Kryebashkiaku Basha: Nga sot, Papa Francesku mban çelësin e Tiranës

0
168

lulzim BASHA ME PAPa franceskuKryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, njëkohësisht edhe kryetar i Partisë Demokratike, i dorëzoi dje Papa Françeskut titullin “Qytetar Nderi”. Takimi i Bashës me Papën u bë pasi Ati i Shenjtë mbylli vizitën e tij në Presidencë si dhe pak para se të mbante meshën e shenjtë në sheshin “Nënë Tereza”. Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha si dhuratë i dorëzoi Papës edhe çelësin e kryeqytetit, ndërsa theksoi se dhurimin e titullit “Qytetar Nderi”, iu dha me motivacionin:

“Në nderim të veprimtarisë dhe përkushtimit që ka dëshmuar çdo ditë për të respektuar dhe inkurajuar njerëzit e thjeshtë, pa ndasi fetare apo status social, nëpërmjet shembullit të jetës së tij dhe veprave, në krye të Selisë së Shenjtë si dhe përzgjedhjen për të vizituar dhe bekuar si kryeqytetin e parë të Europës Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë, simbol i bashkëjetesës fetare, i një populli besimplotë dhe mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Selia e Shenjtë.”,-ka shkruar Basha në rrjetin social “Facebook”. Ndërsa pak ditë më parë Basha është shprehur në lidhje me vizitën e Atit të Shenjtë se: Tirana dhe qytetarët e saj, pa dallim feje, krahine dhe ideje, janë përgatitur për të pritur me zemër të bardhë, siç e ka zakon shqiptari, Papen e të thjeshtëve, Papen e afrimit dhe bashkimit të njerëzve, mikun e madh te Shqipërisë dhe shqiptarëve, Qytetarin e Nderit të Tiranës sonë. I themi sëbashku me gjithë zemër “Mirësevjen në Tiranë”.