Info/Kult, Aty ku muzika bizantine takohet me klasiken

0
198

mbeshtetje-per-takimet-muzikore-te-dy-boteve-ne-tirane-dhe-gjirokasterAty ku muzika bizantine takohet me klasiken! Këto janë dy botet e edicionit të tetë të Festivalit Ndërkombëtar “Takimet Muzikore të Dy Botëve” qe organizon shoqata “Argjiro”. Të ndërthurësh të dy botët në një, të gërshetosh traditën dhe identitetin me klasiken, ndërsa mbetesh besnik ndaj identitetit tënd, do të thotë të kthehesh nga e ardhmja dhe jo nga e kaluara.

Nata e pare e festivalit, u organizua në muzeun “Onufri” të Beratit, duke bashkuar trashëgiminë fizike dhe atë shpirtërore, nata e dytë në Katedralen Ortodokse në Tiranë ngjizi muzikën bizantine dhe atë baroke me artistë shqiptare dhe austriake. Nata finale organizohet në Kishën Françeskane në Shkodër, në një tjetër ndërthurje botësh të bizantines me atë klasike, ku do të takohen muzika bizantine shqiptare dhe ajo klasike e interpretuar nga artistë malazezë.

Në Shkodër, 25 shtator, në Kishën Françeskane, kori i psaltëve “Shën Joan Kukuzeli” me muzikë bizantine, nën drejtimin e Theodhor Pecit (Shqipëri).

Kori bizantin i psaltëve “shën Joan Kukuzeli” u themelua me bekimin e Fortlumturisë së tij, Kryepiskopit Anastas në vitin 1998 dhe u drejtua me përkushtim nga arkimandrit Justin Anthimiadhi. Ndërsa prej shtatorit të vitit 2011 mësuesi dhe drejtuesi i korit është Theodhor Peci,

njëkohësisht, drejtor i Shkollës së Muzikës Bizantine, e para në Historinë e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë e ngritur në Tiranë. Kori përbëhet nga 18-20 psaltë të formuar në institucionet e KOASH-it por sidomos nga studentë të talentuar të Shkollës së Muzikës Bizantine që përpiqen të himnojnë Perëndinë me besim dhe me artin e tyre profesional!

Qëllimi i korit është kryerja me profesionalizëm e shërbesave lutëse të Adhurimit Hyjnor por gjithashtu ruajtja, përhapja dhe promovimi i Muzikës Bizantine, si vazhdimësi tradicionale e trashëgimisë sonë kulturore, artistike dhe shpirtërore.

Një tjetër synim konsiston në lëvrimin dhe evidentimin e pasurisë së Artit Psaltik nëpërmjet përshtatjeve dhe kompozimeve të reja muzikore në gjuhën e bukur shqipe duke qëndruar me rigorozitet brenda logjikës dhe traditës së melurgëve bizantinë dhe pasbizantinë, të protopsaltëve, lambadharëve, domestikëve, murgjërve dhe klerikëve që nga fillimi e deri më sot, në përputhje me normat dhe studimet e fundit shkencore të muzikologjisë bizantine.

Aktiviteti i korit është përqendruar jo vetëm përgjatë shërbesave kryesore që kryen rregullisht çdo të diel dhe festave të tjera gjatë javës në katedralen e re “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë por dhe në koncerte, spektakle, evenimente të panumërta në institucionet më të larta kulturore dhe kishtare në vend.

Një tjetër element i rëndësishëm i korit është interpretimi si dhe përzgjedhja e repertorit muzikor. Pjesët melodike janë përzgjedhur nga krijimtaria kompozitorëve të periudhës bizantine, pasbizantine dhe deri në ata të shek. 20 si: Joan Glikis, Joan Kukuzeli, Joan Kladhas, Gjermanoi Neon Patron, Petro Bereqeti, Petro Peloponezi, Petro i Bizantit, Joan Protopsalti, Joasaf Dhionisiati etj.. Veçantia e tyre konsiston në faktin se pjesët janë përshtatur për herë të parë në gjuhën shqipe nën interpretimin e stilit autentik të Artit Psaltik të Bizantit.

Pjesët muzikore që përzgjidhen përshkojnë të gjithë tingujt ose modet e Artit Papadhik me larmi tematikash nga i gjithë viti liturgjikal. Tek to vihet re që vija melodike monofonike alternohet me modulacione dhe kadenca të qëllimshme për të thyer monotoninë e melodisë. Por, duke qenë se kryesisht muzika bizantine është muzikë korale edhe pjesët më të shumta ekzekutohen në kor por me thyerje solistike të herë pas herëshme për të evidentuar dhe rolin e lashtë të “monofonarit” ose “kalofonarit”. Puna e korit bizantin të psaltëve përgjatë këtyre viteve është përqëndruar edhe në incizimin e disa kasetave dhe cd-ive me tematika të ndryshme të himneve!

Pjesëtarët e korit: Emilian Bullari, Vishenso Bushi, Kristjan Boçi, Theodhor Sadikja, Ilia Bulika, Vasil Kasneci, Aleksandri Nano, Amarildo Tashi, Niko Zharkalli Kosta Andoni, Kostandin Cenko, Gabriel Meça, Leonard Gorovelli, Spiro Haxhihyseni, Alban Petro, Harallamb Meçi!

Muzikë Klasike, Nedeljko Pejovic (Kitarre), dhe soprano Bojana Kukic-Pejanovic, (Mali i Zi) janë dyshja zëri dhe kitara, në lidhjet e tyre plot variacion, pothuajse të vjetër sa vetë Muzika. Gjithsesi, kjo lloj ndërthurjeje është shumë e rrallë dhe me pak përjashtime arrin në një kompromis bashkë ekzistence nëpërmjet repertorit të stereotipave të këngëtarëve, të frenuar nga mungesa e cilësisë së përshtatjes së kitarës, e cila mund të mbështeste zërin. Dyshja Vox2Feel, u krijua mbi bazën e atyre kompromiseve të refuzuara dhe në jetimin e muzikës së vërtetë. Emri vjen nga një kombinim i fjalës zë, tela, ndjenja – si pasojë, materiali bazë, i cili është i paaftë të krijojë muzikën nëse ajo nuk është e nisur nga ndjenjat, pavarësisht repertorit, gjinisë ose periudhës, programi i Vox2Feel është i karakterizuar nga një trajtim i pjesëve të njohura tashmë, i ndjekur nga punët të shkruara veçanërisht për dyshen, sikurse dhe punët e reja të cilat nuk janë performuar akoma dhe që ndryshojnë në zhanër nga repertori standard i këngëtarit. Këtë mbrëmje ata do të luajnë një repertor klasik të përzgjedhur nga Handel, Bach, Vivaldi, Purcell.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency