Publikohet videoja/ Ja si u godit deputeti Strazimiri. Prokuroria vë nën akuzë 3 deputetë

0
159

Sonila Mesareja

goditja... Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu  gent strazimiri (3) Dy deputetët e PS-së, Pjerin Ndreu dhe Arben Ndoka, akuzohen për dhunën ndaj Strazimirit, ndërsa deputeti i PD-së, Astrit Veliaj, për shkatërrim prone dhe ndërtim të paligjshëm mbi këto prona. Reagojnë deputetët, hedhin poshtë akuzat

 Tre deputetë, dy të mazhorancës dhe një i opozitës, janë vënë nën akuzë nga Prokuroria e Përgjithshme. Bëhet fjalë për deputetët Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu të Partisë Socialiste dhe Astrit Veliaj i Partisë Demokratike. Akuzat për deputetët janë të ndryshme, pasi dy deputetët e mazhorancës akuzohen për ushtrim dhune ndaj deputetit të Partisë Demokratike Gent Straizimiri, ndërsa deputeti i opozitës për “Ndërtim të paligjshëm” dhe “Shkatërrim prone”. Tashmë është Gjykata e Lartë e cila do të marrë në dorë dosjen ndaj 3 deputetëve, pasi është i vetmi organ gjyqësor që gjykon deputetët.

 

Akuza ndaj Ndokës e Ndreut

Në një dalje publike për mediat, drejtoresha e kabinetit të Prokurorisë, Fjorida Ballauri, bëri publike akuzat që rëndojnë ndaj 3 deputetëve. Sipas organit të akuzës, është vërtetuar nga kamerat e sigurisë të Kuvendit se dy deputetët socialistë Pjerin Ndreu dhe Arben Ndoka kanë goditur me grushte deputetin demokrat Gent Strazimiri në ambientet e Parlamentit shqiptar, gjatë seancës së 10 korrikut. Deputetët janë marrë në cilësinë e të pandehurve, pasi akuzohen për veprën penale të “Goditjes për shkak të detyrës”, në dëm të deputetit Gent Strazimiri.

 

Akuzat ndaj Veliajt

Prokuroria e Përgjithshme ka marrë nën akuzë edhe deputetin Astrit Veliaj, i cili akuzohet për ndërtim të paligjshëm të godinës së Universitetit “UFO” në Fier, institucion në pronësi të deputetit demokrat. Ndaj tij janë depozituar dy kallëzime: një qytetare e akuzon se e ka ndërtuar godinën në një pjesë të pronës së saj private, ndërsa po ashtu, Drejtoria e Policisë së Qarkut Fier ka bërë kallëzim se godina është ndërtuar në ambientet ku kanë qenë më herët zyrat e kësaj drejtorie. Veliaj akuzohet për veprat penale të “Ndërtimit të paligjshëm” dhe “Shkatërrim prone”.

 

Prokuroria: Strazimiri u qëllua fillimisht nga Ndoka, pastaj nga Ndreu

“Strazimiri u qëllua në fillim nga Ndoka, pastaj Ndreu. Kamerat e sigurisë së Kuvendit e evidentojnë këtë fakt”. Ky ka qenë përfundimi i hetimeve që çoi nën akuzë dy deputetët e mazhorancës. Hetimet e Prokurorisë ndaj Ndokës dhe Ndreut nisën pas kallëzimit që kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, dorëzoi më 14 korrik kundër dy deputetëve socialistë. Sipas kallëzimit, më 10 korrik në Kuvend deputetët Ndoka dhe Ndreu goditën për shkak të detyrës deputetin demokrat Gent Strazimiri. Sipas hetimeve të kryera, mbi deklarimet nga personat e pranishëm në ambientet e Kuvendit si dhe nga pamjet e kamerave të sigurisë të Parlamentit, evidentohet goditja ndaj Strazimirit. “Në kuadër të këtij procedimi, nga ana e grupit hetimor janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme procedurale, janë marrë deklarimet nga personat e pranishëm në vendin e ngjarjes si edhe janë sekuestruar kamerat e sigurisë të ambienteve të Kuvendit të Shqipërisë, ku evidentohet goditja ndaj deputetit Strazimiri. Hetimet vërtetuan se gjatë kohës kur deputeti Gent Strazimiri ishte në ambientet e brendshme të Kuvendit të Shqipërisë, pranë sallës plenare, ai është goditur me grusht nga deputeti Arben Ndoka. Pak momente më vonë deputeti Gent Strazimiri është goditur edhe nga deputeti Pjerin Ndreu. Bazuar në veprimet hetimore, rezulton se deputeti Strazimiri është goditur për shkak të deklaratave politike që ka bërë në seancën e datës 10 korrik 2014”, – sqaroi Ballauri.

