Ardian Balliu dyshonte se bashkëshortja e tradhtonte, i dehur me dy thika e masakron atë
Një vrasje në një familje shqiptare ka tronditur qytetin e Xhenoas në Itali. Adrian Balliu ka vrarë gjatë natës bashkëshorten e tij Valmira, ndërsa dy fëmijët e vegjël të çiftit flinin në dhomën ngjitur. Menjëherë pas vrasjes 44-vjeçari shqiptar ka thirrur forcat e rendit dhe u ka shpjeguar se nuk duronte dot më dyshimin se e shoqja e tradhtonte.
Ngjarja
Vrasja në familjen shqiptare ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në Xhenova të Italisë.
Ardian Balliu, 44 vjeç, qëlloi shtatë herë bashkëshorten e tij, duke përdorur dy thika të kuzhinës të cilat ia nguli në zemër. Mediat italiane shkruajnë se 44 vjeçari kishte përdorur dy thika për të kryer krimin: Kur thika e parë ishte thyer kishte marrë thikën e dytë për t’i dhënë fund jetës. Njëra prej goditjeve i ka prekur zemrën. Valmira Balliu 30 vjeç gjeti vdekjen e menjëhershme si pasojë e goditjeve të marra. E gjithë skena e krimit ndodhi në dhomën e gjumit të banesës së çiftit shqiptar, ndërsa në dhomën ngjitur flinin dy fëmijët e tyre, vajza 3 vjeç dhe djali 4 vjeçar. Pasi krimit, ishte 44-vjeçari që lajmëroi policinë për vrasjen e bashkëshortes, ndërsa u arrestua menjëherë nga karabinierët. “Hajdeni në shtëpinë time”, – mësohet t’ju ketë kërkuar policëve nëpërmjet telefonit Ardian Balliu. Në gjendje shoku dhe i dehur i ka shoqëruar në dhomën ku kishte kryer krimin duke i kërkuar “të mos zgjojnë fëmijët”. Policia italiane ka gjetur gruan të mbuluar me gjak, dhe një thikë pranë zemrës. “E qëllova pas një sherri” kishte sqaruar Ardiani duke pyetur më tej: “Ka vdekur?” dhe më pas duke lënë dhe porositë për fëmijët e tij. “Mos harroni biberonët dhe biskotat për fëmijët”. Dy fëmijët aktualisht i janë besuar të afërmve të çiftit në Torino. Çifti kishte 15 vjet diferencë dhe jashtë mureve të shtëpisë dukej se kishin një jetë familjare normale.
Hetimet
Sipas policisë italiane, shkaqet që mund ta kenë shtyrë 44-vjeçarin shqiptar të vriste gruan e tij, janë xhelozia dhe problemet ekonomike, ndërsa ngjarja e rëndë ndodhi pas një grindje mes autorit dhe viktimës. Nga të dhënat e para duket se Adrian Balliu ishte kthyer i dehur në shtëpi, gjë e konfirmuar edhe nga testi i alkoolit, dhe pas një zënke ishte munduar të mbyste me jastëk bashkëshorten 30-vjeçare. Me pas ai ka përdorur dy thika për ta vrarë pasi njëra i ishte thyer. Gruaja ka ndërruar jetë pasi është goditur shtatë herë. Mësohet se pas arrestimit vrasësi ka rrëfyer se kishte frikë mos e shoqja i merrte fëmijët, tre dhe katër vjeç. “Kisha frikë se më linte dhe më merrte me vete fëmijët”, – ka justifikuar vrasjen e bashkëshortes së tij teksa policia e shoqëronte për në qeli, shkruajnë mediat italiane. Kjo ishte martesa e dytë për Balliun, ndërsa nga martesa e parë kishte dhe një vajzë të cilën i ishte ndaluar ta takonte për shkak të precedentëve penalë. “Më kishte ndodhur një herë me martesën e mëparshme. Kisha frikë se në rast se do ndahesha do të mi merrte edhe këtë herë fëmijët për shkak të problemeve që kisha me drejtësinë. Nuk mundesha të jetoja pa to”, – u ka thënë ai hetuesve të policisë. Ai njihej nga drejtësia për disa çështje droge dhe ishte i akuzuar për kërcënime nga një prej punëdhënësve të tij. Aktualisht ndodhet në burg i akuzuar për vrasje në rrethana rënduese.
Tiranë/ Burri tenton të djegë gruan me benzinë, policia arreston 47-vjeçarin në flagrancë
Policia e Tiranës ka arrestuar dje një 47-vjeçar, pasi ka tentuar të djegë me benzinë bashkëshorten e tij. Sipas policisë, arrestimi i Ilir Patokut është bërë në flagrancë rreth orës 00:30, pas mesnate, pasi dyshohet se ka tentuar të djegë në banesë me benzinë, bashkëshorten 41-vjeçare, pas një konflikti, duke i shkaktuar dëmtime trupore. Nuk dihen Ende nuk dihen detajet e kësaj ngjarje, ndërsa nga ana e uniformave blu vijojnë hetimet për zbardhjen e saj.