Vizita në Shqipëri/ Papa: Shqipëria vend evropian, myslimanë, ortodoksë e katolikë bashkëpunojnë si vëllezër

0
164

anikaaaaaNë Shqipëri dallohet një kulturë superiore, e aftë për të ndërtuar rrugën e paqes dhe të bashkëjetesës

 Papa vendos lulet e fëmijëve të shoqatës “Betania” në Bazilikën e Shën Marisë

Edhe pse është një vend me shumicë myslimane, Shqipëria nuk është një vend mysliman, por evropian, për kulturën e bashkëjetesës dhe historinë që ka pasur! Me këto fjalë u është përgjigjur Papa Françesku gazetarëve gjatë momentit kur udhëtonte me avionin nga Tirana për në Romë. Papa gjithashtu vlerësoi mënyrën se si bashkëjetojnë fetë në Shqipëri duke theksuar se Shqipëria ka ndërtuar rrugën e paqes. “Më kishin thënë që ishte vendi më i ri në Evropë, dallohet një kulturë superior, e aftë për të ndërtuar rrugën e paqes, bashkëjetesës dhe bashkëpunimit. Shqiptarët nuk janë tolerantë, por vëllazërorë, kanë aftësinë e vëllazërisë, dhe kjo duket në mënyrën e bashkëjetesës, dhe të bashkëpunimit mes besimeve të ndryshme fetare: myslimanë, ortodoksë e katolikë. Bashkëpunojnë si vëllezër”, – u shpreh Papa Françesku. Gjithashtu Papa tregoi se ka studiuar prej 2 muajsh periudhën e komunizmit dhe se ishte mahnitur nga fotot e martirëve në bulevardin e Tiranës. “Prej dy muajsh kam studiuar këtë periudhë, në mënyrë që ta kuptoja më mirë atë kohë. Ka qenë një periudhë mizore dhe niveli i mizorisë ishte i tmerrshëm”. Duke iu referuar posterave gjigante të martirëve të komunizmit të vendosura përgjatë bulevardit qendror në Tiranë, Papa tha: “Kur i pashë ato foto, jo vetëm nga katolikët, por edhe ortodoksët e myslimanët i ndëshkonin, pasi dëshmonin besimin në Zot. Secili nga të tria komunitetet fetare kanë përcjellë dëshminë e Perëndisë dhe tani dëshmojnë vëllazërinë”, – theksoi Papa Françesku gjatë udhëtimit me avion për në Romë.

 

Vizita

Papa Françesku pranoi se ishte përlotur gjatë momentit kur kishte dëgjuar historitë e dy meshtarëve për vuajtjet që kishin kaluar gjatë periudhës së komunizmit. Papa gjithashtu konfirmoi se vizita e tij e ardhshme do të jetë në Turqi. “Gjeografia nuk mund të ndryshojë, ndoshta në 28 nëntor do të nisë udhëtimin në Ankara dhe Stamboll, për të qenë me patriarkun Bartolomeu në 30 nëntor për të festuar Shën Andrean”, – u tha Papa gazetarëve.

 

Lulet e fëmijëve

Lulet e dhuruara nga fëmijët jetimë të qendrës “Betania” në Bubq të Krujës janë vendosur dje në Vatikan, në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe nga duart e vetë Papa Françeskut. Papa i ka marrë me vete ato lule me një synim të qartë. Radio Vatikani njofton se dje Papa Françesku, sipas zakonit, deshi ta falënderonte Zojën e Bekuar për mbrojtjen dhe suksesin e plotë të shtegtimit të tij në Shqipëri. “Sot (dje) paradite, rreth orës 12:00, njofton një notë zyrtare, Papa shkoi në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe dhe u gjunjëzua në lutje të heshtur në kapelën e Zojës Salus Popoli Romani, ku vuri tufën me lule, që i dhuruan dje në Shqipëri, në çastin e takimit me fëmijët e Qendrës Betania. Lule shqiptare, në elterin romak të Zojës, ndërkohë që besimtarët e pranishëm u bashkuan me Papën në lutje, për të përfunduar me këngën “Të falem Mbretëreshë”, – thuhet në një njoftim të Radio Vatikanit.

 

Doda: 21 shtatori të jetë festë kombëtare

Dita kur Shqipërinë e vizitoi Papa duhet të jetë festë kombëtare. Kështu u shpreh ditën e djeshme deputetja e Partisë Demokratike Mesila Doda. “21 shtatori do mbahet mend gjatë për kuptimin e historisë, për mënyrën si ndryshon historia, të mendojmë se këta njerëz që janë martirë, dikur kanë qenë të anetemuar dhe të keqtrajtuar nga koha, qoftë nga gjykimi popullor dhe turma të manipuluara që donin t’i trajtonin si njerëz armiqësorë. Martirët jo vetëm ruajtën besimin e tyre, por na dhanë shembullin e rezistencës. Kjo është edhe arsyeja që deputetë të majtë dhe të djathtë të kemi mundësi të japim jetë një nismë, për të shpallur 21 shtatorin si ditën e martirëve të besimit, të jetë festë kombëtare, ku të gjithë bashkë, besimtarë të besimit katolik mysliman, ortodoks, protestantë të gjithë njëzëri të besojmë se kemi një ditë të përbashkët që të respektojmë heronjtë tanë”, – përmendi Mesila Doda gjatë një interviste.

 

 Mbyllen regjistrimet/ Fituesit përfundimtarë për në universitete, më 29 shtator

Ora 00:00 e ditës së djeshme ishte afati i fundi i lënë fituesve paraprakë nga Ministria e Arsimit për t’u regjistruar në universitet. Pas mbylljes së regjistrimit të fituesve paraprakë, Agjencia Kombëtare e Provimeve do të shpallë, brenda datës 29 shtator 2014, listën përfundimtare të kandidatëve fitues. Lista shpallet edhe në faqen zyrtare elektronike të MAS dhe AKP. “IAL-të shpallin në vende të dukshme listat përfundimtare brenda datës 30 shtator 2014. Sekretaritë mësimore të fakulteteve nga data 1 tetor 2014 deri më 7 tetor 2014, prej orës 08:00 deri në orën 18:00, pranojnë dokumentacionin plotësues për të gjithë kandidatët fitues”, – thuhet në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit. Kandidatët dorëzojnë personalisht dokumentet e mëposhtme:

– Dokumentin e identifikimit (kartë identiteti ose pasaportë)

– 2 fotografi personale

– Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.600 lekësh, paguar pranë zyrave të Postës Shqiptare, për llogari të IAL-ve përkatëse.

Kandidatët që regjistrohen duke paraqitur dokumentacionin pranë sekretarive të IAL-ve publike ku janë shpallur fitues sipas procedurës së mësipërme, nuk kanë të drejtë të aplikojnë në raundin pasardhës (ku parashikohet edhe aplikimi me formularin A3).