 

Prokuroria: Veliaj ndërtoi Universitetin pa leje

Prokuroria deklaroi në daljen e saj publike se deputeti Veliaj ndërtoi Universitetin pa leje, në një pjesë prone private she shtetërore, madje duke shkatërruar ish-zyrat e Drejtorisë së Policisë. Drejtoresha e kabinetit të Prokurorisë së Përgjithshme tha se hetimi ndaj deputetit Astrit Veliaj nisi pas dy kallëzimeve të ngritura ndaj tij. Kallëzimi i parë i përket një qytetareje nga Fieri, e cila pretendon se një pjesë e Universitetit “UFO” (një ndërtesë 4 dhe 6 kate, në një sipërfaqe 11.000 m2) është ndërtuar në pronën e saj private në mënyrë të paligjshme. Sipas Prokurorisë, edhe Bashkia e Fierit ka dhënë konfirmimin zyrtar se nuk është dhënë asnjë leje për ndërtim në këtë zonë. Po ashtu, hetimet e organit të akuzës kanë nxjerrë se një pjesë e universiteti UFO është ndërtuar në truallin ku kanë qenë më herët zyrat e Drejtorisë së Policisë së qytetit. Madje, Universiteti në pronësi të deputetit demokrat i ka shkatërruar këto godina të Ministrisë së Brendshme, me një vlerë që llogaritet në rreth 10 milionë e 500 mijë lekë. “Deri në vitin 2012, në këtë truall kanë qenë zyrat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier. Pas zhvendosjes së zyrave të këtij institucioni në një ambient tjetër, në inventarin e Ministrisë së Brendshme kanë mbetur godinat ku ushtronte funksionet Drejtoria e Policisë së këtij Qarku. Subjekti “UFO” sh.p.k, në mënyrë të paligjshme, ka shkatërruar këto godina shtetërore, me një vlerë që llogaritet në rreth 10 milionë e 500 mijë lekë për të ngritur ndërtesën e tij. Për këtë arsye, Drejtoria e Policisë së Qarkut Fier ka dorëzuar një kallëzim penal ndaj shtetasit Astrit Veliaj, në cilësinë e përfaqësuesit ligjor të subjektit “UFO” sh.p.k”, – përfundoi deklaratën drejtoresha e kabinetit të Prokurorisë së Përgjithshme.

 

