 6 mijë lira me shti në dorë kto letra. Mue më duhet me doemos me kalue disá muej n’ Italí e ket kohë do t’a perdori per me shkue e me u ndalë veçanerisht në Romë, ku âsht materjal boll per t’u shfrytëzue, mbasi Italija bashkë me Austrí kanë diftue interesë të madhe per çashtjen shqyptare.
Shka vetë mâ fort kerkoj, janë relacjonet e popullit shqiptar me popujt slav, sidomos serb e malazez e neper kta “klysht e Rusís”, edhe relacjonet t’ona me kta harushat e verit. Per ket âsht Austrija vendi mâ i pershtatshmi, mbasi si në Graz si dhe në Vjenë janë fakultete të posaçme per slavologí. Në Graz janë shum slavolog të permendun e edhe biblioteka e ktij universtetit âsht fort pasun me vepra qi interesojn punët e Balkanit e veçanerisht punët e Shqypnís. Në ket gjytet dishroj vetë me u specializue. In mancaza di Vienna, kam zgjedhë Graz-in.
Mbreti po lypë prej mejet qi të paraqes nji çifer minimume. Ket planin t’em qi kam ba, do t’a zbatoj mbrenda nji kohet prej 2-3 vjetsh. Mbas tana gjasësh ka me m’u dashtë edhe qi të shkruhem nder kurse specializimit n’ universitet t’ Graz-it. Prandej nji minimun kohet prej dy vjetsh deri në nji maksimum prej trí vjetsh ka me m’u dashtë. Natyrisht jo tanë ket kohë do t’a kaloj në Graz. Shum kohë do t’a kaloj n’ Itale, po kje kollaj, edhe nder vende të tjera, veçanerisht në Francë.
E shuma minimume qi mue do të më hyjë në punë per dy vjet siellet rreth 1200 dollarësh. Ka 1 dollar në ditë do t’i epet kuvendit ku herë mbas heret do të jetoj. Si T’a kam pasë spjegue edhe nji herë tjeter, kúr njani nesh jeton në nji kuvend perpá punue per te, por per vedi, si âsht ne ket rasen t’eme, ai kuvend do të paguehet. E unë shpresoj se me 1 dollar në ditë do të jén konend. Teprica qi jet më nevojitet per shpenzimet tjera gjithfarësh, sikurse janë : fotografim dokumentash, udhtime, iscrizione ai corsi di specializzazione të lidhuna me taksa, mandej do të blehet tesh e parë ndoj liber etj. etj. Jam mundue me caktue nji minimum, pse drue se mos po lypi shum. Shpresoj se as Mbretit nuk ka me i u dukë shum një shumë 1200 dollarësh per dý vjet.
Âsht e dijtun se Mbreti nuk ka nevojë me m’a dergue ket shumë krejt me njiherë. Mund t’a dajë në dý rata: gjysën tash e gjysën vjeten qi të vijë. Po desht me caktue rata edhe mâ të vogla, per mue âsht barabar. Kur të jém i sugurtë per shumë qi marr, âsht njisoj sikur e marr. Un dij se si me u rregullue : mndyren se si do të më niset kjo shumë do t’a shqyrtoni ju andej, pse vetë nuk i dij rrethanat e atjeshme. Ju mund të pvetni në ndoj bankë e ato kanë me dijtë se si mund të dergohen pare per Austrí, prej Egjiptit. Adresa e eme âsht kjo: “P. Paulin Margjokaj- Franziskanerkloster – Graz (Austria).
Shikjoni, veç qi shuma e pareve, në trajtë çekut a sido të vijë, të më mërrijë në dorë drejt per drejt mue, perpá e pá tjerët. Arsyeja âsht se kur t’a dijn kto të kuvendit se vetë marr pare prej Mbretit, at herë lypin fort mâ shum. E vetë nuk e kam kurrkund menden me u dhânë mâ teper se 1 dollar në ditë. Prá çeku – po e zgodhët Ju ket mndyrë – do t’vijë i ndrŷm në leter të rakomandueme, e jo me e dergue shumen me vaglia postale, pse vaglia postale vjen e çilun e e shef gjithkushi.
Shpresoj do të dalë mirë kjo lypa e eme, qi mirsija e Juej po pshtetë. Unë, me diftue të drejten, qysh se fillova ket lypen t’eme, e dijshem se kur t’i lypet ndoj send Mbretit, e ka fort të vështirë me thânë jo.
Nderkaq po të falem nderës Ty per bezdí qi ké marrë mbi vedi per hater t’em. Per Austrí do të nisem me 17 të këtij moji. Pergjegjen tande e shumen e Mbretit i pres, pra, në Graz me adresë të syperme.
Shum shndet Të dergon me gjith zemer
- P. Margjokaj O.F.M.
- S. – Prej Graz-it do t’i shkruej Mbretit tue i u falë nderës per bujarí qi po difton ndaj meje. A âsht mâ mirë qi t’i shkruej drejt per drejt, apor neper dorë tande. Shka më thue Ti?