Nën oazin e Liqenit

0
158

Fatime Hysa

Vende & hapësira

Tushemisht Shqipëria është një vend i mbushur me mrekulli të pafundme… Pogradeci romantik është një vend që ka mahnitur çdo vizitor me peizazhin e tij mahnitës. Tashmë ky qytet nuk njihet vetëm për terrenin e tij piktoresk, por edhe për traditat e popullsisë vendase. Poeti Lasgush Poradeci nuk ishte më kot i dashuruar me liqenin e Ohrit, sipas tij çdo kush që shihte këtë liqen marrosej pas tij, dhe vërtetë edhe unë u dashurova me të. Turistët që vizitojnë Shqipërinë nëse shkojnë një herë në këtë qytet rikthehen aty sërish dhe sërish.

 

Ja pse duhet të vizitoni Pogradecin

Ky vend ka mundësi të pafundme për të eksploruar nga ato mjedisore deri tek faktet historike: Galeria e Arteve – Ndodhet në qendër të qytetit. Ka vepra nga piktoret e mirënjohur pogradecarë. Shpesh aty organizohen ekspozita të ndryshme. Pogradeci ka një muze të pasur me dëshmi antikiteti dhe te kohës se luftës. Është hapur nga ora 9:00-16:00.

Pogradeci ka Kishën e vjetër ortodokse, që quhet Kisha e re. Kisha e Shën Mërisë dhe ndodhet në lagjen e vjetër të Pogradecit, si dhe një kishë të re, me arkitekturë shumë të veçantë të quajtur Ringjallja. Qyteti i Pogradecit ka dy xhami. Njëra ndodhet në qendër të qytetit dhe tjetra në lagjen e quajtur Goricë. Plazhet – Plazhi i Pogradecit ndodhet brenda në qytet përgjatë shëtitores “1 Maji”. Është një plazh i bukur me rërë, ujë të pastër dhe mundësi për argëtim. Në Pogradec ka edhe disa plazhe të tjerë privatë e publikë, me rërë. Jashtë qytetit mbresëlënës janë plazhet me ujë të kristaltë.

 

Lini

Lini është një gadishull i vogël në brigjet perëndimore të liqenit të Ohrit me një fshat të bukur me të njëjtin emër. Shtëpitë janë të ndërtuara prej guri dhe tulla në anët e rrugicave të ngushta mbuluar me tjegulla. Në jug të Linit, afër Buqëzës në liqen, në thellësinë 2-3 m ndodhen disa palafite. Ai është një vendbanim i tipit liqenor ndërtuar në sipërfaqe të liqenit si ajo e Maliqit në rrethin e Korçës. Ka gojëdhëna që dikur gadishulli i Linit ka qenë një ishull i bukur me bimësi të lulëzuar.

 

Bazilika e vjetër e krishterë e Linit – Jeta në gadishullin e Linit ka filluar në periudhën e parë të epokës së hekurit dhe ka vazhduar deri në kohën e mesjetës së hershme. Gjatë kërkimeve arkeologjike është zbuluar një bazilike e hershme kristiane me mozaikë të jashtëzakonshëm në dysheme që nga shekulli i 4-5 të erës sonë. Mozaikët kanë disa figura të bukura si peshq, zogj etj.

 

Selca e Poshtme

5 varret monumentale të Selcës së Poshtme janë një mrekulli më vete për qytetin e Pogradecit. Kalaja, e cila ndodhet në një pozicion të dukshëm të luginës së Shkumbinit, ka luajtur një rol të dorës së parë në luftërat iliro-romake dhe iliro-maqedonase. Në afërsi të kësaj kalaje kalon rruga Egnatia. Ajo që e bën të njohur këtë vend janë pesë varret monumentale gdhendur në shkëmbin masiv të Gradishtës. Kërkimet arkeologjike kanë treguar se kemi të bëjmë me një qendër të zhvilluar ekonomike-kulturore të një rëndësie të madhe të shekullit 4-3 para Krishtit. Kjo zonë vijon të jetë një zonë e rëndësishme për t’u eksploruar nga ana e arkeologëve. Madje ekzistojnë edhe gojëdhëna se aty ka të fshehur një thesar të madh, i cili i përkiste mbretit ilir.

 

Ura e Golikut

Arkitektura e veçantë e kësaj ure bën për vete çdo vizitor. Ajo është një urë e lashtë e ndërtuar në periudhën romake dhe ndodhet në fshatin Golik.

 

Lumi Shkumbin

Lumi i Shkumbinit është një nga lumenjtë me të gjatë në Shqipëri, me ujë shumë të pastër që rrjedh përmes një pamje mahnitëse dhe derdhet në detin Adriatik. Shkumbini ka burimet e tij pranë Gurit të Nikës dhe Gurit të Topit në malet e Mokrës, rajoni i Pogradecit. Në të gjenden disa lloje peshqish, ku në rrjedhën e sipërme shquhet trofta e famshme e lumit pranë burimeve me ujë të kulluar. Kjo bën të mundur sportin e peshkimit, ndërsa disa pjesë te lumit janë të përshtatshme për lundrim.

 

Tushemishti / Driloni

Burimet e Drilonit ndodhen afër fshatit Tushemisht dhe Gurras, 4 km nga Pogradeci, rrëze kodrave dhe kanë një pamje të pakrahasueshme. Këtë monument natyre mund ta vizitoni në qoftë se ndiqni rrugën Pogradec-Doganë-Shën Naum. Ai është një burim i madh gëlqeror që buron me rrjedhje vertikale të ujit në fund te bllokut gëlqeror duke vazhduar më pas rrjedhjen në Liqenin e Ohrit. Uji vjen nga Liqeni i Prespës përmes Malit të Thatë. Uji del jashtë si një burim i madh i veçantë me një rrjedhje prej 7 m3 /sek. Ai është i rrethuar me bimësi te dendur dhe ka një botë të pasur kafshësh. Driloni është një vend piktoresk për t’u vizituar në çdo stinë të vitit, pasi si në dimër ashtu edhe në verë ai ka një bukuri përrallore.

 

Burimet e Kabashit

Vetëm 2 km nga Pogradeci, nëse ngjiteni përgjatë rrjedhës së lumit do zbuloni një vend të mrekullueshëm. Me burime me ujë të kristaltë, lëndina të gjelbëruara dhe hije të freskëta do ishte vendi i duhur për piknik.

 

Rruga Egnatia

Në territorin e rajonit të Pogradecit ndodhen disa degëzime të Rrugës Egnatia, rruga e famshme që në antikitet lidhte Romen me Kostandinopojën. Ka disa ura dhe fragmente të kësaj rruge të lashtë që fillojnë nga ura e Golikut, ura e Terziut në Proptisht, ura në luginën e Llengës dhe ura e Nices. Rruga dallohet prej gurëve të mëdhenj që i gjejmë në grykën e Llengës, pranë luginës së Lumit Shkumbin. Dikur në këtë rrugë ka kaluar Cezari dhe Apostulli Paul në udhëtimin e tij nëpër Iliri.