Reagimet e deputetëve

Pas marrjes dijeni për akuzat e Prokurorisë së Përgjithshme, kanë reaguar menjëherë për mediat tre deputetët. Deputeti Pjerin Ndreu i cilësoi qesharake këto akuza, duke deklaruar: “Do vërtetoj me prova në Gjykatë se jam i pafajshëm. Nuk gjykoj veprimet e Prokurorisë, nuk prisja show mediatik duke përmendur disa akuza që nuk ekzistojnë. Akuzat do të përballen në Gjykatë me kundërargumente dhe prova do të tregoj publikisht se akuza ndaj meje nuk ekziston, jo vetëm që nuk ekziston por është edhe qesharake. Do t’u vërtetoj me prova të pakundërshtueshme se akuza ndaj meje nuk ekziston. I mbetet Gjykatës të gjykojë, por jam shumë i qetë në këtë histori. E provuar kjo edhe me deklarime të ndryshme të personave që kanë qenë aty. Nuk është akuza e parë që është ngritur ndaj meje, por asnjë akuzë nuk ka për të vërtetuar asgjë”. Ndërkohë, deputeti Arben Ndoka deklaroi: “Respektojmë vendimin e Prokurorisë dhe verdiktin e Gjykatës”. Më pas ka reaguar edhe deputeti i PD-së, Astrit Veliaj, i cili deklaroi se kishte ndërtuar mbi pronën e tij dhe se Universiteti ishte në proces legalizimi. Ai ka hedhur poshtë akuzat e ngritura ndaj tij, duke sqaruar se Universiteti “UFO” është ndërtim i ligjshëm në pronë private. Ai i përgjigjet me akuza Prokurorisë, duke thënë se ky vendim i saj ka nxitje politike apo inate personale, duke shtuar se po goditet sipërmarrja e ndershme. “Kam paguar taksat dhe kurrë s’jam futur në Prokurori… të futem tani në moshën 56 vjeç… Universiteti është në proces legalizimi, ka përfituar nga amnistia që ka nxjerrë Rama në qershor. Jam i përjashtuar nga vepra penale, të gjitha ndërtimet i kam bërë në pronën time, s’kam cenuar asnjë pronë publike. Do të vazhdoj të ndërtoj për të mirën e vendit. Ka një nxitje që nuk e di se nga vjen që Prokurori merret me një sipërmarrës të ndershëm dhe nuk merret me dosjet e krimit që rrinë në Prokurori. Por hapat do t’i kemi të mëtejshëm në vazhdim. Kam dokumentacion ligjor”, – tha Veliaj. Ai pranon që është thirrur në Prokurori dhe se ka deklaruar se në 23 vite nuk ka ndërtuar në asnjë cm pa leje. “Po, jam thirrur në Prokurori për këtë, akuzë e padrejtë, e pabazuar në prova dhe dokumente. Unë gjatë këtyre 23 viteve, në ndërtimin dhe themelimin e institucioneve me dobishmëri publike kam gjetur forcën dhe lirinë për të dhënë kontributin tim në zhvillimin e vendit. Akuza që më bëjnë janë fare të padrejta, ndaj një sipërmarrësi të ndershëm që për 23 vite i ka dhënë buxhetit të shtetit nuk e di sesa milionë euro. Janë akuza të paqenë të ngritura politikisht ose me inate personale që nuk e di se nga vijnë. Por që nuk kanë asnjë bazë ligjore, asnjë dokument të vetëm për të ngritur një akuzë të tillë. Unë gjatë këtyre 23 viteve nuk kam cenuar asnjë cm pronë publike dhe as private të askujt. Kam respektuar çdo lloj kontrate gojore dhe të noterizuar”.

 

Publikohet videoja/ Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu dhunuan deputetin Gent Strazimiri

Pasi Prokuroria ka ngritur akuzë ndaj deputetëve të PS-së, Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu, për goditjen e deputetit të PD-së, Pjerin Ndreu, bëhet publike edhe videoja ku deputeti goditet në ambientet e Kuvendit. Televizionet kanë publikuar dje videon që dëshmon dhunën e ushtruar mbi deputetin demokrat Genti Strazimiri nga dy deputetët socialistë Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu në korridoret e Kryesisë së Kuvendit.

Kjo dhunë, e ushtruar më 10 korrik 2014, u bë shkak që opozita të bojkotojë Kuvendin e Shqipërisë dhe për thuajse çdo ditë t’i kërkojë Kryeministrit të kërkojë falje ndaj saj dhe të përjashtojë nga radhët e deputetëve Arben Ndokën dhe Pjerin Ndreun.

Pamjet e siguruara nga Prokuroria e Përgjithshme tregojnë momentin kur deputeti Ndoka ka qëlluar deputetin e PD-së, Gent Strazimiri. Strazimiri kishte ndezur një cigare dhe me telefon në dorë po ecte ngadalë në korridorin e Kuvendit, kur është sulmuar nga Ndoka.

Për të ndarë sherrin, hyn në mes deputetja Klodiana Spahiu e qarkut të Durrësit, afrohet edhe deputeti Genc Pollo, deputeti Oerd Bylykbashi, që tenton të kuptojë çka ndodhur, por pak më pas, Gent Strazimiri është goditur befas pas krahëve, në kokë, edhe nga deputeti Pjerin Ndreu.

Përleshja ka vijuar me të shtyra dhe duar pasi ka dalë nga salla i gjithë grupi parlamentar i PD-së.